Sejdo Harka: Tregimtari, Avdullah Kënaçi mes Shqipërisë dhe Kanadasë

Sejdo Harka: Tregimtari, Avdullah Kënaçi mes Shqipërisë dhe Kanadasë

( Shënime për librin me tregime”Enigma e një nate)

Avdulla Kënaçi, ky emër i spikatur i medies së shkruar dhe i ekranit shqiptar, tashmë shfaqet  para lexuesëve edhe si tregimtar i papërsëritshëm  me ngjarje e karaktere që  rendin të lirë, herë përmes botës reale ,e herë përmes fantazisë së tij krijuese. Kjo ndodh sepse Avdullai ka një jetë të tërë që rend e rend pa u lodhur , jo vetëm  brenda trojeve tona, por edhe përtej deteve dhe oqeaneve. Produkt  i këtyre udhëtimeve të shpeshta eksploruese kanë qënë jo vetëm reportazhet e telereportazhet, udhëpërshkrimet e skenarët, por dhe tregimet e bukura që të rrëmbejnë  me gjuhën e bukur, karakteret dhe dinamikën e tyre të gjallë. Me Avdullain njihemi që nga fillimi i viteve tetëdhjetë, kur ai filloi të na tërhiqte vëmendjen me reportazhet e tij të bukura. Me përshkrimet e tij të gjalla, ai bënte të flisnin edhe shpatet e maleve të ashpra,edhe  arat e mbjella me grurë,edhe kodrat e pyjet plot gjelbërim, edhe rrugët gjarpëroshe plot baltë e gurë,edhe  njerëzit e heshtur ,të lodhur nga stërmundimi e  hallet . Kush e njohu nga afër Avdullain dhe nuk u befasua nga kultura e gjerë dhe talenti i rrallë,  nuk u emocionua nga fjala e ngrohtë dhe zemra e bardhë . Në ballin e tij të gjerë lexon dijet dhe mençurinë, në sytë e tij sinqeritetin dhe dashurinë, ndërsa në vështrimin e kthjellët, prek si me dorë guximin dhe atdhetarinë. Mbas një  veprimtarie të gjatë dhe  suksesshme ,gati 40-vjeçare, në medjen e shkruar dhe  në atë vizive,këto ditë Avdullai  shfaqet   edhe si tregimtar ,me librin”Enigma e një nate”,me të cilin ka befasuar jo vetëm miqtë dhe shokët e tij ,por dhe   lexuesit e shumtë.

Shfleton këtë  libër, dhe përpara, si në  ekran të, të shfaqet një botë e tërë me bukuritë dhe trazimet e  kohës.Ndërsa mes tyre qëndron vetë narratori me mendjen ,kulturën dhe  shpirtin e tij të bukur krijues. Ky vëllim me tregime, është e vërtetë që është libri i parë i Avdullait, por puna për përgatitjen e tij është shumëvjeçare. Për të gjetur majanë dhe për gatimin e brumit të këtij libri të bukur, ka vite të tëra që ai eksploron dhe akumulon. Është kjo një nga arsyet që ,siç thekson dhe poeti e kineasti Petrit Ruka, tregimet e Avdullait lexohen me një frymë,ashtu siç haet një bukë e nxehtë fshati. Tematika e tregimeve të këtij libri është sa e gjerë aq dhe e larmishme.

Ajo i tejkolon kufijtë kohorë dhe hapësinorë. Problematika që e shqetëson autorin janë: familja dhe shoqëria, emigracioni dhe liria, promovimi i vlerave, barazia shoqërore dhe  veçanrisht dashuria njerëzore. Ngjarjet e tregimeve zhvillohen sa brenda trojeve tona ,aq edhe jashtë tyre ,deri në vendet më të largëta të botës. Në këtë libër lexuesi gjen edhe tregime të jetuara edhe tregime që janë produkt i trillit krijues të autorit. Por tek të dy llojet e tregimeve ,lexuesi prek si me dorë të vërtetën. “Jini të vërtetë, që t’u besojnë”, i porosite R.Bërnsi kolegët e tij. Personazhët dhe karakteret e tregimeve të Avdullait, edhe kur janë realë ,edhe kur janë produkt i trillit krijues, janë njerëz të gjallë me individualitet të papërsëritshëm ,që me kulturën, karakterin ,psikologjinë dhe sjelljet e tyre, reflektojnë vlera e antivlera, ku lexuesi gjen veten. Një nga problemet e kohës që e ka shqetësuar autorin e këtij libri është eksplorimi  i njeriut të mirë, i atij që sot konsiderohet “specie në zhdukje”, por që në të vërtetë  ekziston. Ai ,jo vetëm që duhet zbuluar, por dhe duhet promovuar si qenie e rrallë, por e bukur, që do ta bëjë  Shqipërinë,ashtu siç e kemi ëndërruar në shekuj. Një nga tregimet më të bukura të këtij libri, që trajton një problematikë  të tillë, është ai me titullin kuptimplotë ”Misteri  i një nate në Frankfurt”.

Në qendër të brendisë së tij qëndron pedagogia e historisë Brikena,e cila kishte humbur një eveniment të rëndësishëm, për një fjalë të dhënë. Prandaj narratori vazhdon:”Sa e mirë dhe njerëzore që ishte për të gjithë. Nuk kërkonte asnjë shpërblim për mundin që bënte. Nuk di pse m’u duk aq e afërt dhe aq e ëmbël”. Dhe e mbyll me sentencën e bukur ,sa filozofike aq dhe metaforike: ”E ndjeja se ishim bërë njësh ,dhe gjaku i saj qarkullonte në trupin tim me të njëjtin ritëm”…(fq.32) Pas  fiigurës së kësaj gruaje sa të bukur, aq edhe të ditur, sa reale aq dhe alegorike ,fshihet Shqipëria jonë e bukur, me njerëz të ditur e punëtorë. Eshtë kjo arsyeja pse duhet ta dashurojmë përjetësisht këtë vend ,kudo që jemi, për vlerat e tij të papërsëritshme dhe jo ta mallkojmë e ta shesim për pesë para si kalin me huqe. Por që ta ndjesh dhe shprehësh kaq bukur këtë mall, duhet të jetosh larg si Avdullai, sepse siç thotë Faik Konica: ”Kush ndodhet larg Atdheut, e ndjen më shumë mallin për të” ”Një tregim tjetër i bukur i këtij libri, është ai me titullin: ”Dita e parë përtej oqeanit”.Ai  i ngjan një kënge të bukur që i kushtohet dashurisë dhe vazhdimësisë së saj ,edhe përtej kufijve të kësaj bote. Në qendër të tregimit qëndron çifti ideal Nirvana-Guriem ,që dashuroheshin marrëzisht. Por erdhi një ditë ,që Nirvana,si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme, u fik në duart e bashkëshortit të saj të dashur. E megjithëatë Nirvana, për Guriemin ende s’kishte vdekur. Ajo ishte ngjitur atje lart ,për të kundruar të ardhmen e tij. S’kaloi shumë dhe në çastin kur s’e priste, Gurjemit i vjen ai zarf i shumëpritur, që i sillte lajmin e shumëpritur,të drejtën për të punuar dhe jetuar në Amerikë. Përtej oqeanit, ai njihet me studenten amerikane Xheki, e cila ngjante me të dashurën e tij të zemrës,si dy pika uji.

Një dashuri e re do t’i siguronte vazhdimësinë e saj të pafundme, që e gjen shprehjen në  sentencën e bukur, rumiane: ”Nga dashuria edhe dhimbjet mërgojnë, edhe  vdekja vjen e bukur si këngë…” Me mesazhe të tilla të bukura për dashurinë dhe jetën ,Avdulla Kënaçi sfidon jo vetëm grindjet e divorcet e kohës, por edhe krimet bashkëshortore, që fatkeqësisht vitet e fundit kanë marrë përmasa të frikshme.Si një refren i bukur për dashurinë, tingëllon në shpirtin e lexuesit edhe tregimi “Severina Albanese “.Në qendër të narracionit qëndron  shqiptarja Severina, një nga vajzat më të bukura e më të talentuara të grupit ballkanik të valltareve, që ishin nisur për të marrë pjesë  në një festival botëror kërcimtaresh. Aty,ajo njihet me Markun, koreografin e talentuar dhe trajnuesin e grupit  të valltareve që vinin nga vende të ndryshme të botës.Marku, që vetëm në fund të tregimit shfaqet papritur si shqiptar, është jo vetëm shëmbulli i një njeriu të talentuar, por dhe të një atdhetari që dashuron gjithçka shqiptare. Edhe shpirtin e vajzave, edhe ritmin e bukurinë e valleve.

Ai në trupin e tij ka gdhendur tatuazhin më të bukur në botë, me mbishkrimin:”Zemra ime Shqipëri”. Besoj se s’ka mesazh më të bukur, që Avdullai u përcjell shqiptarëve ,kudo që  punojnë e jetojnë. Me  tregimevet e tij, A. Kënaçi sjell para lexuesve edhe shumë dukuri e karaktere negative të shoqërisë së kohës,të cilët bëjnë që emigrantët shqiptarë nëpër botë të përjetojnë drama të mëdha shpirtërorë e familjare. Një nga tregimet më të bukura, me tematikë të tillë është ai me titullin “Tartufi modern “. Tharmin për të shkruar këtë tregim ,autori e mer nga “Tartufi” i Molierit, por duke e përpunuar në laboratorin  e tij krijues, ai na ka sjell një Tartuf të kohëve të sotme. Në qendër të subjektit është Gleni, tipi i një hipokriti modern ,që  lufton me çdo mjet për ta kthyer Anxhelën lodër në duart e tij .Kur nuk ia del me lajka e dredhi, përdor edhe forcën, duke e kërcënuar me fjalë të tilla: “Nuk ke nga të lëviz! Herët a vonë do të biesh në dorën time”. Ndërkohë ,nëpërmjet vidos së tij poshtëruese, kuptohet se Gleni kishte shtirë në dorë edhe nënën e saj.  Kur kryefamiljari i shtëpisë  Niko Vasili kupton të vërtetën,i drejtohet me Këto fjalë:”Shpejt do ta marësh vesh se kush janë shqiptarët ,o Glen fëlliqësira”!Për shqiptarin ,nderi i familjes është i shenjtë ,të cilin, as e shet e as e ble me para.

Temën e mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit të familjes, autori e thellon më tej nëpërmjet tregimit të jetuar “Mallkimi “. Në qendër të brendisë së tij është shkatërrimi dramatik i një familjeje shqiptare, që për një pasaportë ,shkërmohet si një plis në ujë. Nëna e dy fëmijëve,Drita, në përpjeke për të bërë dokumentat e të shoqit, që punonte në Kanada, kishte rënë pre e oficerit të policies. Kur ajo shkoi në Kanada,u trondit thellë. Edhe fëmijët e saj filluan ta  përçmonin duke i bërtitur:” Largohu nga shtëpia!”Kur ajo e pa, se në këtë shtëpi kishte humbur gjithçka, e dëshpëruar thëllë vendosi të hidhej nga kati i shtatëmbedhjetë.Por shpejt ndërroi mendje,duke thënë me vete:”Kurrë nuk do ta bëj këtë gjë”.Dhe , menjëherë ,niset për në vendin e saj, për të kërkuar lumturinë e re, duke mallkuar emigracionin dhe Kanadanë, që ia kishin thërrmuar jetën e familjen, sikur të ishin një kështjellë prej rëre.Një nga personazhet më të realizuar të këtij libri është ajo e Flautistes,në  tregimin me të njejtin emër.

Redola ,një vajzë e bukur dhe tepër e talentuar nga që gjithçka ia kushte kushtuar karrierës muzikore,kishte  lënë në harresë jetën e saj personale.Më në fund,e lodhur nga konkurenca e ashpër , vendosi të gjente njeriun e jetës. Pas disa eksperiencash të dështuara,u dashurua marrëzisht me muzikantin e madh, Adrianon. Por fatkeqësisht, zemra e saj kishte trokitur në vagonin e një perversi eksperimental. Që në bisedën e parë telefonike, ai i pat thënë: “Në këtë  takim do të kemi mysafire edhe mikeshën nga Zagrebi. Të siguroj se bashkë do t’ia kapërcejmë fantazisë së regjisorit të filmit “50 Hijet e Greit “.Në këto çaste Redola kujtoi saksofonin Tom, ku vendosi të shkonte atë natë ,me mallkimin e madh:” Në djall të shkoni të gjithë!”. “E dëshpëruar thellë, hodhi për tokë farën dhe e shkeli egërsisht me takën e këpucës”( fq 111). Nuk mund të gjesh fjalë më të bukura, për të shprehur fundin e një ëndrre të keqe dhe fillimin e një ëndrre të re.Avdulla Kënaçi ,me këtë libër na sjell një botë të pasur ndjenjash dhe mendimesh, vlerash dhe këndvështrimesh,të popujve dhe karaktereve ,që vinë nga kohëra dhe vende të ndryshme të botës.Përmes elokuencës së gjuhës, sentencave  të mençura filozofike, përshkrimit të gjallë,humorit të hollë dhe naracionit të ngrohtë ,që duket sikur buron nga thellësitë e krojeve,ai përçon tek lexuesit mesazhe të ngrohta me vlerta gjithëkohore. Së fundi ,gjejmë rastin që Avdullait, mikut dhe shokut  tonë të hershëm t’i urojmë përzemërsisht: ”Udhë të mbarë në lëndinën e lulëzuar të krijmtarisë! Libra të tjera më të bukur presim të na sjellësh nga Kanadaja e largët  në të ardhmen! Rrofsh sa të dojë zemra, për të mirën e vetes, familjes dhe shoqërisë!

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …