leoni

Mehmet Bislimi: KËTA HUMBËS TË MËDHENJ!

Në Kosovë, me 17 nëntor, u mbajtën zgjedhjet në të tri nivelet. Është për t’u përshëndetur fakti se për të satën herë populli shqiptar i Kosovës, por edhe pakicat e tjera, veç asaj serbe, janë duke treguar shembullin më të mirë të mundshëm të pjekurisë politike, jo vetëm në rajon, por pa dyshim edhe më gjerë! Në këto zgjedhje, si edhe më parë, elektorati shqiptar me respektin më shembullor të rregullave të lojës demokratike u përcaktua për atë që e dëshiroi. Sovrani i votës së lirë, shprehu vullnetin e tij për të zgjedhur më të mirët në mesin e të mirëve!- në mos të paktën kështu rezultoi me votë!. Ky shembull inkurajon, duke treguar anën më pozitive të medaljes se ne duam, dimë, mundemi dhe dëshirojmë të bëjmë shtet, kemi kulturë politike, njohim rregullat e lojës dhe sovrani popull, më në fund e meriton- Kosovën sovrane dhe të pavarur, përfundimisht as gjë më pak se kaq! 
Urime dhe me fat lidershipi i ri Kosovë! Që në fillim u vërejt se kjo fushatë do t’i rikthej në skenë fushatat e së kaluarës krejt anemike e tejet të mundimshme për qytetarin tonë, që kishte përjetuar terrin e plotë në shumë fusha të jetës për tetë vite me radhë! Kjo fushatë nuk solli ndonjë risi për t’u veçuar, përveç se ktheu në skenë edhe një herë një retorike boshe, të pa mbulesë, me premtime fare shtërpe, të pa bazuara e studiuara mirë, për të mos thënë fjalë kuturu. 
Përgjithësisht, fushata në fillim ishte e qetë, nga se rivalët politikë, nuk dëshironin fortë që të shkapurisnin, duke qenë të vetëdijshëm për kundërmimin. Mirëpo në përmbylljen e fushatës, prapë së prapë i doli era, dhe filluan sharjet nga më të “lezetshmet”, si proverb e pro rus, hajna e keqpërdorues, komunistë e titistë, demagog e gënjeshtarë… Realisht, ky bagazh “meritash”, që subjektet e caktuara i bënin njëra- tjetrës nuk të jepte të kuptosh shumë se kë kursente e kë sulmonte, nga se gati të gjitha ato, subjektet politike që ishin vërsulur në gjah për votën e sovranit popull dhe që po shanin njëri-tjetrin, ishin të begata me epitetet e lartpërmendura, madje edhe si personalitete, që nga ish nomenklatura e ish bllokut pushtues Jugosllave e deri tek ditët e tranzicionit demokratik të sotëm. Ata kishin bartur me vete “virtyte” të bollshme, që pa dyshim se meritojnë për t’u sharë e stërsharë keq! Ata, paraprakisht, janë një shabllon i së kaluarës i cili nuk ndryshon dhe nuk transformohet kurrë, pashmangshëm do të ishte e mrekullueshme, sikur ata përfundimisht të iknin dhe t’i takonin të kaluarës së mallkuar! 

PDK- për fatin e mirë, apo nëse nuk i bie veti “mësyesh”, siç thotë populli, në këtë fushatë ishte shumë larg subjekteve tjera që po garonin. Ishte larg, në kuptimin e përgatitjes për të hyrë në këtë fushatë, ishte lartë për një gamë të madhe në paraqitje me takt e kulturë para elektoratit, ishte lartë me përfaqësimin e saj në të gjitha nivelet zgjedhore, me kuadro të reja e profesionale, të cilat kanë dalë nga dyert e universiteteve më në zë të Evropës, me përmbajtje të mençur, me koncept të qartë, me premtime deri diku të balancuara dhe të bazuara, me sjellje tejet domethënëse e premtuese, dhe definitivisht ishte larg arrogancës dhe llumit të fjalorit, që subjektet e tjera të pa përgatitura për një maratonë të gjatë, më në fund i bënë konak edhe sharjeve dhe etiketimeve më të pahijshme për misionin, që pretendonin ta bartnin para elektoratit. 
Këto subjekte ishin jo bindëse, prandaj sovrani popull me të drejt i dërgoi në pushim të detyrueshëm!… Është e pa diskutueshme, se pjesëmarrja e elektoratit në zgjedhje, kësaj radhe ishte shumë e ulët, si do që të jetë, për këtë populli nuk ndihet aspak fajtor, mendoi se tepër kanë dalë për të votuar, krahasuar me atë së ç’kanë përjetuar ata për këto tetë vite qeverisjeje terri e degradimi në të gjitha segmentet e jetës! 
Shumë nga analistët, humbjen e ish partisë më të madhe e justifikuan me vdekjen e natyrshme të liderit të saj? Për fatin e mirë që ai pësoi një vdekje të natyrshme, vdekje të cilën ia kishin mbjellë disa herë “sejmenët” e tij me kurdisje bombash, herë në oborr e herë në makinë, herë në shtëpi e herë në çarshi, e që për fatin tonë të mirë, koha i vërtetoi të gjitha këto: së ishin lodra të kurdisura të disa “axhaminjve”, që kjo parti i kishte futur në gjirin e vet, të cilët në fund të fundit, më së shumti i kushtuan vet LDK-së! Krejt i saktë qëndron edhe konstatimi se në avancimin e këtij subjekti, jo pak gisht këtu kishte edhe vet bashkësia ndërkombëtare e gjitha kjo, në emër të mbështetjes së këtij subjekti të “moderuar”, dhe në avantazhin e saj, për të krijuar një disavantazhë për subjektet e tjera të dala nga lufta e UÇK-së, pa diskutueshëm të mbështetura në një “krah dokumentesh” e dosjesh të shpifura nga vet LDK, e cila në dëm të subjekteve konkurrente, ia kishte servuar ndërkombëtarëve gjithë ato “deftere hafijllëku!”, pra një spiunim i madh i bijve të popullit, para të huajve, si dikur para pushtuesit Serb. 
Nuk është për t’u habitur, nga se kjo ishte zeja e tyre më e preferuar në të kaluarën! Për faktin se ndërkombëtarët, këto insinuata i kuptuan ca më vonesë, prandaj kjo edhe zgjati për tetë vite rresht pas lufte e po aq para lufte! 
Nuk qëndron teza e disa analistëve që thonë se LDK-ja humbi në mungesë të karizmit të liderit të saj. Janë faktet kokëforta, që sqarojnë se veprimet adoleshente dhe Don Kishotiane të këtij subjekti me në krye me ish liderin e saj të ndjerë, bënë që kuota e tyre të pësojë rënie rapide nga mbi 80% të votave që korrte dikur, në rënie të vazhdueshme në 40%, kjo për të gjallë të tij, nisur nga shumë fakte, por më shumë nga fakti kur ai filloi të tallej me sovranin popull, duke u bazuar në “filozofinë” e tij me premtime se do të bëj dardha, përshesh me tëmbël dhe shoqata Buajsh( lexo bgetishë!)… 
Prandaj qerrja e LDK-së, kishte mësyrë gërminën për të gjallë të tij, pa varësisht dajakut që pasoi për të larë ujemin e një lëmë të “begatë”, por që në fakt nuk e lanë dot! 
Shifrat e dala nga këto zgjedhje të shprehura me numra, numra që tregojnë bindshëm se PDK- është më e votuara, janë të respektueshëm dhe deri diku të kënaqshëm për PDK- që në fakt do duhej të ishin edhe më të larta! PDK-së i mbetet edhe shumë për të bërë në mënyrë që mos të pësojë si humbësit e mëdhenj një ditë. Verdikiti popull është duke vëzhguar, ai sheh e përcjell çdo lëvizje! Këta humbës të mëdhenj, nuk e befasuan edhe aq elektoratin, përkundrazi, madje edhe në adresën time gati të panjohur, erdhën me dhjetëra përgëzime, por në fakt, rezultatet e këtyre zgjedhjeve u shoqëruan me dy befasi të pakëndshme: Nën një; ngritja e AKR-së me premtime krejt demagogjike në kuotën e 12%, dhe rënia e Partisë Reformiste ORA. 

Cilat janë detyrat e fitimtarëve? 

Menjëherë pas konsolidimit të radhëve të Qeverisë, duhet përveshur punës me shumë seriozitet si në furnizimin me energji elektrike, në infrastrukturën rrugore, sidomos në zonat rurale, në furnizim me uji të pijshëm të popullatës, në thellimin e reformave në arsim, në luftimin e pa kompromis të korrupsionit, në përmirësimin e gjendjes së familjeve të dëshmorëve, të shëndetësisë, të arsimit, dhe në veçanti të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të gjithë të barabartë para ligjit! Nëse këto arrihen, pa dyshim se do të respektohet fjala e dhënë dhe populli nuk do të jetë i zhgënjyer dhe i penduar për votën e tij. 

A do ta mbajnë burrat fjalën e dhënë? 

Në prag të fushatës, pa pasur nevojë që t’i pyesësh, ata që ofrojnë pa ju kërkuar asgjë, në fakt, ata nuk e mbajnë kurrë premtimin! Eqrem “beu” tha me krekosje se: Nëse LDK- nuk i fiton mbi 40%, unë do të jap dorëheqje! Nuk e di Eqremi, tani mbase është nën ethet e fruthit?! Edhe Daci tha, gati njëjtë: Nëse unë nuk i fitoj zgjidhjet, do të kërkoj azil në pleqëri! Se a do t’i mbajnë “burrat” fjalët kjo është çështja, dhe mbetet për t’u parë në një të ardhme të afërt. Por, edhe nëse nuk i mbajnë premtimet e dhëna, nuk është për t’u befasuar. Ata hanë fjalët e veta- fundi i fundit, siç edhe i kanë hëngër me dhjetëra herë në të kaluarën, ata në fakt, kanë hëngër edhe më shumë, kanë hëngër edhe në magjen e buxhetit të Kosovës, duke blerë edhe syza të errëta, në mënyrë që të fshihen prapa tyre e mos ta shohin miletin, duke harruar që mileti i sheh ata të strukur edhe pas xhamave të errët! Pra, këta sipas kaçikut “hanë “ edhe njëri- tjetrin e lërë më se i hanë fjalët e veta.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …