Vjenceslav Cençiq, pjesë nga libri: “Rrëfimi fundit i Titos” I

Vjenceslav Cençiq, pjesë nga libri: “Rrëfimi fundit i Titos” I

Historiani  kroat, Vjenceslav Cençiq në librin e tij: “Rrëfimi fundit i Titos”, duke u mbështetur në stenogramet e fjalimit, që ish kryetari i RSFJ-së Josip Broz Tito ka mbajtur në Karagjorgjevo,  në vitin 1979,  ka zbuluar se i adhuruari i  shumë ish politikanëve shqiptarë të Kosovës, atëherë edhe tani, ka qenë një antishqiptar i tërbuar. Ai lidhur me pozitën  e shqiptarëve në Jugosllavi ka thënë: “Kam qenë kundër Kushtetutës të vitit 1974! Kam qenë kundër dhënies së shtetësisë për krahinat dhe pjesëve që republikave u mundësojë shkëputje nga federata pa marrëveshje me republikat, pa referendum në krejt vendin. Edhe sot, edhe atëherë e përsëris se kjo “e keqe” nga këto të drejta kushtetuese të krahinave do ta rrënojnë Jugosllavinë. E kam ditur se gjendja e sigurisë në Kosovë është e keqe, por nuk e kam ditur që raportet ndërmjet republikave tona kanë rënë kaq poshtë. Shokë, më duhet të them se kur është në pyetje Kosova, të gjithë ata që kanë votuar për Kushtetutën e vitit 1974 do të jenë fajtorë për fatin e Jugosllavisë” ka thënë Tito, bazuar në këtë libër.

Rrëfimi i fundit i Presidentit të RSFJ-së, Josip  Broz Tito

Tito: Isha kundër Kushtetutës së vitit 1974!

-E kam ditur se gjendja e sigurisë në Kosovë ishte e keqe, por nuk e kam ditur se marëdhëniet në mes republikave tona kanë rënë aq poshtë – ishte i shokuar Tito në takimin në Karagjorgjevë, më 21 Dhjetor 1979

-Shokë, më duhet të them, se kur është fjala për Kosovën, të gjithë ata që kanë votuar për Kushtetutën e vitit 1974 do të jenë fajtorë për fatin e Jugosllavisë!

Tridhjetë vjetë pas vdekjes së Josip Broz Titos, historiani Vjenceslav Cençiq ka publikuar librin “Titova poslednja ispovest” shqip: “Rrëfimi i fundit i Titos”, një llloj testamenti politik i Titos i cili jep një pasqyrim krejtësisht të ri në “figurën dhe veprën” e politikanit i cili la gjurmë të pashlyera në skenën politike të Jugosllavisë së dytë.

Libri përbëhet nga stenogramet e fjalimit të famshëm të Josip Broz Titos në Karagjorgjevë në Dhjetorin e vitit 1979 dhe bisedës që ka zhvilluar me Josip Kopiniç, i cili sipas shumë vlerësimeve njihet si sigurimsi më i rëndësishëm i të gjitha kohërave në Jugosllavi. Sipas kontestimit të autenticitetit, ky libër interesant edhe vet në një farë mënyre ndanë fatin e dëshmitarit kryesor, shumë të lavdëruar e më pas jashtëzakonisht të kontestuar – Josip Broz Tito.

Karagjorgjevë, 21.12 1979, ora 10:00 

Shokë, së pari, ju uroj Ditën e Armatës të cilën e festojmë nesër. Duke ju uruar, urimet i dërgoj edhe të gjithë pjesëtarëve të armatës tonë.

Por, me juve shokë, komandantë të mi ushtarakë, dëshiroj të shqyrtoj disa çështje aktuale për të ardhmen e armatës tonë dhe të Jugosllavisë.

Të gjithë e dini se Unë jam i moshuar, dhe se për disa muaj, në muajin maj të vitit të ardhshëm, do të mbushë 88 vjet, por e dini edhe se pas vizitës time në Havanë, jam i lodhur dhe më është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe më duhet të shkoj në spital.

Kjo është edhe arsyeja që kam vendosur që si Komandant i përgjithshëm, me ju, bashkëpunëtorët e mi ushtarakë të shqyrtoj disa çështje, në lidhje me gjendjen në Armatën Popullore të Jugosllavisë, APJ, si dhe disa çështje politike që kanë të bëjnë me detyrat që ushtria jonë i ka sipas Kushtetutës.

Në fakt, Unë para vizitës në Havanë kamë zhvilluar bisedime disa ditore me bashkëpuntorët e mi të paraluftës dhe luftës, të cilët tani janë në pension dhe nga ata kamë marr shumë informacione për të cilat dëshiroj që sot dhe nesër së bashku ti shqyrtojmë, të marrim një qëndrim të përbashkët se çfarë të bëjmë që për këto informacione të mos debatohet rrugëve, dhe as në mediat e huaja dhe vendore.

Unë pas bisedimeve me Ju do të bisedoj edhe me kreun politik të Jugosllavisë,e këtu tani jam prezent Vlado dhe Lazo në emër të Kryesisë së partisë dhe RSFJ-së, e prezent është edhe Kosta në emër të luftëtarëve të LNÇ.

Çështjet për të cilat dëshiroj të bisedoj me ju janë të shumta, e ndër të parat është se, Unë si Komandant i përgjithshëm i juaji, të jem i informuar për gjëndjen në APJ.

Nga kreu ynë ushtarak kam marrë si bazë për këto bisedime, informacionin e zgjeruar me shkrim, të cilin ma ka dhënë gjenerali Lubiçiq, ndërsa është e firmosur nga të gjithë komandantët e zonave ushtarake, si dhe nga komandanti i Forcave Detare të Jugosllavisë dhe Forcave Ajrore të Jugosllavisë.

I shokuar me gjendjen e sigurisë

Duke lexuar këtë informacion isha i shokuar me qëndrimet e deklaruara mbi situatën e sigurisë në vend. E kam ditur se gjendja e sigurisë në Kosovë, e për këtë do të flas më gjerësisht më vonë, është e keqe, por nuk e kam ditur se edhe marrëdhëniet në mes republikave kanë rënë aq poshtë.

E thashë se gjendja politike dhe e sigurisë në Kosovë çdo ditë është gjithnjë e më e keqe. Është krijuar një hendek dhe padurueshmëri në mes të kuadrove serbë dhe shqiptarë.

Kuadrot – shqiptarë nga Kosova, mendojnë se nëse me Kushtetutën e vitit 1974 kanë marr më shumë të drejta, madje pjesërisht edhe shtetësi, e unë tërheq vërejtjen se isha kundër kësaj Kushtetute,  se mund të kryejnë të pavarur edhe aktivitete shtetërore. Kështu është e patolerueshme që pavarësisht Republikës së Serbisë, edhe Federatës, të udhëheqin bisedime shtetërore me Shqipërinë.

Kështu ata me vetë iniciativë, pa dijeninë tonë, kanë sjellë nga Shqipëria profesorë që në fakultete dhe shkolla të ligjërojnë historinë sipas programit shqiptarë, që të mësojnë fëmijët tanë dhe studentët se Kosova është pjesë e Shqipërisë së Madhe të Skënderbeut, që përkohësisht qenka nën Jugosllavi.

Ose, ne dimë shumë pak për aktivitetin e emigracionit shqiptarë, dhe shikoni o shokë, ajo po korrë “suksesin” për shkollimin e shqiptarëve për komandant të cilët do të komandojnë “kryengritjen popullore” aq shpesh të paralajmëruar në Kosovë.

 

Bakalli po trafikon drogë

Kam të dhëna se punëtorët e tyre sekret dhe oficerët e lartë nga Sigurimi ligjërojnë marksizëm në Universitetin e Prishtinës, dhe kam edhe të dhëna se Bakalli, Hoxha dhe të tjerë kanë shërbimin e tyre sekret privat jo vetëm në territorin e Serbisë, por edhe në republikat tjera, e në veçanti për shkak të trafikimit të drogës përmes porteve shqiptare.

E gjitha kjo ka ndodhur në Kosovë,dhe pas Plenumit të IV-të të Brioneve dhe rënies së Rankoviçit, Shërbimin sekret, UDB e kanë shkatërruar dhe tani mbretëron jo vetëm Sigurimi, por edhe shërbimet sekrete private në këtë krahinë. Merreni me mend të gjithë ata që bërtasin “Kosova Republikë” dhe të cilët udhëheqin këtë aksion, kishin lista të gatshme se cilët njerëz nga Shërbimi sekret në Kosovë duhet larguar.

Shërbimi informativ nga Tirana, Sigurimi, sipas të dhënave tona, ka rreth një mijë njerëz në këtë krahinë, ndërsa ata kanë organizuar qendrat e tyre në Kroaci dhe Slloveni, e për fat të keq edhe në Beograd. Edhe pse e gjitha kjo bëhet në mënyrë sekrete, disa aktivitete të tyre janë zbuluar.

Në veçanti më shqetëson mbështetja e separatizmit në Kosovë nga disa njerëz udhëheqës në Slloveni dhe Kroaci. Nuk është rastësi që Kardeli edhe më herët i ka tërhequr vërejtjen udhëheqësisë kosovare që me këtë politikë ”mbjellin erën, dhe do të korrin furtunën”.

Më herët, e në veçanti nga vitit 1974 dhe miratimin e Kushtetutës së re të krahinës, në veçanti në Kosovë, po luhen politika të mëdha shtetërore. Kështu edhe në Kosovë, por edhe në Novi Sad “shtetarët” thonë: “Ne nuk kemi interesa të përbashkët në çështjet e jashtme dhe problemet tjera shtetërore me Serbinë”.

Të kujt janë krahinat?

Po të kujt janë krahinat përveç se të Republikës së Serbisë? Kjo lloj politike duhet të ndërpritet urgjentisht. Ja pra, që të mos përsëris, në Kosovë kanë “importuar” profesorë nga Tirana të cilët kanë bërë “thyerjen” historike në Prishtinë, ndërsa në politikën e jashtme theksojnë: ”Ne jemi krahinë e cila ka drejtë të ratifikojë marrëveshje ndërshtetërore”. Këtë “privilegj” shokë nuk e ka asnjë republikë në Jugosllavi, ndërsa në Prishtinë dhe në Novi Sad, shokë, ata i dhanë të drejtë vetes, të cilën e ka vetëm Federata.

Më kujtohet, shokë, dimri i vitit 1968, kur në Tetovë u organizuan  demonstratat e nacionalistëve shqiptarë, shumë prej tyre edhe u dënuan, ikën në Kosovë, ku vazhduan shkollimin pa pengesa ose fituan të drejtën, e disa prej tyre morën edhe vende me përgjegjësi të lartë.

Udhëheqja krahinore shqiptare theksonin se ata po ikin për shkak të “shovinistëve maqedonë” dhe u duhet ndihmuar. Por edhe në Zagreb dhe Lubjanë kështu mendohej. Nga ana tjetër, të ardhurve nga Shqipëria u jepnin nënshtetësi jugosllave me motivacionin se po iknin nga Shqipëria për shkak të terrorit.

Kush ju mundësoj këtë?

Ne shokë! Askush tjetër.

Atë që kemi mbjellë atë do të korrim. Dhe ja pra, pas Plenumit të IV dhe rënies së Markos (Aleksandar Rankoviç) nga Kosova deri më tani janë shpërngulur për mbi dhjetë mijë serb dhe malazez. Shtëpitë ua kanë blerë shqiptarët me dollarë “jeshil” dhe atë me kushte shumë të mira. Shokë, më duhet të them, kur është fjala për Kosovën, se të gjithë ata që kanë votuar Kushtetutën e vitit 1974 do të jenë fajtorë për fatin e Jugosllavisë.

 

Kushtetuta e gabuar

Zhvillimet e mëtejme në vend u përqendruan në miratimin e Kushtetutës së re. Unë isha për Kushtetutë të re, por jo për këtë të cilën e miratuan.

Isha kundër dhënies së shtetësisë së krahinave dhe pjesëve të Kushtetutës që iu mundësojnë republikave ndarjen nga federata pa marrëveshje me republikat tjera, përkatësisht referendumin në gjithë vendin,  si atëherë edhe sot po ju përsëris se kjo “e keqe” nga këto të drejta kushtetuese të krahinave, do të shkatërrojë Jugosllavinë.

Në rastin e miratimit të Kushtetutës, i kam thënë Bevcit dhe Vlados dhe gjithë komisionit kushtetues, se më mbivotuan ithtarët e Kardelit, por që për tre deri katër  vjet do t’i përgënjeshtroj, dhe do t’ju dëshmoj se kam të drejtë. Se kisha të drejtë dëshmon edhe kjo gjendje në Kosovë, por edhe në gjithë vendin.

Nëse ju, armata jonë nuk punoni në kohezionin e unitetit, pas “ikjes” time dyshimet e mija dhe paragjykimet e “këqija” do të bëhen realitet.

 

Çatitë e Prishtinës prej argjendi

Tani diçka për fondet për të pazhvilluarit. Në veçanti po përcjell se si harxhohet paraja nga ky fond.

Derisa disa prej tyre me kujdes, si në Serbi dhe Maqedoni, shikojnë se ku po i harxhojnë paratë, më duhet të them, e gjithnjë e më shumë vështirësi republikat i japin për këtë fond, në Kosovë në Prishtinë, paratë harxhohen thua se ja u ka dërguar Zoti nga qielli.

Prishtina po mbulohet me mermer, po ndërtohet Universiteti dhe godina e Bibliotekës dhe në çatitë e këtyre veprave, në vend të bakrit dhe ndonjë materiali tjetër, për konstruksionin e çatisë po përdoret edhe argjendi nga Trepça. Nuk jam i kënaqur se si në këtë krahinë po harxhohen para nga ky fond.

E di që Prishtinës i duhen Universiteti dhe objekte të tjera kulturore, por nuk jemi aq të pasur që sheshet ti shtrojmë me mermer, e për material për çati të përdorim argjendin.

Që mos ta zgjasë, unë i kam urdhëruar kryetarit të Këshillit Ekzekutiv Federativ që të themelohet një komision ekspertësh i cili do të vizitojë të gjitha objektet në vend që ndërtohen nga fondi për të pazhvilluarit, dhe të  raportohet në mënyrë të detajuar për të gjitha parregullsitë e harxhimit të mjeteve nga ky fond.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …