Tani që shpalljen e Pavarësisë e kanë reduktuar në ´´Çështje orësh´´, dilema se do të ndodhë apo nuk do të ndodhë kjo shpallje mund të duket e pakuptimtë. Në dukje të parë i kapluar nga shumë emocione, i gëzuar që më në fund po realizohet ëndrra e tij stërgjyshore, qytetari i Kosovës po gëzohet. Po gëzohet që më në fund edhe ai do të bëhet zot në shtëpinë e vetë, do të jetë si gjithë njerëzit e botës me identitet shtetëror. Pas gjithë atyre përpjekjeve kolosale, pas gjithë atyre vuajtjeve të tmerrshme, pas gjithë atyre pritjeve të gjata, pas gjithë atyre eksperimenteve të panevojshme me të ardhmen tonë, pas aq shumë shtyrjeve, aq shumë zhgënjimeve të pakuptimta ky gëzim është i natyrshëm, njerëzor dhe shumë real.
Për ata që kanë përcjellë procesin politik të deritashëm lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk e besoj që e kanë pasur të vështirë të parashikojnë këtë shpallje të Pavarësisë, që do të ndodhë së shpejti. Derisa të gjithë po flasin dhe po presin se kur po bie ora historike për Kosovën dhe popullin e saj, unë çuditërisht në vend të gëzimit jam shumë brengosës. Po brengosem jo më për ndonjë shtyrje të mundshme të shpalljes së Pavarësisë sepse kjo do të ndodhë gjithsesi si akt, por po brengosem me mënyrën dhe përmbajtjen që do ta ketë kjo Pavarësi. Po brengosem për mua dhe gjithë bashkëkombësit e mi se mos ndoshta kjo shpallje në këtë mënyrë dhe përmbajtje do të na zhgënjejë edhe njëherë si shumë herë deri tani?! Pse e them këtë? E them këtë sepse gjatë gjithë këtij udhëtimi për të ardhur deri te kjo shpallje ka ndodhur një shpërlarje e tmerrshme e trurit, ku qytetari në vend se të informohet drejt e saktë është keqinformuar për shumë gjëra që do të na sjellë kjo shpallje.
Po më brengos sjellja e klasës politike e cila jo vetëm që u tregua e paaftë dhe e pa zonja në zgjidhjen e statusit të Kosovës, por po tregohet edhe shumë qesharake përballë qytetarëve të Kosovës dhe miqve tanë ndërkombëtar, me këtë pasiguri dhe mos vendosmëri në bërjen e shtetit të Kosovës. Kjo klasë politike po kam frik se nuk do ta përballojë me sukses këtë shpallje të cilën nga a-ja deri në zh ja kanë formuluar ndërkombëtarët. Kur i shikon sjelljet e tyre krijon përshtypjen se këta politikanë asgjë nuk bëjnë pa u koordinuar me ndërkombëtarët, të dukën sikur ato orët e vjetra mekanike që ecin ashtu si i kurdisësh.
Kjo lloj shpallje që do të ndodhë e veçantë nga shumë vende që kanë shpallur pavarësinë e vet, e bazuar në planin e Ahtisarit, do të krijojë një shtet shumë të dobët në të gjitha aspektet. Ky shtet, që sipas planit të Ahtisarit do të jetë shumë etnik, vazhdimisht do të ketë nevojë për marrjen e infuzioneve ndërkombëtare pa të cilat vështirë se do të qëndrojë në këmbë. Ky shtet që do të shpallet do të jetë i shqiptarëve dhe i serbëve .Dhe mu këtu fillon padrejtësia e madhe ndaj popullit shqiptar. Si është e mundur që një pakicë kombëtare siç janë serbët në Kosovë të jenë të barabartë me popullin shumicë shqiptare? Parullat e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe serbeve janë vetëm iluzione dhe asgjë më shumë. Edhe në kohën e komunizmit ngjashëm sikur tash, flitej për njëfarë bashkim-vëllazërimi mes shqiptarëve dhe serbëve, por ky lloj bashkim-vëllazërimi u pa se si përfundoi. Përfundoi me një luftë tepër të përgjakshme, e cila luftë ne shqiptarëve na shkaktoj shumë viktima e dhembje të mëdha njerëzore. Gjithmonë kur po flitet për këtë bashkëjetesë po më kujtohet ai tregimi i sëpatës që një serbë e kishte ruajtur nën kokën e tij derisa po lëngonte nga një sëmundje. Kur fqinji i tij shqiptar kishte shkuar për ta vizituar dhe në momentin kur donë t´i ndihmojë që të ngrihet nga shtrati e sheh sëpatën nën jastëk. I habitur e pyet se për çka e ka këtë sëpatë nën jastëk, fqinji i tij serb ju kishte përgjigjur se e kishte ruajtur për t’ia hequr kokën atij.
Edhe kjo lloj shpallje që do të ndodhë edhe ky shtet që do të del nga kjo shpallje do ta ketë sëpatën nën jastëk. Edhe serbet edhe shqiptarët do ta presin momentin që të komunikojnë me sëpatën e këtij rrëfimi të vjetër që edhe përkundër iluzioneve se ka ndryshuar diçka në raportet shqiptaro-serbe është shumë aktuale. Kjo shpallje do të na gjejë pa Ushtrinë e Kosovës sepse Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e transformuan në TMK.
Ne të gjithë patëm shpresuar se TMK do të jetë Ushtria e Kosovës, por ja që me këtë shpallje ajo do të shpërndahet. Në vend të saj do ta formojnë njëfarë Force Mbrojtëse e cila më shumë do të jetë simbolike si edhe TMK-ja deri më tani se sa do të jetë një Ushtri në kuptimin e plotë të fjalës, në gjendje për ta mbrojtur Kosovën dhe popullin e saj. Kjo shpallje do të na gjejë pa integritetin e plotë territorial të Kosovës sepse pjesa Veriore e saj është nën administrimin e plotë të Serbisë dhe kush thotë ndryshe nuk bën gjë tjetër veçse gënjen vetën dhe qytetarët e Kosovës. Premtimet e politikanëve tanë se Kosova do të jetë një dhe e pandashme janë premtime të kota sepse ata nuk kanë fuqi dhe mekanizma për ta ruajtur tersin e plotë të Kosovës, është e vërtet se këtu është KFORI , por ata nuk janë nën komandën e Qeverisë sonë por të dikujt tjetër, për më tepër kur vendosmëria e tyre u pa edhe me ato 2500 hektar tokë që ia dhuruan Maqedonisë. Tani kur klasa politike ka filluar festën dhe së shpejti do ta shpallin Pavarësinë në Kuvendin e Kosovës, në Kuvendin ku janë të mbuluara muralët me figurat tona të ndritshme kombëtare, sepse ata nuk duhet ta shohin këtë shpallje si dënim që u angazhuan dhe luftuan për bashkimin e shqiptarëve në një shtet, unë nuk dua ta prish këtë festë siç nuk dua të jem as pesimist, por dua t’ia përkujtoj të gjithë klasës politik se në rast të çfarë do varianti të ndarjes së Kosovës përgjegjësi e plotë historike dhe politike do të bijë mbi ta dhe se do të përballen me ndëshkimin e fuqishëm të popullit të Kosovës. Uroj që kjo shpallje të jetë e dinjitetshme ashtu si edhe vetë populli shqiptar.
Kontrolloni gjithashtu
Arben Mustafa: Me Bedri Hamzën Kryeministër, pensionistët do të marrin 1000 euro më shumë brenda një viti
Koordinatori për Financa në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka deklaruar se në qeverinë …