leoni

Dilaver Goxhaj: Radio Kosova e Lirë – Institucion i Bashkimit Kombëtar

(Fjala e ish-zëvendësit të shefit të SHP të UÇK-së, Dilaver Goxhaj me rastin e përurimit të Arkivit të Radios-Kosova e lirë, më 26 nëntor 2009, në Prishtinë)


 


Të nderuar ish bashkëluftëtarë, familje dëshmorësh dhe miq të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!


Ky tubim, ditën e promovimit të tre vëllimeve të Arkivit të periudhës së luftës të Radio Kosva e Lirë, zërit të vetëm politik shqiptar në efir, gjatë periudhës së stuhishme të Lutës Çlirimtare në Kosovë, sot në 12 vjetorin e shpërthimit të saj dhe në prag të 11 vjetorit të asaj radioje, është një ngjarje e shënuar dhe që duhet të vendoset në kalendarin tonë ushtarak. E them këtë sepse çdo popull që kërkon të ecë përpara, të ardhmen e lexon në të shkuarën. Dhe e shkuara janë arkivat. Dhe një e tillë del në dritë sot. Përmes këtij botimi voluminoz jo vetëm historianët por edhe brezat tanë të ardhëshëm do të kenë mundësinë të mësojnë se krijimi i Radio Kosova e Lirë, në 4 janarin e vitit 1999, ka qenë domosdoshmëri. Kish mbi një vit që populli shqiptar po luftonte dhëmbë për dhëmbë me ushtrinë, policinë dhe paramilitarët serbë, por çlirimi i Kosovës nuk ishte kryer ende.


Duheshin bërë edhe më shumë përpjekje; gjithë populli duhej t’i bashkangjitej Luftës Çlirimtare me të gjitha mënyrat; duhej që të bashkoheshin me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të gjitha shtresat progresiste të shqiptarëve në Kosovë, pasi ishte momenti më deçiziv për të ekzistuar apo jo Kosova shqiptare. Luftrat çlirimtare pa bashkim dhe pa sqarim zakonishtë përfundojnë në disfatë. Dhe kjo detyrë politike dhe organizative me rëndësi vendimtare iu ngarkua Radios Kosova e Lirë, e cila ishte detyrë e ndërgjegjës sonë kombëtare. Dhe ekipi i vogël, por me vullnet, guxim dhe vetmohim i Radios Kosva e Lirë e morri përsipër atë detyrë edhe pse e dinin rrezikun që i priste. Ajo ishte një detyrë shumë e rëndësishme, po të kemi parasysh amullinë politike  që sundonte atëherë në Kosovë.


Përgjegjësinë e asaj detyre e bënte edhe më të rëndësishme të qënët luftë çlirimtare guerile në zemër të Evropës demokratike. Në këto kushte, Radio Kosova e Lirë u shndërua qysh ditët e para të funksionimit të saj  në krenari e UÇK-së dhe e popullit tonë. Dhe kjo Radio e kreu atë detyrë me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë shqiptarët, duke u shpjeguar se si luftonte ushtria e tyre çlirimtare. Ajo Radio përgjithësonte dita-ditës përvojën luftarake të zonave operative dhe të formacioneve të tjera luftarake të UÇK-së. Dhe ekipi i kësaj radioje i vuri të gjitha forcat për plotësimin e kësaj detyre patriotike. Ajo u bë shkollë për edukimin e luftëtarëve të ushtrisë sonë si dhe për përgatitjen teorike të kuadrove drejtuese të asaj lufte, të cilët pajiseshin me njohuri dhe zotësi drejtuese, që të mos përpiqeshin për lavdi, por të bënin punë të lavdishme. Ishte Radio Kosova e Lirë dhe ato kuadro të aftësuara prej saj që ndërgjegjësuan tërë efektivat e UÇK-së dhe  gjithë dëgjuesit e saj të regullt për t’ia nënshtruar çdo gjë interesave të luftës, i cili është një parim i pakundërshtueshëm në atë lloj lufte.


Për këto arsye populli ynë duhet ta njohë dhe ta nderoi përjetësishtë ndihmën e inteligjencës patriotike të ekipit të Radios Kosova e Lirë. Botimi dhe publikimi i tërë veprimtarisë së asaj Radioje është një shenjë e mos haresës së atij respekti për përpjekjejet e atij kolektivi luftarak, pasi pa atë ndihmë ndoshta edhe lufta e jonë nuk do të arrinte ato rezultate pozitive që ajo arriti, pasi puna e Radio Kosova e Lirë, sëbashku me atë të agjensisë Kosova Press, ndihmuan udhëheqjen politike të asaj lufte.


            Përmes botimit të këtij arkivi, gjithkush që është i interesuar do të bindet se gjatë asaj lufte, Radio Kosova e Lirë çdo ditë e më shumë u është shmangur formulave steriotipe e shabllone për mobilizimin e popullit në luftë, e cila përbën një nga pasuritë më të mëdha të përvojës së mediave radiofonike shqiptare, dhe që është e vetmia dhe unikale në historinë e luftrave çlirimtare të kombit shqiptar.


Gjithkush, përmes këtij botimi do të shohë se, për të luftuar kundër pushtuesit serb:


-duhej të luftohej edhe kundër propagandës frikësuese ultra pacifiste shqiptare;


-duhej luftuar kundër marrëveshjeve të fshehta e të hapura në dëm të qëllimeve të asaj lufte;


-duhej luftuar kundër tradhtarëve dhe kapitulantëve të hapur e të kamufluar;


-duhej luftuar kundër veprimeve përçarëse dhe kundër goditjeve prapashpine që i bëheshin UÇK-së; 


-duhej luftuar kundër përpjekjeve për nënvleftësimin e asaj lufte dhe rolit të UÇK-së në atë luftë;


– duhej luftuar mediatikisht kundër shpopullimit të Kosovës nga shqiptarët, etj.


Pa këtë lloj lufte të Radios Kosova e Lirë, parulla e Luftës për Çlirimin e Kosovës ndoshta do të mbetej veç një fjalë boshe dhe shpresa për arritjen e fitores, për ne luftëtarët do të ishte e zbehtë. Dhe, gjithkush që do të marrë mundimin e t’i lexoi këto materiale të arta, do të bindet se askush nuk mund ta bënte atë luftë më mirë se ekipi i asaj Radioje, e cila ishte institucioni i vetëm politik mediatik, që fliste shqip në hapësirën e Kosovës së asaj kohe të rëndë e të vështirë për fatet e Kosovës, në mbrojtje të qëllimeve të asaj lufte çlirimtare. I cilësova “materiale të arta” sepse kanë vlerën e arit, ndaj dhe quhen arkiva.


Gjithkush që do të lexoi këto libra arkivi do të mësoi se edhe Radio Kosova e Lirë ka patur vijën e saj politike, e cila ka qenë: Bashkimi i gjithë shqiptarëve në luftë deri në plotësimin e misionit të përcaktuar në betimin ushtarak të UÇK-së, bashkimin kombëtar. Dhe, pse ky mision enda  nuk është kryer, ndaj e thashë qysh në fillim se, e ardhmja lexohet në të shkuarën.


            Faleminderit!

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …