Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Mosmirënjohja vret të vërtetën

(Është hera e dytë që duhet ta mbroj, Fatos Klosin, për faktin se mosmirënjohja më vret!)

 Në Kosovë ka shumë mosmirënjohje, sidomos atëherë kur duhet të ketë shumë mirënjohje. Në gati tridhjetë vjetet e fundit, mosmirënjohjen e kam parë sa e sa herë edhe ndaj misionarit e frymëzuesit të lirisë sonë, Adem Demaçit nga e njëjta farë njerëzore. Dhe njeriut i dhëmbë shumë veçanërisht atëherë dhe atje kur ajo, mirënjohja nuk mund të gjendet as me qyski.

Nuk kam asnjë dyshim, e shoh çdo ditë në Kosovën time të dashur se i drejti sa edhe e vërteta kanë pak argatë e mbështetje, ndërsa gënjeshtra dhe mashtrimi, kanë mbështetje, madje edhe pushtet marrin shpesh?!

Prandaj jemi këtu ku jemi dhe nuk jemi aty ku duhet të jemi, por mbase e meritojmë.

Janë një soj  i njerëzve shumë të ligj, që dinë të krekosen si “gjelat maje plehu”, vetëm pas kalimit të rreziqeve të mëdha, rreziqe që kanë kërkuar njerëzit e integriteteve të mëdha. Dhe zakonisht integriteti i njeriut shfaqë e shpërfaqët në kohë të rreziqeve të mëdha. Vetëm në kohë rreziqesh ka dëshmorë dhe heronj. Pas luftërave, vetëm “gjeneralët” janë me bollëk?!

Populli i Kosovës se Lirë, të pavarur, sovrane e demokratike, duhet të përkulet para çdo dëshmori të rënë në luftën çlirimtare, si dhe për çdo njërin nga ata  që na mundësuan  ta gëzojmë lirinë e pavarësinë e shtetit tonë. Pa asnjë dyshim, merita të mëdha për ketë liri kanë edhe shumë të gjallë, që gjallojnë në mesin tonë e shpesh nuk i vërejmë. Natyrisht, nuk mungojnë as ata që të gjithë të gjallët që dje kontribuuan në lirinë e sotme, të ishin në varre për t’ju dërguar ndonjë lule, edhe pse disa që sot krekosen, as ketë nuk mund ta bëjnë dot. Unë ata i kuptoj, se atë soj njerëzish i shoh, i dëgjoj që më se paku 50 vjet dhe sinqerisht nuk pres më shumë nga ajo farë.

E ndjej për obligim, në rend të parë njerëzor e pastaj kombëtar për ta thënë një të vërtetë që e kam parë unë pas kthimit në Shqipëri nga Parisi, pra pas përfundimit të Konferencës së Rambujesë për Kosovën. Kjo ishte hera e dytë që isha në Shqipëri, kuptohet pas vitit 1993. Në ketë kohë e pash kontributin e gjithë drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar – Shqipërisë. E pata rastin që ta njoh edhe Shefin e Sigurimit të Shqipërisë, Fatos Klosin. Përshtypja ime është se ai ishte një njeri në kuptimin e plotë të fjalës, një profesor i shkencave të natyrës, një intelektual i urtë e babaxhan, të i cili nuk pash asnjë veti polici ose të njeriu që krekoset për pozitën e tij. Të ai e pash një njeri me vullnet të madh për ta ndihmuar UCK-në dhe luftën e saj në Kosovë. E them me bindje, se atë dashuri se kam parë kurrë të kundërshtarët e tij në Kosovë. Të këta të fundit atë gatishmëri nuk e kam parë as para lufte, as gjatë luftë e madje nuk e kanë as sot.

Unë skuqëm, e skuqëm shumë, kur dëgjoj akuza e shpifje se ai dinë apo duhet të dinë për ketë e atë vrasje?! Për mua ato janë gënjeshtra të liga, të njerëzve që kurrë nuk kishin gatishmëri të luftonin aty, ku i kërkonte zëri i atdheut. Eh! Sot rrahagjoksët janë me bollëk! Do të ishte me fat për ne të gjithë, ndriçimi i çdo vrasje të pa ndriçuar. Por, kjo mungesë, askujt nuk i jep të drejt të akuzojë të tjerët!

Për mua, për kohën që e njoha krejt deri më sot, Fatos Klosi ka qenë e ka mbetur një njeri shumë i mirë, një profesor shkëlqyeshëm, një zyrtar shembullor që meriton çdo mirënjohje për ndihmën që ia ka dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Luftës sonë për liri e pavarësi. Pra gjithë shqiptarëve edhe atyre që nuk janë mirënjohës.

Ai e meriton çdo mirënjohje! Te ne, jo rrallë mirënjohje marrin ata të tjerët që as vet nuk e dinë pse i marrin?!

Për mirënjohje as kam qenë e as jam dorëlirë! E të bardhës nuk mund t’i them e zezë. Kush të dojë le ta beson ketë, kjo është bindja ime për një njeri të mirë e bujar!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …