Bujar Klinaku: Kosova nën administrim të Bashkimit Evropian

Të gjitha qendrat më të fuqishme politike të botës së sotme, të cilat emërohen e promovohen si faktor vendimmarrës zotohen çdo ditë se do të bëjnë punë të madhe për Kosovën , se do të gjejnë zgjidhje, e se puna e tyre do të jetë efikase, madje se do të bëjnë mrekullira; për t’u ankuar më vonë, se nuk kanë zgjidhje, se nuk e dinë zgjidhjen, madje se nuk kanë asgjë tjetër , pos bisedimeve të pamundshme dhe të pafund, në të cilat ata mund të ofrojnë vetëm “mision stimulues”. Bashkësia ndërkombëtare, çështjen e Kosovës e mbanë mbi tavolinat e tyre të punës si prioritare, jo për nga rëndësia që i kushtojnë e as nga serioziteti me të cilin e trajtojnë, por për nga trysnia, në të cilën janë futur me intervenimin ushtarak të NATO-s më 1999, e nga ku tani nuk po dinë se si të dalin.

Çfarë sollën bisedimet në mes palëve

Bisedimet direkte në mes palës shqiptare dhe asaj serbe siç edhe është pritur nuk treguan ndonjë rezultat për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta, ku pala shqiptare mbante qëndrimin –minimumi pavarësi, e në anën tjetër nuk punonte për të, kurse pala serbe propozonte autonomi për Kosovën. 
Politikanët tanë para se të fillonin negociatat deklaronin se nuk do të negociojmë me palën serbe, kurse në anën tjetër e formonin grupin negociator, ku secili prej tyre “gërrithej” që të bëhej pjesë e atij grupi, sepse e dinin mirë që aty ishin përfitimet e mëdha personale. Këta politikanë deklaruan edhe se nuk do të bëjmë koncesione, ato ndodhën, kurse ato që i quajtën “koncesione” kur thanë se nuk do të bëjnë, më vonë i quajtën “të dhimbshme”. E këtë të “dhimbshme” e dhanë për hir të së “lakmueshmes” që u hynte në xhepat e tyre. 
Politikanët tanë theksuan edhe se nuk do ta negociojnë ndarjen e Kosovës, por ndarja e Kosovës gjatë bisedimeve nuk u largonte nga tavolina e bisedimeve. Atëherë shtrohet pyetje se përse shkohet në negociata, në qoftë se nuk do të negociosh?. Përse ulet njeriu pranë sofrës, në qoftë se nuk do të ha? Apo, përse nxirret një mall në treg, në qoftë se nuk është për shitje? A nuk ishte kjo një lojë e pandershme nga ana e ekipit negociator? 
Por, edhe pse negociuan, sikur të kishin qenë bile të aftë, ta përfaqësojnë Kosovën denjësisht, por gjatë tërë periudhës së negociatave, asnjë nga anëtarët e ekipit negociator i Kosovës nuk ishte në gjendje ta ngre zërin kundër pohimeve të negociatorëve serb, të cilat i përsërisnin vazhdimisht, se Kosova është tokë serbe. Asnjë nga anëtarët e ekipit negociator nuk ishte në gjendje të thoshte se Kosova nuk është tokë serbe, por prej se mbanë mend historia ajo ka qenë tokë shqiptare. “Argumentet më të “fuqishme” që kanë përmendur negociatorët tanë ishin ato që më parë i kishte përmendur ndonjë i huaj : se në Kosovë kanë ndodhur krime serbe më 1998/99, se ka intervenuar NATO, rezoluta 1244 e OKB-së, misioni i UNMIK-ut etj.. Sipas këtyre “argumenteve” krijohet bindja se qytetarët e Kosovës kërkojnë shtet për hir të humanitetit, e jo në bazë të së drejtës historike të shqiptarëve. E sikur të lejohej formimi i shtetit për hir të humanitetit, atëherë shumë popujve në botë do të iu lejohej shtet-formimi. As Izraeli , me gjithë holokaustin që përjetoi populli hebre, nuk u mbështet në të drejtën humane për të pasur shtetin e vetë, por në të drejtën historike. Prandaj, për hir të humanitetit, bashkësia ndërkombëtare ta ofron një copë bukë si lëmoshë, e jo shtetin. 

Statusi i ardhshëm i Kosovës sipas pakos së Ahtisaarit 

Me gjithë vlerësimin pozitiv politik të zyrtarëve të Kosovës se “drafti i propozuar nga Marti Ahtisari është i pranueshëm për qeverinë dhe për parlamentin e Kosovës”, për shkak se, sipas tyre “qenka bazë e qëndrueshme për krijimin e shtetit të ri të Kosovës”, kurse juridikisht ky konstatim, është i gabueshëm ngase është e kundërta, me gjithë pasqyrimin e “elementeve shtetërore”, të parashikuara në përmbajtjen e draftit të theksuar si flamuri, qeveria dhe parlamenti. Këto elemente nuk përbëjnë tërësinë e bazës juridiko-kushtetuese të një shteti të pavarur dhe sovran, përderisa ai shtet të mos njihet ndërkombëtarisht nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Edhe sipas Kushtetutës së vitit 1974 të KSAK dhe të Kushtetutës së RSFJ-së po të të njëjtit vit, Kosova kishte elemente të shtetësisë, sepse kishte: Qeverinë, Kuvendin dhe Flamurin, por nuk ishte shtet në kuptimin e mirëfilltë sipas së drejtës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare mbase nuk kishte të gjitha kompetencat dhe atributet përkatëse juridike dhe shtetërore, sikurse republikat e tjera të RSFJ-së. Domethënë nuk kishte as sovranitetin e jashtëm as të brendshëm mbi popullin dhe territorin e saj, por ishte vetëm një krahinë e varur me elemente autonome nën sovranitetin e plotë shtetëror dhe territorial të ish-RSFJ-së, përkatësisht të Republikës së Serbisë
Sipas së drejtës ndërkombëtare katër janë atributet thelbësore që përbëjnë nocionin e shtetit: (1) Populli, (2) Territori dhe (3) Sovraniteti dhe (4) Aftësia e Vetëmbajtjes. Megjithëse Kosova i plotëson këto kushte parësore që përbëjnë bazën juridiko-kushtetuese dhe politike të shtetit, plani i Marti Ahtisaarit është në kundërshtim me këtë përkufizim juridik ndërkombëtar, sepse në mënyrë arbitrare dhe pa të drejtë ka përjashtuar njohjen e institutit të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nga dispozitat juridike të përmbajtjes së draftit të tij. Dhe ky është defekti dhe hendikepi kryesor i planit të tij . 
Shtrohet pyetja se pse autorët që e hartuan këtë plan e përjashtuan institutin e sovranitetit dhe integritetit? Kjo për shkak se Kosova edhe më tej (domethënë në mënyrë të paafatizuar) të jetë nën administrimin ndërkombëtar ( që sipas dispozitave të draftit punues të Marti Ahtisarit, parashikohet që Kosova të jetë nën administrimin e Bashkimit Evropian/BE/, si dhe të forcave ushtarake të Aleancës së Atlantikut Verior (NATO). Sepse me njohjen e sovranitetit, Kosova de facto dhe de jure do shkëputej përgjithmonë nga varësia e sistemit kolonial shtetëror të Serbisë dhe se sipas së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, Kosova do të fitonte ligjërisht subjektivitetin e saj juridik ndërkombëtar. Pra, me njohjen e sovranitet -it si pushtet i shtetit të Kosovës, në territorin e Kosovës do të përjashtohej çdo ushtrim dhe mbikëqyrje e pushtetit shtetëror të ndonjë shtetit të huaj. Kjo do të thotë se me njohjen e sovranitetit, Kosova do të fitonte pavarësinë e saj të plotë, e jo atë status kompleks ku thuhet se është “pavarësi e kushtëzuar, e që nuk ta të bëjë fare me të , ashtu siç figuron në dispozitat e Planit të Marti Ahtisarit. Kjo i përngjanë sovranitetit të kohës së Brezhnjevit. 
Sipas pakos së Ahtisaarit parashihet që në Kosovë të vendoset një mision civil i Bashkimit Evropian, ku Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të ketë të gjitha kompetencat . Në Aneksin IX , i cili i dedikohet pushtetit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (PCN) thuhet se PCN-ja do ta ketë pushtetin suprem në Kosovë dhe përfundimtar sa i përket interpretimit të aspekteve civile të kësaj zgjidhjeje. Dhe jo vetëm kjo, por PCN-ja do ta ketë të drejtën e largimit nga detyra çdo zyrtar publik. Shtrohet pyetja se a ka misione ndërkombëtare në vendet e pavarura? Deri më tani, praktika ka treguar se nuk hasen misione ndërkombëtare në vendet e pavarura, por vetëm në ato vende që nuk janë të pavarura. Thjesht thënë, në Kosovë po bëhen eksperimente diplomatiko-politike. 
Prandaj, edhe institucionet e reja të krijuara pas zgjedhjeve të 17 nëntorit nuk do të mund të bëjnë asgjë. Sepse, edhe nëse Kuvendi i Kosovës do ta shpallë pavarësinë , ajo do të bëhet mbi bazën e pakos së Ahtisaarit. E sipas pakos së Ahtisaarit do të instalohet një mision i BE-së, dhe se Kosova do të jetë në administrimin e Bashkimit Evropian. 
Pra, thirrjet e vazhdueshme për durim e qetësi që po na drejtohen nga ana e UNMIK-ut, nga KFOR-i si dhe nga misionet tjera që po e mbajnë Kosovën si në “inkubator”, kërcënimet e tyre të vazhdueshme se kanë potencial të shtypin çdo revoltë të shqiptarëve, tregon shumë qartë se Kosova nuk do të jetë e pavarur, por sërish do të jetë e varur. 
Prandaj, paaftësia e bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur kriza e çështje problematike në botë sot pasqyrohet edhe në çështjet e tjera, dhe jo vetëm në rastin e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare është katandisur në një gjendje të atillë, sa që jo vetëm nuk janë të aftë të gjejnë zgjidhje për çështje të ndryshme në botë, çfarë është edhe rasti i Kosovës, por gati që kanë nevojë, që të tjerët të angazhohen që t’iu ndihmojnë atyre , që t’i zgjidhin problemet e tyre. Kosova për ta është vetëm “monedha më e lirë”, me të cilën paguajnë dështimet e tyre në çështjet tjera si: sistemi i mbrojtjes kundër-raketore, pasurimi i uraniumit nga vendet e ndryshme, politika e naftësjellësve, politikat e terrorizmit etj. 
Prandaj, kjo lë të kuptohet se derisa dikush tjetër e ka autoritetin suprem mbi Kosovën, institucionet e Kosovës do të jenë sërish vëzhgues të këtij autoriteti (pushteti). 
Diplomati amerikan dhe ish-sekretari i shtetit Henry Kissinger thotë se “ është e patolerueshme që një shtet ta lërë fatin e tij në dorën e vendimeve dhe të veprimeve të një shteti tjetër, sado mik qoftë ai…”. 
Këtë më së miri e vërtetoi ministri i punëve të jashtme të Sllovenisë dhe përfaqësuesi i BE-së Dimitrij Rupel kur tha se: “Bashkësia Evropiane nuk dërgon misione në vendet e pavarura”. 
Pra, siç po shihet , Kosova nuk do të jetë shtet sovran dhe i pavarur edhe një kohë të gjatë në bazë të zhvillimeve nëpër të cilat ka kaluar ajo.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …