Epir Qeriqi: Goditja qytetare

Duket se po ndodhë vetëdijesimi i qytetareve në raport me klasën aktuale politike në Kosovë. Përderisa para shtatë vitesh, populli i entuziazmuar nga përfundimi i luftës, duke besuar se erdhi liria e shumëpritur, ia dha besimin maksimal kësaj klase, shtatë vite më vonë ndodhi goditja e madhe, e pa mëkëmbur. 
Populli është ai që në momente të caktuara të ndëshkon. Gënjeshtrat në vazhdimësi për mëkëmbje të ekonomisë, mirëqenies sociale, deri te shfrytëzimi për fushatë i bërjes së Kosovës së pavarur, bënë që kjo klase të marrë dënimin e pritur dhe mjaft të merituar nga pjesa dërrmuese e popullit. Pjesëmarrja e qytetareve në zgjedhje me vetëm 40% është një tregues shumë i rëndësishëm, i cili qet në sipërfaqe nivelin e legjitimitetit të kësaj klase. Ku janë 60% e qytetareve të Kosovës, kush përfaqëson zërin e tyre? Cilët janë ata që iu gëzohen fryteve të kësaj fitoreje, për çfarë legjitimiteti flasin, kë përfaqësojnë? 
Kush është ai kryeministër që përfaqëson denjësisht interesat e qytetareve, përderisa partia e tij ka marre vetëm 14.68% të besimit të përgjithshëm qytetar? 
A mund të jetë president i ardhshëm konsensual, partia e kandidatit që ka marre vetëm 9.86% të besimit të përgjithshëm qytetar? 
Ja, këta janë ata që do përpiqen të na qeverisin me koalicione të ndryshme. Po në fakt këta neve nuk na qeverisin, këta janë vetëm hija e një sistemi real antidemokratik, antipopullor, mohues arbitrar i lirisë kolektive të një shoqërie të tërë, e kjo është administrata kolonialiste e OKB-së e instaluar në Kosovë. 
Institucionalistët tanë janë pararoja e këtij sistemi shtypës, të cilët janë të lidhur mes vetë sikur kocka e mishi. Frika e misionit të OKB-se për rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, për mospjesëmarrjen e qytetareve të Kosovës doli se ishte krejt normale. 
Kjo klase politike, e cila është e ndarë vetëm gjatë fushatës zgjedhore për të marrë kush më pak e kush më shumë ndonjë votë të ndonjë qytetari të shkretë e të painformuar drejt, bashkohet prapë kundër interesit madhor e kolektiv qytetar të Kosovës. 
Kjo klase politike, e cila ka pranuar negocimin me shtypësin do të ndëshkohet nga zërat e qytetarëve, të cilët për çdo ditë po vetëdijesohen e të cilët gradualisht do t’iu bashkohen padyshim djemve e vajzave që aktualisht po i ngufasin, të cilët po i dënojnë e po i persekutojnë në mënyra të ndryshme, vetëm sepse duan qe liria kolektive e mohuar nga ky sistem i padrejtë, të bëhet pjesë e patjetërsueshme e shoqërisë. 
Fajtore e mohimit të lirisë kolektive në Kosovë është administrata e OKB-së e instaluar në Kosovë, në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, sepse kjo klasë politike në vendin tonë nuk ka nivel të mjaftueshëm të legjitimitetit qytetar dhe është aq e brishtë sa pa UNMIK-un, ngel si peshku në zall. Pa dyshim se kthesën vendimtare do ta bëjnë zërat e vetëm opozitare të mirëfilltë në Kosovë, aktivistë e aktiviste të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …