Ahmet Qeriqi: Dëshmitarët e instruktuar, shpikje djallëzore e qarqeve antishqiptare për damkosjen e luftës së UÇK-së

 


Kanë kaluar 12-vjet nga çlirimi i Kosovës, ndërsa lufta e Ushtrisë sonë çlirimtare e fitimtare vazhdon të mbetet në shënjestër të qarqeve antishqiptare dhe të spiunëve shqipfolës, të të gjitha shërbimeve  të regjimeve okupatore të së kaluarës. Këtë luftë djallëzore e kishte filluar UNMIK-u, që në ditët e para të zbarkimit në Kosovë, në verë të vitit 1999  dhe po e vazhdon me sukses edhe EULEX-i, gjithnjë duke u mbështetur në dosjet e kohës së regjimit të Milosheviqit dhe në bashkëpunim të plotë me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Beogradit. Fushata kundër UÇK-së nuk ka ndaluar madje as një ditë të vetme gjatë këtyre 12 viteve. Për pasojë janë dënuar mijëra luftëtarë të lirisë, shumë të tjerë kanë ikur nga Kosova dhe një pjesë syresh në varfëri fatale.


 


Kjo fushatë djallëzore nuk do të kishte pasur sukses, por të mos e kishte pasur lejen  nga një segment i lartë i  udhëheqëses së luftës dhe bekimin e qarqeve sunduese shqiptare në trekëndëshin:Prishtinë-Tiranë-Shkup. Dikujt i duket i ekzagjeruar ky konstatim, por kur  analizohen faktet relevante dhe indolenca e përgjithshme e faktorit shqiptar, të këtyre tri qendrave  kundërshtare të spikatura  të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, atëherë kuptohet përse Prishtina, Shkupi dhe Tirana zyrtare lejojnë fushatën kundër UÇK-së, sipas maksimës reaksionare: “Gjarpni që nuk më helmon  mue, rroftë 100 vjet”.


Dhe, ky gjarpër po i helmon një nga një, të gjithë ata që nuk kursyen, mundin, djersën as gjakun për çlirimin e Kosovës nga robëria shekullore serbe.


Pikërisht për shkak se Prishtina zyrtare, Tirana dhe Shkupi kanë lejuar fushatën kundër vlerave të luftës, duke u distancuar sikur thonë ata nga veprimet e individëve të caktuar dhe me qëllim për të ruajtur pozitat e tyre sunduese, fati i luftëtarëve të lirisë është lënë në mëshirë të EULEX-it dhe të Prokurorisë së Serbisë.


 


Pikërisht për shkak, të kësaj gjendjeje ekzistuese dhe të thellimit të përçarjeve brendashqiptare nga partitë politike, të cilat përfaqësojnë grupet e përfitimeve, që u sjell veshja me pushtet, vlerat  luftës  së UÇK-së, jo vetëm që nuk përfillen realisht, por ato u shërbejnë atyre vetëm gjatë fushatave zgjedhore dhe në fjalimet e tyre, të cilat i lexojnë me patetikë e pompozitetet nëpër mitingje, tubime e akademi përkujtimore.


 


Andaj  nuk është për t’ u habitur pse është lejuar që, në Kosovë,  të instalohet mekanizmi i ashtuquajtur i “dëshmitarit të instruktuar, apo i dëshmitarit të mbrojtur” i cili i shërben Prokurorisë, Gjykatës vendore dhe asaj të EULEX-it, si një vegël e verbër, e blerë financiarisht, me qëllim të diskreditimit të vlerave të luftës sonë të shenjtë, çlirimtare dhe fitimtare.  Diskreditimi i tillë ka për qëllim barazimin e krimeve, sipas teorisë së Dik Martit, se dy palët, (Regjimi i Milosheviqit dhe UÇK-ja) kanë qenë kriminelë, ndërkohë që krimet i kanë kryer në saj të fuqisë, që kanë disponuar.  Kjo formulë e Dik Martit, e Karla del Pontes, e Mauricio Silvistros dhe antishqiptarëve të tjerë të njohur, dita ditës po vihet në zbatim, me qëllim për t’i zhveshur vlerat e luftës dhe për t’ i paraqitur ato në ngjyrën më të zezë të mundshme, qoftë edhe vetëm duke paragjykuar, meqë asnjë mekanizëm i drejtësisë pozitive në botë nuk pranon barazimin e viktimës me xhelatin, të paktën kjo teori fashite nuk pranohet “de jure”, edhe pse në shumë vende është zbatuar dhe zbatohet sipas formulës  së “diskriminimit pozitiv”, sikur është vepruar me shqiptarët në Kosovë e më gjerë, sidomos  pasluftës.


 


Kjo politikë antishqiptare e EULEX-it, bëhet me qëllim që të krijohet bindja se shqiptarët “e ndershëm dhe serbët e ndershëm” gjithnjë kanë jetuar bashkë dhe mund të jetojnë bashkë, madje edhe Kosova e Serbia mund të futen bashkë në BE, sikur tha Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague. Me rëndësi është që, për ta harruar të kaluarën, shqiptarët të binden se jo vetëm ushtarët dhe policët serbë kanë kryer krime, sepse  krime, madje edhe më të shëmtuara paskan kryer pjesëtarët e UÇK-së, të cilët në kohë të luftës edhe paskan trafikuar organet e serbëve  të zënë rob. (!)


