Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” filloi nga deponia e mbeturinave në fshatin Dremjak të Ferizajt

Këtë të shtunë edhe në Ferizaj, ka filluar aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” vendim ky i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që ky aksion të fillon nga data 15 shtator, ndërsa do të vazhdojë deri me datë 15 dhjetor. Këtij aksioni të gjerë i janë bashkuar Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi-Bytyqi, drejtorë të drejtorive komunale, shoqëri civile, qytetarë të shumtë, por edhe mediat lokale. Me këtë rast, numri një i qyteti të Ferizajt, Agim Aliu, i cili i priu këtij aksioni, është shprehur se sot është dita kur po fillohet një aksion i madh, një aksion në shkallë vendi pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe duke u bashkërenduar në këto aktivitete edhe Komuna e Ferizajt, e cila tashmë ka marr të gjitha masat, ndërsa ka formuar edhe task-forcën e cila do të veprojë me planin operativ për gjatë këtyre tre muajve, në mënyrë që përfundimisht jo vetëm që të pastrojmë ambientet e ndryshme, por edhe për të ngritur vetëdijen qytetare që të jetojmë dhe të punojmë për ambiente më të pastra. “Jemi në një mjedis që për dekada të tëra pavarësisht të aksioneve sporadike, pavarësisht projekteve të caktuara të cilat janë zhvilluar edhe nga Ministria e Planifikimit dhe e Mbrojtjes së Mjedisit, prapë kemi ambiente të cilat nuk janë të bukura për syrin, por mbi të gjitha janë të dëmshme për shëndetin dhe të ardhmen tonë. Prandaj jemi këtu edhe një herë për të dëshmuar se ne nuk do të ndalemi dhe do të tregojmë vazhdueshëm qëndrueshmërinë e aksioneve tona. Ju siç po e shiheni edhe pa vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, qeverisja ime komunale, ka pas filluar të marr disa veprime në mënyrë që kjo zonë të jetë zonë e gjelbër, zonë e pastër, sepse në fakt gjatë këtyre tetë muajve të qeverisjes sime ka pasur konsistencë të aksioneve që të pastrohet i gjithë ambienti i territorit të Komunës së Ferizajt dhe jo rastësisht, sot kemi ardhur tek numri i 100 deponive ilegale të cilat ne i kemi hequr. Sigurisht se ne mund t’i heqim edhe 100 të tjera dhe sigurisht që edhe gjatë këtyre tre muajve do të bëhet kjo punë, por prapë do të jetë e pamjaftueshme heqja e deponive të tilla, pa një ndryshim të mentalitetit dhe pa një angazhim të të gjithë qytetarëve, për të krijuar një kulturë të re, por mbi të gjitha unë po shpresoj se ashtu siç jemi sot të bashkuar, ku janë të aktivizuar afërisht 10 mijë qytetarë të profesioneve të ndryshmeve, të angazhimeve të ndryshme publike dhe civile të cilat ju kanë përgjigjur këtij aksioni dhe unë po besoj që këta 10 mijë qytetarë të angazhuar në çdo ditë të jetës se tyre, do të japin porosinë e duhur nga këto tre muaj dhe po besoj që pas 15 dhjetorit të vitit 2018 gjithnjë e me pak do të kemi deponi ilegale dhe më pak do të kemi edhe ambiente të pa pastra, edhe një herë po them se ne do të kemi qëndrueshmëri të punës dhe ambientit në mënyrë që të kemi sa më shumë ambiente të pastra, sepse Kosova jonë që është e bukur, e gjelbër dhe mbi të gjitha me perspektivë për nxënësit dhe fëmijët tanë”, ka thënë Kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se në të ardhmen do të ketë edhe projekte të shumta ambientale. E nga ana tjetër Kenan Gashi nga shoqëria civile njëherit koordinator regjional për këtë aksion tha se në këtë aksion janë përfshirë të gjitha shkollat fillore dhe të mesme i janë përgjigjur aksionit, të gjitha institucionet lokale, por edhe qytetarët të shumtë ferizajas. Ai ka shtuar se janë mbi 350 vullnetarë që janë angazhuar për këtë ditë, por edhe punonjës të administratës komunale, punëtorë të kompanive publike dhe punonjës të institucioneve anëtarë të kësaj task-force. Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, ka vazhduar deri në orët e vona të pasdites, ku të gjitha institucionet kanë vepruan në bazë të planit të veprimit të bërë nga task-forca e Komunës së Ferizajt.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …