Ushtria Çlirimtare e Kosovës

RKL: Disa medie e portale po bëjnë gara për ta diskredituar luftën e UÇK-së

Disa medie që orientimin e tyre kryesor, redaksional,  e kanë diskreditimin e luftës së UÇK-së, që nuk janë të pakta dhe të cilat bashkëpunojnë me të gjitha shërbimet e huaja e të vendit,  veçmas me ish kuadrot e UDB-së të instaluar kudo në segmentet e sigurisë në Kosovë, si në Prokurori, gjykata, polici, AKI, janë vënë në garë për ta denigruar dhe poshtëruar luftën  e UÇK-së, qoftë duke u shërbyer me raste të veçanta, qoftë në “frontal”, sikur ndodhi me publikimin e listave me “veteranë të rremë”.

 

Po të përfillej ligji në Kosovë, ligji i cili do të duhej ta sanksiononte edhe Prokurorinë, për rrjedhën dhe publikimin e këtyre listave, të paargumentuara, do të duhej të paktën që Kryeprokurori i Gjykatës Speciale të jepte dorëheqje. Por këtu në Kosovë mbi kryeprokurorin e gjykatat është politika, është po ajo politikë që ka trefishuar numrin e veteranëve, jo me qëllim për t’ i treguar botës se sa trima kemi qenë, ne që e kemi luftuar Serbinë dhe regjimin e Milosheviqit  dhe sa veta kemi luftuar për çlirimin e Kosovës, sepse bota e di mbase edhe më mirë se ne, por këtë veprim të paligjshëm e kanë bërë  dhe e bëjnë për të siguruar votues të përhershëm.

Disa nga mediet në Kosovë janë lëshuar revan. Ato nuk i japin llogari asnjë instance ligjore, sepse ligji, në emër të demokracisë dhe shprehjes së lirë ua lejon shpifjen, përhapjen e gënjeshtrave, krijimin e insinuatave, përçmimin dhe poshtërimin e individëve, por edhe të institucioneve, madje edhe poshtërimin dhe denigrimin e dëshmorëve, sikur bën portali Ekspres me botimin e fyerjeve madje edhe për Legjendarin, Adem Jashari.

Këto medie e portale ku prijnë: portali Ekspress, Koha Ditore, Bota sot, Insaider, indexonline e të tjera, drejtohen e redaktohen nga ish-komunistët jugosllavë apo bijtë e bijat e tyre. Ish krerët e UÇK-së dhe shumë nga luftëtarët e lirisë ua dinë emrat dhe prejardhjen e tyre. Andaj të kërkosh drejtësi, dinjitet, trajtim serioz dhe të njerëzishëm  nga shpirtshiturit e djeshëm dhe të sotëm është naivitet dhe mjerisht pikërisht këta luftëtarë e krerë të luftës janë kurdoherë të gatshëm për të bashkëpunuar me këto medie e portale.

Publikimi i listave, sikur thuhet me “veteranë të rremë” është bërë jashtëligjshëm dhe këtë fakt e ka piketuar edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Zhdukur dhe Peticione. Ky Komision nëpërmjet një komunikate ka reaguar lidhur me publikimin e listave të veteranëve të dyshuar si veteranë mashtrues.

Në komunikatë thuhet se me rastin e publikimit të listave të veteranëve të dyshuar si veteranë mashtrues, janë shkelur të drejtat e njeriut, të drejtat e privatësisë,  si dhe është cenuar prezumimi i pafajësisë duke u bërë gjykim publik përmes mediave ndaj veteranëve. Andaj, duke e  parë se procesi është akoma në fillim të shqyrtimit nga organet e drejtësisë, reagojmë me shqetësim të thellë para opinionit publik. Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Zhdukur dhe Peticione, bazuar në fushëveprimin e vet, kërkon nga institucionet kompetente shtetërore që të gjejnë personat përgjegjës të publikimit të këtyre listave dhe ndaj tyre të merren masa në përputhje me ligjet në fuqi”.

Askush nuk beson se  do të përfillet kërkesa e këtij komisioni, sepse listat nuk janë publikuar rastësisht. Këtë e ka bërë vetë Prokuroria përmes sekserëve të vetë, drejtues mediesh e portalesh.  Në këtë mënyrë janë instruktuar  sa e sa afera mediale, të cilat kanë diskredituar individë, grupe shoqërore, institucione, veteranë e familje dëshmorësh.

Në një vend ku ligji dhe pushteti janë uzurpuar nga klanet e politikës, është krejt normale të mbretërojë anarkia, sepse është pikërisht pushteti që nxjerrë ligje dhe i shkel ato, është pushteti i korruptuar, që legjitimon me ligje  rritjen  qind për qind të pagave, është pushteti që shkel të varfrit dhe stimulon të pasurit, është pushteti që mburret me të arritura në fryrjen jashtë mase të zyrtarëve sikur është Qeveria me 100 ministra e zëvendës-ministra. Një pushtet i tillë fryn deri në plasje edhe listat e veteranëve, pastaj ankohet, por në fund të fundit, krejt këtë situatë  e menaxhon sipas kutit dhe përfitimit për vete, sepse vetëm në këtë drejtim ajo është super e kualifikuar dhe profesioniste.

Në mbretërim të kësaj situate, mediet që i financon Qeveria dhe grupet e krimit të organizuar bëjnë punën e tyre, pa frikë nga ligji, sepse secilin e mbron nga një “autoritet”, nga një klan i fuqishëm, i cili jo vetëm që nuk përfillë ligjin, por e lakon atë sipas interesave të veta.

Është për keqardhje publikimi në disa medie i emrave të luftëtarëve më meritorë të luftës së UÇK-së, sikur është rasti i veprimtarit dhe luftëtarit të përkushtuar të UÇK-së, Ruzhdi Jashari, i të burgosurit politik, luftëtarit të lirisë e reporterit të Radios-Kosova e Lirë, Martin Çuni, pastaj po ashtu ish të burgosurit dhe reporterit të luftës së UÇK-së, të Radio dhe Agjencisë, Ismet Sopi  e disa të tjerëve.

Janë mijëra që janë veteranë të rremë, apo mashtrues, por nuk janë të evidentuar në këtë regjistër.

Të gjithë ata që pretendojnë të na bindin se gjatë luftës në Kosovë ka pasur më shumë se 17.000 apo 18.000 veteranë janë po ashtu të papërgjegjshëm, sepse ekzistojnë fakte e dokumente të mjaftueshme që tregojnë numrin e luftëtarëve të lirisë.

Nuk duhet harruar edhe një fakt, që të gjithë e kanë lënë anash. Në mesin e këtij numri janë edhe dëshmorët, dy mijë e më shumë syresh. Ata, pavarësisht statusit të dëshmorit kanë qenë në listat e luftëtarëve të lirisë. Kështu që numri rreth 18.000 mijë mbetet shifra më e besueshme.

Publikimi i “veteranëve mashtrues” nga Prokuroria Speciale dhe jugo-mediet e Kosovës, të vetmin qëllim kanë diskreditimin e luftës së UÇK-së, në prag të bisedimeve përfundimtare me Serbinë dhe fillimit të punës së Gjykatës Speciale.  Kjo fushatë, ka për qëllim përplasjen mes veteranëve dhe duket se në këtë segment ka arritur më shumë sesa ma synuar. Mbetet të besojmë se lojërat me listat i kanë bërë vetë zyrtarët e Prokurorisë, të cilët kanë shtuar numrin me veteranë të rremë. Këtë e ka thënë edhe prokurori i ikur Blakaj. Dhe për fund shtrohet një pyetje fare e thjeshtë, si mund të mos ndodhte kjo kur prokuroi më i zellshëm i ish regjimit titist dhe millosheviqin,  Reshat Millaku është kryeprokuror i Kosovës. Ky prokuror, për të mbuluar të ligat e të zezat, krimet kundër shqiptarëve liridashës  sidomos prej  vitin 1981, është në gjendje të shitet e të blihet për ta mbyllur jetën si Prokuror i përjetshëm si në kohën e Titos ashtu edhe në Kosovën e lirë e të pavarur. Turpi për kthimin në Prokurori të këtij dhe prokurorëve të tjerë si dhe gjykatësve kohës së regjimit serb e jugosllav i bie krejt politikës së pas luftës në Kosovë, atyre që janë pajtuar që i njëjti prokuror që i ka shërbyer regjimit antishqiptar e barbar serb, t’ i shërbejë edhe Kosovës pas çlirimit nga Serbia. Ja ku e kanë sjellë Kosovën bijtë e bijat besnike të ish Jugosllavisë, në bashkëpunim me një segment të politikanëve me prejardhje nga lufta e UÇK-së.

Andaj nuk kemi pse habitemi kur brenda dy tri ditësh një liste të paverifikuar e të paargumentuar nga “mbrojtësit e ligjit” i shtohen edhe dy mijë veteranë të quajtur  mashtrues.

Veteranët duhet të bashkohen dhe të qërojnë vetë nga radhët mashtruesit e abuzuesit.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …