Në kohën kur mekanizmat vendimmarrës ndërkombëtarë po bëjnë përpjekje të gjithanshme për ta definuar disi statusin e ardhshëm të Kosovës, stafi i Grupit të Unitetit, pas shumë konsultimesh, shtyrjesh e mospajtimesh më në fund vendosi të shpallë edhe zyrtarisht konkursin për simbolet e entitetit të ardhshëm shtetëror, fillimisht për flamurin dhe stemën e Kosovës. Për Himnin e ardhshëm aktualisht nuk po bëhet fjalë, meqë ai mund të kompozohet vetëm me efekte muzikore, meqë nuk do të lejohet që teksti i himnit të intonohet në gjuhën shqipe, natyrisht as në gjuhën serbe, me siguri as në gjuhën angleze, meqë një himn në këtë gjuhë nuk do të kishte fare kuptim, edhe pse Grupi i Unitetit do ta pranonte pa rezervë
Në përkufizimin e përmbajtjes së flamurit të Kosovës, Grupi i Unitetit ka sanksionuar përmbajtjen kombëtare shqiptare apo serbe të flamurit, i cili nuk do të ketë asnjë shenjë identifikuese kombëtare nga historia e popullit tonë në rrugën dhe luftën e vet të gjatë, të mundimshme dhe të pareshtur për liri, ruajtje të identiteti dhe bashkim të kombit.
Mund të afishohet qysh do qoftë nga dukja “lecka” e ardhme që dikush do ta quajë flamur, por kurrsesi nuk do vendoset në të shqiponja dykrenare e Skënderbeut, as ngjyrat kuq-zi, të cilat identifikojnë historinë e popullit shqiptar nëpër shekuj. Dhe kujt do t’ i shërbejë një flamur i tillë?
Ai flamur, i cili do të jetë i pranueshëm nga ndërkombëtarët, do të jetë i pranueshëm edhe për anëtarët e Grupit të Unitetit, ashtu sikur do të jetë i mirëseardhur dhe për fëmijët, familjet e farefisin e këtyre njerëzve të Unitetit, të cilët tashmë aq shumë janë moderuar sa nuk kanë nevojë më për asnjë simbol kombëtar, madje ndoshta nuk kanë nevojë as për gjuhën shqipe, nëse kanë arritur ta mësojnë si duhet ndonjë gjuhë tjetër.
Grupi shumë i moderuar i Unitetit, grupi kozmopolit “proamerikan”, “proevropian”, këtë vendim antikombëtar e ka marrë pa e pyetur popullin por as Kuvendin, meqë dihet se nuk janë kuvendarët e Kosovës ata që do t’ ia prishin Grupit të Unitetit, pasi që edhe këta deputetë që marrin rreth 2 mijë euro paga mujore, unanimisht e kanë pranuar planin e Ahtisarit lidhur me përkufizimin e statusit të ardhshëm politik të vendit.
Vetëm iluzionistët mund të jenë zhgënjyer nga ky grup, i cili për fatkeqësinë tonë kombëtare ka qenë dhe po mbetet unik në të gjitha aspektet, sidomos në çështjet madhore, kruciale, ku nuk do të duhej të ishte i tillë, ndërsa është i përçarë dhe shtyhet me bërryla, vetëm kur janë në pyetje vjeljet e favoreve dhe përfitimeve, që sjellë pushteti anarkik dhe i pakontrolluar nga ligji. Mirëpo dihet se projekt-propozimin për simbolet e ardhshme të vendit e ka imponuar në radhë të parë “pakoja” e Ahtisarit “shumë e mirë dhe shumë e përshtatshme për shqiptarët”. Natyrisht se ata që janë pajtuar me përmbajtjen e kësaj pakoje, kanë pranuar edhe ndërrimin e identitetit të simboleve, ashtu sikur kanë pranuar ndarjen e Kosovës në procesin, gjoja të decentralizimit, ashtu sikur kanë pranuar shpalljen e zonave eksterritoriale rreth kishave e manastireve serbe, ashtu sikur kanë pranuar krijimin e dhjetëra komunave serbe brenda Kosovës, ashtu sikur kanë pranuar shpërbërjen e TMK-së dhe ashtu sikur kanë bërë edhe kompromise të tjera, të cilat nganjëherë, si në shaka, i kanë quajtur madje edhe “kompromise të dhembshme”. Këta do të pranojnë edhe kthimin e ushtarëve rusë në enklavat serbe, për të treguar sesa të dëgjueshëm dhe sa të moderuar janë.
Simbolet e propozuara të Grupit të Unitetit, simbole këto të shpërfytyruara dhe të pa identitet, nuk do të pranohen nga shqiptarët liridashës të vendit, as do të nderohen, as do të respektohen. Simbolet e tilla me siguri se do ta kenë fatin e flamurit të Ibrahim Rugovës, do ta kenë fatin e flamujve të pushtuesve të ndryshëm, sepse ky popull nuk do të lejojë të shpërfytyrohet dhe të heqë dorë vullnetarisht nga identiteti i vet kombëtar, meqë pikërisht për ta ruajtur këtë identitet ka luftuar, ka rënë e është ngritur sa e sa herë gjatë historisë, dhe gjithçka ka ruajtur me gjakun e vet të kuq në fushën e zezë dhe shumë të rrëshqitshme të historisë. Pazari i keq politik që po bëhet lidhur me simbolet, do të vazhdojë edhe në segmente të tjera. Ditë më parë anëtari i stafit të këtij Grupi, Veton Surroi, ka deklaruar në Rahavec se paska rrezik të ndodh edhe ndarja e Kosovës! Mirëpo, ky Surroi i super moderuar nuk ka dhënë shpjegime se kush i ka krijuar kushtet për një ndarje të tillë, ndarje kjo e cila së shpejti do të bëhet edhe “de jure”, nuk ka treguar se kush e ka mundësuar krijimin e enklavave serbe në Kosovë, nuk ka shpjeguar fare se a ka pasur qoftë edhe një rast të vetëm ku këta unitetistët të mos jenë pajtuar me mentorët e tyre ndërkombëtarë?
Surroi dhe anëtarët e tjerë të “Grupit të Unitetit” mendojnë se edhe kësaj radhe mund të nxirren dhe mund të dalin fitues në planet e tyre të mbrapshta dhe antikombëtare. Të tillët, asnjëherë dhe në asnjë periudhë kohore nuk kanë mbetur pa e marrë të paktën mallkimin e popullit për veten dhe për sojin e tyre. Ndonjëherë kanë marrë edhe diçka më shumë.
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …