Polemika, që nxori në sipërfaqe kundërthënie të thella, historike, kombëtare, morale, jo vetëm në raport Qose-Kadare

Vendi ku ushqehet dhe majmet Lindori shqiptar është atdhe për te. Jo sepse e do, por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesi”. 1)


Të marrësh guxim dhe të shkruash për polemikën e zhvilluar mes akademikut, Rexhep Qosja dhe shkrimtarit, Ismail Kadare, mund të keqinterpretohet madje edhe dëshira më e mirë dhe më e sinqertë për të thënë diçka, qoftë nga një kënd krejt tjetër. Sepse gojëligët do të flasin dhe do të thonë: “po kush qenke ti që të mbështillesh rreth mosmarrëveshjeve të këtyre dy viganëve!”. Madje edhe më keq, nëse merr anën e njërit dhe sulmon tjetrin, mund të të thonë po ashtu, “po çka ka nevojë Qosja për ndihmën tënde, kur ai godet me top e ti me kallash!”. Mund të të qortojnë, madje edhe ata që të duan, sepse, kjo rrjedhë nga mentaliteti ynë i trashëguar historik për të ndenjur “sus” kur ndajnë mejdan trimat.
Mirëpo, ja që sfidat me të cilat po përballet Qosja kundër Kadaresë, doemos se kanë krijuar shesh për të marrë pozicion kundër njërit, apo tjetrit. Ai që mendon se me këtë rast është më mirë të heshtet, ai nuk është i sinqertë, për të mos thënë se është hipokrit, sepse nuk bën të heshtet, atëherë kur duhet mbështetur e drejta dhe e vërteta, nëse për këtë ke fakte dhe ke çka të thuash. Është e vërtetë se arsenali “luftarak” dhe etika e përmbajtur polemizuese e Qoses, është artileri e rëndë dhe tejet e sofistikuar, e cila godet në shenj dhe godet gjithmonë në dhjetëshe. Andaj ndihma në këtë rast është e panevojshme, por ka diçka në këtë mes, në këtë luftë të ashpër botëkuptimesh, e cila të sfidon, jo për të provuar se qenke dikush, por për ta mbështetur të vërtetën, atë të vërtetë që arsyeja nuk e luan dot nga vendi, por që mundohet ta injorojë injoranca e hipokrizisë.
Duhet shtuar në këtë mes se gjuha e polemikës së akademik Rexhep Qoses nuk bie në nivelin e gjuhës skëterrë të Ismail Kadaresë, as në nivelin e arrogancës së tij harbute, as në batakun e tij të kameleonit tipik të “lindorit” shqiptar, që pretendon të bëhet “perëndimor” shqiptar, duke mos larguar nga vetja lindorizmin kriptobizantin dhe kriptokomunist.
Ja, si e ka përshkruar “lindorin” shqiptar, filozofi, Kristë Maloku:
Lindori shqiptar nuk njeh turp, ai s’ka cipë që t’i nxihet.
Lindori shqiptar është i zoti për të gjitha turpet.
Shet babë e nënë, besën e nderin e vet, për mos me thanë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e për vetëm që t’i shkojë kungulli mbi ujë. Idealet e lindorit shqiptar janë kolltuku e llokma; dhe për t’i siguruar vetes këto të mira, ai përdor çdo mjet:
Bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet është Lindori kryekëput rrënimtar, është shkatërrues dhe bashkohet me të tjerët, si ata ujqit që vejnë së bashku në pre, por që e shqyejnë shokun e vet, kur dobësohet apo plagoset udhës.
Sepse Lindori shqiptar i ka instinktet e ujkut vetjak, të ujkut tek. Vendi ku ushqehet dhe majmet Lindori shqiptar është atdhe për te. Jo sepse e do, por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesi.2)
Cilido përkufizim tjetër për Kadarenë nuk do të përmblidhte esencën e shpirtit të tij, të veprës së tij, të sjelljeve të tij hipokrite, të pozitës së tij gjithnjë të mjerë në vetvete, të pozitës së ujkut vetjak, të ujkut tek. Dhe nuk është vetëm ky Kadareja një ujk i tillë, tek, që endet nëpër botën e plagosur shqiptare. Sepse po të ishte tek, do ta hanin të tjerët. Ka mjaft shqiptarë ujq të tillë, intelektualë “lindorë”, në shpirt bizantinë.
Po t’i lexoni me vëmendje konstatimet e Kristë Malokut, të perceptuara aq realisht 70 vjet më parë, atëherë, me këtë rast, do të zbuloni një vello të trishtueshme, të cilën mundohen ta fshehin në brendinë e shpirtit të tyre, disa njerëz tanë, disa ujq të stepave tona, nopranë të pandreqshëm, të cilët nuk vdesin, as zhduken lehtë. Kadare, mjerisht është një ujk i tillë, i cili e ha shokun e vet, kur ai dobësohet, është pikërisht rrënimtar i tillë, madje duke rrënuar me këtë rast edhe tërë krijimtarinë e tij të shkruar deri në vitin 1990. Dhe për t’ i shkuar kurdoherë kungulli mbi ujë, lindori shqiptar në gjene, Ismail Kadare, pretendon me çdo kusht të bëhet shqiptar “perëndimor”, me veset e satrapit dhe të kameleonit bashkë, që ndërrohet sipas nevojës, vetëm për t’ i siguruar vetes të mirat dhe fitimet.
Ky arketip i Kadaresë si duket është edhe arketipi i marrëzisë së tij jetësore. Ai me çdo kusht mundohet ta injorojë në vetvete lindorin shqiptar, dhe sa më shumë që e injoron, aq më keq e nxjerrë në sipërfaqe egon e tij tipike lindore, jo aziate e jo myslimane sikur do të përkufizonte filozofi Kristë Maloku, sepse “është gabim kur thuhet se Lindorizma na ka ardhur fillimisht nga Azia, apo nëpërmjet fesë islame, apo edhe nga populli turk. Jo kurrsesi, Lindorizma jonë është një dhunti fatale e krishterimit euro-aziatik”.3) Kristë Maloki “Lindor apo Perëndimor?”
“Përpjekja shqiptare”, 1937.
Polemika e Qoses me Kadarenë arrogant, një arrogant gjithnjë lindor, i cili krekoset duke mbyllur polemikën me fjalët “Unë të përçmoj dhe të përbuz!” më së miri nxjerrë në sipërfaqe shpirtin e tij pagan, aspak katolik evropian, aq më pak mysliman.
Niveli i sjelljes së tij zbulon para opinionit një zemërim të egër, një shpirt urrejtës, një kredo të lënduar thellë, një gjendje të rëndë traumatike, meqë Kadare ka marrë goditje tronditëse, për pasojat e të cilave ai është i vetëdijshëm, goditje nga e cila kurrë më nuk do të shërohet, sepse me këtë përçmim të tij të neveritshëm dhe të panatyrshëm kundër Qoses ka nxjerrë përfundimisht në sipërfaqe shpirtin e tij skëterrë.A. Q. 


Islami nuk ka asgjë të përbashkët me asimilimin e popujve 

Polemika Qose-Kadare hapi shumë probleme dhe kjo kuti e “Pandorës shqiptare” mbase edhe ka qenë e nevojshme të hapet. 

Rrjedha e deritanishme e polemikës dhe e polemizuesve të tjerë simpatizantë të Qoses apo Kadaresë, ka hapur tema ndër më të ndryshmet, sepse po ndodh që një analist, i cili mban anën Kadaresë dhe sulmon Qosen, nuk njeh as edhe mësim fillestar të asnjë feje, e aq më pak të islamit, pavarësisht se mund ta ketë emrin Mero, Abren, Ilir apo Maksim.
Ndodh për shembull që vetë Kadare, i ditur dhe i civilizuar në mënyrë evropiane, të bëjë gafa ndër më skandalozet, që nuk i falen as një nxënësi të shkollës së mesme në mësimin e historisë. Kadare thotë se 90 vjet të rrojtjes së shqiptarëve nën serbë, do të mjaftojnë, që në të ardhmen “dikush” të flasë për një çerek identiteti serb të shqiptarëve të Kosovës. Ja, se deri ku shkallon hipokrizia dhe abuzimi i një hileqari dhe inatziu. Kadare mbase nuk e di, apo për arsye që ai i di, nuk dëshiron ta dijë se për afër 90 vjet të pushtimit serb të Kosovës e të trevave të tjera të Shqipërisë, nuk ndodhi asnjë rast i vetëm, madje asnjë rast i izoluar i konvertimit të shqiptarëve në serbë, apo në fenë ortodokse serbe, edhe pse mjerisht pati mbase dhe ende ka shërbëtorë të serbëve nga radhët e shqiptarëve.
Ky fenomen flet shumë dhe shpjegon shumëçka, madje mund të thuhet pa e tepruar se ky fenomen e shpjegon më së miri tërë çështjen, por ja që Kadare i kthen mbrapshtë tezat dhe argumentet, sepse ashtu i duhen për një moment të caktuar. Ndërsa, me këtë rast, sikur anashkalohet fakti se qindra mijëra shqiptarë të Shqipërisë, që emigruan në Greqi ndërruan fenë, emrat dhe shumëçka tjetër. Këtë nuk e kanë bërë me dhunë as nga terrori grek, por për përfitime materiale, mbase edhe ekzistenciale. Anashkalohet fakti se një pjesë e madhe e shqiptarëve të Jugut po greqizohet aktualisht sipas projekteve të “megaliidesë” helene.
Kadare, mbase nuk e di se serbët, me rastin e pushtimit të vendit tonë në vitin 1912, në disa treva të Kosovës mblodhën shqiptarët, i dërguan në kisha dhe kërkuan nga ata, që ose të ndërrojnë fenë, ose të hapin varret vetë. Shqiptarët pranuan t’i hapin varret, ku edhe i mbuluan me dhe pasi i masakruan dhe i pushkatuan, por ata nuk pranuan ta ndërronin fenë.
Por edhe po t’ i dijë këto argumente, evropiani me shpirt lindor, Ismail Kadare i hesht, sepse mendjen e ka te abuzimi, keqinterpretimi, e jo te sinqeriteti vëllazëror, jo te etike njerëzore e humane, por te sedra e plagosur nga qindra argumente, me të cilat e ka goditur akademiku, Rexhep Qosja.
Kadare mbase nuk e di se 90 vjet të rrojtjes nën robërinë jugosllave të shqiptarëve, janë 90 vjet rezistencë e pamposhtur, për ta ruajtur identitetin shqiptar, gjuhën shqipe, kulturën, nderin, besën, traditën dhe jo atë identitetin e tij imagjinar evropian, sepse shqiptarët janë në Evropë, janë evropianë të mirëfilltë me sa dimë ne, kanë qenë dhe janë pjesëmarrës në të gjitha zhvillimet evropiane të historisë, kulturës, shkencës, teknologjisë e të lëmenjve të tjerë. 


Islami nuk kishte asgjë të përbashkët me luftërat pushtuese të turqve 

Duket sikur Kadare, dhe ata që i mbajnë ison, nuk e dinë se islami nuk ka asgjë të përbashkët me luftërat pushtuese. Ishin pikërisht të krishterët, që zhvilluan 200 vjet kryqëzata kundër myslimanëve në Palestinë, dhe ishin pikërisht të krishterët evropianë, që u thyen, pësuan dhe u larguan të humbur e kokulur nga Palestina.
Mbreti Salaudin i liroi nga rrethimi dhe nuk ua preu kokat, ashtu sikur kishin bërë të krishterët, me rastin e pushtimit, kur kishin shkurtuar kokat e të gjithë myslimanëve dhe hebrenjve në Palestinë. Këtë e dinë të gjithë dhe kjo nuk fshihet as në historitë e Evropës.
I di apo nuk i di këto fakte Kadare, nuk është shumë me rëndësi me këtë rast, por është fatkeqësi e madhe intelektuale të merresh me thirrje për konvertim në emër të njëfarë “civilizimi” evropian të imagjinuar si civilizim “superior”, si diçka më shumë sesa iu kishte ngulitur dikur ai ideali komunist Kadaresë, gjithnjë të përdorshëm, në të gjitha rrethanat politike e ideologjike.
Kadare dhe ata që e pasojnë duhet ta dinë se Skënderbeu (Gjergj Kastrioti) ynë, ishte dualist fetar, quhej edhe Skënderbe edhe Gjergj. Me sa dimë ne, dhe më sa kemi mësuar nga historia, nuk dimë që Skënderbeu ta ketë luftuar islamin. Ai luftonte turqit, të cilët pushtonin tokat evropiane nën maskën e përhapjes së islamit, ashtu sikur të krishterët që pushtuan Palestinën, nën petkun fetar, gjoja me qëllim për ta çliruar e për ta ruajtur varrin e Jezu Krishtit.
Kadare, dhe kori rreth tij, e dinë se në asnjë dokument zyrtar nuk ka fakte që flasin se Skënderbeu është rikthyer në fenë katolike, të paktën jo formalisht. Ai nuk kishte ushtruar kurrfarë presioni mbi Hamzanë, nipin e tij që ta ndërronte emrin dhe të rikrishtërohej. Nuk dimë për këto fakte. Nuk dimë, sepse lufta e Skënderbeut nuk ishte luftë e kryqit kundër hënës, sikur ishte për shembull Lufta e Kosovës, të cilën e udhëhoqi Aleanca e Krishterë në vitin 1389, apo beteja tjetër fatale e krishterëve, sikur ajo e vitit 1448. Pikërisht sepse Forca e bashkuar Krishtere evropiane me Janosh Hunjadin në krye në vitin 1448 organizoi luftë kryqëzate kundër turqve, Skënderbeu nuk mori pjesë në këtë luftë. Ishte vonuar Skënderbeu me 10.000 kalorësit e tij apo ishte ngutur Hunjadi për t’ i sulmuar turqit para kohe, kjo ende nuk dihet me saktësi, por dihet se forcat e krishtera të Evropës e të Ballkanit kishin humbur fatalisht edhe atë betejë, në rrafshin e Kosovës, në verë të vitit 1448.
Nuk dihet ta ketë rrënuar qoftë edhe një xhami të vetme Skënderbeu me ushtrinë e tij çlirimtare, edhe pse para kthimit të tij në Krujë, më 1443, në shumë qendra të Shqipërisë dhe të Ballkanit tashmë kishte xhami, teqe, medrese, etj. Dihet mirë, se pikërisht sepse Skënderbeu nuk shpaloste flamurin e krishterë, dhe nuk luftoi nën flamurin e krishterimit, por nën flamurin e principatave të bashkuara shqiptare, me flamurin e Kastriotëve, atë nuk e ndihmoi as Evropa, as Vatikani, ose e ndihmuan sa për sy e faqe. Vetëm pas vdekjes së Skënderbeut evropianët krijuan një literaturë të tërë, duke i dhënë dimensione të tjera luftës kundër dominimit dhe pushtimit turk.
I din Kadare këto të vërteta, i dinë edhe sejmenët e tij, po i heshtin këto fakte, sepse qëllim kanë abuzimin me historinë dhe plëngprishjen, për qëllime që ata i dinë dhe i kuptojnë më së miri.

Lufta 500 vjeçare e shqiptarëve kundër turqve nuk ishte luftë kundër islamit, por luftë kundër pushtimit dhe shfrytëzimit 

Lufta e popullit tonë gjatë kohës së sundimit turk, nuk ishte luftë kundër islamit, por luftë kundër shfrytëzimit, luftë për ekzistencë, luftë për ta ruajtur gjuhën, nderin, besën, e jo luftë për ta ruajtur krishterimin, sikur mund të pretendojë ndokush. Dhe është krejtësisht i pamohueshëm fakti se të gjitha luftërat kundër Perandorisë turke i udhëhoqën shqiptarët, që kishin pranuar islamin, sepse islami në esencë është paqësor dhe nuk kishte asgjë të përbashkët me pushtimin, me marrjen peng të fëmijëve të krishterë, as me taksat e rënda, që ata detyroheshin të paguanin. Sepse në asnjë rregull apo ligj të islamit nuk lejohet të merren fëmijët e fesë tjetër dhe me dhunë të kthehen në fenë islame. “Devshirmeja” ishte shpikje dhe metodë e sulltanëve turq dhe nuk kishte asnjë mbështetje në Kur-an apo në Sheriat.
Bazamenti i qëndrimit të tillë të përhapjes paqësore të fesë islame është sanksionuar edhe në Kur-an, ku thuhet: “La ikrahe fi-dini”, “Nuk ka dhunë në fe”, apo nuk ka ndërrim të fesë me zor. Kështu thotë islami, por kështu nuk vepronin sulltanët. Turqit, nën maskën e përhapjes së fesë, i lejuan vetës, po ato që i lejon vetvetes çdo pushtues, sepse në raste të tilla qëllimi nuk zgjedh mjete, i lejon të gjitha mjetet. Kështu dhe ngjashëm po vepron edhe Kadare, në luftë për ta demonizuar Qosen, por edhe islamin përgjithësisht.
Kadare mbase ka lexuar për kryengritjen e Halil Patronës në Stamboll, të zhvilluar në shtator të vitit 1730. Prijësi i jeniçerëve shqiptarë, Halil Patrona, kishte paraqitur dy kërkesa jetike Sulltan Ahmedit kundër shfrytëzimit të popujve, heqjen e taksave të përjetshme dhe shkatërrimin e shtëpive publike. Me mbështetjen e turmave dhe jeniçerëve që iu kishin bashkuar, në mesin e tyre edhe 12.000 jeniçerë me origjinë shqiptare, Patrona ndërroi nga froni Sulltan Ahmedin e Tretë dhe postoi Sulltan Mahmudin. Mori kokat e katër drejtuesve më të lartë të Perandorisë dhe arriti t’ i heq rajasë detyrimet e përjetshme, “malikanet”. Arriti t’ i asgjësojë shtëpitë publike, të cilat si për çudi i kishin ndërtuar inxhinierët francezë. Nuk është prandaj për t’ u habitur se në enciklopedinë franceze, Revolucioni social i Halil Patronës cilësohet si shumë i tmerrshëm dhe i neveritshëm, sepse ishin prishur 120 shtëpitë publike, pallatet e kënaqësisë dhe të dëshirave, të zbukuruara në vendin më piktoresk të Stambollit, “te Ujërat e Ëmbla” të kryeqendrës së Perandorisë, por jo të kryeqendrës së Islamit. Nuk i di këto Kadare ose i hesht me qëllim. Por e di Kadare se Ali pashë Tepelena ishte mysliman, dhe nuk e luftoi islamin, por pushtimin turk.
Islamin nuk e kanë luftuar as Muhamed Ali Pasha i Misirit, as bushatlinjtë e Shkodrës, as Naim Frashëri, as Avdyli e as Samiu. Nuk shihnin asgjë të keqe në këtë fe vëllezërit Frashëri, po as shqiptarët e tjerë liridashës.
Të gjitha kryengritjet shqiptare prej kohës së Skënderbeut e deri në çlirimin nga Turqia i kanë udhëhequr shqiptarët myslimanë, të cilët në shumë raste janë përkrahur nga vëllezërit shqiptarë të krishterë.
Dhe përderisa krejt historia jonë kombëtare prej kohës së Skënderbeut ishte histori e rezistencës kundër pushtimit, e jo kundër islamit, për çka mendon Kadare se i penguaka sot Evropës kultura dhe islami shqiptar?
Ky është vetëm fiksioni i Kadaresë, fiksioni i tij i sëmurë virtual, fiksioni donkishotesk, i intelektualit dhe krijuesit që ka marrë dozë të tepruar të narkozës komuniste totalitare, nga e cila nuk lirohet dot, edhe pse po bën përpjekje. 

Evropa nuk ka luftë me myslimanët, por me ekstremistët në përgjithësi 

Nuk i pengojnë Evropës shqiptarët myslimanë, as turqit myslimanë, as algjerianët e marokenët, as kurdët e çeçenët.
Nuk është Evropa oazë antisemite franceze, atje ku aktualisht e ka qerthullin e vet Ismail Kadare. Për këtë intolerancë fetare, Franca gjatë vitit të kaluar ka paguar tagrin më të shtrenjtë të mundshëm, dhe më bëhet të besoj se ka marrë një mësim të mirë. I di Kadare këto, prandaj po i them.
Në kontinentin e Evropës jetojnë rreth 40 milionë myslimanë, ashtu sikurse jetojnë milionë të krishterë në vendet arabe dhe islame, dhe krejt kjo është paraqitje e një shkalle të lartë të tolerancës fetare. Natyrisht se ka raste ekstreme dhe ka dukuri devijonte, por ato përgjithësisht janë të lokalizuara. Ndërsa lufta kundër terrorizmit, dihet mirëfilli se nuk ka të bëjë me islamin, por me politikat e ndryshme botërore, në të cilat është implikuar administrata e presidentit Bush dhe jo gjithë Amerika, dhe jo gjithë bota e krishterë. Nuk ishte e tillë armiqësia me myslimanët në kohën e administratës së presidentit Klinton dhe në kohën e qeverisjes së presidentëve të tjerë para tij në SHBA. Edhe këto gjëra fare të thjeshta i di Kadare, por qëllimi i tij është abuzimi, qëllimi i tij është që të ikë sa më larg nga hija e dikurshme e totalitarizmit, të cilit i ka shërbyer aq besnikërisht, hije kjo e cila do ta ndjek deri në varr. Dhe këtë ikje Kadare e ka obsesion të pashëruar në shpirt. Për këtë dangë të zezë nuk i kemi faj, sepse te e fundit në një familje myslimane ka lindur edhe Ismail Kadare. Doemos se si fëmijë ndonjëherë mund të kishte shkuar në xhami, mund të ketë ngrënë hallvën apo bakllavanë e bajramit, mund ta ketë agjëruar ndonjë ditë të ramazanit. Nuk ka pse i vjen turp për atë kohë, për atë të kaluar, sot mbase të trishtueshme, sepse fiksioni i tij i sëmurë virtual është fiksion evropian, në një Evropë, në të cilën mjerisht lejohen shumë perversitete e amoralitete çnjerëzore, të cilat i ndalon krishterimi ashtu sikurse edhe islami, por i lejojnë dhe i mbështesin fuqishëm bosët kapitalistë të përfitimeve.
Askund, në asnjë kushtetutë të shteteve evropiane nuk është i sanksionuar islami, as hebraizmi dhe asnjë fe tjetër. As kushtetuta e Bashkimit Evropian nuk do të jetë kushtetutë e krishterë. S’ ka pse frikësohet Kadare, dhe nuk kanë kurrfarë arsye të frikësohen shqiptarët, se nuk po i begeniska Evropa, sepse qenkan myslimanë. Ka disa të vërteta në këtë paragjykim, por nuk ka urrejtje patologjike Evropa kundër islamit. Myslimanët në Evropë urrehen nga një pjesë e serbëve, e grekëve dhe e francezëve. Nuk mund të dëshmohet se spanjollët, gjermanët, anglezët, holandezët, austriakët, hungarezët, rumunët apo italianët janë urrejtës të islamit. Po flasim në përgjithësi për këta dhe popuj të tjerë, e nuk po flasim për vepra të izoluara të grupeve dhe qarqeve të caktuara ekstremiste, të cilat si raste paraqiten kohë pas kohe. Përse pra Kadare kërkon të hapë vetë portën e hapur, ndërsa akuzon të tjerët se qenkan fundamentalistë e ekstremistë?
Kush qenkan ata farë miq të tij të cilët paskan shfaqur dyshim ndërsa paskan paralajmëruar krizë në identitetin shqiptar? Se mos vetëm ai paska miq nëpër Evropë. Apo ndoshta mendon për veten e vet se qenka njëfarë prijësi, një farë “babai” shpirtëror i shqiptarëve, dhe shqiptarët u dashka ta pasojnë shembullin e tij. Kjo është prirje megalomane e tij, e trashëguar nga koha kur ai ishte “prijës” i letrave në Shqipëri, në kohën ku ishte një censor i rrezikshëm, i cili bënte batërdi. Sot kanë ndryshuar kohët, por nuk ka ndërruar mentaliteti gjithnjë i konvertuar i këtij njeriu shumë inatzi e hileqar.
Intelektuali i mirëfilltë evropian qoftë edhe i krishteri i mirëfilltë evropian, kurrë dhe në asnjë mënyrë nuk shprehet kundër kundërshtarit me gjuhën abuzuese të Kadaresë. Nuk ka intelektual të baraspeshuar në Evropë që i thotë kundërshtarit. “unë të përbuz dhe unë të përçmoj”. Këtë nuk e bën njeriu që ka maturi intelektuale, që ka shpirt njeriu, shpirt fetari islam apo të krishterë. 

Ikja nga vetvetja tregon mungesë të identitetit 


Dyshimet në identitet do të jenë të pranishme ndër ne, krejt derisa trojet e Shqipërisë së natyrshme të jenë të ndara dhe nën influencë të caktuar të gjitonëve me pikëpamje dhe bindje lindore. Pikërisht sepse nuk kemi arritur ta krijojmë shtetin e përbashkët kombëtar, sikur e kanë krijuar grekët, serbët, bullgarët e të tjerë, me territor kompakt, me ekonomi të përbashkët, pikërisht sepse na kanë ndarë dhe na kanë përçarë të huajt dhe disa nga prijësit tanë janë bërë vegla të të huajve, me qëllim për të mos lejuar bashkimin e kombit, shqiptarët do të kenë jo vetëm krizë identiteti, por edhe kriza ekonomike, sociale, kriza të cilat në të ardhmen do të manifestohen me tronditje të karakterit etnik, historik e shoqëror. Islami nuk është fajtor për këtë realitet. Sepse shqiptarët myslimanë jetojnë në pesë shtete të Ballkanit dhe në dhjetëra shtete të Evropës. Është gabim dhe hipokrizi naive të mendosh se po të pranonin shqiptarët krishterimin, Evropa do t’ i bashkojë në një shtet të vetëm.
Evropa ka pranuar ekzistencën e një shteti mysliman në Bosnje. Evropa ka në planë të pranojë edhe Turqinë në BE. Do ta pranojë edhe një pavarësi të kushtëzuar për Kosovën, edhe pse nuk bëhet fjalë për kushtëzime të aspektit fetar.
Është krejtësisht e shpifur dhe naive teza se po ta pranojnë krishterimin shqiptarët, Kosova do të bëhet e pavarur. Kësaj ideje naive i kishte vajtur prapa për shumë kohë edhe i ndjeri, Ibrahim Rugova. Kjo ide e mbrapshtë ka nxitur disa trutharë për të kërkuar konvertimin në të ashtuquajturin komb “kosovar”. Nuk është çudi kur ndonjë tjetër si këta papagaj të mimikrisë së neveritshme, në të ardhmen do të kërkojnë të krijojnë edhe kombin “dukagjinas” kombin “tetovar” e të tjerë.
Islami ndër shqiptar nuk mund të zhbëhet sipas tekeve të individëve, qofshin ata edhe shkrimtarë apo politikanë kontrovers, që anojnë herë krejt majtas e herë krejt djathtas, herë në anëtarësimin e Shqipërisë në Konferencën Islamike, herë në anëtarësimin e saj në BE.
Debati lidhur me këto fenomene mund të vazhdojë dhe nuk ka ndonjë të keqe, por është mirë të jetë debat i kulturuar, i arsyeshëm, i motivuar me fakte e argumente dhe i parë nga të gjitha këndvështrimet, historike, sociale, fetare, e pse jo edhe ideologjike. Dhe nuk ka debat normal atëherë kur tjetrit i drejton fyerje, përbuzje dhe urrejtje. Aty pushon debati i kulturuar dhe fillon urrejtja. Dhe kur fillon urrejtja thellohen ndasitë e vjetra, krijohen ndasi të reja. Dhe kur thellohen ndasitë, atëherë na sundojnë me lehtë të huajt dhe veglat e tyre shqipfolëse, qofshin ata me bindje islame apo të krishtera, apo ateiste.Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …