leoni

Shefki OLLOMANI: MASKAT DHE MASKARENJTË

 


Ç’janë maskat?
Maskat janë mbulesa në trajtë të trupit dhe të fytyrës. Janë copa apo pjesë prej kartoni, letre, pëlhure, lëkure, plastike, qelqi, allçie, gome…, etj., të cilat përdoren për të fshehur trupin e fytyrën, për të mbrojtur trupin: kokën, fytyrën, gjymtyrët dhe organet tjera të njeriut.
Llojet e maskave
Sipas meje, të paktën, ekzistojnë katër grupe të maskave, të cilat unë po i emërtoj, përafërsisht, kështu:

1.Maskat trupore, siç janë: maskat e mirëfillta, maskat për maskim, maskat për fshehje të trupi, të fytyrës, të kokës dhe të identitetit personal.
2.Maskat mbrojtëse, siç janë: maskat nënujore, maskat kundër gazërave helmues, maskat e saldimit, maskat kirurgjike kundër infektimit, maskat kundër pickimit të bletëve,…
3.Maskat dëfryese, siç janë: maska maskarade (balloje të vallëzimit), maska karnavalesh, maska teatrore, maska ciku,… dhe
4.Maskat shpirtërore, siç mund të jenë: maskat e ndjenjave, maskat e sjelljes, maskat e mendimeve, maskat e ideve, maskat e grimasës së fytyrës, maskat e veprimit, maskat e qeshjes, maskat e qarjes, maskat e miqësisë, maskat e solidaritetit, maskat e demokracisë, maskat e trimërisë, maskat e diturisë, maskat e sinqeritetit, maskat e atdhetarizmit,…
Në këtë shkrim unë do të flas vetëm për llojin e parë dhe për llojin fundit të maskave:
1.Maskat trupore, dhe për
2.Maskat shpirtërore

MASKAT TRUPORE

Maskat trupore janë të prekshme, të dukshme, shihen me sy, janë fizike, janë materiale, janë zakonisht nga pëlhura, lëkura ose edhe nga ndonjë material tjetër si plastika, goma etj. Maskat trupore janë mjet për t’u maskuar, për të fshehur fytyrën nga armiqtë, nga pushtuesët dhe nga shërbimet sekrete të armiqve. Maskat trupore shërbejnë për të fshehur identitetin personal dhe fizik për shkaqe sigurie. Për njerëzit që bartin maska trupore thuhet se janë njerëz me maska.

Maskat trupore, përveç të tjerëve, përdoren edhe nga këto tre grupe njerëzish:
1.nga policia speciale e një shteti,
2.nga individët dhe grupet terroriste, kriminale,
mafioze e plaçkitëse… dhe,
3.nga luftëtarët e lirisë
1.Maskat i përdorin policitë sekrete e speciale të ashtuquajtura ”antiterror”, të cilat kur sulmojnë çerdhet, bazat e grupeve të ndryshme kriminale e kontrabandiste, apo kur shkojnë për të arrestuar ndonjë pjestar të grupeve mafioze e trafikante, ata vënë maskat në kokë që të mos identifikohen nga bandat kriminale dhe farefisi i tyre, që në këtë mënyrë t’i shmangen hakmarrjes së këtyre bandave ndaj pjesëtarve të shërbimit sekret policor antiterrorr, si dhe të mbrojnë edhe familjet e tyre nga ndonjë hakmarrje e mundshme.
Asnjë pjesëtar i shërbimit sekret nuk dëshiron që t’i dalë fytyra në gazeta e televizion, kur ai është në një aksion të tillë goditës e asgjësues ndaj bandave kriminale apo edhe ndaj individëve me bagazh antiligjor gjatë arrestimit të tyre. Ai e mbron identitetin e tij me anë të maskës speciale trupore, sepse në këtë mënyrë mbron edhe jetën e vet të nesërmen kur shërben pa maskë. Në këtë mënyrë mbron edhe nderin dhe jetën e familjes së vet nga hakmarrjet e bandave, nga vrasjet dhe kidnapimet e tyre.
2.Maskat trupore i përdorin edhe hajnat, plaçkitësit dhe trafikantët e ndryshëm gjatë aksionit të tyre kriminal për përfitime personale dhe për dëmtimin e individëve, pronës private apo pronës shtetërore. Këta persona i keqpërdorin maskat trupore për arritjen e qëllimeve të tyre të errta e antiligjore. Këta janë individë pa fytyrë, pa shpirt e pa ndjenja njerëzore.
3.Maskat trupore i përdorin edhe guerrilët, luftëtarët e lirisë, zakonisht në fillimet e luftës, me qëllim të mos identifikimit nga armiku dhe për t’ia bërë kundërshtarit të pamundur asgjësimin e tyre pas aksionit luftarak.
Gati për të njëjtat qëllime mbrojtëse dhe parandaluese i përdorin maskat trupore luftëtarët e lirisë, ashtu siç i përdorin pjesëtarët e shërbimeve sekrete policore. Sepse edhe luftëtarët e lirisë kanë identitet personal dhe kanë familje për të cilat duhet të kujdesen që të mos hakmerret armiku, duke ua dëmtuar familjet. Nuk thotë kot ajo fjala e urtë se: ”Kur nuk ke çka i bënë gomarit, i mëshon samarit”! Pra, kur armiku nuk mundet të zbulojë, të kapë e asgjësojë luftëtarin e lirisë, ai me egërsinë e ligësinë që e karakterizon gjithmon, shkon e arreston apo vret familjen e luftëtarit të lirisë në shenjë hakmarrje. Kush ka kujtesë të freskët nga e kaluara jonë e afërt e di shumë mirë këtë formë të veprimit ç’njerëzor të armiqve tanë. Në çdo luftë tonën çlirimtare më së shumti ka pasur viktima civile, të pafajshme e të paarmatosura, se sa ushtarë e luftëtarë të lirisë kombëtare.
Luftëtarët e lirisë nuk janë banditë, kriminelë e hajna, por ata nuk janë as budallenj e injorantë që të dalin për fushë, hapur e pa maska që në fillim të luftës çlirimtare, kur ende kjo luftë nuk është masivizuar dhe kur ende kjo luftë nuk ka kaluar në një fazë më të lartë – të luftës frontale. Pra, maskat kamufluese e mbrojtëse trupore përdoren në fillim të çdo lufte, kurse ato hiqen në vazhdim dhe në përfundim të saj, kur lufta çlirimtare kalon në një fazë tjetër të zhvillimit, të forcimit dhe të pjekurisë së saj.
Ashtu siç kanë familje dhe identitet civil e njerëzor pjesëtarët e shërbimeve sekrete policore antiterror, të njëjtën gjë kanë edhe luftëtarët e lirisë. Ata, pas aksioneve luftarake, heqin maskat trupore, kthehen në gjirin e popullit e të familjes dhe bëjnë jetën e zakonshme qytetare. Kështu, mund të thuhet se luftëtarët e lirisë bëjnë një jetë të dyfishtë. Ata, p.sh. natën, të maskuar e të armatosur, kryejnë aksione e sulme kundër armikut pushtues, kurse ditën, pa maska, punojnë në fabrikë, lëvrojnë tokën, punojnë në ndonjë zyrë apo shkojnë në shkollë e fakultet. Ndodhë shpesh që luftëtari i lirisë natën lufton me maskë në fytyrë si ushtar, kurse ditën demonstron si civil në rradhët e popullit demostrues kundër terrorit, shtypjes dhe padrejtësive të okupatorit.
Në luftë kundër armikut vlen deviza taktike: ”Shtatë hile e një trimëri”. Në njërën nga këto shtatë hiletë bëjnë pjesë edhe maskat. Murit me kokë nuk i bihet, por as edhe armikut ballë-përballë gjithmon nuk i dilet. Sidomos në fillim të luftës, kur epërsia në ushtarë, municion dhe në armatim e kundërshtarit është më e madhe se e luftëtarëve të lirisë. Armikut duhet fillimisht t’ia marrësh anën, krahët dhe pastaj ta godasësh ballë-përballë e në lule të ballit. Të gjitha luftërat nacionalçlirimtare të popujve të robëruar kanë filluar e fillojnë me luftë guerrile, me maska e pa maska dhe përfundojnë me luftën e përgjithshme mbarëpopullore, me triumfin e lirisë dhe të pavarësisë kombëtare.
Nga kjo veprimtari e dyfishtë del në pah domosdoshmëria e përdorimit të maskave trupore. Pra, maskat trupore janë nevojë e jo luks apo modë. Përdorimi i maskave trupore nuk është shenjë frikësimi apo jotrimërie e luftëtarëve të lirisë, por është mjet mbrojtës, është pjesë e armatimit të tij. Përderisa ato i përdorë shteti, armiku pushtues, pse të mos i përdorë edhe luftëtari i lirisë dhe ushtria popullore kombëtare. Luftëtarët e lirisë nuk janë naivë që ta ”thirrin ujkun në torishtë”, duke i thënë hapur: ”ja ku jami ne, ecë e na arresto, ecë e na sulmo, na asgjëso”! Ata dijnë kur të luftojnë me maska dhe kur të luftojnë pa maska. Ata janë të urtë e të zgjuar dhe për këtë gjë vendosin vetë, në bazë të rrethanave politiko-ushtarake që krijohen me kohën. Luftëtarët e lirisë dijnë të sulmojnë dhe dijnë të mbrohen. Dijnë të luftojnë, por edhe dijnë të fitojnë.

