Nis projekti i shekullit për Ferizajn – “Bashkimi i Qytetit”

Siç ishte njoftuar ditë më parë nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, të mërkurën kanë nisur punimet në projektin më të rëndësishëm infrastrukturor në Ferizaj në dekadat e fundit, projektit “Bashkimi i Qytetit”. Edhe ky projekt sikurse shumë nga projektet që po realizohen në Ferizaj, është mbështetur nga Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Nikoqiri i kësaj ngjarje, i pari i Ferizajt, Agim Aliu, bashkë edhe me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, Kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Ferizaj, Elmi Reçica dhe Mexhide Mjaku Topalli, zëvendësministra, Kryesuesen e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyqi, drejtorë të drejtorive komunale dhe qindra qytetarë morën pjesë në nisjen e punimeve të këtij projekti gjigant infrastrukturor që do ta transformoj Ferizajn në planin urbanistik. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu zotimin e tij para qytetarëve ferizajas për fillimin e realizimit të projektit “Bashkimi i Qytetit” e vlerësoi si veprën më të rëndësishme infrastrukturore në Ferizaj në dekadat e fundit, e cila përfundimisht do të zgjidh kaosin urban si dhe të eliminoj rrezikun nga hekurudha, vlerë e shtuar identitare për Ferizajn që do ta transformoj qytetin në një qendër të rëndësishme rang vendi në planin infrastrukturor. “Mirë se erdhët në këtë vend, në këtë vend të bashkimit. Mirë se erdhët në Ferizaj, mirë se erdhët ne inaugurimin e punimeve për projektin më madhor të infrastrukturës urbane në Ferizaj, të ashtuquajtur projekti ‘Bashkimi i Qytetit”. Jemi në këtë vend në Ferizaj dhe jo rastësisht në këtë vend ku bashkohet historia, ku bashkohet e kaluara. Prapa meje është njëra prej institucioneve më të vjetra të trashëgimisë historike dhe kulturore të Ferizajt, biblioteka që mban me nder emrin e kontribuuesit shumë të madh të librave prandaj edhe e ka emrin “Sadik Tafarshiku”, po ashtu për para nesh është një vend ku kemi dy institucione fetare, kemi Xhaminë e Madhe të Ferizajt, dhe kishën ortodokse që tregon vlerat e Ferizajt dhe vlerat e Republikës së Kosovës, vlerat e diversitetit kulturor dhe etnik. Jemi këtu edhe afër shtatores së Heroinës sonë Hyrë Emini, historisë më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi pra në vendin që bashkon shumëçka jemi edhe në vendin ku është zanafilla e Ferizajt, dhe zanafilla e Ferizajt është nga “Hani i Ferizit” dhe 145 vjet me parë lindi qyteti i Ferizajt, lindi nga “Hani i Ferizit” për çka edhe ka emrin trashëgiminë por në të njëjtën kohë lindi edhe nga hekurudha. Hekurudha i mundësoi Ferizajt që të zhvillohet, transformohet të ec, dhe praktikisht Ferizaj, është këtu dhe kështu si rezultat i hekurudhës e cila mundësoi që Ferizaj të njoh ritme të larta të zhvillimit ekonomik, por hekurudha bëri edhe një ndarje dhe kjo ndarje tashmë nuk do të ekzistoj. Nuk do të ekzistoj sepse ne tashmë po fillojmë projektin “Bashkimi i Qytetit”. Pra jemi sërish këtu bashkë dhe na bashkon projekti “Bashkimi i Qytetit” për t’i dhënë fund një ndarje që realisht ka qenë si rezultat i kësaj hekurudhe, por që thamë i kemi parë edhe dobi kësaj hekurudhe për faktin se ka mundësuar zhvillimin ekonomik, por ritmi i Ferizaj do të vazhdojë sepse shpirti i qytetarëve ferizajas, është shpirt i ndërmarrsisë, shpirt i respektimit të vlerave të njeri-tjetrit, shpirt nga ai që thashë më herët ka lind vet Ferizaj dhe projekti i ‘Bashkimit të Qytetit” të Ferizajt, përpos që do të mundësoj atë që Ferizajt dhe ferizajasve atë që ju shërbeu një lloji ndalese dhe ferizajasit nuk duan ndalese dhe kjo ndalesë po hiqet në mënyrë që të vazhdoj trendi ritmi dhe dinamika e lartë e zhvillimit të Ferizajt. Është pra ky projekti ‘Bashkimi i Qytetit” i cili do të jetë projekt unik sepse do të jetë i pari i këtij lloji në Republikën e Kosovës, do të ketë një gjatësi mbi 700 metra dhe që praktikisht do të jetë nën pjesën e hekurudhës, sigurisht se do të shërbej edhe për ato qytete që kanë ngjashmëri me Ferizajn, por sigurisht do të shërbej edhe me gjerë. Pra, qytetarët e Ferizajt i gëzohen këtij projekti sepse nuk lidhet me vetëm transformimin, respektivisht ndryshimin urban të qytetit të Ferizajt, por mbi të gjitha lidhet edhe me vet sigurinë e qytetarëve të Komunës së Ferizajt. Janë të njohura rastet kur pikërisht nga kjo hekurudhë qytetarët tanë kanë pasur edhe fatalitete respektivisht kanë humbur jetën. Nga sot e tutje kjo nuk do të jetë sepse ‘Bashkimi i Qytetit” dhe projekte tjera në të ardhmen do ta sigurojnë qytetarin tonë dhe ne po realizojmë këtë projekt falë përkushtimit, falë mbështetjes bashkë me Kuvendin e Republikës së Kosovës, Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ministrinë e Infrastrukturës, deputetë dhe zëvendësministrat që kanë qenë në mbështetje të këtij projekti. Kthimi i projekteve të tilla në Ferizaj përmes taksave publike është dhe kthimi i dinjitetit për qytetarët ferizajas, kthimi i dinjitetit të taksapaguesve më të shumtë jashtë kryeqytetit të Republikës së Kosovës, sepse dihet fakti se Ferizajt tashmë është qyteti i dytë për nga zhvillimi ekonomik dhe është taksapaguesi i dytë në nivel të Republikës së Kosovës dhe prandaj ndihemi të nderuar që këto taksa po kthehen në investime dhe vepra të tilla identitare për komunën dhe për qytetarët ferizajas” tha Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Për transformimin e Ferizajt përmes këtij projekti foli edhe Kryetari i Kuvendi të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli. Ai tha se vet prezenca e kaq shumë qytetarëve në nisjen e punimeve të këtij projekti dëshmon domethënien e këtij projekti për qytetin dhe qytetarët. “Është emocionuese kur kaq shumë qytetarë të një qyteti marrin pjesë në një projekt, kjo shpreh vet domethënien e projektit se sa i duhur është ky investim dhe për këtë arsye kur jemi kaq shumë para kësaj mase unë dua ta falënderoj kryetarin Aliu, i cili me vendosmërinë tij që nga dita e parë e marrjes së mandatit nuk u nda nga Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, me dhjetëra takime së bashku me deputetin Elmi Reçica, ministrin Pal Lekaj kanë bërë që të realizohet ky projekt. Unë e di që ky projekt ka qenë një ëndërr për shumë qytetarë të Ferizajt, edhe disa të tjerë kanë qenë skeptik se a do të ndodh ky projekt. Ky projekt do të ndodh, dhe ky projekt shumë shpejt do të jetë i realizuar për qytetarët e Komunës së Ferizajt, i jep një dimension të ri qytetit të Ferizajt në zhvillim, perspektivë, një dimension të ri të sigurisë për fëmijët tanë, por edhe pleqve, dhe të rinjve. Kosova jonë po ndryshon, siç po ndryshon Ferizaj, po ecim vendosmërisht përpara në rrugëtimin tonë perëndimor, rrugëtimin tonë evropian, rrugëtimin tonë të cilin e kemi amanet nga ata të cilët ranë në altarin e lirisë. Jemi të vetëdijshëm që ka edhe shumë gjëra për të ndodhur, jemi të vetëdijshëm që ende nuk po mundemi të arrijmë atë perspektivë që të rinjtë dhe të rejat tona po kërkojnë në qytetin e vet, në shtetin tonë të Republikës së Kosovës. Unë nga këtu lus të gjithë të rinjtë që të qëndrojnë në Kosovë, në mënyra që ta ndryshojmë të gjithë së bashku. Ferizaj po ec përpara, po ndryshon, ne do të ndryshojmë. Orientimi ynë është shumë i qartë, perspektiva euroatlantike, por edhe zhvillimi ekonomik. Kemi qenë prapa por ato pasoja do t’i tejkalojmë bashkërisht, por ajo çka ne duhet është besimi, besimi tek njëri-tjetri, besimi për paqe, identitet, besimi për shtetin të cilit i takojmë, në këtë mënyrë dhe me vendosmëri do të kemi sukses. Kush do të kishte besuar që këto projekte do të jenë në Komunën e Ferizajt, të themi para 20 viteve, kush do të kishte besuar që do të kemi një transformim po ashtu ta lidhim me Ferizajn dhe me Shkupin, 40 minuta të jemi në një qytet të bukur po ashtu siç është kryeqyteti i Republikës së Maqedonisë – Shkupi. Ky do të jetë një projekt i cili do t’iu shërbej qytetarëve të Ferizajt, do të jenë projekte milionëshe të cilat do të realizohen nga Kryetari i Komunës, por në të njëjtën kohë unë dhe Kryeministri e kemi thënë edhe herën e kaluar, investimi i shekullit do të ndodh shumë shpejt po besojmë që do ta realizojmë në një afat rekord” tha Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ky projekt është një e drejtë që po vendoset për qytetarët ferizajas. “Dikur kemi qenë larg edhe në Ferizaj, andej e këndej hekurudhe, kemi qenë larg Dukagjin e Nerodime, Drenicë- Shalë- Llap-Gollak, larg me Shqipëri e larg me Tetovë, por tani po afrohemi. Çdo ditë e më shumë po na afrojnë veprat e mira, sakrifica për liri, miqtë tanë që i kemi në Bondsteel dhe vizioni ynë i sotëm. Ne do të vazhdojmë bashkë këtë vizion, që sa më shpejtë të jemi anëtarë të BE-së, anëtarë të NATO-s me ushtrinë tonë modeste, në mënyrë që të rinjtë tanë të mos kenë nevojë ta lëshojnë vendin”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e fillimit të punimeve të projektit “Bashkimi i Qytetit”, projekt i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Ferizajt. Duke e quajtur të rëndësishëm fillimin e projektit për bashkimin e qytetit, kryeministri Haradinaj tha se kjo është një e drejtë që po vendoset për qytetarët ferizajas. “Ka qenë vendosje e një drejtësie që të niset një projekt i madh i ndërtimit të spitalit, jo vetëm për Ferizajn, por një Spital Rajonal, dhe jam i gëzuar që ai projekt është në dinamikën e vet. Jemi sot për një projekt shumë të rëndësishëm dhe mendoj se është një e drejtë që po vendoset. Ferizaj është qytet me veprimtari të madhe ekonomike, me shumë taksapagues, kompani që i bëjnë nder Kosovës dhe më gjerë dhe më vjen mirë që në vendin e veprimtarive ekonomike po kthehen taksat e tyre me vepra të mira”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar të gjithë ata që kanë punuar në arritjen e këtij qëllimi. Po ashtu, Kryeministri Haradinaj tha se edhe ujëmbledhësi i Lepencit ka mbetur vepër në pritje, por që një ditë edhe aty do të arrihet. Ky projekt do të realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe ka vlerë prej mbi 4 milionë euro. Ministri Lekaj duke iu adresuar qytetarëve dhe zyrtarëve të shtetit të pranishëm në këtë inaugurim, tha se ky projekt i infrastrukturës moderne është tejet i rëndësishëm sepse rrit sigurinë e qytetarëve të Ferizajt. Lekaj ka deklaruar se synim ka ta bëjë Ferizajn me infrastrukturë moderne dhe ashtu siç e duan qytetarët e saj.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …