leoni

Grupi i Unitetit do të korr atë që ka mbjellë (koment redaksional i Radios-Kosova lirë)

Procesi, tashmë gjithnjë e më i ndërlikuar lidhur me përcaktimin e statusit të Kosovës, po nxjerr në sipërfaqe, jo vetëm dobësitë, përçarjet dhe mosmarrëveshjet në mesin e anëtarëve të Grupit të Unitetit, por edhe pretendimet për pozicion sa më të fortë në qeverisjen e aspiruar, të ardhshme të vendit.
Kacafytja e parë tashmë ka ndodhur, në mes të numrit një të këtij grupi dhe numrit, që pretendon të jetë, domosdo dyshi, i kësaj krijese improvizuese. Mosmarrëveshjet mes kryetarit të Grupit të Unitetit dhe kryetari i Kosovës, z Fatmir Sejdiu me anëtarin e këtij grupi, dhe kryetarin e ORA-s, Veton Surroi kanë nxjerrë në sipërfaqe, jo angazhimin e tyre të njëmendtë në dobi të procesit për pavarësi të mbikëqyrur, apo të kushtëzuar të Kosovës, por luftën për dominim mbi vullnetin e anëtarëve të tjerë të këtij grupi tejet heterogjen, si në pikëpamje ideologjike e partiake, ashtu edhe në raportet pozitë opozitë, raporte këto, të cilat edhe pse nuk janë të mirëfillta, shpeshherë dalin në sipërfaqe, në formë të konfliktit të interesave, sidomos tani kur ky grup do të ballafaqohet me sfida të rënda e të papërballueshme, sepse po vjen koha për të korrë atë çfarë e ka mbjellë në dy vitet e shkuara. 

Krijimi i këtij Grupi, në kohën kur Kosova kishte institucionet, t’i quajmë legjitime, sado që krejtësisht të kufizuara dhe të paafta për t’ u marrë me problemet kapitale, në procesin e negocimit me palën serbe, të monitoruar nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, ishte bërë me qëllim që të mos lejohej asnjë opsion tjetër dhe asnjë alternativë tjetër lidhur me statusin. (Po të mos merrte pjesë opozita në këtë grup, do të kishim alternativën e pozicionit). Pikërisht për këtë, forcat t’ i quajmë opozitare, PDK-ja dhe ORA, pranuan të jenë pjesë e “kulaçit” të pavarësisë së kushtëzuar apo të mbikëqyrur. 
Në këtë mënyrë, opozita u mjaftua me përfaqësimin që i kishte ofruar pozita, brenda grupit dhe ajo u bë pjesë përbërëse e procesit për negocimin me palën serbe, lidhur me përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. 
Grupi i Unitetit, të paktën para gazetarëve dhe opinionit improvizoi me sukses, unitetin e “rrejshëm”, gjithnjë duke pretenduar, që ky grup të jetë edhe kreatori dhe përmbaruesi i statusit të Kosovë. Anëtarët e këtij grupi, të gjithë pa dallim, kanë lëshuar pe në të gjitha kërkesat e Beogradit lidhur me krijimin e enklavave serbe, duke i kamufluar këto lëshime në emër të “procesit të decentralizimit”, kanë lëshuar pe edhe në krijimin e komunave serbe, ashtu edhe në krijimin e territoreve eksterritoriale të kishave dhe manastireve serbe, në emër të gjoja trashëgimisë kulturore, e çka jo. Përveç këtyre lëshimeve që më vonë do të pranohen nga ky grup se kanë qenë “kompromise të dhembshme” sikur është rasti me shpërbërjen e TMK-së e lëshime të tjera, këta anëtarë të këtij grupi, kanë kaluar nëpër të gjitha sprovat e përuljes, të nënçmimit dhe të përbuzjes nga pala serbe. Ka ndodhur që një Lutfi Hazir i ka zgjatur dorën zyrtarit, bashkëbisedues serb, i cili jo vetëm ka refuzuar t’ ia japë dorën, por edhe e ka nënçmuar paturpësisht. Dhe, ky Haziri e këta hazirët e tjerë, kanë pranuar të gjitha shtyrjet, shantazhet dhe opstrukcionet e palës serbe. Kanë pranuar të gjitha versionet e planeve dhe të koniukturave, që iu kanë ofruar, qoftë Kai Aide, qoftë Ahtisari, apo kushdo tjetër. 

Përderisa e kanë paraqitur veten si palë fituese në të gjitha takimet me ekipin e Beogradit, ata nuk kanë reshtur të japim premtime naive, se statusi do të përmbushet brenda vitit 2006. Pastaj, kur kjo nuk ndodhi, ata premtuan se përnjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve në serbi, në javët e para të vitit 2007, do të ndodhte pavarësia. Pastaj thanë se do të ndodhte, në shkurt, pastaj në mars, pastaj në prill dhe përfundimisht, në maj, duke bërë madje edhe “be e rrëfe” se nuk do të pranonin shtyrje të tjera. 
E shtyrjet, si duket po vazhdojnë me logjiken e mes-kohës, pa marrë parasysh premtimet e këtyre anëtarëve të Grupit të Unitetit, të cilët nuk patën guxim qytetar e sedër kombëtare, të paktën të kishin shprehur vetëm një këmbëngulje të sinqertë, duke kërkuar nga mentorët e tyre, që të mos lejonin të përbuzeshin deri në këtë nivel të mospërfilljes e nënçmimit të skajshëm. Grupi i Unitetit megjithatë ka “meritë historike” për ruajtjen e unitetit, edhe pas të gjitha trysnive, shantazheve, përçmimeve e përbuzjeve të deritanishme, që kanë marrë jo vetëm nga bashkë-negociatorët e tyre serbë, por edhe nga ndërmjetësit ndërkombëtarë. 
Dhe pikërisht, ruajtja me çdo kusht dhe nën çdo rrethanë e posteve në kuadër të këtij Grupi, ka bërë që ata të pranojnë gjithçka të ofruar, vetëm për të mos lëshuar pozitat, sepse këta ende mendojnë se emrat e tyre do të shënohen si firmëdhënës në “diplomën” e shtetit të sakatosur të Kosovës, cilido qoftë statusi i këtij farë shteti. 
Mirëpo, tashmë kur të gjithë anëtarët e këtij grupi e kanë kuptuar se nuk qenka lehtë të fitohet, qoftë edhe një status i kushtëzuar dhe i improvizuar për Kosovën, tash kur Kremlini jo vetëm po kërcënon, por edhe po e shantazhin tërë procesin, tash kur edhe Uashingtoni deklaroi se nuk do ta pranojë statusin e njëanshëm, duke i porositur anëtarët e këtij Grupi, që të mos marrin guxim për ta shpallur pavarësinë në Kuvend, tash kur gjërat po dalin së sipërfaqe me konturat e veta të vërteta, e jo të kamufluara, sherri po pëlcet përbrenda. Në këtë pat-pozicion, në këtë situatë jo vetëm dramatike, anëtarët e Grupit të Uniteti kanë filluar improvizimin e ashtuquajtur të “lobimit”, të cilin kohë më parë e kishin refuzuar madje edhe si ide, meqë i siguronin popullit se pavarësia ishte e gatuar, e gatshme, ashtu si buka e furrës. 
Tash kur gjërat po dalin sheshit, kur sipas të gjitha gjasave do të ndodh edhe një kompromis tjetër shumë i dhembshëm, kësaj radhe në mes të Uashingtonit dhe Kremlinit, për të mos i acaruar më tej marrëdhëniet të mëdhenjtë, për të mos ndodhur, “që të vegjlit të i hanë mollët e tharta dhe të mëdhenjve t’iu mpihen dhëmbët”, tash kur do të dalë sheshit krejt ajo që është gatuar prapa shpinës së popullit, anëtarët e Grupit të Unitetit nuk do ta kenë të lehtë të tërhiqen të qetë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Dhe, me qëllim për të shpëtuar nga më e keqja, këta edhe do të mund t’i vërsulën njëri tjetrit, për të mbetur faji jetim. 
Por nuk do të ndodh kështu. Ata, edhe të tërhiqen nga njëri tjetri, nuk do të arrijnë meqë janë njëzuar vetë, si vëllezërit sijamezë, dhe dashur pa dashur, do të japin llogari para këtij populli, të gjithë tok. Ata, një ditë do të japin përgjegjësi për të gjitha gabimet, për pazotësinë, për inferioritetin dhe për të gjitha lëshimet, të cilat i kanë firmosur dhe që do të firmosin, dhe, të cilat do të bien ndesh me gjakun e derdhur për liri.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …