Në mbarim të çerekut të tretë të shekullit të kaluar, në Kosovë po ngjizej një opinion publik iluzor i dyfishtë për statusin e ardhshëm të saj. Një palë e iluzionistëve, duke fetishizuar rolin e demonstratave të vitit 1968, besonin që Kosova do të avancohej në republikë, mbasi kjo ishte kërkesa dhe parulla qendrore e tyre, kurse pala tjetër u besonte premtimeve zyrtare dhe jozyrtare të udhëheqësve shqiptarë, se ata do ta realizonin atë në tavolina të institucioneve. Kompromisi tashmë i njohur ishte një zgjidhje gjysmake dhe dualiste, e cila Kosovës i dha një status të krahinës autonome, si element konstituiv i federatës, por në kuadër të Serbisë. Në plan kombëtar, popullit shqiptar, ndonëse i treti nga madhësia në federatë, nuk i njihej statusi i kombit a popullit, por i pakicës kombëtare që me eufemizëm quhej kombësi, në plan politik e juridik, Kosova nuk ishte as mish as peshk, kurse në plan ekonomik, vazhdoi shfrytëzimi shumëdimensional kolonial. Propaganda e pompuar e plotë folklor e filistinëve politikë dhe “shkencorë” shqiptarë, për ta bindur, apo më mirë, mashtruar popullin shqiptar, se Kosova paskësh fituar tashmë të gjitha të drejtat kombëtare, politike, shtetërore dhe historike, se ajo ishte bërë de fakto republikë, etj, nuk pati jetë të gjatë, sepse siç thoshte John Locke, “…ju nuk mund të mashtroni gjithë popullin për gjithë kohën”.
Lëvizja kombëtare shqiptare nuk u nanuris, sepse organizimi i saj edhe pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, kishte rëndësi, jo vetëm pse populli shqiptar nuk barazohej me popujt tjerë, por për më keq, Serbia përgatiste procese retrograde (të përvijuara në të ashtuquajturin “Libër i kaltër”), për t’ia suprimuar Kosovës edhe atë autonomi, siç bëri pesëmbëdhjetë vjet më vonë. Në vigjilje të demonstratave të vitit 1981, lëvizja kishte një bilanc të shkëlqyer të punës edukuese dhe mobilizuese të potencialit çlirimtar të Kosovës. Ndonëse objektiv i saj programor ishte bashkimi i kombit, propagandohej edhe ideja e republikës, si një zgjidhje e ndërmjetme drejt vetëvendosjes deri në shkëputje. Shkaqet historike që çuan në ngjarjet tashmë të njohura të vitit 1981, ishin, statusi prej robi i popullit shqiptar, pozita diskriminuese e tij në bashkësinë e popujve të ish Jugosllavisë, gjendja e rëndë dhe e pa perspektivë e ekonomisë së Kosovës dhe puna e madhe që kishte bërë lëvizja ilegale për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve.
Lëvizja kombëtare e Kosovës po kalonte nga veprimi në konspiracion të thellë, në sheshet e hapura të qyteteve e të fshatrave, nga strukturat e kufizuara të veprimtarëve tashmë profesionistë, në masa qindra mijëshe, që përfshinte shtresat e shoqërisë së Kosovës dhe përtej saj. Baza shoqërore e lëvizjes kombëtare po zgjerohej me të shpejtë.
Klasa politike shqiptare bisht i regjimit pushtues
Klasa politike zyrtare kishte rastin historik të riparonte dëmin e vitit 1974, sepse përveç forcës së argumentit tani kishte edhe argumentin e forcës së popullit të kryengritur, por ajo nuk u vu në ballë të tij, mbasi ishte në bisht të regjimit pushtues, prandaj në vend të shpalljes së republikës më 1981, Kuvendi i Kosovës e aprovoi suprimimin e autonomisë më 1989. Fatin e vendit e mori në dorë vetë populli, duke siguruar iniciativën vepruese dhe duke u bërë dalzotës suprem i tij. Më 1981 ndodhi demonstrimi plebishitar i vullnetit politik të shqiptarëve, kryengritja paqësore në njërën anë dhe lufta e pashpallur që organizuan forcat serbe e jugosllave kundër popullit duarthatë dhe të pambrojtur të Kosovës, në anën tjetër. Demonstratat paqësore u kthyen në ngjarje të përgjakshme nga makina shtypëse jugosllave që po i shërbente politikës hegjemoniste e ekspansioniste serbe, ndoshta pa kuptuar se oreksi i saj nuk do të shuhej vetëm me Kosovën.
Rëndësia historike e Pranverës shqiptare të vitit 1981 qëndron në zgjimin shqiptar dhe në sensibilizimin e solidaritetin e gjerë ndërkombëtar. Duke qenë gati e harruar në pluhurin e historisë dhe problem i brendshëm jugosllav, çështja e Kosovës me gjak e sakrifica u shfaq para botës me gjithë mprehtësinë e saj. Kosova e demaskoi fytyrën e vërtetë të politikës pushtuese të Jugosllavisë, duke lëkundur themelet e saj dhe sistemin e kalbur të vetadministrimit. Pavarësisht dëmeve të rënda që pësoi lëvizja e organizuar kombëtare, efektet e demonstratave në ngritjen e ndërgjegjes së qytetarëve për çlirim nga robëria, qenë të barabarta me dhjetë vjet të punës së saj. Marsi dhe prilli i vitit 1981 përbënin rubikonin e Kosovës në luftën çlirimtare, përparimin e ndërgjegjes së Lirisë, siç do të thoshte Hegel dhe preludin e ngritjeve, sasiore e cilësore të lëvizjes së re kombëtare, deri në epokën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ranë për të mos vdekur kurrë
Në njëzetë e gjashtë vjetorin e demonstratave historike, Kosova do të duhej edhe institucionalisht të kujtonte dëshmorët e tyre, si Naser Hajrizi e Asllan Pireva, organizatorë të demonstratave dhe militantë të lëvizjes kombëtare, Xhelal Maliqi e Salih Abazi, Salih Mulaku e Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi e Sherif Frangu etj, që ranë për të mos vdekur kurrë. Janë shumë mesazhet që vijnë nga viti 1981, por porosia më domethënëse për brezin e sotëm është të mos lejohet përsëritja e zgjidhjeve gjysmake dhe të padrejta të çështjes së Kosovës, të cilat e çuan në tragjedi të njëpasnjëshme këtë popull të shumëvuajtur. Populli i Kosovës ka sakrifikuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e merituar, prandaj nuk duhet detyruar që sërish të gjakoset për të drejtat e tij të ligjshme.
Kontrolloni gjithashtu
Arben Mustafa: Me Bedri Hamzën Kryeministër, pensionistët do të marrin 1000 euro më shumë brenda një viti
Koordinatori për Financa në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka deklaruar se në qeverinë …