Adnan Abrashi: QËNDRIMI I PROFETIT MUHAMED NDAJ TË KRISHTEREVE

Edhe përpos kontradiktave aktuale të Lindjes myslimane dhe Perëndimit krishterë, e njohur për ne si “konflikt civilizimesh”, të dhënat materiale dhe historike që nga kohërat sa ishte gjallë hasreti MUHAMEDI, tregojnë krejtësisht një qëndrim shumë më tolerant dhe tejet miqësorë ndaj pjesëtarëve të këtij religjioni në përgjithësi, si dhe ndaj thelbit të filozofisë religjioze krishtere në veçanti. 
Shikuar në bërthamën e filozofisë dhe ideologjisë të të gjitha religjioneve monoteiste gjatë historisë, në asnjërin prej tyre nuk mund të hasësh në ndonjë predikim apo pasus të shkruar që tregon mungesë tolerancë dhe armiqësi ndaj konfesioneve dhe grupeve tjera fetare. 
Në anën tjetër, realiteti i pamohueshëm praktik na tregon krejtësisht një eksperiencë të kundërt. Dihet nga historia se në emër të besimeve dhe të feve, ndërmjet popujve dhe civilizimeve të ndryshme, janë bërë shumë luftëra dhe krime, shumë komplote dhe gjakderdhje. Bazuar në mjaft të dhëna të dëshmive historike që ne kemi sot, lirisht mund të konstatohet se këto përleshje, nën petkun e motivit religjioz, realisht kanë pasur karakter tërësisht klasor dhe politik duke ndikuar kështu edhe në rrjedhat globale të raporteve interkontinentale dhe ndërcivilizuese. 
Këso konflikte fetare, ka pasur mjaft, po ne do të ndalemi kryekëput te raportet e dy religjioneve që sot konsiderohen si më të mëdha në botë, ISLAMIT dhe KRISHTERIMIT, e që janë religjione që e ndërtojnë edhe besimin multi fetar të popullit tonë shqiptar. 

Islami dhe krishterimi si dy fe miqësore 

Shpesh herë qëllimisht nga historia është keç treguar qëndrimi që profeti Muhamed kishte ndaj të krishterëve. Mite dhe legjenda të tepërta qëllimkëqija e kanë mbuluar këtë qëndrim. E vërteta e zbuluar nga dokumentet më të hershme historike e tregon të kundërtën. Profeti Muhamed jo vetëm që nuk kishte ndonjë qasje armiqësore ndaj tyre por përkundrazi i kishte trajtuar me dashamirësi dhe afërsi. 
Ata dijetarë dhe studiues të mirëfilltë dhe neutral të këtyre dy feve, e dinë mirë se, që nga fillëzënia e parë e tyre, krishterimi dhe islami kurë nuk kanë qenë fe kontradiktore, por, përkundrazi, i kanë pasur shumë elemente të ngjashme në mes tyre. 
Historia e shkruar e zhvillimit të fesë islame, me pietet dhe respekt të veçantë i kujton vitet e para të predikimit të kësaj feje dhe peripecitë e besimtarëve që atëbotë e kishin pranuar islamin, përballë ndjekjeve të bashkëvendësve të tyre që kishin besimin zyrtar në idhuj dhe toteme (totemizëm). 
Nga dhuna e paparë fizike që i ushtrohej myslimanëve të parë që kishin pranuar islamin, me urdhrin e Muhamedit a.s., më vitin 615 të e.s., shumica prej tyre, gjejnë strehim në Abesini (Etiopia e sotme) ku sundonte mbreti krishterë Negusi, i cili, jo vetëm se i ofroi azil këtyre emigrantëve myslimanë që kishin ikur prej dhunës nga vendi i tyre, por edhe i mori nën mbrojtje zyrtare mbretërore. 
Përveç kësaj ngjarje historike të raporteve tejet të mira ndërfetare në mes të myslimanëve të parë dhe një mbreti krishterë, në vazhdim do t’ua prezantoj një letër si dëshmi materiale (e shkruar në origjinale), të cilën Profeti e kishte adresuar murgjve të Manastirit të Shën Katerinës. 
Kjo letër e dërguar në adresë të këtij manastiri mban datën e vitit 628. 

“Ky është një mesazh nga Muhamed ibn Abdullah, si një pakt për ata që mbajnë Krishterimin, pranë dhe larg, ne jemi me ta. Me të vërtetë unë, shërbëtorët, ndihmuesit, dhe ndjekësit e mi i mbrojnë ata, sepse kristianët janë qytetarët e mi; dhe për Allah, unë jam gjithmonë kundër çdo gjëje që i dëshpëron ata. Asnjë lloj detyrimi nuk duhet të ketë mbi ta. As gjykatësit e tyre nuk do të hiqen nga puna dhe as murgjërinë nga manastiret e tyre. Asnjë nuk lejohet që të shkatërrojë një shtëpi të besimit të tyre, ta dëmtojë atë, apo të marrë ndonjë gjë nga ajo për tek shtëpitë e myslimanëve. Në qoftë se ndonjë merr ndonjë nga këto, ai do të shkelë paktin e Zotit dhe nuk i bindet profetit të Tij. Me të vërtetë, ata janë aleatët e mi dhe kanë statutin tim të sigurt kundër çdo gjëje që ata urrejnë. Asnjë nuk do t’i detyrojë ata që të udhëtojnë apo t’i obligojnë për luftë. Myslimanët duhet të luftojnë për ta. Në qoftë se një femër krishtere martohet me një mysliman, kjo nuk duhet të ndodhë pa aprovimin e saj. Ajo nuk duhet të ndalohet të vizitojë kishën e saj për t’u lutur. Kishat e tyre duhet të respektohen. Atyre nuk duhet t’u ndalohet riparimi i tyre as shenjtërimi i pakteve të tyre. Asnjë njeri nga ymmeti (bashkësia myslimane) nuk duhet të shkelë këtë pakt deri në Ditën e Kiametit (fundi i botës).” 

Një shembull të një tolerance dhe respekti në mes të këtyre dy feve, patjetër se e kemi si unikat në botë edhe te ne shqiptarët. Kurrë në historinë tonë kombëtare nuk ka ekzistuar ndonjë konflikt ndërfetar me përmasa të mëdha, por, përkundrazi, jemi të njohur për një respekt, mirëkuptim dashuri dhe konsideratë të ndërsjellët fetar. Një qëndrim të tillë human, të drejtë e zemërmirë bota nuk ka parë në asnjë rast tjetër. Nga një sjellje e tillë bujare mund të mësojnë edhe sot mjaft shtete e shoqëri duke filluar nga Evropa, Amerika dhe gjithë bota…

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …