Deklaratat publike të dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilat përmbajnë porosi kërcënuese për prokurorë të caktuar, janë ndërhyrje në punë e prokurorisë dhe vetë sistemit të drejtësisë, vlerësojnë zyrtarë të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe njohës të çështjeve juridike. Deputeti Milaim Zeka nga partia Nisma Socialdemokrate, është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë, për kanosje përmes mjeteve të informimit, ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefkiu. Ditë më parë edhe deputeti Shkumbin Demaliaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kishte përdorur gjuhë të ashpër ish-prokurorit Elez Blakaj, i cili kishte hetuar çështjen e “Listës së veteranëve”. Prokurori, Sylë Hoxha, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e tilla të këtyre deputetëve, konsiderohen si ndërhyrje dhe pengim i punës së Prokurorisë. “Sigurisht që nuk është mirë të ndërhyjë askush në punën e prokurorisë, pasi që është një organ i pavarur në punën e tij. Të gjitha këto do të sqarohen më vonë, nëse është bërë ndonjë lëshim. Mirëpo, çdo deklarim lidhur me këtë, konsiderohet si ndërhyrje dhe si pengim në punën e pavarur të prokurorisë”, tha Sylë Hoxha.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …