Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për ritestimin e të gjithë vozitësve në Kosovë dhe që janë qindra mijëra, është i paligjshëm, sepse në radhë të parë shkel të drejtat e njeriut. Ky vendim pritet të bëhet i obligueshëm nëpërmjet një udhëzimi administrativ që Ministria është duke e përgatitur. Këtë e ka pohuar edhe vetë ministri, Pal Lekaj. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë se një vendim i tillë përveç se paraqet është shkelje ligjore, është ideuar edhe për zhvatjen e qytetarëve, pasi këtë proces pritet ta udhëheqë një kompani private. Shala ka theksuar se nëse një qytetar është pajisur me patentë shofer, ai nuk ka nevojë të hyjë më në ritestim nëse paraprakisht nuk ka shkaktuar kundërvajtje të rënda dhe nuk e ka rrezikuar sigurinë e qytetarëve. Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke e arsyetuar këtë nismë, ka vënë në dyshim aftësitë e qytetarëve, mbase duke menduar se qytetarët e Kosovës janë më të paafti në rajon, dhe u dashka që vazhdimisht të ritestohen se a janë të aftë apo jo.
