Kërcënimet e Beogradit për intervenim në Kosovë janë kërcënime serioze (Koment i RKL-së)

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 8 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë, Beogradi zyrtar nuk e ka ndërruar qëndrimin antishqiptar, madje kohëve të fundit i ka shtuar kërcënimet për luftë, në rast të shpalljes së Pavarësisë. 
Serbia, nga pozita e shtetit të demonizuar me rastin e intervenimit të NATO-s, në pranverë të vitit 1999, pas luftës në Kosovë me përkrahjen e Rusisë dhe disa shteteve evropiane, ka arritur të fitojë përkëdheljen, madje edhe përkrahjen e pa rezervë të shumë shteteve. 
Zvarritja e zgjidhjes së statusit të Kosovës, në radhë të parë për shkak të mungesës së vigjilencës dhe papërgjegjësisë së faktorit politik shqiptar, bëri që Serbia të fitojë në kohë, të amnistohet dhe në njëfarë mënyre të shpallet “viktimë” e NATO-s. 
Duke shfrytëzuar të gjitha zhvillimet e pas luftës në Kosovë, Serbia arriti jo vetëm ta “përmirësojë” imazhin e një shteti agresor, sidomos me dorëzimin e Milosheviqit në Hagë, por edhe ta fitojë imazhin e “viktimës” për shkak të sulmeve të NATO-s dhe shkëputjes së Kosovës nga kthetrat e barbarisë sllave. 
Jo rastësisht Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në shkurt të këtij viti amnistoi Serbinë për krimet dhe gjenocidin në Srebernicë të Bosnjës. 
Jo rastësisht kryeprokurorja Del Ponte ka fshehur dokumentet, me të cilat fajësohej Serbia lidhur me këto krime. Gazeta kroate “ Jutarnji list “, ka sjellë fakte që dëshmojnë se prokurori i Tribunalit të Hagës në gjykimin kundër kryekriminelit Millosheviq, Goeffrey Nice, pasi që është konstatuar se Serbia vetëm në mënyrë indirekte është përgjegjëse për krimet në Srebrenicë, e ka akuzuar Carla del Ponten se në marrëveshje me Beogradin i ka fshehur dokumentet të cilat do të dëshmonin lidhjet e Serbisë me gjenocidin. 
Jo rastësisht është hequr dorë nga arrestimi i kryekriminelëve: Mladiq dhe Karaxhiq, edhe pse retorika verbale në këtë drejtim vazhdon të jetë e përditshme me veprime nganjëherë edhe qesharake. 

Këto dhe shumë fakte të tjera flasin për një politikë perfide dhe hipokrite të disa qarqeve evropiane, të cilat duke e përkrahur pa rezervë Serbinë, po e shprehin qëndrimin e tyre të papërmbajtur antiamerikan, për shkak se Uashingtoni dhe Londra kanë mbetur përkrahëse besnike të opsionit të shkëputjes së Kosovës nga dominimi dhe kolonializmi serb. 

Në një pozitë të tillë, e përkrahur fuqishëm nga Rusia, Kina, Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia, madje edhe sllovenia e po thuajse të gjitha shtetet sllave, Serbia jo vetëm që ka fituar përkrahje, por ajo po bën përpjekje që me çdo kusht ta kthejë sundimin hegjemonist sllav në Kosovë. 
Kërcënimet serbe për destabilitet dhe luftë në Kosovë janë pjesë e boshtit të politikave strategjike hegjemoniste sllave në Ballkan, të cilat orientohen, mbështeten fuqishëm dhe fuzionohen nga kreu i Kremlinit. 
Këto forca po përgatiten ta shfrytëzojnë momentin, për të demonstruar dhunën kundër shqiptarëve në Kosovë e më gjerë, duke qenë në njohuri të faktit se shqiptarët në Ballkan nuk kanë krijuar politikë unike kombëtare dhe nuk mund të veprojnë si tërësi e organizuar, me qëllim për t’ u mbrojtur nga agresioni serb dhe sllav në përgjithësi. Në mungesë të këtij faktori, forcat sllave po bëjnë përpjekje ta fajësojnë Uashingtonin zyrtar, i cili sipas tyre po i yshtka shqiptarët e Kosovës ta shpallin pavarësinë. 
Duke llogaritur epërsinë e tyre ushtarake, serbët ende mendojnë se me shqiptarët, të cilët nuk kanë forca ushtarake mbrojtëse, do të arrinin kompromise të caktuara, duke u mbështetur si kurdoherë deri tani vetëm në logjikën e tyre të forcës. 

Kosova, në muajt që do të pasojnë, do të gjendet përballë sfidave shumë të rrezikshme, pavarësisht se në vend ndodhen të dislokuara forcat paqeruajtëse të KFOR-it, të cilat janë zotuar se do ta ruajnë paqen dhe ekstremistët e cilësdo palë. 
Opinioni ynë tashmë e di dhe e ka kuptuar mirëfilli se këto forca janë shumë heterogjene për nga prejardhja. Në mesin e tyre ka forca ushtarake, që vijnë nga vende, të cilat nuk e përkrahin pavarësinë e Kosovës, ose nga vendet, të cilat nuk kanë qëndrim të përcaktuar lidhur me zgjidhjen e statusit të vendit tonë. 
Gjatë tetë viteve të pranisë së këtyre forcave, kemi pasur rast të shohim dhe të bindemi në qëndrimet dhe veprimet e tyre, duke veçuar me këtë rast shprehjen e agresivitetit të disa qarqeve të huaja ushtarake, kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Ky agresivitet selektiv është shprehur në mënyrë shumë brutale edhe në protestat qytetare të marsit të vitit 2004. Në rast të trazirave do të ripërsëriten skenarët e vjetër dhe gjendja shumë lehtë do të dalë jashtë kontrollit, meqë klasa politike e vendit, e cila ka mbështetjen e një të tretës së popullatës, nuk ka kredibilitet të duhur, as aftësi për të frenuar zemërimin e mllefin e popullit, në rast të përpjekjeve të forcave ushtarake serbe për të depërtuar në Kosovë, qoftë në mënyrë legale apo ilegale. 
Kërcënimet dhe vringëllima e armëve serbe nuk janë të panjohura për ne, as kanë mbetur vetëm një shëmti e së kaluarës, sikur pretendojnë të na bindin disa politikanë të papërgjegjshëm. Këto kërcënime së shpejti do të prodhojnë efektet negative, të cilat sikur çdoherë në të kaluarën edhe kësaj radhe do të na gjejnë krejtësisht të papërgatitur, kësaj radhe edhe për faktin se forcat e KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare gjatë viteve të pranisë së tyre në vendin tonë kanë çarmatosur të gjithë shqiptarët, të cilët kishin ruajtur armët për këtë qëllim. Megjithëkëtë, shqiptarët liridashës nuk do të dorëzohen, ata sërish do t’ iu rreken maleve, ndërsa pacifistëve dhe profiterëve sërish do t’iu rrëshqasë nën këmbë toka e Atdheut. Do të ishte fat për ne, por edhe për vetë serbët nëse këto kërcënime mbesin vetëm pjesë e retorikës së dëshpëruar të kreut politik dhe ushtarak të Serbisë militariste.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …