Tahir Gecaj: Bojkoti i zgjedhjeve – zgjidhje e natyrshme dhe reale

Sipas traditës frenge një “burrështetas” apo thënë me qartë një udhëheqës politik do të duhej të posedojë “Sens de l`action”, pra ta ketë ndjenjen për të ndërmarrë veprime adekuate në raport me rrethanat përkatëse politike, qofshin ato edhe të pa pritura dhe të ndërlikuara; të jetë i gatshëm për ta vënë veten e tij në rol dhe në funksion të popullit dhe të vendit të tij; ta ketë të qartë se mandati nuk i është dhënë për të udhëhequr me popullin e as për ta mashtruar atë, por për t`u vënë në shërbim të realizimit të interesave të popullit të vet etj. Pra, përafërsisht cilësi të këtilla do të duhej të posedojnë edhe të “zgjedhurit”, që pritet se do ta marrin “votën” e zgjedhësve në Kosovën e këtyre ditëve, por, në raport me procesin e zgjedhjeve dhe të “zgjedhurve të mundshëm”, nuk mund të lihet anash fakti se “Secili popull e zgjedh udhëheqjen që e meriton”, prandaj, na pëlqeu a jo, zgjedhësit kosovarë e kishin dhe do ta kenë pikërisht udhëheqjen që e meritojnë. 
Përsa dihet nga praktikat e demokracive perëndimore, udhëheqësit e zgjedhur, gjatë ushtrimit të mandatit ose u përmbahen parimeve themelore në sajë të cilave janë zgjedhur ose largohen nga pozitat qoftë përmes institucionit të dorëheqjes apo edhe përmes shkarkimeve dhe masave ligjore. Këto praktika janë të panjohura për Kosovën në fazën parashtetërore, por nuk janë të panjohura ankesat e përditshme të zgjedhësve kosovarë në llogori të udhëheqjes aktuale. 
Duke qenë se gjendemi në fazën e zgjedhjeve, e mund të ishim edhe në fazën e zgjidhjeve të problemeve, që nga statusi e deri te funksionimi i shtetit juridik, po të ishin zgjedhësit në një tjetër nivel zhvillimor, duke mos i lënë anash as frustrimet e bartura nga periudha e gjenocidit serb; as shkallën e transformimit të shoqërisë kosovare, nga se pjesa dërmuese e familjeve kosovare udhëhiqen nga “Zot-shtëpiaku”, vullnetin e të cilit duhet ta zbatojnë; as kompleksin e inferioritetit, që ishte dhe është i pranishëm brenda një pjese të popullit që nga periudha e fillimit të luftës së UÇK-së; as bartjen e Un-it individual në personalitetin e idhullit dhe të ideologjisë së tij për të arsyetuar veteveten; as mashtrimet e vazhdueshme të “fasadistëve”, e shumëçka tjetër, duke mos e lënë as të dhënën fatkeqe se numri i analfabetëve në raport me numrin e popullsise sipas të gjitha gjasave është më i madhi në Evropë. Me një fjalë, elektrorati shqiptar i Kosovës duhet t`i vë gishtin kokës dhe të mendojë se a duhet a s`duhet fare të votojë për kuadrot, të cilët Kosovën e kanë sjellë në këtë gjendje të pa shpresë. 
Mbështetur në listat e publikuara të partive dhe të koalicioneve politike, zgjedhësit kosovarë edhe njëherë janë vënë para sprovës që ose të votojnë për partitë dhe kuadrat e njëjta ose t`i bojkotojnë zgjedhjet. Situata është tepër serioze, prandaj bojkoti i zgjedhjeve do të ishte zgjidhje e natyrshme dhe reale, por përfundimisht kjo është dhe mbetet çështje e zgjedhësve. 
Të shpresojmë se zgjedhësit e vendit tonë kësaj radhe do të jenë në gjendje ta vejnë veten e tyre në rol dhe në funksion të krijimit të shtetit sovran të Kosovës apo thënë me qartë do të jenë të vetëdijshëm se pas afro një shekulli kjo është hera e dytë që në përmasat ndërkombëtare bëhen përpjekje për ta zgjidhur problemin shqiptar në Ballkan. Asgjë s`duhet lënë rastit e as shpresave e premtimeve të kota.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …