Gjatë kësaj jave definitvisht partitë politike hapën listat e kandidatëve konkurues për vëndin e deputetit të Kosovës. Ishte vërtetë një rrëmujë në selitë e partive politike, shënoheshin emrat pastaj shlyheshin. Ishte një vrapim marramendës për t’u futur në listat partiake, ishte një etje e madhe për pak pushtet.
Ndoshta për të huajin që nuk njeh rrjedhat në Kosovë kjo do të ishte diçka e pazakontë, por për vendasit ky është çelësi i mirëqenies për katër vitet e ardhshme (jo i përgjgjësisë), kështu kandidatët sigurojnë së pari rrogat pastaj privilegjet tjera afërsie gjatë hapjes së tendereve në t’ardhmen.
Trumbetimet e mëhershme për pavarësinë e menjëhershme e profka të tjera tashmë janë zbehur. Tash qytetarit i ofrohet diçka që nuk kanë pritur, të preferuarit e tyre nuk do të punojnë për një grup për një kompani, por do të ndërrojnë qytetin, thuase nuk ishin vet pjestarë të grupeve të tilla të interesit.
Por lirisht mund të thuhet se në krahasim me kandidatët qytetarët votues janë paksa të ligjë, ata janë vetëm një mekanizëm votues, përfshirë edhe organizatat civile, ngase gjendjen në Kosovë nuk mund ta ndërrojë vetëm lideri, por edhe qytetari që duhet të participojë në zgjedhjen e probleve që atë e preokupojnë.
Dhe si të heshtet fakti dhe të mos gjykohen gjithë ata qytetarë që kanë ditur se ç’krime të mëdha ndodhin në afërsi të tyre dhe nuk janë tubuar të njoftojnë së paku policinë gjatë djegies së një të miture, edhe ata janë bashkëpjesëmarrës të krimit, edhe ata nuk lirohen nga pafajësia e dëshmitarit.
Është plotësisht e pakuptimtë dhe e pazakontë sa është policia larg detyrës, ata thuajse nuk kanë kontakte të drejtpërdrejta me qytetarë, shumë prej tyre shihen edhe në shoqërimin e njerëzve problematik, shumëçka duhet të ndërrojë në Kosovë, duhet të ndërrojë edhe çasja e qytetarit ndaj institucioneve dhe policisë.
Nuk harrohet dot fakti se policia serbe funkciononte përmes informatorëve, të cilët spiunonin të afërmit e tyre, vetëm për një buzëqëshje apo përkdhelje të policit serb, e tash si u ka hyrë frika në palcë aq shumë, ndoshta edhe frikohen nga mundësia e zbulimit të identitetit të tyre, por a nuk kanë mundur edhe të bëjnë thirrje anonime për të spjeguar se realisht ç’farë ngjet në afërsinë e tyre. Shumë nga gjykatësit nuk frikoheshin kur dënonin bashkëqytetarët me dënime drakonike shumëvjeçare, edhepse të pafajshëm, dënoheshin idealistët, me vendime politike, e si frikësohen sot po të njëjtit gjykatës kur duhet të dënohen krimienlët. Sa shumë është venitur kujtesa historike. Ata duhet të ushtrojnë profesionet e tyre por jo në emër të popullit (ata kanë humbur kredibilitetin profesional të gjykatësit, në emër të vendimeve politike komuniste të popullit socialist atëherë, në emër të pluripartizmit dhe të demokracisë tash…?).
Ështe një e vërtetë e madhe shumë më mirë ka funkcionuar shoqëria shqiptare para 50 vitesh se tash, bile atëherë ka pasur njerëz autoritativ të moralshëm që kanë zgjidhur raste shumë të komplikuara ndërnjerëzore, e sot shoqëria shqiptare është në krizë të madhe edhe morale, nuk i han palla kujt për fqiun, atë që kanë më të afërtin, dhe të gjitha problemet më heret zgjidheshin me kuvend, me fjalë dhe llafe burrash, ishte kohë kur veprat e liga i dënonte edhe fisi, e tash q’u bë? Jemi shoqëri moderne, kemi ligjet, dhe në fakt ka shumë defekte, ngase të autoritetëshmit, ligji dhe institucionet që thirren në emër të popullit dështuan, por faji nuk është vetëm i tyre, fajin dhe përgjegjësinë e bart edhe votuesi.
Eshte e vërtetë që qytetari e njef procedurën e votimit, ngase ka votuar edhe në kohën para-brioniane, past-brioniane, ka votuar për strukturat udhëheqëse të socializmit vetëqeverisës, ka votuar para dhe gjatë periudhës kur Millosheviqi zgjidhej në pushtet (ata nuk votuan për te, por morën pjesë në votm, ngase në listë kandidatësh ishin edhe shqiptarët përfaqësues, ishte pra kohë e monizmit, si e quajnë ata).
Shqiptarët votuan për përfaqësuesit e vet edhe në zgjedhjet private (e them private meqë asnjëherë nuk u materializua vota e popullit dhe nuk u realizuan premtimet ndaj tyre), dhe qysh atëherë u promovua shumëpartizmi në kushte okupimi, që dëmtojë keqas bërthamën e rrezistencës kundër kolonializmit serb, dhe kështu shqiptarët u edukuan të votojnë dhe kështu kuptuan se kanë zgjedhur problemin nacional, duke promovuar përfaqësuesit e vet demokratik, që nuk bëzanin nga kamxhiku kolonialist.
Jo, tash është kohë tjetër, kohë kur individualizmi vie në pah. Po mirë, të dashur qytetarë që flisni shqip, a është dashur që për një top loje të shuhen dy jetëra në Kolovicë, kjo sigurisht nuk ka të bëjë gjë me demokracinë, po Kaltrina që u dogj nga bashkëqytetari, ku ishin fqinjtë, qytetarët, apo bëheshin gati për t’iu ambientuar rregullave të reja të demokracisë me lista të hapura. E pësoi edhe polici i ndershëm shqiptar, dhe investigimet u ngushtuan, pse nuk bëhet investigimi edhe në strukturat që janë votuar, bile për asgjë tjetër të largohen nga listat zgjedhore të gjithë ata që kanë qenë shoqërues të njerëzve me biografi të dyshimtë kriminale, se i zgjedhuri duhet të jet i moralshmëm, shumë i moralshëm, se ai përafaqëson institucionet e popullit, dhe nëse kalon vetëm për hir të preferencave partiake, atëherë dështon ai që e dha votën, se me bekimin e tij sistemi po korruptohet, dhe të gjithë po mashtrohemi.
Secili kandidat përveç të tjerave ka biografinë e punës, dhe atë famljare, dhe si mund të zgjidhen njerëzit në pozita shumë të rëndësishme nacionale nëse kanë dështuar deri dje dhe sot, disa nga ata edhe bashkëpunëtorë të regjimit (nuk e them që të dënohen teknikisht, por jo të rigëzojnë privilegjet e të zgjedhurit, ata mund punojnë lirisht në profesionet e tyre). Sa lehtë depërtohet në hierarkinë e pushtetit. Kjo nuk ndodhë në asnjë vend serioz me demokraci stabile shumëvjeçare. Unë nuk dua të kuptoj komoditetin e zgjedhësit, me shumë kundërthënie, si erdhëm në këtë kohë, u bënë shumë sakrifica, shumë jetëra të humbura, duke u ripësëritur historia, në prag të shekullit XIX, Lidhja e Prizrenit si organizatë patriotike atdhetarë, tash UÇK-ja, si lëvizje politike-ushtarake e rrezistencës në fillim të shekullit XXI, dhe është plotësisht e pakuptueshme të jemi pa kujtesë historike.
Eshtë për brengosje që disa nga ata që e kishin të veshur uniformën e pastër të ushtarit, e përlyen atë për përfitime materiale, përgjegjësia është e shumfisht meqë kështu, disa, njollosën të arriturat kolosale të bashkëluftarëve.
Vendin në Parlament duhet ta kenë të viktimizuarit, jo ata që përfituan nga tragjedia e luftës, duhet ta kenë bashkëfamiliarët e atyre që ia dhanë Kosovës jetërat. Në Parlament duhet të jenë Jasharët, krushasit (Krusha e madhe dhe e Vogël), Berishët e Therandës, duhet të jenë reçakasit, duhet të jenë edhe shumë bashkëfamiliarë të tjerë, patriotë të devotshëm, si simbole të kujtesës historike dhe jo të preferencave partiake.
Agim Vuniqi: Një formë e re e votimeve
Pretendimet e mëhershme e Grupit të ashtuquajtur Grupi i Unitetit se pavarësisa është e gatshme, është edhe një sprovë shumë e dëmshme e kapitullimit të tyre politik.
Ata me kokëfortësi vazhduan avazin e vjetër, që nga takimet e Vjenës, por edhe më vonë, duke bërë tregti me të ardhmen e Kosovës. Ata në fakt ishin vetëm një grup që harxhon parat e buxhetit të Kosovës, duke “rrezatuar” me vlerat e shprehjes së dëshirave. Çuditërisht ata pa asnjë fije përgjegjësie vazhdimisht mashtrojnë qytetarët, por edhe kuvendarët e instaluar partiakë, që janë bërë zejtarë të përkryerë të ngritjes së dy gishtrinjëve.
Që nga fillimi ishte shumë i paqartë, instituconalisht, domethënja e këtij grupi që shprehë “unitetin” partiak, jo atë institucional. Kjo zatën përmbyllë edhe kaptinën e deinstitucionalizimit me vetë faktin se ata, as sipas Kornizës Kushtetuese, as sipas procedurës për emërim, nuk janë gjë tjetër veç një kombinim i panevojshëm joinstitucinal, prishje e rendit të një vendi që pretendon të organizohet në të ardhmen si shtet.
Nuk ka ngjarë në asnjë vend të botës ky rreshtim i pozitës-opozitës, dhe është degradim i plotë i institucionalizimit në Kosovë. Nëse votuesit patën shprehur preferencat gjatë zgjedhjeve duke votuar për përfaqësuesit e tyre, pse atëhërë nuk u votua edhe ky hibrid mbinstitucional, që më tepër ka elemente të dekompozimit institucional, shumë i ngjashëm me tribalizimin, apo kjo do të ripërsëritet edhe me zgjedhjet e ardhëshme-asgjë nuk ka ndryshuar në pjesën e epërme të listave të njëjtit njerëz, të njëjtit dështakë.
Pavarësia veç që s’ ka ardhur se të tjerat vijnë në radhë, do të jetojmë në vend dëshirash, vetëm kërko diçka dhe e ke të servuar, bile kënaqësitë janë në rritje, përditë premtime të parreshtura, “përshëndetje dhe urime” nga kandidatët që garojnë për pushtet. Po lexoj gati çdo ditë kandidatët për prefekt të Prishtinës dhe nuk më ngjallin ndonjë emocion, ngase shumë më heret kam ndjerë fjalë të mëdha dhe premtime në vazhdimësi, përpara për pavarësi tash për qytet metropol, dhe ndryshime marramendëse, me çka? “Bie fylli qiftelia natën deri vonë”, bile po më vejnë në mendime e në dilemë: se shqiptarët nuk janë të sinqertë dhe nuk dijnë çfarë flasin, apo aq shumë ua ka mpirë mentë pushteti dhe flasin dokrra. Për kuriozitet asnjëherë nuk u dëgjua asnjë fjalë e shprehjes së paknaqësisë për rrjedhat e deritanishme të bisedimeve të dështuara, nuk u dha asnjë vërejtje në propozimin e ndërkombëtarëve për dëmet që do të pasojnë në të ardhmen për qytetarët e Kosovës. Deri më sot politika zyrtare e Prishtinës dhe diletantët politikë ishin vetëm zëdhënës të zbehtë të projektit ndërkombëtarë, bile paten filluar edhe kalkulimet kaliguliane për emërimin e ambasadorëve.
Sado që të jesh liberal, por edhe dhe përkrahës i konstitucionalizmit, me dëshirë patriotike për të përkrahur këtë qeveri, vështirë se gjen shqiptar ta ndjej veten krenar që jeton në Kosovë, sidomos në këto kushte të një mungese të theksuar të energjisë elektrike, të një jete tejet zhgënjyese, të një mashtrimi të madh nga klasa politike e të gjithë krahëve, pa asnjë dallim.
Nuk dallon dot ku fillon njëri krah e ku mbaron tjetri, me kë është ky apo ai deputet, kë përfaqeson, janë për interesa të veta, të partisë që kryeson apo interesa të kamufluara me nje “çarqaf demokratik”. Fiskultura apo kthesat që do të bëjnë pretenduesit e ardhshëm duke u zgërdhirë mu para fytyrës së elektoratit, të shtyjnë të mendosh a janë vërtetë në mend apo janë të halucinuar, ngase në të gjitha rastet bien ndesh me interesat e atij elektorati që i ka votuar. Më heret bërtitnin plotë gërmazë për një “elektorat” para të cilit betoheshin natë e dite se e “përfaqësojnë”, por në të vërtetë e kanë tradhëtuar; nuk u bëjnë përshtypje dhe i kalojnë si pa gjë të keq në tjetrin.
Fatkeqësisht vendi shkon në fundosje, ku krimelët dhe uzurpatorët për çdo ditë ia ngushtojnë hapësirën demokratike (term shumë i përfolur dhe degraduar skajshmërisht) të ardhmes së vendit dhe të qytetarëve. Aq shumë lëndë të pazgjedhura pronësore janë grumbulluar në gjykata dhe aq shumë punë të pabëra në ekzekutim nga policia, saqë është krijuar bindja se në Kosovë nuk ka ligj, dhe është një anarki e plotë institucionale, dhe dita më ditë Kosova po sharron në ujërat e krimit.
Edhe sa kohë do të duhet që këtë ta kuptojnë qeveritarët, se krimi i organizuar është gangrenë e pavarësisë së Kosovës. Thjesht jeta në Kosovë është bërë e pamundur, këtë për çdo ditë e kuptojnë ata qytetarë që detyrimisht paraqiten para sporteleve të gjykatave dhe të policisë, për të kërkuar drejtësi. Athua si duhet të emërohet kjo “pavarësi”, me shumë begati për drejtuesit e institucioneve në të gjitha nivelet, ku krimi dhe hajnia shpërblehet, ndërsa drejtësia përdhoset skajsmërisht. Sigurisht që qytetarët e shumëvuajtur të Kosovës këtë nuk e kanë merituar, por as nuk kanë besuar asnjëherë që janë të detyruar të jetojnë në “oazën” e krimit dhe të papërgjegjësisë institucionale.
Si nuk u gjet ndonjë deputet i ketyre “kthesave demokratike” të shkojë tek elektorati që i ka votuar dhe ta kërkojë mendimin për qëndrimin që duhet mbajtur në situata të caktuara në Kuvend, duke thënë troç: -“une jam këtu të mbrojë interesat e qytetarëve”. Pra, kemi të bëjmë me politikanë të papërgjeshëm, mashtrues e gënjeshtarë, që shumë, shumë, përfaqësojnë vetëm interesat e ngushta të një grupi interesash, se në Kosovë nuk ka parti politike, ngase asnjëra nga to nuk ofrojë ndonjë program politik për ndryshime, bile as që u morën me shifra, vetëm intervista dhe fjalë, e çfarë të thuhet kur aq shpejt u përgatitën listat për zgjedhje, u rirreshtuan të njëjtit ministra, pa fije morali politik. Sillni në kujtesë qëndrimet e ditëve të fundit të atyre që qeverisin dhe të atyre që gjoja bëjnë opozitë.
Kandidatët me gojë të hapur deri në vesh dhe duke u “zgërdhirë”, u kumtojnë qytetarëve, se Prishtinën do ta bëjnë metropol. Hajde merre vesh, ku e kanë hallin qytetarët që ua kërkon mandatin për qeverisje e ku u rreh atyre. Liderët partizanë kujtojnë sa herë që të dalin para kamerave dhe flasin profka, “jo po vjen pavarësia, “jo s’po vjen se ne do e shpallim”, jo tash nuk bën, por më vonë, jo se jemi në partneritet dhe partnerët nuk kanë sugjeruar, dhe tash duhet të presim “partizanët” tanë, deri sa të japin ndonjë datë pastaj të shtyhet përsëri, e pastaj prap do vazhdojë gjumi pa ditur sa me flejtë e ku flejtë, duke i qetësuar shqiptaret si foshnjet se “po erdhi pavarësia”, do shtohet energjia elektrike, uji, do rriten rrogat, pensionet etj etj.
Ky është një zbulim i madh si të qetësohen qytetarët, “mos bëzajë se pastaj pavarësia na del doresh”, mirë de kemi filluar të kuptojmë se nuk duhet ngutur, deri zbulohet edhe ndonjë projekt tjetër dhe të “shtrydhen” mjetet publike, dhe për ju as nuk ka ligj as nuk ka marre, jeni të paprekshëm.
Këta pushtetarë mashtrues nuk ndiejnë asnjë përgjegjësi për këtë gjendje katastrofike që ndodhet Kosova, para ca ditësh një minister i “spikatur” dënohet për falsifikim dokumenti me 300 euro, ai e quan qesharak dënimin e gjykatës dhe vërtet ka të drejtë plotësisht, faturën do e paguajë qeveria, e cila edhe ashtu buxheton gjykatat.
Sikur këta liderë t’u thoshnin zgjedhësve ” na votoni,ne do te bashkëpunojmë edhe me Serbinë per t’u pavarësuar” edhe atëherë do të mbahen në pushtet ” a mendoni se nuk do të votohen ? Tani që bashkëbisedojnë (bashkëpunojnë) haptaz e fshehur me të (“Traktati i miqësisë dhe bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë”), kanë sy e faqe te dalin para elektoratit të tyre? Fatura politike që ata do të paguajnë, nuk do të vonojë, por hapat prapa të Kosovës kush do t’i paguajë?
Sesa janë demokratike dhe serioze zgjedhjet e nëntorit ua bëri me dije kuvendarëve ambasadori Vnend se OSBE dhe KQZ kanë bërë që fletët e votimit mund të shkarkohen nga web faqja e KQZ-së, dhe se ato edhe mund të kopjohen “një formë e re e zgjedhjeve” që vlen për të joshur serbët, e pse mos të shkohet edhe me ndonjë plan rezervë zgjedhor, të votohet përmes internetit dhe nëpër forume lexuesish, por edhe përmes “messenger-it”, dhe sipas tij këto zgjedhje po mbahen jo pse Kosova nuk ka një sistem demokratik, por pse mandati i Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendeve Komunale po skadon.
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …