Në fund të vitit 2008, Papae kishte suprimuar ligjin sipas të cilit procesi i
beatifikimit (lumturimit, lumnimit),mund të fillojë vetëpesë vjet nga vdekja. Procedura e shpalljes ‘e lumturuar’ për Gonxhe Bojaxhiun filloi në korrik 1999, ndërsa në gusht 2009 ishte kryer faza e parë e atij procesi. Shpallja “e bekuar” konsiderohet si kurorëzim në 25 vjetorin e pontifikatit të Gjon Palit II. Ky i fundit e kishte vlerësuar shumë punën e Nënë Terezës. Në Vatikan pat arritur edhe Motra Nirmana. Kjo e ka zëvendësuar Terezën në krye të Misionareve të Urdhrit të Dashurisë. Që dikush të shpallet i bekuar nga Papa dhe nga kisha katolike e Vatikanit, kandidati duhet domosdo të ketë bërë ndonjë mrekulli. Vatikani i ka njohur Nënë Terezës si një mrekullibërje: një indianeje të sëmurë i kishin vënë mbi stomak foton e saj dhe ajo, hop, ishte shëruar!
Medicina nuk ka mundur ta shpjegojë këtë fenomen.
Ka dy muaj që Kisha Katolike e Kosovës ka filluar përgatitjet që viti 2010-të të mos jetë festë vetëm e komunitetit të vogël katolik shqiptar, të cilit Nënë
Tereza i takon faktikisht. Festën e 100 vjetorit të lindjes së saj, ajo do ta bëjë festë sa më të madhe jo vetëm për Kosovën, po edhe për të gjithë shqiptarët.
Nënë Tereza nuk ka qenë më shumë se dy herë në Kosovë e Shqipëri. Ardhja e saj ka qenë e karakterit fetar, ndërsa më 1989 ajo ishte pritur edhe nga udhëheqësi komunist Ramiz Alia. Me atë rast kishte vajtur te Varrezat e Dëshmorëve dhe ishte kërrusur mbi mermerin e prijësit shumëvjeçar komunist Enver Hoxha, ku kishte vënë edhe një kurorë lulesh. Asokohe, ende nuk ishte aq karakteristik demonizimi i sundimtarëve komunistë dhe i regjimeve të tyre. Bile mund të thuhet se prijësit katolikë në vendet komuniste bashkëjetonin të lumtur në parajsën komuniste. Në Shqipëri dihet se të gjitha fetë ishin të ndaluara. Ish-Jugosllavia e Titos nuk kishte marrë masa të tilla kundër fesë. Katolikët shqiptarë të Kosovës ishin të lirë në ushtrimin e fesë së tyre, siç ishin të lirë edhe ortodoksët serbë e malazezë dhe besimtarët islamë nga radhët e shqiptarëve, turqve, boshnjakëve, etj. Ajo liri natyrisht se kishte limitet e saj.
Komunizmi jugosllav vendoste mbi gjithçka që konsideronte se mund t’i dilte nga kontrolli. Dihet se nga 1990-ta e këndej erdhi çlirimi nga diktaturat komuniste. Edhe në Shqipëri ra sistemi komunist dhe bashkë me liritë e tjera, në demokracinë e instaluar, u hapën edhe shtigjet e lirive fetare.
Vetëm në Kosovë ndodhi diçka që nuk ishte në frymën e ndryshimeve të mëdha demokratike për të gjitha vendet e tjera të Evropës Lindore. Kosova, në vend të lirisë dhe demokracisë, ra nën pushtimin klasik. Të tri fetë në Kosovë, tani, po jetonin në kushte të tjera. Kisha ortodokse ishte edhe feja e sundimtarit serb dhe si e tillë ajo ishte kryesorja, e favorizuara. Ishte kisha që më shumë se me gjithçka tjetër merrej me politikë. Ajo orientonte, nxiste dhe intensifikonte veprimet antishqiptare. Ajo, sikurse edhe politika shtetërore zyrtare e Serbisë, duke dashur t’i përçante, shqiptarët i diferencoi në shqiptarë të ndershëm dhe shqiptarë të pandershëm
– armiq të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Jo vetëm kaq.
Serbia si shtet, bashkë me kishën ortodokse serbe edhe me deklarime edhe me veprime, donte të tregonte se cilët shqiptarë të cilës fe ishin më të pranueshëm për të, edhe pse dihet dhe është dëshmuar se ata në fund të fundit nuk duan asnjë shqiptar. Shqiptarët e besimit islam u shpallën haptas armiq të shtetit dhe konform kësaj edhe u trajtuan. Më saktë – u keqtrajtuan. Edhe më saktë – u terrorizuan. Në fund, gjatë luftës së fundit, ata edhe u masakruan: serbët vranë shumë hoxhallarë dhe pothuajse nuk lanë kund xhami a teqe pa djegur e rrënuar. Nuk u prek asnjë kishë. Ortodokse jo se jo, po, çuditërisht ose jo – as katolike! Thika çetnike serbe bënte kryqe mbi lëkurën e shqiptarëve para se t’i vriste ata në mënyrat më mizore e të pakapshme nga mendja njerëzore. Hileja serbe për të vrarë shqiptarë myslimanë dhe për të “kursyer” ata katolikë, për të rrënuar e djegur të gjitha xhamitë e teqetë dhe për të lënë të paprekura të gjitha kishat, pos të tjerash është në origjinë të diçkaje që më së buti mund të quhet e çuditshme. Kështu vite me radhë, nga një pjesë e klerit katolik, bëhen përpjekje agresive (qesharake njëkohësisht) dhe gati-gati thirrje, herë të hapura herë me gjysmë zëri, që shqiptarët e besimit islam të braktisin fenë e tyre dhe të kthehen nën hyqmin e kryqit katolik! Kjo ta merr
mendja se është e pamundshme. Këtë e ka thënë edhe Volteri, i cili shprehej se fetë janë më të qëndrueshme se perandoritë.
Në kontekst të këtij agresiviteti është edhe përpjekja që përmes 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës ndër shqiptarët të mbillet njëfarësoj “patriotizmi katolik”, krejtësisht arkaik dhe absurd. Kësaj i kanë paraprirë edhe këmbënguljet jokulturore, raciste, fashiste dhe krejtësisht joshkencore për të ndërtuar e rindërtuar, shpikur e shpifur heronj kombëtarë dhe kontekste historike mbi baza fetare. Kështu në 100 vjetorin e plakës imcake nga Kalkuta nuk do të ishte e tepërt të thuhet, pa dashur që t’i prishim askujt festën, se Nënë Tereza mund të ishte e madhe për botën, por për Kosovën e shqiptarët, në fakt për historinë e tyre, roli i saj është zero.
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …