Ministri Gashi, viziton Komunën e Hanit të Elezit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, viziton Komunën e Hanit të Elezit. Gjatë vizitës në Komunën e Hanit të Elezit, u nënshkruan dy memorandume bashkëpunimi, ai i Rregullimit të Stadiumit dhe ai i Ndërtimit të Qendrës Kulturore. Sipas memorandumit për Rregullimin e Stadiumit, MKRS-ja dhe Komuna do të investojnë financiarisht me nga 50 mijë euro, investim i cili do të kryhet gjatë vitit 2019. Ndërsa sipas memorandumit për Ndërtimin e Qendrës Kulturore, Ministria do të mbështet projektin financiarisht me vlerën financiare 250 mijë euro, investim i cili do të kryhet gjatë viteve 2019 dhe 2020, ndërsa Komuna për këtë projekt do të investojë 10 mijë euro, investim i cili do të kryhet gjatë vitit 2019. Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi dhe kryetari Rufki Suma u shprehën të kënaqur me nënshkrimin e këtyre memorandumeve. Ministri Gashi tha se ishte një kënaqësi e veçantë që takoi kryetarin Suma. Për nënshkrimin e dy memorandumeve të bashkëpunimit me Komunën e Hanit të Elezit ai tha: “Këto marrëveshje kanë për qëllim investimet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në komunën e Hanit të Elezit, si përkushtim i Ministrisë për të investuar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Në kuadër të kësaj jemi jashtëzakonisht të interesuar që edhe komunat e vogla që kanë buxhet të vogël t’i ndihmojmë në mënyrë që edhe të rinjtë edhe komuniteti artistik të përfitojnë prej këtyre investimeve”. Ministri po ashtu foli edhe për dyshekët e dhuruar nga Ministria për klubet e sportit të mundjes. Ai tha se dhurimi i pajisjeve apo i dyshekëve për sportin e mundjes bëhet me qëllim që të gjithë sportistëve tu krijohen kushte më të mira që të kenë edhe hapësira dhe pajisje ku t’i organizojnë ushtrimet e tyre. “Besoj që jemi duke bërë një punë të mirë në mbështetje të komunave dhe të gjitha kërkesave që na vijnë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, u shpreh ministri Gashi. Ndërsa kryetari Suma falënderoi ministrin për vizitën e tij por edhe për nënshkrimin e marrëveshjeve për realizimin e projekteve që janë në interes të komunës. Po ashtu, kryetari Suma falënderoi ministrin dhe Ministrinë edhe për dhurimin e dyshekëve për zhvillimin e garave në sportin e mundjes. Po ashtu, gjatë kësaj vizite, falënderues dhe mirënjohës për mbështetjen e ministrit Gashi u shpreh edhe Sylejman Shala nga Federata e Mundjes. Gjatë qëndrimit në Komunën e Hanit të Elezit Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, vizitoi kompleksin e Dëshmorëve në Pustenik si dhe objektet të cilët janë në listën e mbrojtjes nga Ministria e Kulturës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …