Rexhep Selimi: Zëri i Radios-Kosova e lirë, ishte zëri i luftëtarëve të UÇK-së, ishte karikatori i mbushur që zbrazej përmes valëve

 


(Fjala e ish-anëtarit dhe inspektorit të SHP të UÇK-së, Rexhep Selimi, me rastin e përurimit të Arkivit të Radios Kosova e Lirë, më 26 nëntor 2009, në Prishtinë)


 


Zonja dhe zotërinj!


I nderuari ministër Beqiri, të nderuar z. Pllana, z. Qeriqi, z. Goxhaj, z. Katana, z. Pogaj.


Të nderuar të pranishëm,  e nderuar redaksi e Arkivit të UQK-së, e po ashtu e nderuara redaksi e botimit të librit të cilin ne sot po e përurojmë, Arkivin e RKL-së.


Pa e harruar rëndësinë e kësaj dite të sotme me rastin e botimit të gjithë arkivit të RKL-së, dua të përqendrohem më tepër në një aspekt të veçantë, dua të ngushtohem në fjalën time për Radion Kosova e Lirë.


 


Kaloi një dekadë kur valët Radios Kosova e Lirë shpërthyen në hapësirën e tokës së djegur të Kosovës, një dekadë që kur dëgjuam zërin e lirë të shqiptarëve në vendin e vet.


Zëri i kësaj radioje dhe krismat e lirisë u bënë bashkë në një vend, në një betejë dhe në një luftë, ato u shkrinë pandashëm me njëra tjetrën. Kosova e Lirë dhe Radio Kosova e Lirë i kanë rrënjët dhe ditët më të lavdishme të kombit tonë, ato kanë masën dhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK dhe RKL i dhanë shumë njëra tjetrës, por të dyja së bashku i dhanë popullit dritën dhe zërin e lirisë.


Me radion e saj, lufta jonë u bë edhe më e prekshme, më e përjetueshme dhe më e afërt për ata, që e donin lirinë e vendit të vet dhe të përpiqeshin të luftonin dhe të binin për të. Ky zë kumbues i shqiptarëve, që luftonin për liri depërtoi në adresën e duhur në zemrat e në mendjet e njerëzve, që kishin vendosur të jetonin të lirë .


Zëri i kësaj radioje ishte zëri i luftëtarëve të UÇK-së, ishte karikatori i mbushur që zbrazej përmes valëve, por mbi të gjitha ishte edhe liria jonë që po arkitektohej në luftën për liri.


Çka do që shkruhet e thuhet tani, pas një dekade të emetimit të parë të këtyre valëve nuk është më kumbuese, depërtuese e shpërthyese, sesa fjalët e para të kësaj radioje, sikur ishte thirrja e fuqishme e zërit shqiptar: “JU FLET KOSOVA E LIRË” .


Ky kumbim i fjalës së lirë shqiptare në Kosovë ishte kurorëzim i motivit të luftëtarit të UÇK-së, ishte klithma e dëshmorëve dhe jehona e pushkëve çlirimtare,  meqë aty shkrihej fjala dhe motivi i luftëtarëve çlirimtarë.


Nuk harrova të flas për rëndësinë propagandistike dhe veçmas rëndësinë e këtij mediumi, nuk harrova të flas as  për rëndësinë e kësaj radioje në zhvillimin dhe arritjen e madhe të UÇK-së, dhe Shtabit të Përgjithshëm të saj, që e themeloi mediumin e vet, nuk harrova të flas as për arritjen e UÇK-së, ku në rrafshin mediatik si e arritur e rëndësishme me themelimin e radios dhe agjencisë së lajmeve Kosovapress, por më madhështorja ndodhi atëherë, kur në kohën reale,  në jehonën  e krismave të lirisë dëgjohej fjala e lirë, zëri i lirisë, pra kur dëgjohej Kosova e Lirë, kur fliste vetë Kosova ashtu siç ishte dhe siç e ndiente vetë.


Le të jetë Radio Kosova e Lirë motiv për të gjithë ata, që e duan jetën e lirë, fjalën e lirë dhe Atdheun e tyre të lirë.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …