( 8. 5. 2008 )Bedri Islami: Njerëzit pyesin pse u burgos Sami Lushtaku?

 


Në momentin kur Sami Lushtaku, njëri ndër figurat më emblematike të luftës dhe të pasluftës në Kosovë, vendosi të paraqitej, me dëshirën e tij, për të vuajtur dënimin që i ishte dhënë që prej shumë kohe, ai e dinte fare mirë se ndërkohë disa struktura, edhe jashtë Kosovës, të shqetësuar nga ky fakt, po bënin të gjitha përpjekjet për të gjetur një rrugë të mesme, të ndërmjetme, në zgjidhjen e një çështje të mbetur pezull. Megjithëse mund ta kishte ditur se, hap pas hapi diçka mund të kishte ndryshuar, ai përsëri zgjodhi rrugën e tij: të vetëparaqitej, duke mos krijuar asnjë lloj precedenti.
Pse e bëri Sami Lushtaku një gjë të tillë?
Për një shkak të vetëm dhe themelor : sepse ai është mësuar t´i bindet ligjit të shtetit të Kosovës, edhe kur ai e ka menduar se ky ligj ka qenë i padrejtë, edhe kur e ka pasur të qartë se ligji i zbatuar nga njerëzit nuk është në të mirë të tij; edhe kur ai ka pasur rrugë e mundësi të tjera për të patur një devijim ndryshe.
Ky ka qenë i vetmi shkak pse ai ka bërë veprimin e tij më 8 maj 2008. Sado që është një veprim i dhimbshëm, ai ka në veten e tij edhe mentalitetin e saktë, tepër rigoroz ndaj ligjit, të një njeriu, jeta e të cilit, deri në vitin 1999, ka qenë jashtëzakonisht e dëmtuar nga ligjet e një shteti tjetër, ka qenë e dhimbshme, për vetë faktin, se jeta e Sami Lushtakut ishte e përqëndruar në përmbyjen e ligjeve të prapshta dhe në vendosjen e ligjeve të denja për një popull.
Megjithëse figurë e njohur publike, jetësore dhe politike, megjithëse kryetar i një komune, tashmë me emër në historinë e Kosovës, Sami Lushtaku bëri atë veprim, i cili, hedh poshtë të gjithë aktakuzën e ngritur rreth tij.
Nuk ishte i papritur fakti që të gjitha qendrat mediale të Kosovës e dhanë në lajmet e tyre më të rëndësishme këtë ngjarje. Ata, bënë mirë që nuk harruan të cilësonin vetdëshirën e Lushtaklut për të qenë i pranishëm, ku e kishin kërkuar. Kjo do të thotë se Sami Lushtaku është njeriu i duhur për mendimin politik dhe adminsitariv në Kosovë, pasi, duke qenë një figurë e njohur gjerësisht, ai dëshmoi se ishte në vazhdën e njerëzve, që megjithë kontributet e jashtëzakonshme, duan të trajtohen si të gjithë të tjerët, të njëllojtë, edhe kur të tjerët e kanë shkelur ligjin dhe nuk kanë qenë të njëllojtë.
Ngjarja për të cilën është akuzuar Lushtaku është krejt e rëndomtë, është njëra nga ata që mund të ndodhin jo një herë në jetën e Kosovës. Askush nuk mund të besojë, se mund të ketë ndodhur një ngjarje e tillë, të paktën se mund të ketë ndodhur në ato përmasa, sa të bëjnë një faj publik, të dënueshëm, në një shkallë të tillë, që për rastin është në kufijtë e ekstremes.
Në Kosovë ndodhin edhe dhjetra e qindra raste të tjerë, të cilët janë ku e ku më të rënda, megjithëse, sipas dosjes së këtij rasti, gjithçka që mund të ketë ndodhur, është tepër banale për të pasur një gjykim, me një pasojë të tillë. Për deri sa rasti ende nuk është bërë krejtësisht publik, për shumë vetë do të ishte e natyrshme të kishte një mister, pas së cilit mund të ishte pyetja: çfarë dhe cilin ka penguar në ushtrimin e detyrës Sami Lushtaku, sa për të pasur një gjykim disa herësh, vendime të ndryshme, deklarata dhe kundërdeklarata, tërheqje funksionarësh dhe rivendosje të dëshmive, deri sa më në fund është realizuar dhënia e dënimit.
E gjithë ajo që ka ndodhur të kujton një ngutje, tepër të kërkuar, për gjetjen e një shkaku në dënimin, edhe pse tepër të vogël ( kaq mund të bënin), por që është njëkohsisht edhe tepër i dëmshëm.
Në vitet e pasluftës Sami Lushtaku nuk është një njeri apo një përsonalitet politik e ushtarak, i cili nuk e ka ndjerë mbi vete, peshën e një mentaliteti të prapshtë, deri në dhimbje, kundër luftëtarëve dhe drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E vërteta është se pjesë të strukturave të ndryshme erdhën ose u forcuan në Kosovë me mendimin se ” këtyre të UÇK-së i duhet dhënë një mësim i mirë” dhe sipas mendimit të tyre, dhënia e “mësimit” do të ishte dënimi i tyre. Në jo pak raste janë gjetur ose krijuar edhe dëshmues të sajuar, figura të botës së gënjeshtrës dhe të krimit, për të qenë dëshmues të rremë në gjyqet që u ngritën për të dhënë këtë ” mësim”.
Ndaj Sami Lushtakut është tentuar disa herë, jo rradhë edhe me akuza absurde. Herë pas here, ditën apo natën kishte kontrolle në shtëpinë e tij, gërmime në oborr, mjerime absurde të një tendencioziteti të jashtëzakonshëm. Ka pasur një rast, pas marsit të vitit 2003, kur ai është arrestuar me pretendime tepër absurde, saqë u detyruan të pranonin edhe vetë dhe të linin njeriun e mirë Sami Lushtaku të vazhdonte jetën si gjithë të tjerët. Por në se dështuan një herë e disa herë, kjo nuk do të thotë se hoqën dorë. Kjo që po ndodh është vazhdë e atij mentaliteti.
Kam qenë i pranishëm, në shoqërinë e Sami Lushtakut, kur njeriu krejtësisht i lirë, përgjohej se ku shkonte e ku rrinte, me cilët takohej dhe me cilët fliste, kur pas maqinës së tij ecnin maqinat, në të cilën rrinin njerëz të cilët flisnin frëngjisht; kam qenë i pranishëm kur e ndalonin në rrugë për “hir të qejfit”, kur e shikonin sikur të ishte fjala për diçka që duhej ndëshkuar, e megjithatë, e megjithatë, Sami Lushtaku asnjëherë nuk trazoi askënd, nuk e ngriti zërin, nuk e ofendoi asnjëri që ishte në detyrë. Edhe kur pas perdeve të makinave i tregonin shenjat e pushkës snajnper, ai përsëri nuk u tendos, nuk provokoi, nuk bëri asgjë që të ishte e dënueshme.
Edhe në dy ditët e fundit, sipas informacioneve tepër të besueshme, ai ishte nën përgjimin e strukturave të caktuara, të cilët prisnin se çfarë do të bënte ai, sepse duke e ditur se nuk kishte kurrë farë faji, ai do të mund të rebelohej, ashtu si rebelohet njeriu i pafajshëm. Mirëpo u gabuan përsëri, pasi kishin të bënin me një njeri që kishte luftuar gjithë jetën e tij për të pasur shtetin e tij, me ligjet e tij, të cilave ai do të ishte i pari që do i bindej. Edhe kur, të ngritura prapsht, ata ishin kundër tij.

Ka dy gjëra që të bëjnë përshtypje :
Së pari, sipas mediave, ai është dënuar nga një gjyqtar ndërkombëtar. Një rast i tillë, edhe sikur të ishte i vërtet, nuk ka asnjë lloj arsye të kishte një gjykim ndërkombëtar. Në se për çdo zënie a pengim të kryerjes së detyrës do të kishim në Kosovë gjyqtar ndërkombëtar, atëherë ata do të merreshin vetëm me këto punë, ose më saktë, në se do të kishin vetëm këtë detyrë, më mirë të shkonin në shtpitë e tyre dhe me rrogat e tyre mund të mbahej krejt sistemi gjyqësor në Kosovë. U bë gjyqi nga një gjyqtar ndërkombëtar, jo se nuk e dinin se Sami Lushtaku ishte një njeri që i bindet ligjit, por për të trasuar një fakt të dyshimtë: nga një njeri i tillë mund të ketë dhunë… Sami Lushtaku dëshmoi se nuk është një njeri që e njeh dhunën.
Së dyti, si është bërë e njohur, akuza ndaj Lushtakut, ka filluar që në vitin 2007 për të ardhur deri me 8 maj, kur është bërë edhe dorëzimi i Lushtakut, pas kërkesës së ndërkombëtarëve. Është bërë tani, si për të dashur tu thonë dhunuesve serbë, se megjithëse ju po bëni zgjedhje ilegale, krejtësisht në kundërshtim me ligjet e shtetit të Kosovës, ne përsëri po ju japim një kënaqësi: ndërsa ju zgjidhni organet tuaja ilegale, ilegjitime, ne po burgosim kryetarin e pushtetit të ligjshëm, pikërisht të asaj zone, nga ku filloi thyerja juaj e pakthyeshme. Dhuratë më të mirë se kjo nuk mund të bëhej. Ndërkohë pas urës së Ibrit bredhin njerëz që kanë bërë vrasje, njerëz të dhunës, jo rradhë shqipfolës, ata dalin në fotografi me zyrtarë të policisë serbe, dhe megjithëse thuhet se gjithçka është nën kontroll, askush nuk flet.
Fakti, i pazakontë, por jo i pamenduar, që Sami Lushtaku, kryetari i Komunës së Skenderajt, burgoset pikërisht tani, në prag të zgjedhjeve të paligjshme serbe në Kosovë, të duket sikur është diçka krejt tjetër…por në të vërtetë nuk është ashtu. Ai është një shembull që flet më shumë se burgosja e një njeriu për katër muaj. Deklaratat zyrtare qeveritare do të bënin mirë të ndaleshin në këtë të ardhme… të cilën , nëse nuk munden ta ndalojnë, të paktën ta bëjnë publike.
Njerëzit pyesin : pse u burgos Sami Lushtaku? Nuk do të marrin kurrë një përgjigje të saktë, pasi, edhe ata që e kanë dënuar, nuk e dinë mirë pse e kanë dënuar.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …