MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË TRYEZËN “RRITJA E LIDHJEVE MES SHKENCËS DHE INDUSTRISË NË KOSOVË”

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në tryezën me temë “Rritja e lidhjeve mes shkencës dhe industrisë në Kosovë”, e cila është organizuar nga projekti austriak HERAS. Ministri Bytyqi, me këtë rast, theksoi rëndësinë që ka kjo tryezë, e cila trajton një temë të rëndësishme dhe për këtë falënderoi organizatorin dhe shtetin austriak që po e përkrahë zhvillimin e hulumtimit shkencor në Kosovë. “Tema të tilla si kjo e sotmja kur flasim për shkencën dhe transferimin e dijes nga pjesa akademike te bizneset, vërtetë mendoj se janë temat më të rëndësishme dhe më të qëlluara që sot duhet të diskutohen në Kosovë”, tha ministri Bytyqi, pasi që theksoi se universitetet tona kanë nevojë të kenë zhvillim drejt fushës së hulumtimit dhe shkencës. Ministri Bytyqi tha se kohët e fundit ka pasur zhvillime nëpër universitetet e Kosovës, qoftë në ato publike, apo kolegjet private, por ka nevojë më shumë që të thellohet pjesa e hulumtimit në këto institucione. Ministri tha se ajo çka është vërejtur, është se të rinjtë tanë kanë qenë të orientuar kah përfundimi i arsimit të lartë dhe synimi për punësim në sektorin publik, që është edhe shkaku kryesor që nuk i është dhënë rëndësi shumë çështjes së hulumtimit dhe shkencës gjatë studimeve dhe pas tyre. “Mendoj se janë duke ardhur mundësi shumë më të mira për universitetet, kolegjet dhe nivelin e arsimit të lartë në përgjithësi. Sot ne kemi një bashkëpunim të madh ndërkombëtar. Jemi bërë anëtarë të shumë institucioneve të rëndësishme, ku të rinjtë tanë, universitetet dhe institucionet e ndryshme mund të aplikojnë dhe të kenë mundësi të shfrytëzojnë dijen e tyre përmes projekteve që mund të përfitojnë dhe të stimulohen për zhvillimin e shkencës dhe hulumtimit në Kosovë”, tha Ministri. Ministri Bytyqi theksoi se, në këtë drejtim MAShT ka një rol të rëndësishëm dhe shprehu gatishmërinë që së bashku me partnerët të krijohen kushte, qoftë ato infrastrukturore apo ligjore, por edhe sa i përket financimit. Pasi që theksoi se tashmë janë krijuar lehtësira ligjore për zhvillimin e kësaj fushe dhe bashkëpunimin e universiteteve me bizneset, ministri Bytyqi tha se po shikohen mundësitë që të gjenden mënyra që institucionet tona të arsimit të lartë të kalohen në sipërmarrës dhe t’iu lejohet që të kenë projekte që mund të sjellin edhe të ardhura dhe të zhvillojnë institutet brenda tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …