Adnan Abrashi: KOSOVA E PAVARUN ME PESË SOVRANITETE

 


Pas sa e sa, premtimeve, gënjeshtrave dhe parashikimeve të dështuara, më në fund, më 17 shkurt të këtij viti, Kuvendi i Kosovës, përmes aprovimit të një deklarate solemne, edhe formalisht e shpalli Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, të cilën, deri më sot, zyrtarisht, e kanë njohur përafërsisht 30 shtete të ndryshme të botës.

Nëse me vëmendje do të përqendrohemi në paraqitjet e mëhershme dhe ato të tanishme publike të politikanëve tanë në pushtet, do të vërejmë se kjo zgjidhje për statusin përfundimtar të Kosovës gjithnjë nga ta deklarohet i shoqëruar nga togfjalëshi tejet i mirënjohur për ne: “Kosova shtet i pavarur dhe sovran”. Ndërsa, nga ana tjetër, si kundërshti me këtë sinonim politik të dedikuar për përdorim të brendshëm, nga goja e asnjë diplomati të jashtëm ndërkombëtar, nuk mund të hasësh në ndonjë vlerësim të ngjashëm. Ata, në paraqitjet e tyre publike, gjithnjë këtë zgjidhje të statusit të realizuar për Kosovën e deklarojnë si pavarësi të mbikëqyrur.
Republika e Kosovës, edhe pse ka filluar të njihet ndërkombëtarisht nga shumë shtete, ajo, realisht, gëzon një status të mbikëqyrur, ose edhe më mirë të shprehemi me atë definomë jo aq të këndshëm për veshin tonë, është një shtet me PROTEKTORAT NDËRKOMBËTAR. Bile-bile, protektorat të dyfishtë ndërkombëtar.
Shikuar nga këndvështrimi i logjikës së shëndoshë, vet fakti se një shtet është nën protektorat ndërkombëtar (mbikëqyrje nga dikush tjetër), vetvetiu e eliminon mundësinë e zëvendësimit të kuptimit të saj (protektorat) me një fjalë që ka domethënie krejtësisht tjetër (pavarësi).
Një praktikë tjetër e njëjtë dhe e gabuar, që me dashje apo pa dashje na shpie në lajthim, është edhe tek rasti i përdorimi të nocionit “SOVRANITET”.
Edhe pa qenë ndonjë ekspert në profesion, mjafton t’ia hedhim një sy Fjalorit Terminologjik të Gjuhës Shqipe, dhe aty do ta gjejmë shpjegimin tejet kuptimplotë dhe mjaftë domethënës të këtij nocioni. Sipas sqarimit në këtë Fjalor, fjala “sovranitet” nënkupton: “Një të drejtë që gëzon çdo popull dhe shtet për të vendosur në mënyrë të lirë dhe të pavarur për çështjet e veta dhe të marrëdhënieve me shtetet tjera pa iu nënshtruar asnjë urdhër, ndërhyrjeje dhe kontrolli nga të tjerët”.
Nëse, nga njëra anë, mbetemi edhe më tej në logjikën kuptimore leksikologjike të domethënies së vërtetë të fjalës “sovranitetit”, dhe nga ana tjetër, bëjmë një krahasim më të detajuar profesional të bazës juridike dhe politike ndërkombëtare mbi të cilat mbështetet kjo shtetësi, atëherë, do të vërejmë se në brendinë strukturale dhe funksionale të ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës, na shpaloset si realitet, ekzistimi faktik i pesë sovraniteteve.
Ashtu është pra! Janë pesë dhe t’i numërojmë me rend: si e pra, sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, vepron sovraniteti i UNMIK-ut, dhe ky sovranitet, edhe përpos periodës kalimtare të paraparë me Pakon e Ahtisarit për dorëzimin e shumë kompetencave vendorëve, vështirë se do të realizohet aq shpejtë; e dyta, tanimë e instaluar edhe formalisht në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Kosovës, është sovraniteti i Bashkësisë Evropiane që do të veproj me emrin EUMIK dhe EULEX; e treta, sovraniteti i institucioneve PAKICË të Kosovës të dala nga vota e lirë e vetëm 38 % të popullit; e katërta, sovraniteti i Serbisë mi enklavat serbe që vepron përmes funksionimit të strukturave paralele të shtetësisë së saj në Kosovë, dhe, e pesta, sovraniteti real i 68% të popullit të Kosovës, i cili nuk ka dalë në zgjedhjet e fundit, dhe, si duket, potenciali i tij i plotë ende nuk ka ardhur në shprehje sa duhet.
Ky i fundit, nga padrejtësitë dhe pakënaqësitë të mëdha të akumuluar si kundërshti në nënvetëdijen e tij kolektive, edhe, pse, tani për tani, dukej i heshtur dhe në pritje vigjilente, patjetër se dikur, do të gufoj në veprim dhe aksion. Këtë gufim si një reagim kolektiv i nevojës së patjetërsueshme të veprimit të Ligjit hyjnor të të kundërtave, sociologjia sigurisht do ta vlerësoj si vetëdijesim popullor, psikologjia sociale, si zbrazje të energjisë së akumuluar kolektive, kurse politika, si revolucion.
Dhe si konstatim për fund: Republika e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, do të jetë vërtetë ashtu në plotë kuptimin e fjalës, vetëm nëse katër sovranitete të para ekzistuese, i nënshtrohen sovranitetit të plotfuqishëm të këtij të fundit. Edhe në këtë rast si nevojë, UNMIK-u, EULEKS-i dhe EUMIK-u, mund të qëndrojnë edhe më tej në Kosovë, por, atëherë, prezenca e tyre do të jetë si rezultat i dalë nga marrëveshja e ndërsjellë bilaterale dhe multilaterale të të barabartëve vërtet sovran.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …