Ahmet Qeriqi: Kur ngreh kokë tirania esattoptaniste

 


E kaluara shqiptare ka pasur dhe ka ende disa faqe të errëta, të cilat i kanë shkruar dhe po i shkruan soji i esattoptanëve, kudo në trojet shqiptare, si në Shqipëri, ku për ta mbajtur sundimin, pushtetarët e atjeshëm shtrihen e servilen deri në përkulje ndaj të huajve, ashtu edhe në Kosovë dhe në ish-RJ të Maqedonisë ku varshmëria politike ndaj të huajve është bërë sjellje e përditshme, të cilën po e zotërojnë shumë mirë po thuajse të gjithë politikanët tanë.

Lufta për të fituar me çdo kusht zgjedhjet e parakohshme në ish-RJ të Maqedonisë, nxori në sipërfaqe edhe njëherë mendësinë e veprimeve të dikurshme të Esat Toptanit e Ahmet Zogollit, meqë për ta mbajtur pushtetin dhe për të sunduar shqiptarët, bashkëpunuan me pushtetarët kriminalë serbë, të cilët prej vitit 1912 e deri në vitin 1918 kishin okupuar më shumë se gjysmën e trojeve shqiptare dhe kishin vrarë e masakruar qindra mijëra shqiptarë.
Pikërisht në atë kohë, Esad Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu dhe kokë e zemërzinj të tjerë, të vetmen mbështetje e gjeten te bandat shqiptarvrasëse të Pashiqit, të cilit edhe i shërbyen qenërisht, në mungesë të çdo dinjiteti njerëzor e kombëtar.
Se çka fitohet duke u mbështetur te vrasësit e shqiptarëve, këtë e kanë parë dhe e kanë provuar edhe Esat Pasha, i cili e mori plumbin në ballë, edhe Ahmet Zogolli, që tërë jetën brodhi nëpër foletë e qyqeve dhe nëpër bordelet e Evropës, edhe Ceno beu, që mori po ashtu plumbin nga dora e mikut të tij më të ngushtë, sepse nuk bënte dot ballë të shkëputej nga Beogradi. Me dëmkë të tillë të tradhtisë pësuan edhe shumë mtë tjerë…

Mjerisht, në kohë dhe në rrethana të tjera po ngre kokë një formë degjeneruese e veprimtarisë esattoptaniste kudo në trojet shqiptare të çliruara dhe të pushtuara nga armiqtë tanë historikë dhe protektorët ndërkombëtarë.
Forma më cinike e këtij lloji të bashkëpunimit me sllavë në dëm të interesit kombëtar u manifestua në ish-RJ të Maqedonisë gjatë zgjedhjeve të 1 qershorit, kur kohortat e egra të Menduh Thaçit dhe pasuesve të tij, të ndërsyer nga ultranacionalisti sllavomaqedon, Gruevski filluan madje edhe gjakderdhjen, për të fituar me çdo kusht kutitë e votimit, qoftë duke i vjedhur, qoftë duke i ndërsyer policët sllavomaqedonë kundër kundërshtarëve politikë, qoftë duke i arrestuar, qoftë duke përdorur të gjitha makinacionet e pista, në esencë antishqiptare.
Dhe, për ta shpjeguar pak më hollësisht këtë ligësi degjeneruese duhet të kthehemi në vitin 2001, kur gjatë kohë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në trojet shqiptare të Iliridës paria e Arber Xhaferit dhe e këtij Menduh Thaçit ishte në koalicion po me këtë parti nacionaliste fashiste sllavomaqedone, e quajtur VMRO DPMNE.
Koalicioni “vëllazëror” dhe kumbaria e trashëguar gjatë shekujve e të tillëve, nuk u prish as gjatë tërë kohës së luftës, edhe pse sllavomaqedonët vranë e masakruan qindra shqiptarë, por nuk arritën ta mundin UÇK-në, të cilën mjerisht e tradhtoi kreu drejtues, pikërisht në kohën kur luftëtarët çlirimtarë iu kishte afruar Shkupit dhe kur kishte filluar të shpërbëhej shteti sllavomaqedon.

Ky koalicion i panatyrshëm dhe i dëmshëm për interesin kombëtar shqiptar në përgjithësi, bëri që të degradohet dhe të stërkeqet “Marrëveshja e Ohrit”, e cila u arrit si kompromis për të mos e ndarë këtë krijesë artificiale mes Shqipërisë Kosovës dhe Bullgarisë, por për të sprovuar madje dhunshëm bashkëjetesën mes një segmenti të shqiptarëve e sllavëve, që kanë hiq më pak se 13 shekuj armiqësi, qyshkur këto horda barbare erdhën në Ballkan dhe shkatërruan e dogjën gjithçka mundën.
Dhe për të sprovuar formulën e bashkëjetesës shqiptare sllave, të provuar e të dështuar turpshëm edhe më herët, nga kreatorët e Jugosllavisë së AVNOJ-it tashmë të vdekur e të shpartalluar, shqiptarët në Maqedoni u detyruan të bashkëjetojnë me sllavët e këtij shteti, bullgarë të hibridizuar, me të cilët edhe po bashkëjetojnë dhunshëm dhe panatyrshëm.
Kreu politik i këtij shteti me emër të kontestuar, i ndodhur përballë presionit ndërkombëtar për ta realizuar “Marrëveshjen e Ohrit”, zgjodhi kumbarët e moçëm nga radhët e shqiptarëve, nga ata me të cilët ishte kalitur koalicioni gjatë kohës së luftës, të cilëve edhe u premtoi fitore në zgjedhje, me qëllim që rreth kësaj marrëveshjeje të flitet, të zhvillohet debat, por kurrë të mos realizohet.
Këto kushte i ka pranuar Menduh Thaçi, i cili gjatë tërë natës së 1 qershorit, festoi në Tetovë me “vëllezërit” e tij sllavobullgarë, duke shpallur fitoren dhe duke i kërcënuar madje edhe me likuidim fizik kundërshtarët, vëllezërit e gjakut e të gjuhës.
Paraqitja e këtij njeriu në medie me tërë prepotencën e dikurshme pushtetare, të Ali Shukriut e Azem Vllasit, tregon më së miri mungesën elementare të ndërgjegjes dhe përgjegjësisë kombëtare, ashtu sikur zbulon para opinionit një shpirt të egër dhe pagan, kurdoherë i gatshëm për të fyer dhe për të përbuzur vëllezërit e tij, të gjuhës dhe të gjakut dhe kurdoherë i gatshëm për t’i kryer me përkulje skllavi, të gjitha punët me të cilat e ka ngarkuar padroni.
I disponuar në stilin e veprimeve të dikurshme të Esat Toptanit, ky njeri po i sjellë dëm të madh çështjes kombëtare shqiptare. Pasojat e këtij dëmi do t’i vjelin bashkëpartiakët e tij, ata të cilët po vjelin favore nga bizneset e tij tregtare dhe politike, në rrugë për përçarjen definitive të shqiptarëve në këtë pjesë të atdheut dhe me qëllim që të ngopen orekset antishqiptare të nacionalistëve sllavobullgarë, apo sllavomaqedonë aktualë, të cilët kanë krizë identiteti, meqë as janë “maqedonë” sikur pretendojnë, por edhe nuk duan të jenë bullgarë ashtu sikur janë realisht me origjinë, gjuhë, kulturë, fe e traditë. Të tillëve u shërbejnë ata, të cilët me të vërtetë kanë krizë të identitetit kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …