Të gjitha Institucioneve ndërkombëtare,
Opinionit demokratik ndërkombëtar,
Opinionit demokratik në Maqedoni,
Organizatave demokratike në Maqedoni,
Më 10 dhjetor 1948, 56 shtete të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nënshkruan Deklaratën Universale të të drejtave të njeriut.
Në fund të dekadës së gjashtë nga data e nënshkrimit të saj rikujtojmë përpjekjet për realizimin e këtij misioni politik dhe human. Rikujtojmë luftërat politike dhe mobilizimet shoqërore që shtetet të sillen në përputhje me normat dhe standardet që garantojnë jetë dinjitoze për çdo individ, pa dallim të racës, ngjyrës, gjinisë, moshës, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë ose çfardo forme tjetër të dallimeve ekzistuese.
Përkundër rezultateve të mëdha në përfshirjen e kësaj Deklarate Universale në legjislacionet e të gjitha shteteve të komunitetit ndërkombëtar dhe zgjerimit të tyre me të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, realizimi praktik i këtyre të drejtave mbetet në rrafshin e idealeve që duhet të arrijnë të gjitha shtetet dhe kombet.
Maqedonia, me praktikat e veta të diskriminimit është shteti ku më së shumti shkelen të drejtat e njeriut në Evropë.
Edhe pse Maqedonia ka nënshkruar dhe ratifikuar Kartën Evropiane për gjuhët (25 korrik 1996) dhe me 1 gusht të vitit 2001 u angazhua që të zbatojë marrëveshjen që do t’i jepte fund diskriminimit etnik në këtë fushë, sot e kësaj ditë gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare dhe shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen si më parë.
Edhe pse Maqedonia ka nënshkruar dhe ratifikuar, si anëtare e Këshillit të Evropës, protokollet nr. 7 e 8 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive fundamentale të njeriut (10 prill 1997) dhe Konventat tjera kundër diskriminimit, diskriminimi ndaj shqiptarëve vazhdon në të gjitha fushat e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike….
Nëse bëjmë një pasqyrim të të dhënave do të shohim se asnjë nga parimet e kësaj Deklarate Universale nuk është zbatuar në praktikë nga autoritetet e Maqedonisë.
Në bazë të Deklaratës Universale të gjithë duhet të realizojnë të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, të domosdoshme për të ruajtur dinjitetin e vet. Në Maqedoni kjo nuk vlen për shqiptarët. Kemi një disparitet të madh në zhvillime sa i përket aspektit etnik.
Në të gjitha strategjitë zhvillimore, territoret e banuara me shumicë shqiptare lihen anash. Shqiptarët janë jashtë çdo projekti ndihme për bujqësi, vreshtari dhe blegtori.
Diskriminimi bëhet në investimet infrastrukturore të shërbimeve publike, në çështjet banesore dhe në të gjitha fushat që janë kompetencë e drejtpërdrejtë apo indirekte e autoriteteve qendrore.
Edhe pse të gjithë duhet të sigurojnë një nivel të jetës që u përgjigjet nevojave të shëndetit dhe jetës së tyre dhe të familjeve të tyre, mbi gjysma e popullsisë së Maqedonisë jetojnë në varfëri të thellë. Në mesin e tyre dominojnë shqiptarët.
Shifrat reale të papunësisë flasin për krizë të përgjithshme, ku mbi 50 % e fuqisë punëtore është e papunë. Papunësia është duke bërë kërdi në vendet me shumicë shqiptare. Sidomos gratë dhe rinia janë dy kategoritë shoqërore më të goditura nga papunësia. Madje, të dekurajuar nga situata e vështirë as që shkojnë të evidentohen në entin e papunësisë.
Nga papunësia e lartë dhe niveli i pabarabartë i të ardhurave kemi një trend alarmant të rritjes se varfërisë në mesin e familjeve me fëmijë. Nga 49.3 % sa ishin me 2002 rritet në 66.6 % në vitin 2005. Tani rreth 50 % e familjeve me fëmijë jetojnë në varfëri. (shih Raportin e UNICEF «Varfëria e fëmijëve në Maqedoni).
Edhe në mesin e të punësuarve, shqiptarët janë të diskriminuar në aspektin e niveleve të funksioneve që ushtrojnë. Me 10 shtator 2007 u dërguam institucioneve ndërkombëtare raportin prej 237 faqesh që pasqyronte diskriminimin e shqiptarëve në administratën shtetërore dhe ndërmarrjet publike. Që nga ajo datë gjendja është rënduar edhe më shumë. Kjo situatë do të përfshihet në një raport tjetër që do t’ua përcjellim së shpejti institucioneve ndërkombëtare.
Një nga parimet themelore të kësaj Deklarate Universale konsiston në atë që asnjë njeri nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, veprimeve dhe dënimeve mizore, trajtimeve çnjerëzore dhe poshtëruese…
Realiteti në Maqedoni dëshmon të kundërtën : shqiptarët rrihen, poshtërohen, çnjerëzohen, maltretohen, torturohen, dënohen, vriten, masakrohen me bekimin e autoriteteve politike të Shkupit ;
– Sopoti, Bllaca, Breza etj. janë dëshmitë e politikës antishqiptare të mandatit të kaluar të LSDM-BDI-së;
– Tanusha, Vaksinca, masakra e Brodecit, janë kulmi i të gjitha shkeljeve në këtë mandat diktatorial të VMRO-PDSH-së .
Me një fjalë, tërësia e politikës shtetërore ndaj shqiptarëve dëshmon se konventat e ndryshme lidhur me qasjen demokratike ndaj diversitetit etnik janë bërë sa për sy e faqe nga Maqedonia.
Edhe apelet aktuale që Maqedonia t’i përmbushë të gjitha kushtet paraprake për integrimit në NATO dhe ne BE janë apele të kota nëse nuk shoqërohen me një ndërmjetësim urgjent ndërkombëtar.
Autoritetet politike të njëpasnjëshme të Shkupit kanë bërë praktikë strategjinë e blerjes së kohës. Ata mund t’i miratojnë të gjitha ligjet që u nevojiten për të hyrë në strukturat euro-atlantike. Dhe në të njëjtën kohë t’ua dorëzojnë dosjet e përgatitura Gjykatës Kushtetuese që në një moment të përshtatshëm, pasi të kenë realizuar projektet e tyre, kjo gjykatë t’i shpall si antikushtetutare dhe të veprojnë njësoj si me ligjin për përdorimin e flamurit. Integrimi i konventave dhe normave demokratike në legjislacionin e vendit duhet të bëhet për hir të stabilitetit të vendit e jo sa për të bërë rendin. Situata është tepër dramatike.
Diskriminimi ka marrë përmasa shqetësuese dhe situata është tejet e rrezikshme.
Lufta kundër diskriminimit racor, kundër diskriminimit etnik, kundër diskriminimit gjinor dhe kundër të gjitha formave të diskriminimit kërkon një angazhim kolektiv të të gjithë demokratëve të mirëfilltë. Këtu dhe në botë !
Në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kjo luftë merr edhe formën e kërkesës urgjente:
– për lirimin e menjëhershëm të gjithë civilëve të pafajshëm të Brodecit ;
– për krijimin e një komisioni ndërkombëtar për të hetuar tragjedinë e Brodecit.
– për rishikimin e të gjitha proceseve të montuara politikisht kundër shqiptarëve ;
– për sjelljen para drejtësisë të të gjithë fajtorëve të implikuar në tragjedinë e Brodecit;
Të nderuar demokratë,
Kohëve të fundit, sidomos kur gjërat lidhen me statusin politik të Kosovës, ballafaqohemi me pyetjen se a e destabilizon Kosova Maqedoninë ? Kjo pyetje është rezultat i një konstruksioni mediatik që synon të tërheqë vëmendjen atje ku nuk është problemi.
Pavarësia e Kosovës dhe njohja e vullnetit politik të Kosovës është faktor stabilizimi për tërë rajonin. Përkundrazi, Maqedonia, e cila ballafaqohet me shumë probleme të cilave duhet t’u jap përgjegje adekuate, në mënyrë analogjike siç veprojnë vendet e demokracive perëndimore, luan një rol negativ.
Vazhdimi i politikës antishqiptare nga koalicioni qeveritar VMRO-PDSH ka destabilizuar tejmase vendin dhe rrezikon të destabilizojë tërë Ballkanin. Prandaj, Bashkimi Demokratik Shqiptar kërkon intervenimin energjik të demokracive perëndimore për t’i thënë NDAL DHUNËS DHE DISKRIMINIMIT TË SHQIPTARËVE NE MAQEDONI !
Tetovë, 10 dhjetor 2007
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …