MINISTRI BYTYQI: AMBIENTI I PASTËR DO TË JETË TEMË E PËRHERSHME NË SHKOLLA

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në disa aktivitete të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, i cili filloi në Ditën Ndërkombëtare të Pastrimit të Ambientit dhe do të zgjasë tre muaj, pra deri më 15 dhjetor 2018. Aksioni ka filluar në MAShT, ku ministri Bytyqi bashkë me zyrtarë të Ministrisë kanë pastruar hapësirën përreth këtij institucioni, ndërsa më pas Ministri ka marrë pjesë në hapjen e aksionit te deponia më e madhe ilegale në kryeqytet. Ministri Bytyqi, po ashtu, gjatë kësaj dite, bashkë me drejtorin e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, ka vizituar shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, ku nxënësit bashkë me mësimdhënësit e tyre po bënin pastrimin e ambientit përreth shkollës. Me këtë rast, ministri Bytyqi theksoi se MAShT ka marrë vendim që këtij aksioni të rëndësishëm për pastrimin e Kosovës, t’i bashkohen edhe të gjitha shkollat në Kosovë. Ministri theksoi se përveç këtij aktiviteti nëpër shkolla, MAShT do të jetë në kontakt edhe me drejtoritë komunale të arsimit dhe do të kërkojë që gjatë kësaj periudhe, por edhe më vonë, përveç mbajtjes pastër të ambientit nëpër shkolla, mësimdhënësit të diskutojnë më shumë me nxënësit për ruajtjen e ambientit dhe rëndësinë e mbajtjes pastër të ambientit, në mënyrë që të ngritët vetëdijesimi te të rinjtë tanë. “Besoj se të rinjtë tanë jo vetëm që do të jenë ruajtës të ambientit, por do të jenë edhe edukatorë për të tjerët për rëndësinë e mbajtjes pastër të ambientit”, tha ministri Bytyqi, pasi që shprehu besimin se kjo është një iniciativë shumë e nevojshme për vendin tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …