Fehmi Ajvazi: FENOMENI I KRIZËS SË PUSHTETIT NË DEMOKRACI

Krizat që përfshijnë sot një shoqëri, problemet e ndryshme që përfshijnë një vend të organizuar nga aspekti shtetërorë, krizat që përfshijnë një sistemit dhe kështu me radhë, rëndom ne i kuptojmë si kriza që prekin një grup njerëzish, një komunitet, një qeveri apo levat qeverisës, dhe vet shtetin etj. Në akceptim të parë, ne i kuptojmë krizat si diçka normale ngase ato janë të shpeshta dhe të prekshme dhe mund të kuptohen si kriza që lidhen me fushat sociale, të punësimit, të legjislacionit, pastaj si kriza politike, të qeverisjes. Kur është fjala për pushtetin dhe qeverisjen, ne padyshim i akceptojmë ato si “kriza të pushtetit”, pavarësisht nga fakti se çfarë sistemi kemi dhe, gjithsei edhe si kriza të menaxhimit qeverisës. Në fakt, me kriza nënkuptojmë situatat jostabile, ato situata që shfaqen në dimensione të gjëra në shoqëri, situata që prodhojnë pasoja të dukshme dhe që reflektohen në thelb të jetës publike, që reflektohen me sasinë e shfaqjeve, me format dhe, edhe me periudhat kohore. Krizat, dallohen edhe për nga shpërthimi, efekti, diamensioni, ndikimi etj. Më shkurt, eklipsi i krizave deri te situatat e shpërthimit, kthehet pandalshëm në një fenomen shoqëror e shtetërorë. 

Krizat, deformimi i vazhdueshëm individual, grupor, shoqëror, shtetëror… 

Disa shoqëri në etapa të ndryshme historike, janë të prirura të ndërtohen brenda kornizave jostabile dhe të këtilla të frymojnë me vite e dekada, pa gjetur dot rrugë për të dalë nga diametri i krizave. Shoqëritë e reja në lindje e sipër, shtetet e brishta, klasat e ndryshme me divergjenca të theksuara politike dhe ekonomike, kulturore, arsimore mbisundohen nga fryma konfliktuoze dhe manipulative dhe rëndom shquhen me cikle dhe ricikle të acaruara krizash: nga ato sociale, deri te krizat shoqërore – civile me pasoja zingjirore. Vendet afrikane, aziatike, ato latinoamerikane janë shquar gjatë gjithë shek. XX –të me universin e krizave gjithfarëshe që prej atyre sociale, e deri të koncliktet dhe luftërat civile e ndërshtetërore. Dy fenomene të theksuara i kanë shquar këto shoqëri: luftërat civile dhe, grushtetet. 
Në botën arabe, gjithashtu ka dominuar dhe dominon edhe sot jostabiliteti, fryma e konflikteve, paqartësia në rregullimin dhe qeverisjen shoqërore, varfëria etj. Fenomeni i krizave të ndryshme në botën arabe mund të determinohet si fenomen i paqartësisë së identitetit fetar që përplaset në luftën mes dy formave të ritit: atij shiit, dhe atij suni. Është si një ligj i pashkruar që krizat e nrdryshme në këto vende dtermionhet me varfëri të thella, me papunësi, me analfabetizëm, me vetëdije të ulët socio – kulturore etj. Aakceptimi i shumë nga këto vende i sistemit të demokracisë ose të gjysmëdemokracisë, nuk ka ndihmuar dhe as nuk ka ndikuar që demokracia të kthehet në sistem që do të duhej të përdorej në atë mënyrë që shoqërita dhe shtetei të krijojnë gjendje stabile – normale qoftë për vetë shoqërinë dhe shtetin qoftë për sistemin. 
Gjenerimi i krizave, riciklimi, prania e tyre qoftë edhe në forma të heshtura – të padukshme gjithandej, ndikon që të krijohen grupet joformale që përpiqen ta kontrollojnë shoqërinë, grupet joformale që përpiqen të ngrihen mbi shtetin, elitat e paskrupullta, shtresa politike dhe partiake që lidhen ngusht me krimin e organizuar duke tentuar vazhdimisht të futen në palcë të institucioneve shtetërore etj. Krizat prekin intereset tona themelore, integritetin tonë personal, gruporë, shoqërorë, nacional etj. Krizat reflektohen me shtjellën e tyre në zhvillimin tonë moral e intelektual, ndikojn në zhvillimin e familjes dhe të rrethit familjar, ndikojnë në zhvillimin e grupit, në jetën publike, por edhe në sferat politike, administrative, ekomoke, akademike, kulturore etj. Duke ndikuar në individualietetin tonë fillimishtë, në kolektivitet, në shoqëri krizat godasin publikun, kategoritë e ndryshme shoqërore, qytetarin pa dallim. Ato, krizat bëhen shkas i pengesave dhe pasojave në sferat e ndryshme private dhe publike duke e penguar zhvillimin, ngritjen dhe vizionin tonë të përgjithshëm. Shfaqja e tyre përcillet me ndikime dhe zhvillime mjaft negative në segmentet prioritare: në etno- psikologji, në formimin personal – individual, në ngritjen e vëtëdijes dhe arsimimit tonë, në qeverisje, në prodhim dhe ekonomi, në rendin ligjorë, në rendin e sigurisë etj. Krizat, po të ngriten në shkallë të gjërë – gjithpërfshirëse, shkaktojn akte jostabiliteti deri në protesta, në reagime nga më të ndryshmet duke dalë në momente të caktuara edhe nga kontrolli. Ato, krizat bëhen shkaktar të prishjes së rendit dhe të sigurisë normale. Krizat pastaj lëkundin fushat e identitetit, bëhen shkaktar i degjenerimit të ashpër, bëhen faktorë të shëprthimit të dukurive negative dhe gjithnjë pasohen me refleksione në zhvillimin e përgjithshëm dhe në standardin tonë jetësorë. Krizat që prodhojnë varfëri, humbje të vizionit prosperues, deformime sociale dhe papunësi në shkallë të gjërë shoqërore, pastaj ato që prodhojnë analfabetizëm janë shkaktar të ndërtimit të egove dhe personaliteteve tona të deformuara duke ndikuar në grupizimin e kategorive kriminale siq janë bartësit dhe përdoruesit e drogës, të prostitucionit, të alkoolizmit etj. 

Ngritja e vetëdijes dhe ndërgjegjësimi shumëdimensional, probleme të botës në zhvillim 

A është primare që një shoëri dhe një shtet të jetë i zhvilluar ekonomikisht për të qenë perspektiva dhe gjendja, kryesisht stabile ? Nuk ka asnjë dilemë që faktori ekonomik përcakton rrjedha stabile, perspektivë, rend dhe siguri mirëpo, shoqëritë e ndryshme dhe shtetet e ndryshme vuajnë nga modelet e organizimit të tyre dhe nga shkalla e inteligjencës dhe fuqisë organizative për t’i përcaktuar rrjedhat e zhvillimit dhe të qeverisjes, proceset që sjellin ndryshime, vuajnë për faktorët dhe shkallën që nxitë ndryshime pozitive. Gjithandej, mungon vazhdimisht një rreshtim i qartë, serioz, aktiv në suaza të konceptit “kohë”, “ndryshim”, “perspektivë” etj. Teoria e varësisë ( modeli qendër / periferi , beson që shoqëria e sotshme botërore ka një strukturë hierarkike e cila në pikëpamje historike, është krijuar nga zhvillimi i tregut kapitalist botërorë, rritja dhe ndarja ndërkombëtare e punës. Mirëpo, kjo nuk është edhe aq e saktë. Ani që të gjithë besojnë se fjala është për modele tradicionale të organizimit dhe vetqeverisjes që lidhen shumë me shkallën e zhvillimit ekonomik, mirëpo sot është koha të pranohet se shoqëritë dhe shtetet, grupet, klasat, kombet vuajnë nga shkalla e vetëdijësimit dhe e emancipimit në rend të parë, dhe jo gjithmonë për gjigantët si “Gjeneralmotors”, “Toyota”, “Gazprom”…etj. 
Vuajnë, mbase edhe për energjinë dhe fuqinë e organizimit dhe të diciplinës, të seriozitetit organizues dhe vetqeverisës etj. Pse Sllovenia ishte republika më e zhvilluar në ish Jugosllavi ? Pse ky vend, edhe pas ndryshimeve dhe tranzicionit rregullativ të sistemit dhe rendit qeverisës, vazhdon të jetë një nga shtetet më stabile dhe më të zhvilluara në rajon. Të gjithë besojnë dhe vazhdojnë të besojnë se kjo republikë, ishte e privilegjuar nga sistemi dhe shteti, nga liderët politik, nga partia mirëpo, fare pak kush e ka analizuar edhe sot faktin që sipas sondazheve të kryera para tri – katër vjetësh ka një rezultat tmerrësisht fascionues: sllovenët, janë krahas japonezëve; shoqëria dhe populli që e respekton më së shumti orarin e punës, pra diciplinën në punë ! Në Lubjnanë, një gazetë ditore shitet që me mëngjes deri në 70 mijë kopj e ndërsa që në Kosovë ta zëmë, një tirazh i këtillë i 8 gazetave ditore mezi shitet për 10 ditë ! 
Ekziton gjithandej një bindje se, dhe teoria e varësisë konfirmon se “qendra” e cila përbëhet nga vendet e zhvilluara kapitaliste ( SHBA, Anglia, Franca, Gjermania, Japonia etj. ), pra nga vendet e industrializuara, nuk lejojnë që të zhvillohen vendet e “periferisë” – do të thotë vendet në zhvillim për shkak se, kjo do ta zvoglonte varësinë e shteteve më pak të zhvilluara nga vendet e botës së parë dhe këto vende, do të përbënin një konkurencë për to. Italia, relativisht është një vend i zhvilluar por krizat qeveritare, krizat sociale (grevat ), mafia dhe difektet e tjera shoqërore e shtetërore, e kthejnë këtë vend vazhdimisht në qendër të cikloneve. Prandaj, jo gjithmonë dhe sidomos, jo në embrion koncepti “zhvillimi ekonomik” është parakusht crucial që të ndërtohet një rend stabil dhe me elemente të perspektivës ! 

Racionaliteti qeverisës: rruga e mesme në mes të politikës së institucionalizuar dhe zhvillimit të standardizuar ekonomik 

Krizat, prodhojnë gjendje latente – anormale duke i shtyrë njerëzit në refuzime dhe demonstrime të organizuara, në revolta që mund të shprehen me rrënime, me greva, me pëprjekje për ndërrime qeveritare, të sistemit etj. Situatat e ndryshme që kanë prodhuar kriza të thella dhe të pariparueshme në të kaluarën por edhe sot, kanë quar dhe qojnë në ndërrime të pushtetit, të sistemit madje, edhe në prishje të shtetit. Historikisht, lloje të ndryshme të krizave me përmasa të gjëra shoqërore – ndërkombëtare janë shfaqur gjatë shek.XIX dhe XX –të në formë revolucionesh të ndryshme, në formë grusht – shtetesh, në formë luftërash civile e ndërshtetërore etj. 
Edhe sot, jo pak, krizat dhe jostabilitetet shoqërore e shtetërore janë duke impenjuar modele të reagimeve të ndryshme, disa herë duke u kthyer në fenomene të vërteta ! Problemet e moralit dhe të etikës, të identitetit, të familjes, të religjionit, të ego – individualitetit, të personalitetit, të ngritjes arsimore, të formësimit intelektual etj. janë duke u pasuar me humbje të kontrollit individual dhe gruporë, shoqërorë përballë modernizmit dhe revolucionit tekniko – shkencorë, përballë revolucionit elektronik, përballë integrimit, globalizimit dhe në gjendje të këtilla, bota ballafaqohet me akte dhe vepra disa herë të tmerrshme. Një student në SHBA, vrau pa ndonjë shkas të caktuar 32 student në Universitetin e Merilendit, në muajin prill ( 2007 ). Masakrat si kjo, janë duke u pasuar gjithnjë e më shumë, dhe faktorët që nxisin fenomene janë nga më të ndryshmet. Ndërkaq, nuk dihet shkëncëtarisht nëse refleksionet negative të zhvillimeve të botës sonë moderne në sfera të ndryshme të jetës, janë “apokalipsi” i shkallimeve të individit dhe humbja e vizioneve për të ardhmen. Jo, padyshim që jo. 
Këto gjëra, janë më shumë pasoja të mosorganizimit tonë të përgjithshëm dhe të moseriozitetit tonë në ndërtimin e fushave të shëndosha brenda korniza të jetës sonë private dhe publike. Padyshim, jemi duke i anashkaluar sfidat me të cilat ballafaqohemi dhe po kthehemi në armiq të mëdhenj të “kohës” dhe të “perspektivaveve” drejt një bote të paqëndrueshme dhe jostabile. Sa dhe si jemi të rreshtuar përballë proceseve moderne – integruese ? Sipas Hantingtonit, aspektet kryesore të modernizimit janë: urbanizmi, demokratizimi, shekullarizmit, edukimi, zhvillimi i medias dhe, industrializimi. Cilat nga këto elemente ta zëmë dhe, a kanë arritur një shkallë të kënaqshme zhvillimi në Kosovë, gjithandej në viset shqiptare ? A jemi në fokus të ndërtimit të një demorkacie moderne dhe të një pushteti politik dhe ekonomik modern ? Jo, padyshim jo. Ndërkaq edhe nëse jemi duke tentuar që ta bëjm këtë, jemi fare larg krijimit të standardeve që nevojiten. Dhe kësisoji, është e pamundur t’u ikim krizave dhe fenomeneve që shkaktojnë krizat. Jo të paktën, pa depërtuar thellë në fushat e organizuara – jetike për t’u bërë pa pardon “rob” i tyre, gjithnjë në përfitim të një modernizmi konkurues. 
Kosova ose ne, jemi larg të qenurit në vorbullin e një modernizmi të përparuar, perspektiv. Ku lypset kërkuar fajin nëse jemi pra në këso gjendjesh jostabile dhe brenda diametrit të krizave pavarësisht nga sistemi demokratik që kemi dhe, që e aspirojmë ta ndërtojmë ? Natyrisht, te përkufizimi i kohës dhe i proceseve mbi bazën e një vetëdije të arrirë, mbi bazën e një organzimi serioz, të ligjshëm dhe të ligjësuar maksimalisht, mbi bazën e respektimit të punës dhe të përgjegjësisë etj. Por kush vepron kështu në Kosovë ? Pothuajse askush, madje as ndërkombëtarët. Por çka na interesojnë ndërkmbëtarët në këtë drejtim, kur jemi kaq të rrethuar me rendin demokratik, me modernitetin, me shtetet dhe regjionet e përparuara evropiane ? Padyshim, ndodh e kundërta: në qeverisje, në arsim, në kulturë, në ekonomi etj. Pas tetë vitesh të çlirimit nga administrimi dhe okupimi serbë, sot kemi një qeverisje dhe një administratë, një pushtet që në mënyrë skandaloze dhe të çuditshme ka arritur të krijojë jo rend perspektiv, por ka arritur të krijojë një anarki të llojit të vet në të gjitha fushat e jetës. 
Vetëm për çështje pronësore që nga viti 1999 janë shkaktuar rreth 1000 vrasje, kurse më shumë se 325 veta kanë bërë vetvrasje, një dukuri kjo krejt e panjohur në hapësirat tona deri para një dekade që është ktheyr në fenomen të llojit të vet. Qindra mijëra dosje, flejnë në prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës ndërkaq, auditimi që është duke u bërë në institucionet e pushtetit lokal dhe të atij qëndrorë, askund nuk rezulton i pranueshëm dhe pa probleme. Papërgjegjësia, joefikasiteti qeverisës, nepotimzi, korrupcioni, kriminaliteti i organizuar, destruktiviteti moral dhe ligjor, varfëria janë prodhimi ynë i pafshehur, i qeverisjes dhe lirisë. Thellimi i kostos së jetës, vrasjet dhe vetvrasjet, plaçkitjet, deformimet shoqërore janë kriza të cilat secila më vete, është duke u kthyer po ashtu, në fenomen më vete. Rezultati është ky: s’ka stabilitet politik dhe ekonomi të qëndrueshme dhe sikur mos ta kishim sfidë kruciale statusin, kjo qeverisje s’do të përballohej as gjashtë muaj nga populli. 

Ndërtimi i institucioneve të forta dhe stabile, prioritete të qeverisjes sonë 

Ne duhet ecur dhe duhet hyrë vazhdimisht në proceset e ndryshimit të disa vlerave të deridjeshme, të thyrjes së klisheve tradicionale të organizimeve tona të kaluara, në racionalizimin e autoritetit, në mobilizimin më të madh të grupeve sociale, në diferencimin e strukturave në mënyrë që të ketë më shumë pjesmarrje civile dhe sociale në ndërtimin e institucioneve, në qeverisje dhe pushtet etj. Në anën tjetër, “ndryshimet sociale dhe ekonomike sjellin rritjen e ndërgjegjes ekonomike si dhe ngrisin shkallën e zhvillimit institucional dhe e gjithë kjo sjell stabilitet politik”, thotë dr. Hysamedin Ferraj. Mirëpo, s’duhet bërë disa hapa pa mësimet e mira të Hantingtonit sa do që modernizmi sjell stabilitet, ngase ky reflekton edhe teorinë tjetër se modernizmi shkakton edhe destabilitet. Hangtingtoni tërheqë vërejtjen që ndryshimet sociale nuk bën të jenë të shpejta, dhe mobilizimi i grupeve të reja në politikë dhe zhvillimi i ulët institucional, janë rrezik për destabilitet. Të tri këto gjëra, ndodhin në meset tona qoftë në Shqipëri, në Kosovë apo edhe në disa vende të Ballkanit. Pra, rritja e destabilitetit lidhet me mungesën e institucioneve të forta politike si dhe me rrezikun që sjell zhvillimi i pakontrolluar ekonomik i cili shton mirëqenien, por krijon edhe frustracion social. Sipas Hantingtonit, zhvillimi ekonomik dhe stabiliteti politik janë dy qëllime të ndryshme sepse, pikërisht vendet në tranzicion kanë shprehur shenja destabiliteti. 
Siq mund të kuptojmë, kërkohen studime dhe analiza të shumëta që lidhen me traditën e qeverisjes – organizimit, me rrugët e zhvillimit politik dhe ekonomik, me rrugët e ndërtimit të institucioneve, me nevojat për ngritje dhe emancipim, për ndërtim të shëndoshë të institucioneve, për media dhe kultura politike me të cilat, mund të ecim përpara. “Pëlcitja e trurit” ose shpërthimi si pasojë e krizave dhe e konflikteve të ndryshme, vjen pastaj edhe nga shkaku se njerëzit e humbin besimin në shoqëri, në shtet, në sistem, në identitet, në religjion etj. Individi dhe shoqëria me vizione të lënduara shumë, prodhon sjellje dhe procese që mund të jenë mjaft destruktive, madje fenomene të rrezikshme dhe pastaj, mund të na duket paksa e çuditshme pyetja: a, edhe në sistemin e demokracisë mund të shpërthejnë krizat – fenomenet e thella me pasoja afatgjate ?

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …