Nga historia, shumicës prej nesh, na është i njohur gjykimi i madh dhe i famshëm i bashkëpunëtorëve të Gjermanisë naziste, në Nyrnberg. Në mesin e këtij grupi të madh të të akuzuarve ka qenë edhe Gebellsi, bashkëpunëtori më i ngushtë i Hitlerit. Kur, një zyrtar ia kishte dorëzuar në burg aktakuzën me shkrim, ai pa e lexuar fare përmbajtjen e shkresës, në vend se ta firmos pranim-dorëzimin, shkroi me laps mbi të:
“Gjithmonë në jetë fituesi është prokuror ndërsa humbësi i akuzuar “ Duke bërë një krahasimin nga historia me të sotmen pas zgjedhore kosovare, deshëm ne apo nuk deshëm dhe pa marrë parasysh se sa LDK-ja dhe z. Eqrem Kryeziu e pranojnë këtë realitet, partia e tyre është humbëse, që automatikisht, si nga metafora e jonë hyrëse, nënkupton se jenë fajtorë dhe duhet të dënohen për të gjitha të këqijat që i kanë bërë apo që nuk i kanë bërë këtij populli gjatë mandatit të tyre shtatë vjeçar të sundimit.
Nuk jenë ata të vetmit.
Ka edhe të tjerë.
Por, krahasuar me tjerë, këta si humbës, ende tentojnë të sillen me kompetencat e “prokurorit” që ma nuk i kanë.
Z. Eqrem dhe LDK!
Se si ishte dashur të veproni në këto momente sigurisht të dhembshme për ju, propozimi im është sikur nga shembulli i kryetarit të partisë “ORA”, z. Veton Surroi, i cili, edhe pse doli më humbës se ju, në mënyrë dinjitoze, apo, sikur thuhet te ne “si burrat”, doli para popullit dhe e pranoi disfatën. Ai, dështimin e tij dhe të partisë “ORA” në këto zgjedhje, i cilësoi “si dënim nga elektorati për shkak të gabimeve të bëra në të kaluarën” dhe premtoj se ky pësim në të ardhmen do të jetë mësim për të.
Pse nuk vepruat edhe ju ashtu, z. Eqrem? Pse nuk pranuat publikisht dhe në mënyrë “gjentëlmene” humbjen, por, ende tentoni të manipuloni me njëfarë dorëheqje të dorëzuar para kryesisë suaj. Dorëheqje, e cila nuk dihet nga askush, a është dhënë, apo vetëm është ofruar, a është dorëheqje e revokueshme, apo e parevokueshme, a do të pranohet nga kryesia e juaj, apo nuk do të pranohet…etj.
Sikur keni deklaruar edhe në një emision televiziv, nga natyra jeni të njëjtë sikur Krishti, që më shumë preferonte mënyrën verbale të të shprehurit se sa atë me shkrim, andaj, këtë dorëheqje, kryesisë suaj qendrore të LDK-së, ia keni ofruar me gojë?!
Ju z. Eqrem, u vetë krahasuat edhe me Krishtin. Pasi e bëtë publikisht këtë krahasim, atëherë t’ju them edhe unë publikisht se as për së afërmi nuk ja keni qëlluar. Me të vërtet Krishti në kohën e vetë ka qenë predikues tejet i urtë dhe mësimet e veta i ka përhap në mënyrë verbale, por, po ashtu dihet se ai për këto ide të veta e flijoi edhe jetën. Duke u bazuar në këto mësime të lashta, Krishti nuk u flijua për vete, por për t’i shpëtuar mëkatet e të tjerëve. Në kontestin e këtij krahasimi, unë dyshoj z Eqrem, se ju do ta bënit gjestin e njëjtë si Krishti idealist, duke e flijuar veten dhe postin e lartë politik që keni, edhe për mëkatet e të tjerëve, a po?
“Arusha e plagosur është më e rrezikshme”- thotë populli, dhe ju, si duket, sa më shumë i humbasni gjasat reale në teren, aq më tepër tentoni të shkaktoni konfuzion në politikë . Shembulli më eklatant dhe më absurd është manipulimi i juaj aktual me mandatin e z. Fatmir Sejdiut si kryetar të Kosovës.
A ka njëri naiv në Kosovë që nuk din se institucionet e një shteti të mirëfilltë, kudo qoftë në botën demokratike, formohen nga ajo forcë politike e cila në zgjedhje i ka fituar shumicën e besimit të popullit. Kohëzgjatja e qëndrimit të kësaj force politike në pushtet, nuk varet nga dëshira e ndonjë monarku apo lakmia e tij që të qëndroj ende në sundim, por nga mandati i cili është përcaktuar në aktin më të lartë juridik shtetëror që quhet Kushtetutë (te ne Kornizë Kushtetuese).
Posti i kryetarit të Kosovës, z. Eqrem dhe LDK, është post institucional shtetëror, e jo një marrëdhënie e zakonshme e punës si me një kamerier. kontratë pune.
Mandati, të nderuar, nënkupton gjatësinë kohor për kryerjen e një funksioni konkret, dhe sa duhet të zgjas ky afat, në mënyrë strikte përcaktohet në dispozitat e aktit tjetër më të lart juridik.
Kryetari i Kosovës është organ inokos shtetëror. Personi që e kryen atë veprimtari ka funksionin i cili mbështetet në mandat, e jo ndonjë afat tjetër që mund të rregullohet me kontratë. Mu ky afat kushtetues, ndërlidhet me vetë mandatin e asaj force politike që nga zgjedhjet e fundit, ka fituar besimin e shumicës së popullit për të udhëhequr në krye të këtyre institucioneve shtetërore.
Tek rasti i z. Sejdiut, pas vdekjes së kryetarit të mëparshëm z. Rugova , Korniza kushtetuese e Kosovës, i lejon dhe decidivisht e përcakton mundësinë e rizgjedhjes së kryetarit tjetër. Këtë propozim e bënë partia fituese në zgjedhje, e cila në Parlament është e përfaqësuar së paku me 25 deputetë.
Kjo, logjikisht nënkupton se këtë propozim e bënë ai subjekt politik, nga radhët e së cilit ka qenë edhe kryetari i mëparshëm, i ndjerë, që zëvendësohet. Më pas, procedura e propozimit të kandidatit tjetër për kryetar të Kosovës, procedohet në Parlament dhe e njëjta fuqizohet vetëm nëse merr nga parlamentarët së paku 2/3 e votave “pro”.
Korniza kushtetuese, nuk konkretizon decidivisht se mandati 3 vjeçar i kryetarit të ri që e zëvendëson atë të mëparshmin, a fillon të rrjedh nga momenti i zgjedhjes së tij, apo është pjesë e mbetur e mandatit zgjedhor të vet ati subjekti polik që në at moment është në pushtet.
Vërtet nuk është thënë, por nga parimet mbi të cilat mbështetet sistemi kushtetues konkret, vetvetiu nënkuptohet ky princip. Andaj, aspak nuk duhet të ketë dilema në këtë drejtim. Fatmir Sejdiu nuk duhet të jep dorëheqje por ai më nuk është kryetar i Kosovës.
Vetë rizgjedhja e kryetarit tjetër që e zëvendëson atë të parin, bëhet në suazat e mandatit të asaj force politike, që e ka pushtetin aktual, e jo të ndonjë kontrate tjetër të punës sikur të kishte të bënte me një kamarier apo referent administrativ.
Dhe krejt në fund, z. Eqrem dhe LDK, ky insistim sigurisht jo i paqëllimshëm nga ana e juaj, në shtetet normale dhe me kushtetuta të mirëfillta, nuk kishte pasur shans të kalojë aq lehtë, pa pasoja morale dhe juridike.
Meqë, te ne nuk ka Kushtetutë por Kornizë kushtetuese, meqë te ne nuk ka ligje por ka sovran të huaj absolut me disa dishepuj, të cilëve s’ju ha palla as për ligje dhe as për atë copë letër që quhet Kornizë kushtetuese, nuk do të ishte kurrfarë çudie që edhe mandati zgjedhor mund të konsiderohet si afat kontraktues.
Unë ende çuditem pse njëjtë nuk veproni edhe me funksionin e kryeparlamentarit Kolë Berisha, i cili në mandatin e juaj pushtetar po ashtu e zëvendësoj Dacin?
Pse jo? “Nëse bëhet mirë, nëse nuk bëhet kurrgjë kurrkujt!”.
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …