Shefki OLLOMANI: MAQEDONIA, DREJT EUROPËS PA ILIRIDËN!

 


Pushtetarët sllavomaqedonas gjatë gjithë historisë së tyre ”shtetërore”, që nga viti 1945 e deri më sot, janë treguar antishqiptarë! Kanë punuar e vepruar kundër popullit shqiptar nën këtë ”republikë-shtet”, duke i maltretuar e burgosur, duke ua mohuar të drejtat kombëtare e njerëzore, duke ua cunguar kulturën, arsimin dhe historinë e tyre origjinale.
Si në kohë të ”komunizmit” (1945-1991), ashtu edhe në kohë të ”demokracisë” (1991-2007), pozita shtypëse e shfrytëzuese e shqiptarëve nën këtë ”republikë-shtet” nuk ka ndryshuar aspak! Ajo vetëm ka njohur disa zbatica të vogla herë pas here, kur forcat e pushtetarëve kanë qenë të dobësuara, por në momentin kur pushtetarët sllavomaqedonas në Shkup kanë forcuar pozitat politiko-ushtarake, atëherë menjëherë ka filluar batica dhe përplasja e tyre me popullin shqiptar të Iliridës!
Duke qenë gjithmonë një dorë e zgjatur e shovenizmit serbomadh dhe ekspansionizmit bullgaromadh, pushtetarët sllavomaqedonas në Shkup kurrë nuk kanë ngurruar që të nëpërkëmbin Shqiptarët, që t’i shtypin politikisht, që t’i diskriminojnë etnikisht, që t’i shfrytëzojnë ekonomikisht, deri edhe t’i burgosin dhe vrasin fizikisht!
Kështu flet historia e djeshme e këtij ”shteti”! Kështu flasin edhe ngjarjet e sotme politike në këtë vend! Pushtetarët sllavomaqedonas në Shkup thonë e trumbetojnë çdo ditë se ata kanë ndërtuar një ”shtet” i cili është e vetmja ”oazë e paqes” në Ballkan, duke u përpjekur kështu që të fitojnë poena tek ndërkombëtarët për t’u anëtarësuar në NATO dhe në ”Bashkimin” Europian. Por me politikën e saj antishqiptare që ka ndjekur dhe që po ndjek në vazhdimësi, Maqedonia (IRJM) jo vetëm që nuk do të aderojë kurrë në këto organizma ndërkombëtarë, por ajo rrezikon edhe integritetin e vet territorial!
Me politikën antidemokratike, shoveniste e antishqiptare që ndjekin, pushtetarët e Shkupit e kanë dëshmuar se ata nuk duan që të anëtarësohen në NATO dhe në ”Bashkimin” Europian, sepse nuk i lejon albanofobia e tyre, sëmundje kjo kronike e të gjitha shovenizmave sllavo-greke të Ballkanit! Ata duan të integrohen në NATO dhe Europë, por pa Shqiptarët dhe pa trojet shqiptare të Iliridës. Kësaj doktrine antishqiptare i shërben edhe akti më i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Shkupit për ndalimin e përdorimit të Flamurit Kombëtar Shqiptar nga populli ynë në Iliridë, si dhe më heret të mohimit të të drejtës së Gjuhës Shqipe që të jetë gjuhë e dytë zyrtare shtetërore! Kush na garanton neve se nesër po kjo Gjykatë Kushtetuese nuk do të marrë një vendim tjetër për anulimin e Ligjit për Decentralizimin Territorial, ose se nuk do të anulojë Ligjin për Zyrtarizimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës?!
Ky qëndrim antishqiptar i qeveritarëve sllavomaqedonas e ka burimin te mohimi dhe shkelja e vendimeve të ”Marrëveshjes së Ohrit”. Kjo do të thotë se historia po përsëritet. Historia shqiptaro-maqedonase po kthehet me shpejtësi te viti i errët dhe i përgjakur i vitit 1997! Kjo do të thotë se sërish po na troket në derë viti i përleshjeve të gjakosura shqiptaro-maqedonase të pranverë-verës 2001!
Këtë herë luftën shqiptaro-maqedonase don ta shpallë Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, një organ ”i pavarur” e ”apolitik”, i cili duhej të ishte garant i demokracisë, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe paqes ndëretnike në IRJM! Por, jo, ajo tanimë ka marrë rolin e luftënxitësit dhe përndjeksit të një populli të tërë – Shqiptarëve të Iliridës!
Nuk duhet harruar se vendimet e kësaj Gjykate janë obligative për pushtetin ekzekutiv qendror dhe lokal. Vendimet e kësaj Gjykate nuk janë të diskutueshme, ato vetëm duhet të zbatohen. Kjo do të thotë se, në rast se Kryetarët Shqiptarë të Komunave refuzojnë zbatimin e këtij vendimi, ata do të detyrohen me ligj që ta bëjnë një gjë të tillë! Në rast se ata refuzojnë përsëri, atëherë ata do të ndiqen penalisht! Kjo do të thotë se, Kryetarët Shqiptarë të Komunave do të pushohen nga puna, do t’u merret me dhunë mandati i populli dhe do të arrestohen, burgosen dhe gjykohen për shkelje të ligjit! Refuzimi i Kryetarëve Shqiptarë të Komunave që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të urdhërave të Qeverisë, do të thotë përleshje dhe gjakderdhje e re shqiptaro-maqedonase! Do të thotë fillimi i shpërbërjes definitive të këtij shteti me emrin IRJM/FYROM. Dhe fajtorë për këtë do të jetë Gjykata Kushtetuese antishqiptare e Shkupit dhe nxitësja e saj – Qeveria ultranacionaliste e VMRO-DPMNE-së dhe vazalëve të tyre “shqiptarë”!
Mohimi dhe shkelja e ”Marrëveshjes së Ohrit” nga pushtetarët e sotëm ultranacionalistë të VMRO-DPMNE-së është në realitet mohim i bashkëjetesës së Shqiptarëve dhe Sllavomaqedonëve në të njëjtin shtet, që sot nga ata quhet Republika e Maqedonisë, kurse nga ndërkombëtarët dhe OKB quhet Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë – IRJM (apo FYROM në anglisht).
Mohimi, anashkalimi, shkelja dhe moszbatimi i ”Marrëveshjes së Ohrit”, nga kushdoqoftë, do të thotë mohim i IRJM-së, do të thotë shpërbërje dhe ndarje e Republikës aktuale të Maqedonisë ndërmjet Shqiptarëve dhe Sllavomaqedonasve. Dhe, përderisa këtë ”Marrëveshje të Ohrit” deri tani e kanë mohuar dhe shkelur vetëm qeveritarët sllavomaqedonas, kjo do të thotë se ata janë iniciatorët numër një për ndarjen e Maqedonisë. Ç’është e vërteta, qeveritarët e VMRO-DPMNE-së edhe herën e kaluar kur ishin në pushtet, edhe tani që kanë rimarrë pushtetin, janë deklaruar disa herë hapur se janë për ndarjen e Maqedonisë, gjegjësisht për flakjen e Shqiptarëve nga ky shtet.
Qeveritarët sllavomaqedonas ”Flakjen” e Shqiptarëve nga ky vend kanë tentuar ta bëjnë edhe gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, por nuk u ka ecur. Një gjë të tillë ata tentojnë ta bëjnë edhe tani, me anë të mohimit të të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve, përmes moszbatimit të ”Marrëveshjes së Ohrit” dhe përmes provokimeve të përditshme, siç është rasti i fundit përmes ndalimit gjyqësor të përdorimit të lirë e publik të Flamurit Kombëtar nga ana e popullit shqiptar të Iliridës.
Ç’do të thotë ”Flakje” e Shqiptarëve nga Maqedonia, sipas planeve shoveniste antishqiptare të pushtetarëve VMRO-istë? FLAKJE do të thotë që Maqedonia dhe sllavomaqedonët të lirohen nga shqiptarët dhe trojet e tyre, duke u dhënë atyre aq sa duan ata dhe jo aq sa janë trojet shqiptare nën Maqedoni.
Dhe, sipas tyre, trojet shqiptare të Iliridës janë vetëm dy qytete-komuna të saj: Dibra dhe Gostivari dhe ndonjë pjesë rurale aty-këtu!!! E pra, kaq fodullë e arrogantë, kaq mendjelehtë dhe mendjemëdhenj janë shovenistët sllavomaqedonas, sa që ata luajnë rolin e ”Zotit” të ”plotëfuqishëm” dhe u ”japin” Shqiptarëve aq troje shqiptare sa duan ata! Luajnë rolin e ”Zotit” të ”gjithëdijshëm”, duke pretenduar se janë historian ”të pagabueshëm” dhe ”i dijnë” se ku shtrihen historikisht dhe faktikisht trojet shqiptare të Iliridës!
Në këtë mënyrë, pushtetarët dhe historianët sllavomaqedonas luajnë edhe rolin e ”naivit”, bëhen sikur ”nuk i njohin” kufinjtë etnikë të Iliridës në IRJM! Ata dridhen e tmerrohen kur u kujtohet se ku janë kufijtë etnikë, natyrorë e realë të trojeve shqiptare të Shqipërisë Etnike dhe në këtë kuadër edhe kufijtë e trojeve etnike të Iliridës. Ata e dinë se heret a vonë trojet etnike shqiptare të Iliridës do të ndahen nga IRJM dhe do t’i bashkohen Shqipërisë Etnike, prandaj ata, me një sjellje prej ”demokratësh” e ”xhentëlmenësh” përpiqen që ”të keqes” t’i dalin përpara, duke propozuar ”vetëvendosje” sllavomaqedonase për trojet shqiptare të Iliridës dhe shkëputjen e tyre nga Maqedonia në mënyrë ”paqësore”.
Në këtë mënyrë ata duan të marrin pjesën e ”luanit” të trojeve shqiptare, duke ofruar ”vullnetarisht” ndarjen e dy-tre qyteteve shqiptare nga Maqedonia dhe kështu të mbyllet përgjithmonë çështja shqiptare në Maqedoni. Ata duan ta ndajnë Maqedoninë (IRJM) por jo me marrëveshjen e tyre me Shqiptarët, por përmes provokacioneve të këtilla, që faji para ndërkombëtarëve, për ndarjen e Maqedonisë, për ndryshimin e kufijve, për prishjen e ”paqes”, etj., t’u mbesë shqiptarëve! Ky është një plan dinak nga sllavomaqedonasit, por i parealizueshëm, sepse është bërë pa Shqiptarët. Pa të zotët e vendit. Ilirida nuk mund të ndahet, ajo është një trevë kompakte shqiptare. Maqedonia mund të ndahet, kur të dojë nga Ilirida.
IRJM mund të hyjë në Europë e në NATO, edhe pa popullin shqiptar, pa trojet etnike shqiptare, pa Iliridën. Ilirida, trojet e saj dhe shqiptarët e saj, së pari do të bëjnë integrimin dhe bashkimin territorial të Shqipërisë Etnike dhe pastaj si shtet i bashkuar kombëtar do të integrohen edhe në organizmat euro-atlantike të NATO-s dhe të Bashkimit Europian.
Shqipëria e Bashkuar në Europën e Bashkuar.

Kontrolloni gjithashtu

Jose Manuel Albares: Zgjidhja me dy shtete është e vetmja mënyrë për të garantuar një paqe të drejtë në Lindjen e Mesme

Ministri izraelit i Bashkëpunimit Rajonal, David Amsalem, ka bërë thirrje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Hamasin

Ministri izraelit i Bashkëpunimit Rajonal, David Amsalem, ka bërë thirrje për një “marrëveshje gjithëpërfshirëse” të …