Për ta sendërtuar këtë teori me përmbajtje fashiste, EULEX-i dhe vasalët shqipfolës, në Kosovë, kanë ndërtuar madje edhe objektin e turpit, Objektin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, të cilët, qind për qind janë  bashkëpunëtorë të regjimit kriminal të Milosheviqit dhe bastardë, që kanë marrë mallkimin e mijëra viktimave, mallkimin e baballarëve dhe nënave shqiptare, që kanë humbur bijtë e bijat e tyre, mallkimin e mijëra shqiptareve të përdhunuara nga serbët gjatë luftës, mallkimin e miliona shqiptarëve liridashës që kanë përjetuar tmerret më të çoroditura të krimeve, pas Luftës së Dytë Botërore.


 


12-vjet pas luftës, një dëshmitar i koduar si  dëshmitari “X”, edhe pse dihet me emër e mbiemër se kush është ky bastard, dëshmon kundër 1300 luftëtarëve të Brigadës, Ismet Jashari Kumanova, 9 prej tyre të akuzuar dhe më shumë se  1000 të cilët kanë paraqitur deklarata mbrojtëse, duke marrë përsipër mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.  Dëshmitë e tij qenkan relevante, vetëm sepse janë të drejtuar kundër njërit prej komandantëve më të suksesshëm të luftës së UÇK-së dhe më të suksesshmit për zhvillimin e Kosovës së pasluftës. Krejt  kjo fushatë bëhet sepse ky shqiptar konsekuent, i pajisur  me merita të veçanta nuk i nënshtrohet politikave antishqiptare dhe anti UÇK të EULEX-it dhe të BE-së përgjithësisht.


Dhe, ja cili është absurdi. Dëshmitari X, 12 vjet pas luftës, kur do të duhej të deklarohej për veprat që ka kryer, për ta shpëtuar lëkurën e vet të bastardit, pranon të bëhet vegël e verbët, meqë EULEX-i i ka premtuar se pas gjykimit, do të merret në mbrojtje, do t’ i ndërrohet identiteti dhe do të jetojë në luks, në një iks vend të botës, ashtu sikur kanë ndodhur sa e sa raste deri tani, ashtu sikur i është premtuar edhe dëshmitarit tjetër të instruktuar të Beogradit, Nazim Bllacës dhe disa të tillëve si këta.


Ja, cila është “drejtësia” e EULEX-it, mision i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe bashkëpunon me Beogradin në të gjitha segmentet relevante, që i përshtaten  këtij misioni kolonialist, antishqiptar e pse jo edhe fashist, kur luftën për diskreditimin e shqiptarëve liridashës e bën nga pozitat e regjimit kriminal të Milosheviqit, me qëllim që Serbisë t’ i fshihen damkat e krimit para se të pranohet në BE. Po për këtë qëllim policët e EULEX-it,  në Kosovë, fyejnë përçmojnë dhe sulmojnë fizikisht madje edhe policët e zyrtarët shqiptarë, që punojnë në këtë mision.


 


Kjo që po ndodh sot në sy të krejt shqiptarëve, lë për të kuptuar se prania 12-vjeçare e protektorëve të huaj ka arritur të bëjë një ndarje radikale në mes të shqiptarëve të lakueshëm, bashkëpunëtorë besnikë të të gjitha regjimeve,  dhe  në anën tjetër të atyre shqiptarëve, që cilët nuk duan  të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe këtë mision, me të drejtë e konsiderojnë antishqiptar, sikur edhe është realisht.


 


Fushata për diskreditimin e luftës së UÇK-së, duke u mbështetur në dëshmitë e bastardëve, bashkëpunëtorëve të Beogradit, duhet dhe do të  dështojë me turp, sepse, nuk ka njeri me arsye të shëndoshë, që mund të besojë se dëshmitari i blerë me para  flet të vërtetën, të cilën e mohojnë 1000 të tjerë, të apostrofuar dhe të pa apostrofuar në vepra që quhen “të inkriminuara”.


Drejtësia e vërtetë dhe e paanshme nuk shpik dhe nuk dreson dëshmitarë, këtë e bën “drejtësia” e politizuar e EULEX-it, me qëllime krejt të qarta, të cilat nuk i kuptojnë, ose shtiren se nuk i kuptojnë disa nga krerët dhe komandantë e luftës së UÇK-së. Këtu edhe qëndron mjerimi i kësaj indolence dhe papërgjegjësie, e cila nuk do të mbetet e pandëshkuar në të ardhmen, së paku në segmentin moral. Të sillesh me indiferencë dhe heshtje sot, kur në mënyrën më të shëmtuar përdhosen vlerat e luftës, duke u mjaftuar me konstatimin se “do të kalojë edhe kjo” është një oportunizëm i papranueshëm dhe i dënueshëm shumë ashpër  në aspektin moral kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …