Liderët e shqiptarëve të Kosovës Lindore, para pak ditësh, iu drejtuan institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës me kërkesën për miratimin e një rezolute në Kuvendin e Kosovës, përmes të cilës do ta mbështesnin vullnetin politik të shprehur më 1 e 2 mars të vitit 1992, për bashkimin e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën. Reagimi i disa subjekteve politike, por edhe i vetë Kryeministrit, ishte krejtësisht skandaloz dhe në shpërputhje me vullnetin dhe aspiratat e qytetarëve të vendit. Ata e klasifikuan këtë kërkesë si kundërkushtetuese, duke iu referuar nenit 1.3 të Kushtetutës së Kosovës, i cili ia ndalon Kosovës bashkimin me ndonjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti tjetër.
Detyrë e secilit politikan të vendit është përpjekja për forcimin e sovranitetit të tij e jo mbrojtja e kufizimeve të këtij sovraniteti të vendosura në kushtetutë. Këto kufizime janë të imponuara dhe produkt i rrethanave të caktuara politike. Ato janë pranuar për shkak të kontekstit të caktuar politik por me to nuk duhet të pajtohemi asnjëherë. Prandaj, në rrethana të reja, vazhdimi i ruajtjes së këtyre kufizimeve mund të bëhet vetëm nga një politikë e nga politikanë regresivë.
Lëvizja për Bashkim qëndron e palëkundur në vendosmërinë dhe përcaktimin e vet të kahmotshëm për forcimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës deri në atë shkallë sa të jetë e aftë të vendosë vetë për të ardhmen e saj.