MASKAT SHPIRTËRORE

Kurse për njerëzit që bartin maska shpirtërore thuhet se janë maskarenj.
Maskat shpirtërore janë të padukshme. Janë të paprekshme, të pakapshme me dorë. Ato janë të ndërtuara nga fije të padukshme, të cilat quhen ndjenja. Por, përveç ndjenjave, maskat shpirtërore janë të ndërtuara edhe nga idetë, bindjet filozofike e politike të individit.
Maskat shpirtërore janë shumë më të ndërlikuara se maskat materiale. Përderisa maskat materiale mbulojnë pamjen e jashtme fizike të njeriut, maskat shpirtërore fshehin pamjen e brendshme të individit, mbulojnë karakterin e tij, shpirtin e tij, idetë, mendimet, ndjenjat, qëllimet dhe veprimet e njerëzve që bartin maska shpirtërore.
Përderisa maskat trupore përdoren për shkaqe sigurie, maskat shpirtërore përdoren për shkaqe shpirtligësie, për interesa e përfitime personale. Përderisa maskat trupore përdoren për të fshehur fytyrën, maskat shpirtërore përdoren për të fshehur shpirtin.
Ashtu siç mund të hiqen në kohën e përshtatshme maskat trupore, poashtu, me kohën, hiqen edhe maskat shpirtërore. Por këtu ka një dallim të madh midis këtyre dy lloj heqjesh të maskave: për njeriun me maskë trupore zakonisht thuhet: ”E hoqi maskën”, pra, i maskuari e heq vetë maskën në kohën dhe në çastin e duhur për të. Kurse për individin me maskë shpirtërore thuhet: ”I ra maska”, pra, i maskuari shpirtëror demaskohet pa vullnetin e tij, atij i çirret maska, i bjen maska në tokë dhe ai del lakuriq para popullit, ashtu siç është: i pafytyrë, faqezi, i poshtër, i pacipë, i pandershëm…, maskara!

Gjithmon maskat shpirtërore maskarenjve u bien gjatë kthesave të mëdha historike, gjatë ngjarjeve tronditëse, gjatë shpërthimeve e vlimeve popullore, gjatë luftërave nacionalçlirimtare, gjatë momenteve kur maskarenjve u mbyllen të gjitha rrugët, të gjitha shtigjet e shpëtimit, të gjitha format e manovrimit, mbështeten për murit dhe detyrohen të zgjedhin ndërmjet dy rrugëve: ose me popullin ose kundër tij, ose me atdheun ose kundër tij, ose me lirinë ose kundër saj, ose patriot ose tradhtar… Kjo ose-ose është armiku numër një dhe vdekjeprurës i maskave shpirtërore dhe i maskarenjve.
Kjo ose-ose është njëkohësisht edhe armiku i neutralitetit, paanshmërisë dhe indiferencës së njerëzve, të cilët edhe në kthesa të mëdha historike për popullin dhe atdheun e tyre përpiqen të mbesin të ”pavarur”, ”neutralë”,… duke mos ia prishur ”terezinë” vetvetes! Këto hanë me dy lugë dhe ulen në dy karrike në të njëjtën kohë. Këta janë maskarenj të dyfishtë. Edhe maskarenj fizik edhe shpirtëror!
Këto individë apo grupe shoqërore ndryshe quhen hipokritë (dyftyrësh), pseudopatriotë, oportunistë, demagogë, gënjeshtarë, karrieristë, tregtarë flamujsh, egoistë, matrapazë, kameleonë, dezertorë, varrmihës, kolonë e pestë,… dhe shpesh përfundojnë në kolaboracionistë të armiqve pushtuesë. Ky grup individësh janë maskarenj të dyfishtë, sepse ato me fjalë, në teori, paraqiten si patriotë e luftëtarë lirie (maska trupore) dhe në vepër, në praktikë, veprojnë si sabotatorë e bashkëpunëtorë të armikut (maska shpirtërore). Maskarenjtë e dyfishtë apo dubëlmaskarenjtë janë shumë më të rrezikshëm për luftën çlirimtare se sa maskarenjtë me vetëm maskë shpirtërore.
Në grupin e maskarenjve të dyfishtë zakonisht bëjnë pjesë tregtarët (tuxharët, biznesmenët) dhe politikanët. Për mendim timin vendin e parë në listën e maskarenjve e zënë politikanët. Tregtarët gënjejnë shumë, mashtrojnë dhe vjedhin popullin dhe myshterinjtë me qëllim që të pasurohen. Këtë e bëjnë shumica e tyre, sepse pa qenë maskara është e vështirë që të bëhesh pasanik (milioner apo miljarder). Por, ka edhe tregtarë që punojnë shumë, vrapojnë e djersiten tërë ditën që t’u ecë tregtia mbarë, që t’u shtohet pasuria. Pra, bukur shumë tregtarë e kombinojnë maskarallëkun me punë personale dhe kështu arrijnë të pasurohen. Pastaj, ka tregtarë që herë pas here, ndajnë nga pasuria e tyre dhe ndihmojnë institucione të ndryshme humanitare dhe familje të varfëra. Të gjithë tregtarët dhe pasanikët nuk janë pasuaruar me vjedhje, por disa prej tyre edhe nga puna, zgjuarsia dhe inteligjenca e tyre.
Ndërsa te politikanët puna qëndron krejt ndryshe. Ata janë më të shëmtuar se tregtarët matrapazë. Politikani është gnjeshtar e maskara i klasit të parë. Është tinzar që thurr vetëm kurtha për t’u ngjitur sa më lart në shkallaret e hierarkisë pushtetare. Politikani është parazit që jeton e majmet në kurriz të taksave të popullit dhe në bazë të korrupsionit që e krijon vetë. Politikani nuk punon fare, nuk djersitet duke punuar, nuk lodhet as fizikisht as psiqikisht, ai vegjeton e pasurohet vetëm mbi bazë të maskarallëkut të tij, në bazë të premtimeve boshe që i bën çdo ditë para qytetarëve dhe në bazë të maskave shpirtërore që i ndërron orë3 e çast.
Politikani çka thotë paradite, nuk thotë pasdite. Çka pështynë sot, e lëpinë nesër! Politikani është aq pakurrizor e i pabesë, sa që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Është i pamoralshëm dhe ka një piskarakter. Politikani 24 orë është në shit-blerje. Ai çdo moment mund të shitet dhe atë çdo moment mund ta bleshë. Paraja, posti dhe pushteti për të janë nënë e babë, janë zot e perëndi, janë gjithçka. Politikani është djalli vetë, por pa brirë, sepse brirët i fsheh me 1001 maskat e tij shpirtërore!
Gjithkush nuk mund të bëhet politikan. Politikanët nuk bëhen politikanë, ata lindin të tillë. Ata janë pjellë e satanasë. Politikani sot shfaqet si engjëll me krah pëllumbi, kurse nesër shfaqet si dreq me brirë të përgjakur! Ai i ndërron sjelljet, fjalët, veprimet dhe maskat shpirtërore pandërprerje, sa herë ia don interesi i tij personal, egoja e tij e sëmurë dhe shtazarake.
Politikani është tregtari më i madh, shitësi më i paturpshëm i vetvetes, shitësi i familjes së tij. Është shitësi i popullit dhe i atdheut të tij. Ai shet gjithçka që i bjen në dorë me qëllim që të kënaq egon e tij, epshet e tij satanike për para, famë e pushtet! Politikani jo vetëm që është një maskara, i cili gënjen natë e ditë, keqpërdor pozitën e pushtetin, por ai është në gjendje të tradhtojë popullin e atdheun, është në gjendje të vrasë shokët e tij dhe gjithkend përrreth për të arritë qëllimet e tij të errta e ç’njerëzore! Pra, përveç se një maskara, politikani është edhe një kriminel ordiner. Krijesë më të neveritshme se politikani zor se mund të gjejsh mbi faqe të dheut. Ai mund të krahasohet vetëm me Djallin dhe me askend tjetër.
Ktheheni për një cast kujtesën prapa në historinë e kombit tonë dhe do të kuptoni se sa dëme, sa vuajtje, sa gjëma makabre i kanë shkatuar popullit dhe atdheut tone politikanët e mëhershëm. Rrotulloni kokën rreth e qark dhe shikoni se ç’bëjnë sot politikanët modern të popllit tonë, se sa dëme të pallogaritshme i kanë shkatuar dhe po i shkatojnë çdo ditë zhvillimit ekonomik e politik të kombit tonë dhe sa plagët po i hapin përditë zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, të lirisë e të bashkimit kombëtar të Shqipërisë Etnike.
Të gjitha të këqijat, dështimet e robëritë popullit dhe atdheut tonë, pikë së pari, i kanë ardhur dhe i vijnë nga liderët tanë politikanë të maskuar me maska shpirtërore me emra të ndryshëm, si: “patriot”, “atdhetar”, “luftëtarë lirie”, “ish-ushtar”, “ish-komandant”, “demokrat”,… etj. Fatkeqësisht, asgjë e mirë, deri më sot, nuk i ardh popullit dhe atdheut tonë nga politikanët maskarenj. Ata janë më të dëmshëm e më të rrezikshëm se armiku, sepse armiku dihet se është armik e pushtues, kurse politikanët tanë janë me maska, janë maskarenj dhe është e vështirë që të identifikohen, të demaskohen e të asgjësohen. Edhe atëherë kur bëhet demaskimi i tyre, ose është vonë, ose kihet mëshirë ndaj tyre dhe nuk marrin dënimin e merituar. Dhe haraçin e veprimtarisë së tyre antipopullore e antikombëtare prej maskarai e tradhtari e paguan populli dhe atdheu.
Deri kur do t’ju shkojë ”kungulli mbi ujë” politikanëve maskarenj askush nuk e di, por vetëm një gjë dihet se, Bota është e maskarenjve, kurse Shqipëria është e Shqiptarëve. 15 tetor 2007

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …