Fjala e kolonelit, Halil Katana me rastin e përurimit të Arkivit të Radios Kosova e lirë, më 26 nëntor 2009, në Prishtinë

 


Të nderuar familjarë të dëshmorëve,
Të nderuar komandantë e luftëtarë të Ushtrisë legjendare Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar gazetarë të Radios Kosova e Lirë,
Të dashur vëllezër e motra pjesëmarrës!
 
E ndjej vetën të lumtur që marrë pjesë në këtë akademi promovuese të këtyre veprave, që botoi Radio Kosova e Lirë me dokumente që pasqyrojnë Luftën Çlirimtare të Kosovës.
Në emër të Kryesisë së Përgjithshme të Organizatës  Kombëtare për Dëshmorët e Atdheut dhe të redaksisë së revistës “Pavdekësia” iu përshëndes përzemërsisht për këtë punë të madhe që keni bërë e po bëni.
Krijimi i Radios Kosova e Lirë dhe Agjencisë së lajmeve Kosovapress ishte një vendim e veprim me shumë rëndësi në procesin e organizimit, të drejtimit e zhvillimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës. Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, Drejtoria Politike e këtij Shtabi, kishin ide e vizione të qarta për rolin e madh të medias për pasqyrimin dhe frymëzimin e kësaj lufte. Drejtuesit kryesor të Luftës me të drejtë vlerësuan rolin e madh të medias për informimin e mbarë botës për masakrat barbare, që po kryente në tërë Kosovën aparati policor dhe ushtria e Milosheviçit, si dhe për qëndresën e pamposhtur të popullit shqiptar përballë kësaj dhune të pashembullt në histori. Në të njëjtën kohë Radio Kosova e Lirë do t’i bënte me dije botës dhe popullit të saj për luftimet e betejat, që zhvillonte UÇK-ja anembanë Kosovës, duke i shkaktuar armikut disfata të njëpasnjëshme. Ajo ishte një armë me larghedhje më të madhe se armët e zjarrit dhe e godiste armikun në zemër.
Radio Kosova e Lirë ishte zëri i pushkës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe me të drejtë ajo është quajtur Zëri i Lirisë, që erdhi përmes luftës të kësaj ushtrie të lavdishme. Zëri i kësaj radioje u fut në çdo shtëpi shqiptare, duke ngrohur, frymëzuar e ngritur peshë zemrat e njerëzve.
Ngritja e kësaj radioje, në ato kushte ka qenë një ndërmarrje tepër e vështirë, për faktin se ushtria serbe dispononte mjete pelengimi të përpikta dhe artileri, raketa e aviacion që jepnin goditje shumë të sakta mbi objektivat e zbuluar. Ky radiostacion  i ngritur në malet e Berishës përbënte një sfidë të paimagjinueshme për shtabet serbe dhe një objekt për t’u goditur e asgjësuar me çdo mjet.
Në këto kushte nga stafi drejtues është dashur një guxim i jashtëzakonshëm, por edhe zgjuarsi për manovër, çka kanë bërë të mundur që kjo radio të mbijetojë, duke mos i ndërprerë emisionet e saj gjatë gjithë Luftës.
Ata që kanë punuar e kanë drejtuara këtë radio janë heronj të vërtetë.
Radio Kosova e Lirë, edhe pas Luftës nuk e la në mes të rrugës misionin e saj. Ajo, ndonëse pa përkrahjen e duhur, vazhdoi e vazhdon të përcjell me dinjitet e profesionalizëm amanetin e dëshmorëve. Ajo sot është radioja më e pastër kombëtare. Zëri dhe publikimet e saj, janë të vërtetat, kundër falsifikatorëve të historisë.
Drejtuesit e Radios Kosova e Lirë na japin sot në dorë tri vëllime me dokumentet dhe materialet, që ka transmetuar kjo radio gjatë Luftës. Ata përbëjnë një thesar të çmuar për historinë dhe kulturën kombëtare.
Pas 11 vëllimeve “Feniksët e Lirisë”, që u kushtohen dëshmorëve të U{KK-së, sot na japin në dorë këto vëllime me dokumente e materiale, që ka transmetuar Radio Kosova e Lirë gjatë periudhës së Luftës.
Kush dëshiron të shkruaj historinë e vërtetë të Luftës Çlirimtare të Kosovës detyrimisht duhet t’iu referohet këtyre librave.
Publicistë, shkrimtarë e poetë, si dhe artistë të fushave të ndryshme, që e kanë për detyrë të përjetësojnë UÇK-në dhe luftën e saj legjendare, detyrimisht duhet t’u referohet këtyre librave. Nuk mund të bësh as histori, as letërsi, as  art që t’i shërbejë kombit nëse nuk lexon këta libra. E them këtë në një mënyrë kaq kategorike, duke u nisur nga fakti se lufta e fundit, Lufta e UÇK-së, është më e madhja e më e organizuara në historinë e Kosovës. Është lufta që solli lirinë. Dhe djemtë e vajzat që e bënë këtë luftë janë lavdia jonë e duhet t’i mbajmë gjithmonë në ballë të nderit. Kurrë nuk duhet të lodhemi duke shkruar për ta.
Këta libra e japin të gjallë luftën, me gjithë dramat, tragjeditë dhe heroizmin e saj të pakrahasueshëm. Lajmet, kronikat, intervistat, refleksionet e ndryshme, nuk janë hartuar në studiot moderne, por në llogoret e luftës nga gazetarët heronj dhe janë përpunuar e transmetuar nga strehime të nëndheshme, kur mbi to shpërthenin predhat e artilerisë së rëndë serbe.
Këto janë e vërteta, pa sajime, pa shtrembërime.
Cilido shqiptar që ka një  formim minimal intelektual e  nuk e ka dëgjuar radion Kosova e Lirë gjatë Luftës, është mirë që t’i marrë këta libra e t’i lexojë tani në liri, në mënyrë që të kuptojë sadopak nga Lufta e UÇK.
Kush mendon se liria ka ardhur ashtu, vetvetiu dhe përpiqet të zvogëlojë rolin vendimtar të UÇK-së për çlirimin e Kosovës, është mirë t’i lexojë këta libra edhe nëse nuk e ka në mend që të ndryshojë qëndrimin e tij.
Këta libra përmbajnë një histori të shkruar me gjak.  shumë e madhe historike dhe morale. Janë libra të shkruar me gjak dhe për gjak. Prandaj veç vlerës historike, kanë një vlerë shumë të madhe morale për brezat e sotëm e të ardhshëm, për të kuptuar se çfarë sakrificash mbinjerëzore kanë bërë luftëtarët e lirisë.
Prandaj përshëndesim profesor, Ahmet Qeriqin dhe gjitha gazetarët që kanë punuar me të gjatë luftës e që i kanë ruajtur materialet e transmetuara në radio e që sot i kanë sistemuar e botuar për publikun, për bibliotekat, për shkollat e institucionet shtetërore, për botën mbarë.
 
I takon qeverisë së Kosovës që ta mbështesë pa rezerva këtë Radio të ndershme shqiptare, që e mbron me besnikëri Luftën dhe gjakun e dëshmorëve, që janë themeli ku qëndron Pavarësia dhe Liria e Kosovës. Ta financojë këtë radio dhe ta bëjë radiotelevizion satelitor.
Lavdi UÇK-së!
Lavdi Dëshmorëve të Kombit!
Nderim të gjithë atyre që drejtuan e punuan e punojnë edhe sot në stafin e Radio Kosova e Lirë!
 Kolonel Halil Katana
Kryeredaktor i revistës “Pavdekësia”.


 


Fjala e drejtorit të Radios-Kosova e lirë, Ahmet Qeriqi në përurimin e Arkivit të Radios, më 26 nëntor 2009


 


Të nderuar dhe të respektuar pjesëmarrës!


Jemi tubuar sot këtu, për të përuruar një botim të veçantë, tri vëllimet e Arkivit të Radios-Kosova e lirë. Daljen në dritë të këtij Arkivi e ka financuar  Qeveria e Kosovës, të cilën edhe e falënderojmë, në emër të Redaksisë së Arkivit dhe të stafit të Radios.


Arkivi i Radios-Kosova e lirë, në kushte dhe rrethana tejet të vështira të luftës  është ruajtur me përkushtim të veçantë, nga stafi i gazetarëve dhe teknikëve, meqë i besonim me bindje të fortë  fitores dhe e dinim vlerën që do ta ketë ky arkiv për historinë e informimit  të epokës së UÇK-së, por edhe për historinë e gazetarisë në vend e më gjerë.


Mënyra si është ruajtur ky arkiv është një tregim me vete, për të cilin nuk do të flasim sot.


Në këto tri libra të Arkivit,  janë prezantuar rreth 3500 informata, të cilat janë emetuar në valët e Radios prej 4 janarit deri më 21 qershor të vitit 1999, me një ndërprerje prej shtatë ditësh, për shkak të bombardimit të selisë së Radios dhe të Agjencisë nga aeroplanët e forcave armike serbe, më 27 mars të po atij viti.


Këto informata, të përmbledhura në faqet e Arkivit,  i kemi hartuar kryesisht duke u mbështetur në të dhënat e burimeve tona në terren, në raportet tonike të zëdhënësve të informimit nëpër shtatë zonat operative të UÇK-së, në burimet e Agjencisë, Kosovapress,  pastaj në burimet  e Shtabit të Përgjithshëm si dhe në burimet e huaja të informimit.


Pjesë përbërëse të Arkivit janë edhe tri botime paraprake: libri “Jehonë lufte” i redaktorit dhe analistit  të radios, Nezir Myrtaj, ku janë përmbledhur të gjitha komentet që ai ka shkruar gjatë luftës dhe janë emetuar në valët e kësaj Radioje. Libri tjetër dokumentar, i titulluar “Reportazhe lufte” i gazetarit, Martin Çuni, ku janë prezantuar intervista me ushtarë dhe eprorë, reportazhe të kohës së luftës, biseda në familje të dëshmorëve, biseda dhe intervista me pjesëtarë të popullatës së zhvendosur, e cila fatin e vet ekzistencial ia kishte besuar luftëtarëve të lirisë. Dhe, libri i Nusret Pllanës, “Rruga e lirisë” ku po ashtu është prezantuar një pjesë e historikut të Radios, e ilustruar me shumë fotografi autentike.  Pjesë përbërëse e këtij arkivi janë edhe qindra fotografi të kohës së luftës, të filmuara nga Martin Çuni, Nusret Pllana, Habib Zogaj, Gazmend Elshani, Valdet Hoti, Besnik Berisha, Fatmir Dugolli e anëtarë të tjerë të stafit të radios dhe të Agjencisë.


Rreth 20 për qind nga ky fond i fotografive janë prezantuar në fund të çdo vëllimi të Arkivit. Po ashtu, stafi i Radios ka  realizuar edhe filmin dokumentar “Zëri i lirisë”, të cilin do të kemi rast ta shohim pas pjesës tematike të përurimit të Arkivit.  Ka ngelur për t’u botuar  në të ardhmen  edhe libri “Kronikë lufte”, i shkruar në formë ditari, ku janë përshkruar 400 ditët e luftës së UÇK-së.


Kjo është, të nderuar të pranishëm, tërë lënda që ne e kemi ruajtur, e kemi nxjerrë në dritë dhe do ta nxjerrim edhe në të ardhmen, me qëllim të ndriçimit të segmenteve të caktuara të informimit gjatë luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare, e cila bëri kthesë historike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin e Ballkanit.


 


Arkivi  i kohës së luftës, që po përurojmë sot ka vlera dokumentare e historike, të cilat do të jenë bazë e fortë dhe e faktuar shkencore për studimin dhe ndriçimin e luftërave e  betejave dhe në përgjithësi të gjitha zhvillimeve luftarake dhe atyre diplomatike gjatë epopesë  së lavdishme të luftës së UÇK-së.


Për më tepër ky arkiv, begaton gazetarinë e Kosovës në veçanti, meqë informatat që janë prezantuar këtu, janë shkruar nëpër frontet e luftës, nën shpërthimin e breshërive të granatave të armikut, në istikamet e luftës çlirimtare dhe jo në zyrat e Prishtinës, të Tiranës apo të vendeve të ndryshme të Evropës, edhe pse ne kemi respekt për të gjithë gazetarët shqiptarë dhe të huaj, që raportuan për luftën në Kosovë, duke mbështetur  parimin e së drejtës së popujve për liri, barazi dhe vetëvendosje.


Në prill dhe maj të vitit 1999, kur pas sulmeve të avionëve të NATO-s kundër Serbisë, regjimi i Beogradit kishte dëbuar të gjithë gazetarët e huaj, por edhe ata që raportonin nga Prishtina dhe nga qytetet e Kosovës, kompanitë e njohura botërore të informimit si: BBC CNN, Dojçe Wele, Zëri i Amerikës e të tjera, për zhvillimet në Kosovë, mbështeteshin vetëm në lajmet që merrnin nga Agjencia Kosovapres dhe  Radio-Kosova e lirë, duke iu sugjeruar dëgjuesve e shikuesve se informatat për zhvillimet në Kosovë ,mbështeteshin vetëm në një burim, në burimet e informimit të UÇK-së.


Të respektuar pjesëmarrës!


Në përmbyllje të fjalës sime po lexoj dy fragment nga parathënia e Arkivit, shkruar nga kryeredaktori, Nezir Myrtaj.


Lënda e publikuar arkivore e RKL-së, paraqet një produkt arkivor me rëndësi të shumanshme. Vlera e saj ka dimensionin historik, politik, ushtarak, njohës, madje edhe atë letrar dhe epik. Ajo nuk është thjeshtë një informatë e transmetuar, apo vetëm një letërsi gazetarie. Si e tillë, ajo, gjithsesi është më shumë se kaq. Duke qenë kronikë e gjallë e luftës dhe pasqyrë e epopeve të heronjve të UÇK-së, ky arkiv konservon realitetin e një epoke dramatike, duke përfshirë mendimin politik, si dhe koniunkturat diplomatike të saj, filozofinë e luftës e të paqes, ndjenjat dhe ndërgjegjet e konfrontuara.


                Kjo lëndë arkivore nuk do të zvetënohet me kalimin e kohës, por përkundrazi ajo do të ruajë cilësinë e arit, shkëlqimin e përhershëm. Ky shkëlqim vezullues do të motivojë e frymëzojë historianët, shkrimtarët, poetët, piktorët, skulptorët, filozofët dhe shkencëtarët të shkruajnë e të skalitin vepra madhështore, të cilat do të kenë për bazë heroizmin, flijimin dhe ndjenjat e fuqishme liridashëse të shqiptarëve, të cilave u dha kuptim UÇK-ja. Arkivi, po ashtu do ta pasurojë edhe historinë e diplomacisë dhe të artit ushtarak, duke dhënë mesazh të fuqishëm për epërsinë e pakontestueshme të luftës çlirimtare mbi atë pushtuese dhe të lirisë mbi robërinë.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Mustafa: Pesë propozimet e PDK-së për dalje nga kriza ekonomike

Arben Mustafa: Me Bedri Hamzën Kryeministër, pensionistët do të marrin 1000 euro më shumë brenda një viti

Koordinatori për Financa në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka deklaruar se në qeverinë …