Në 50-vjetorin e shpalljes fajtor dhe dënimit të parë me burg të Adem Demaçit nga ish-regjimi okupatori jugosllav, për vepra penale kundër shtetit, profesor, doktor Hakif Bajrami ka publikuar një studim të gjatë ku, në mënyrë analitike, në sinkroni dhe diakroni ka zbërthyer esencën e angazhimit patriotik të Bacë Adem Demaçit, të gjallit më të merituar të kombit shqiptar, ideatorit dhe liribërësit të Kosovës, hapëruesit të pandalshëm të lirisë, njeriut shqiptar të këtyre trojeve, që tërë jetën, qysh prej moshës së rinisë së tij e vuri në shërbim të kombit e Atdheut. Profesor, Bajrami na përkujtoi se edhe datat si kjo, data e fillimit të ndeshjes, nëpër gjyqe e Demaçit, kundër regjimeve pushtuese, janë data shumë të rëndësishme të historisë sonë. Sepse kjo datë shënon kohën e riartikulimit të një kërkese të drejtë kombëtare, në kushte dhe rrethana të reja historike, është data që shënonte fillet e jetës së tij të gjatë e të mundimshme nëpër burgje, të një jete të pakthyeshme prapa dhe përjetësisht të lavdishme.
Në këtë 50-vjetor të fillimit të ndeshjes së tij të ashpër kundër pushtetmbajtësve të kohës, nuk kemi si të mos e kujtojmë veprimtarinë e Bacë Ademit edhe në disa dimensione të tjera, sidomos në mungesën e trajtimit institucional të meritave të tij për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar.
A ka njeri më të merituar se Adem Demaçin kombi shqiptar në rrugën e vetëflijimit dhe në rrugën e tij të rezistencës për liri, barazi dhe çlirim nga robëria e huaj?
Nuk mohohet fakti se ka edhe shumë burra të ndershëm dhe meritorë, të gjallë, nga radhët e kombit tonë, por asnjëri prej tyre nuk ka një biografi të tillë çfarë e shkruar me 28 vjet jetë nëpër burgjet e Jugosllavisë, dhe shumë vjet të tjera para e pas burgjeve, me mund, sakrificë dhe me këmbëngulje, pa lëshuar as edhe për një çast, as edhe për një moment angazhimin dhe flijimin e tij për popull e Atme, pa devijuar as edhe njëherë nga rruga e lirisë, pa bërë as edhe kompromisin më të vogël me ata që na sunduan deri në qershor të vitit 1999, pa bërë as edhe një kompromis as me ata që erdhën, pas luftës, të ftuar e të paftuar, me qëllim për të na i drejtojnë punët, sipas kutit dhe shijes së tyre.
Nuk ka dyshim se Bacë Ademi i njeh më së miri shqiptarët, ndërkohë që nuk mund të thuhet se shqiptarët ia njohin si duhet e sa duhet meritat bacë Ademit. Kroatët i njohën si duhet dhe i çmuan lart liribërësit e tyre: Franjo Tuxhmanin dhe Sitpe Mesiqin, të cilët u angazhuan dhe luftuan për çlirimin e Kroacisë nga Jugosllavia. Sllovenët e njohën dhe e postuan në vendin e merituar, Janez Dernovshekun, boshnjakët Alia Izetbegoviqin, polakët, Leh Valencën dhe Afrika e Jugut, Nelson Mandelën. Asnjëri prej këtyre personaliteteve dhe burrave të njohur të këtyre kombeve, përveç Mandelës, nuk i ka meritat e rezistencës dhe të vetëflijimit për liri, demokraci dhe humanizëm, ashtu, sikur Bacë Adem Demaçi. Dhe të gjithë këta popuj, polakët, sllovenët, boshnjakët, afrikanët e Jugut, e të tjerë, jo vetëm i kanë respektuar simbolet e veta kombëtare, por edhe i kanë postuar në vendet e tyre të merituara, duke nderuar në radhë të parë veten e tyre dhe personalitetet e tyre tejet të çmuara të rezistencës dhe sakrificës për liri.
Cili politikan apo udhëheqës institucioni në Kosovë mund të matet me meritat dhe vetëflijimin për çlirimin e vendit me Bacë Ademin?
Realisht, askush.
Asnjëri prej tyre nuk arrin as te çereku i vlerave të këtij personaliteti emblematik të kombit tonë.
Dhe cili politikan apo udhëheqës institucionesh, në Kosovë ka guximin, dijen, kapitalin kombëtar e politik, mprehtësinë e gjykimit dhe përkushtimin e Bacë Ademit për të ruajtur interesat e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi?
Bacë Adem Demaçi, si duket, gjithnjë ka ecur një hap para kohës, ose ne nuk e kemi zënë dot hapin e tij, ose ai me qëllim ka bërë hapa të mëdhenj përpara, hapat e sogjetarit të historisë, hapat e paralajmëruesit të fitores, hapat e Marathonomakut të lavdishëm, hapa, të cilët ne kurrsesi nuk po i arrijmë.
Mbase, kjo çështje mund të shtrohet edhe ndryshe.
Hapërimi i tij, rruga e tij jetësore është e mbushur me veprimtari atdhetare, me krijimtari të shkëlqyeshme artistike, me një humanizëm brilant dhe gatishmëri për të falur, (që nganjëherë na duket paksa edhe e tepruar), me një guxim të pashoq për t’i thënë të vërtetat troç, trimërisht e burrërisht, pa u bërë fare merak se të ka pëlqyer apo jo e vërteta, apo gjykimi i tij, i sertë por i drejtë. Ai kurdoherë është treguar dhe tregohet i kujdesshëm, për të mos e lënduar askënd, madje as ata që dëshmuan nëpër gjyqe kundër tij, as ata që e shanë, as ata që e lehin herë pas herë pas shpine, as ata që nuk e kanë kuptuar kurrë dhe nuk do ta kuptojnë ndonjëherë.
Dimensioni humanist dhe shumë njerëzor i Ademit Demaçit është për çdo lëvdatë dhe admirim dhe kjo na bën të kuptojmë sesa larg jemi ne, si komb, shoqëri e si shtet për të qenë të denjë për personalitete të tilla sikur është i vetmi, më i merituari ndër të gjallët e kombit, bacë Adem Demaçi.
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …