Arben Dervina: Sabotimet e UNMIK-ut si mjet presioni drejt shpërthimit të zemërimit popullor

“Kemi indikacione të bazuara se defektet e paraqitura në KEK nuk janë defekte, por është sabotim. Prandaj, të gjithë ata që bëjnë sabotim të tilla, në ditët e pavarësisë së Kosovës, në vend se ta qesim Kosovën në dritë, për çka kemi sakrifikuar e punuar, si popull dhe institucione, do të përballen me drejtësinë”, tha kryeministri, Hashim Thaçi. Kjo është deklarata e parë e një udhëheqësi të lartë të Kosovës që e pohon haptazi “sabotim” si mundësi të errësirës që po e kaplon Kosovën tash e 8 vite.
Që nga viti 1999 sistemi energjetik i Kosovës është drejtuar nga të huajt, termocentralet e Kosovës përjetuan shumë avari dhe “fatkeqësi natyrore”.
Kjo gjendje e mjerë që e kaploi KEK-un lënë për të dyshuar për mundësi të sabotimeve nga stafi ndërkombëtar kundër dritës në Kosovë, që do të thotë prapambetje dhe moszhvillim.
Sipas mendimit tim, dyshimi kryesor për sabotim është dita 19 korrik të vitit 2002, objektet e Kosovës-B u goditën gjoja “nga rrufeja”, që shkaktoi zjarr të madh me ç’rast u vra një dhe u lënduan 32 veta. Ky ishte sabotimi më i madh që shkaktoi reduktime të energjisë elektrike për shumë muaj në mbarë Kosovën.
“Sipas UNMIK-ut zjarri i asaj nate ishte shkaktuar nga rrufeja, ndërsa pala shqiptare pretendonte se faktori njeri ishte shkaktar i zjarrit, për të mbuluar keqpërdorimet financiare që ishin bërë atëbotë në KEK”, kështu shkruanin gazetat e Prishtinës. Sabotimet tjera janë rrëshqitja e dheut,rrjedhja e ujit ne kazanë, edhe këto pasojë e menaxhimit të keq që bëhej në KEK. Duke bërë një krahasim të gjendjes së termocentraleve shqiptare dhe atyre nëpër botë, vërejmë se sabotimet janë bërë traditë që KEK-un e kanë përcjellë në çdo kohë.
Në bazë të një studimi që është bërë në dhjetor 2003 nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) thuhet se: “UNMIK-u ka dështuar me funksionalizimin e kompanisë (KEK-ut) me konsumatorët, me punonjësit, me sigurimin e udhëheqjes adekuate. Ka dështuar me udhëheqjen e Distribucionit, me donatoret dhe përballë institucioneve politike të Kosovës”. “Ka fakte të konfirmuara nga auditorët se ka mashtrime dhe vjedhje të konsiderueshme brenda KEK-ut”, – konstaton SIDA në studimin e saj voluminoz të bërë, duke përmendur më pas shumë dështime të bëra në KEK nga ana e administruesit të saj, që është UNMIK-u dhe AKM-ja.
Numri i udhëheqësve shqiptar që luftuan krimin e organizuar dhe punuan me nder tek KEK-u, është i vogël, vlen të ceket biznesmeni pejan – Selami Gashi, i cili qëndroi për një kohë të shkurtër si udhëheqës i KEK-ut, por ai u largua nga KEK-u dhe nuk ju lejua t’i afrohej asnjë objekti të saj, sepse paraqiste rrezikshmëri të lartë, prandaj ishte ai që vërejti këto padrejtësi të mëdha dhe ua tha troç të huajve parregullsitë që po i bëhen sistemit energjetik të Kosovës.
Mirëpo çka të bëjmë, kur Kosovën tonë e korruptoi dhe e varfëroi vetë UNMIK-u me metodat e tij, e bëri, në mënyrë të lehtë të gjejë individ labil shqiptar që për një kafshatë buke ti shesin edhe interesat madhore të atdheut.
Dihet se pa rrymë, nuk ka zhvillim ekonomik, pa zhvillim ekonomik, nuk ka punë, prandaj si rezultat pengesave teknike: sot shumica e popullatës së Kosovës është e papunë për shkak se UNMIK-u bllokoi dritën në Kosovë. Jo vetëm kaq, sepse me anën e sabotimit, UNMIK-u bëri një politikë djallëzore, lejoi që Serbia të furnizojë disa fshatra serbe me energji elektrike, që binte në kundërshtim me etikën e mbarë popullit shqiptar, njëkohësisht bëhej shkelja e integritetit të Kosovës nën mbrojtjen e OKB-së. Qëllimi i UNMIK-ut ishte që popullin shqiptar ta torturonte dhe ta binte në ballë të vështirësive, në mënyrë që rinia shqiptare e papunë ta humb durimin dhe të shpërthejë, ose të bëhet e durueshme dhe të marrë rrugën drejt e kurbetit. Prandaj në vend të fokusimit tek rritja ekonomike UNMIK zhvilloi dhe përhapi korrupsionin në Kosovë.
Ishte UNMIK-u me metodat e tij dhe KEK-un si pjesë të saj që ndaloi hovin e zhvillimit të Kosovës menjëherë pas luftës, duke ndërprerë energjinë elektrike vazhdimisht, duke vendosur taksa dhe dogana të larta në dëm të interesave të popullit të Kosovës.
Korrupsioni e ka ngulfatur Kosovën në të gjitha shtresat e shoqërisë, kështu që popullit i ka ardhur në maje të hundës, duke e sjellë Kosovën në gjendje shpërthyese tani që gjendet në prag të shpalljes së pavarësisë.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …