Pasi Bushi e shkeli tokën e Shqipërisë, duke i injoruar krerët e Kosovë dhe Metohisë, të cilët pritnin në një këmb dhe u shndërruan krejt në vesh pasi punën në Kosovë e bënë krejt përshesh, mos me thënë lesh, e sidomos pas fjalëve të Bushit për pavarësinë e Kosovë dhe Metohisë nuk e dija a jam në Kosovë apo po bredhi nëpër xhunglat e Rodezisë!
Gjithkund vetëm për Bushin flitej, për pavarësinë që e ka siguruar dhe se me 1 dhe 2 korrik ka me na dhuruar. Madje edhe Ekipi i Unitetit doli nga zgafella, ku ishte mbyllur për do hesape tjera! Jo se nuk e ka realizuar pavarësinë dhe sovranitetin dhe se e ka mashtruar arnaut miletin por disi temperaturat ishin shumë të larta dhe u krijuan do situata të paqarta. Dielli Sarkozy iu ra në kokë dhe i shtriu për tokë!
Dikush thoshte se i kanë marrë nga 5 apo 10 rroga dhe shumë tenderë të tjerë, prandaj edhe ndjehen si të mjerë! Një mik imi i mirë i ngatërruar edhe vet në çështjet pavarësisë dhe sovranitetit, në shërbim të një pjese të pis miletit, më tha se Statusi i Kosovës për politikanët aktual është pasuria minus pavarësia, me një fjalë, Kosova e mbikëqyrur dhe e deklasuar me kusht që nuk e pengon krimin e organizuar! Sepse po të bëhet ndryshe , pasojat do të kishin jo vetëm efekt lokal, por më shumë rajonal dhe mbase edhe internacional. Do të luhatej pozita e liderëve të Maqedonisë, Kosovë dhe Metohisë, Serbisë pa Malin e Zi, Shqipërisë europiane me orientim demokratik si edhe hajdutëve të UNMIK-ut heroik ! Do të rrezikohet bashkëpunimi politik midis pozitës- opozitës, në rajonin e Ballkanit, sikur car Llazari në ditën e Vidovdanit. Çka do të bënin rezidentët e Kosovës pa çaj rusi, duhan fallso të kontrabanduar, alkool të destiluar, karburante me kancer të metastazuar, kafe nga Tetova e Brazilit e importuar, kostumet Versaçe dhe Armani me të cilat stoliset nëntoka politike të prodhuara në Novi Pazar të Serbisë, me firmë të Italisë etj.
Këto dhe shumë beneficione të tjera që botërisht nuk dihen por paramendohen , bënë që të besojnë të gjithë ata zemërbardhë se pavarësia e Kosovës , do të pikë nën dardhë! Atëbotë pata thënë se jam djegur shumë here andaj nuk i besoj shumë Big Bossit prandaj, në vend të qumshtit i fryj edhe kosit! Kur nipi Putini shkoi te Daja i Madh në Amerikë, nuk kam pasur asnjë dilemë se Statusit të Kosovës, nuk do t’i vihej presje por një e madhe pikë! Në atmosfere pune, duke peshkuar, për Kosovën gjoja paskan biseduar. Është një “ lëshim” i vogël gjatë peshkimit sepse grepi ishte për peshkaqen dhe balena e jo për lavra peshku, siç konsiderohej Kosova andaj, u ul niveli i marrjes së vendimit, nga kryetarët, te sekretarët! Këta do të përpiqen që, në emër të pragmatizmit dhe proceseve demokratike, statusin e Kosovës ta zgjidhin në mënyrë hipotetike!
Të gjitha opcionet, që i propozon Serbia – Rusia, do të jenë në lojë vetëm jo sovraniteti dhe pavarësia që ishin premtim, mbulojë! Edhe pse Xhorxh Babushi i hëngri fjalët e veta, nga Ekipi i Unitetit i kemi do deklarata të shkreta! Fatmir Mbeki, nga Mozambiku, me do deklarata me alfabetin kinez, krejt na fiku! I bën lëmsh e i pështjell dhe konfuzion të madh mbjell. Ndonëse Babushi e la anash pavarësinë, Ekipi i Unitetit thotë se e ka mundur Serbinë dhe politikisht e kanë deklasuar Tanzaninë! Duket se e kanë huqur me Serbinë dhe ju lutem mos i pyetni asgjë për Tanzaninë se as ku është nuk e dijnë! Pra, niveli i vendimmarrjes po ulet, nga kryetari te sekretari, nga sekretari te drejtori për çështje politike, nga drejtori për çështje politike deri te administratori për çështje strategjike, nga administratori për çështje strategjike te nëpunësi për çështje teknike ngase edhe Statusi u pati trajtuar si çështje teknike, për një pavarësi hipotetike! Pra, kjo është ajo kur dikush, me instrumente ( premtime ) të huaja mendon të bëhet dhëndërr dhe kur zgjohet nga gjumi e sheh se paska qenë në ëndërr! Madje, as nusen nuk e ka te shtëpia sepse ajo është aty, ku është pavarësia! Jo në shtrat të dhëndrrit, në Kosovë dhe Metohi por në shtrat të Putinit, diku në Serbi! Dhe, pastaj quaje këtë, pavarësi kur të hyjnë dhe dhunojnë në shtëpi, ta dhunojnë pragun e shtëpisë, në emër të demokracisë ! Dikush kështu po e quan sepse lekët po i rruan! Ata e identifikojnë pavarësinë – me xhirollogarinë!
Mjerë i ligu sa i fort është: Sekretari i NATO – së erdhi në Prishtinë dhe na e tha në fytyrë se me biseduar me Serbinë, për shëndet është më mirë dhe na kushton më lirë! Por, tek e fundit edhe për ata që duan pavarësi për Kosovën apo siç themi ne,kërkojnë zgjidhje me dhunë, ne do tua bëjmë një qare, do t’ua lëshojmë KFOR- in dhe NATO-në, që do t’iu qesë fare! Me një fjalë, shumë bre jeni duke kërkuar dhe Serbinë fort jeni duke e hidhëruar ndërkaq, ne nuk e lëmë Serbinë, për Kosovë dhe Metohinë! Jam mik i madh i Kosovës dhe po më vjen shumë vështirë, që po ua sjell një lajm jo të mire! Po e shihni se edhe unë jam mërzitur shumë dhe nuk kam qetësi dhe në fytyrë më ka rënë një qehre e rëndë por më kanë dërguar që këtë me ua thënë . Nëse është nevoja , pas 6 muajve do t’ua them përsëri të njëjtat fjalë, se , në fund të fundit ashtu ka me dalë! Ne, fjalë dhe premtime , u japim sa të doni dhe, është çështja e juaj nëse do të besoni! Por, ju lutem të duroni!
Dëgjojeni shumë Ekipin e Unitetit, fjalët tona ua përcjellim përmes Shtypit të Sikletit. I kemi do gazeta që janë shumë realiste, kanë doktoruar në shkollën titiste! Ato , natën ua bëjnë ditë, dimrin ua bëjnë verë, shkurt shqip, ua lënë kopilin në derë! Për këtë arsye ne edhe kemi investuar, nuk kemi pare kot për të shpenzuar. Nëse Hudini ka bërë mrekulli me litar, këta të bekuar, në asfalt të detyrojnë të hash barë! Dikush i quan spiun që janë zënë me pelë në dorë, për ne janë thjesht – informatorë! Është e vërtetë se zyrat tona shpesh i frekuentojnë, nganjëhere edhe e teprojnë por ne i durojmë dhe i këshillojmë!
Pra, nëse keni pritur qe 2000 vjet , pse tash i jepni siklet! Ta dërgojmë UNMIK-un në Nju Jork, ta fusim BE në Kosovë dhe Metohi, mos u merrni me shifra 1244dhe, rrini edhe pak në Serbi. Pas nja 6-10 vjetëve do të çliroheni , me Serbinë në BE do të integroheni! Me Serbinë dhe car Llazarin, në të njëjtën paket por pa Ahtisarin.
Robert Deani- babadimër për policët e Rumanisë dhe prokuror për shqiptarët e Kosovë dhe Metohisë!:
Prokurori ndërkombëtar, Robert Dean, me dy raporte që i kishte përpiluar, policët rumunë nga krimi i ka amnestuar! Madje, edhe për së vdekuri na ka nënçmuar duke thenë se i vetmi faj i policëve është se kanë përdorur plumba gome me afat të skaduar! Pra, sa i përket këtyre plumbave në të ardhmën, mund të flejmë rehat por mund të na vrasin me plumba që kanë afat! I keni parë reagimet e Institucioneve dhe miletit, më tepër kanë reaguar për qent e Ismetit! Nuk e di ç’po bën Ministria apo Qeveria dhe pse Robert Deanit, nuk ia tregon përrallën për gomarin e Nastradinit! Se nëse e ka stupcin në dorë, nuk mund të na bëj horë dhe të na e shes, miellin për borë! Por duket se shpirti i robit i nënshtrohet lehtë manipulimit për aq kohë sa krimi është larg ndëshkimit! Nesër do të shkruaj diçka për tallava në muzikë dhe, po çka tjetër veç për super tallava në politikë! Edhe zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, janë temë atraktive për këto institucionet, në esencë dekorative, që për të mbijetuar, koalicione të “ forta “ janë duke ndërtuar! Janë edhe do gjëra tjera, jo fort interesante, por kanë përmbajtje intrigante!
Behxhet Sh. SHALA, denoncues i Robert Deanit dhe dëshmitar okular i krimit!
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …