Angazhimi disa vjeçar i amerikanëve në Irak, Iran, Siri, Afganistan, Korenë Veriore, kanë shtuar dukshëm përqëndrimin e politikës së jashtme amerikane në zonat më të skuqura të globit. Kosova vetëm konsiderohet një problem i vjetër që do qasje të re, por deri më tash administrata e Bushit këtë e ka shikuar si çështje të zgjidhur nga paraardhësi i tij, presidenti Clinton. Shprehur më mirë pozicioni politik dhe diplomatik i Kosovës, menjëherë pas hyrjes së trupave të NATO-s ka qenë shumë më i qartë, dhe mos zgjidhja e statusit të Kosovës deri më tash është vërtet zhgënjyese, dhe kjo ka futur Ballkanin në rrugë qorre, si qëndrimi i rumunëve etj. Kjo po e rikthen problemin e Kosovës në fillim, janë harruar krimet serbe në Kosovë dhe në ish Jugosllavi, ndërsa problemi kosovar shikohet me tjetër dioptri. Nuk mund të gjenden fjalë arsyetimi për politikën sterile të udhëhequr nga lidershipi i deritanishëm kosovar.
Vetë procesi i shtyrjes së statusit shprehte mosguximin e tyre politik për të përshpejtuar përfundimisht zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Humbja e madhe e kohës pas zgjedhjeve nacionale për të vendosur qeverinë stabile, dy herë radhazi, pastaj votimi i përsëritur disa herë tregoi mos gatishmërinë e liderëve politikë për të krijuar strategjinë e realizimit opercional dhe kohor të pavarësisë.
Deklaratat boshe se pavarësia e Kosovës është akt i kryer dhe pritet vetëm njohja formale e saj, ishin vetëm sllogane stereotipe të një politike të dështuar. Me e keqja ishte se këtë rezon politik e përqafuan të gjitha subjektet politike, pa përjashtim, duke qenë në ethe se nuk do të jenë degustatorë të tortës “Pavarësi”. Kjo zvarritje gjithnjë e më tepër po zhgënjen qytetarët e Kosovës, deri sa administratorët lokalë por edhe ata në nivel të ministrive iu përveshën punës më profitabile, vjedhjes dhe keqpërdorimeve të mjeteve të buxhetit publik, por edhe të abuzimeve të mëdha financiare në kompanitë publike si në KEK dhe PTK, por edhe në agjensitë tjera qeveritare. Mungesa e disiplinës finansiare në të gjitha ministritë, dhe moskuptimi se statusi i Kosovës le që nuk po zgjidhet, por përkundrazi Kosova po sharron gjithnjë e më shumë në valët e krimit dhe korrupsionit, për çdo ditë po tregon se lidershipi kosovarë ka humbur ndjenjën e realitetit, dhe është në distancë të madhe nga kërkesat e qytetarëve por edhe nevojave të tyre.
Vakumi i krijuar nga plogështia e UNMIK-ut, Grupit të Kontaktit, Unionit Evropian dhe Këshillit të Sigurimit, i lejoi Serbisë kohë të mjaftushme për këndellje politike, në mënyrë që ajo të rikthehet përmes Rusisë në të gjitha institucionet ndërkombëtare ku vendoset për fatin e Kosovës, bile mund të thuhet që Kosova është në sofrën e dytë. Bisedimet e stërzgjatura për decentralizim dhe klithjet fëmijërore të gëzimit se pas shumë kohësh po shkojnë në sheti pikniku në Vjenë, për shumicën e pjesëmarrësve ishte kontakti i parë me menynë evropiane, prandaj ishin të magjepsur nga bollëku vjenez, por edhe nga era e verës. Serbia shfrytëzoi maksimalisht dorën e ofruar nga lidershipi kosovar, ajo ishte gjithnjë më prezente në bisedime me delegacionet e huaja. Kjo prodhoi edhe prezencën dhe ofensivën e Serbisë në lobizëm duke angazhuar Korporatën “Barbour Griffith & Rogers”, qė tė lobojė pėr ta dhe kundėr Pavarėsisė sė Kosovės. Kontaktet serbe me këtë firmë u zhvilluan ratësisht, dhe ka të bëjë me kontratën e nënshkruar nga firma serbe “Pinki” me BGRI (Barbour Griffith & Rogers Incorporation) për t’i përfaqësuar intereset e firmës beogradase në Misisipi, guvernator i së cilës rastësisht ishte Hali Barbur, themelues dhe pronar i korporatës. Përndryshe “Barbour Griffith & Rogers” kanë punuar në fushatën e Bush-it gjatë vitit 2000, në mesin e klientëve të tjerë janë “Delta Air Lines”, Lockheed Martin dhe qeveria e Meksikos…
Meqë administrata e Bushit nuk e shihte çështjen e Kosovës ndonjë problem me prioritet, Serbia intensifikoi aktivitetin diplomatik, për të dëshmuar para botës se fajtor për tragjedinë ishte Millosheviqi, dhe se tash është koha për shfajësim, kinse ajo është palë e dëmtuar në luftë dhe thirret vazhdimisht në rezolutën 1244 për të fituar të drejtën që Serbia të mos anashkalohet në procesin e vendosjes së statusit final të Kosovës. Në kohën kur Ahtisari përgatitej të hapte pakon, ai u bombardua nga qeveria serbe për të shtyrë vendimin, në këtë kishte ndikim edhe ofensiva e Serbisë në Washington dhe SHBA, siç ishin “letra e 20 senatorėve dhe kongresistėve drejtuar presidentit Bush, Fushata e Artemijes dhe koalicioni potencial me evangjelistët amerikanë, Robertson dhe Farell, letra e senatorit Vojnoviq pėr Bushin, ku ai qorton presidentin pėr shpejtimin e çështjes sė statusit tė Kosovės dhe kėrkon ndėrhyrjen e tij tek faktorėt relevantė, pėr shtyrjen e statusit derisa tė kryhen zgjedhjet nė Serbi”. Pala shqiptare e dozuar deri vonë me pavarësi kishte lënë anash angazhimin e përhershëm deri në zgjidhjen definitive të statusit.
Shumica e organizatave shqiptare në Amerikë kujtonin që kishin kryerë misionin shekullor, prandaj edhe lobimi i tyre ishte i pavrejtur, nuk ishte as për së afërmi si në kohën e luftës, ndoshta për këtë mund të fajësohen liderët shqiptarë që i mësynë “bereqetit” që sillte pushteti, duke lënë anash kontaktet me diasporën shqiptare, për të shtyrë deri në fund procesin e pavarësisë.
Më e keqja që Kosova fare pak e gati hiç nuk duket ne kanalet e CNN-it, BBC, apo shumë pak në gazetat qendrore si New York Times Washington Post… Angazhimi i mëhershëm permanent i të gjitha subjekteve të organizuara është zbehur edhe nga kriza ekonomike në Amerikë. Problemi shqiptar vazhdimisht anashkalohet nga diplomatët ndërkombëtarë, pak a shumë edhe nga shkaku i parcializimit të çështjes shqiptare në Ballkan, por edhe nga moskooperimi i mjaftueshëm institucional ndërshqiptarë. Prandaj në fazën e kthesave më të rëndësishme historike në prag të pavarësimit të Kosovës, përgjithësisht nuk ka ndonjë motivim të theksuar, edhe pse Liga Shqiptaro Amerikane ishte promotore e shtyrjes së gjërave përpara, deri sa Këshilli Nacional Shqiptaro-Amerikan deri vonë kishte kryer punë të shkëlqyera, atyre u duhet edhe përkrahja zyrtare e qeverisë dhe zyrtarizimi i përfaqësimit përmes zyreve në New York, në Washington dhe në Bruksel. Çfarëdo shtyrje e metejme e pavarësisë së Kosovës do të ishte debakël për Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë, pasi që definitivisht me aplikimin e Kartës për decentralizim, Kosova do të coptohet padrejtësisht.
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …