Në një intervistë për BBC-në, publicisti dhe ish-politikani titist, gjithnjë kontrovers, Veton Surroi, iu ka bashkuar fushatës mediale kundër Kosovës, e cila u nis në fillim të dhjetorit, pikërisht në kohën kur po pritej të fillonin seancat dëgjimore në GJND, për dhe kundër pavarësisë së vendit tonë. Po ato ditë, Kohavision (Koha Ditore) Bota Sot RTV-21, gazeta Ekspress dhe disa mediume të tjera, të njohura për qëndrimet e tyre kundër UÇK-së, por edhe kundër PDK-së, si parti e cila kishte fituar shumicën në zgjedhjet e 15 nëntorit, përgatitën orkestruan dhe realizuan një skenar, qind për qind në përputhje me politikën e Beogradit zyrtar, kundër pavarësisë së Kosovës. Këtë e bënë disa shqiptarë, në krye me Nazim Bllacën, i cili ka pranuar botërisht se ka kryer krime kundër disa individëve pas luftës, duke i përgojuar edhe shumë të tjerë dhe i cili dy vitet e fundit me tërë familjen kishte qëndruar në Serbi.
Këto shërbime që ia bënë regjimit të Beogradit, disa nga mediumet e vendit tonë në prag të fillimit të seancave dëgjimore në GJND, me siguri se nuk i ka pritur askush në Serbi, nëse vetë regjimi i Beogradit nuk e kishte projektuar qysh më parë tërë skenarin dhe nëse ai skenar nuk ishte realizuar në përpikëri sipas parashikimeve të Beogradit, zyrtar, i cili nga ana e vet po ato ditë filloi edhe gjykimin kundër 17 shqiptarëve të Kosovës Lindore, të arrestuar një vit më parë në tri komunat tona të mbetura nën serbi.
Dhjetë ditë pas kësaj fushate dhe pas mbarimit të seancave dëgjimore në GJND, Veton Surroi i ka dhënë një intervistë gazetarëve të BBC-së, ku edhe janë trajtuar këto inskenime të dëmshme kombëtarisht dhe tejet të turpshme për çdo njeri, që ka kredo, dinjitet dhe fytyrë.
Pavarësisht qëndrimit të njohur të Surroit kundër UÇK-s-, qëndrim të cilin ai nuk e ka tradhtuar kurrë, pavarësisht inateve dhe mërive në adresë të PDK-së, për shkaqe të kuptueshme, pavarësisht mungesës së shprehur të dashurisë për kombin e Kosovën, Veton Surroi edhe njëherë e tregoi fytyrën e tij të vërtetë, figurën e njeriut të mbetur peng nga ideologjia titiste rankoviqiste.
Po sjellim në vazhdim vetëm disa pyetje të gazetarëve dhe përgjigjet e shkurtra të Surroit, për të marrë në shqyrtim disa faktet për të cilat do të bëjmë fjalë në këtë vështrim.
BBC – Shani Hoti, Prizren: Si i pasqyroni tri ngjarjet më aktuale që janë në Kosovë që u lidhen njëra me tjetrën. Është fjala për çështjen Bllaca, çështjen e balotazhit që u lidhen menjëherë njëra me tjetrën dhe çështja e shqyrtimit të pavarësisë në Gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Mos këto të tria kanë lidhje njëra me tjetrën, meqë ndodhën bash në të njëjtën kohë?
Surroi: Pyetje shumë interesante, por edhe shumë e gjerë për t’u përgjigjur. Fillimisht këto tri çështje kane koinciduar, janë përputhur. Janë përputhur në terminin kohor. Zgjedhjet dhe shqyrtimi në Gjykatë nuk kanë qenë të lidhura në asnjë formë tjetër. Rasti Bllaca ka dalë në sipërfaqe pa u lidhur me Gjykatën ndërkombëtare. Njeriu mund të thotë, por mirë mund të jenë të lidhura me zgjedhjet, mirëpo nuk e kam të qartë… do të thotë këto çështje do të shqyrtohen hollësisht vitin e ardhshëm…
BBC: Megjithatë, z. Surroi, do ta quaja si jo normale mënyrën se si Kosova për pak u gjet në atë që emërtohet krizë qeveritare.
Surroi: Kosova është në një lloj krize qeveritare. Kosova nuk qeveriset mirë fillimisht dhe me faktin se nuk qeveriset mirë është në krizë. Së dyti, është e qartë në këto zgjedhje doli se ekziston një kundërthënie mes një pjese bukur të madhe të udhëheqësve te LDK-se dhe një pjese bukur të madhe të udhëheqësve të PDK-së rreth ardhmërisë se veprimit të tyre të përbashkët…
BBC – Kujtim Prekazi, Prishtinë: Zoti Surroi, a jeni edhe ju njëri ndër regjisorët e rastit Bllaca, kur dihet se kompania juaj mediale është kryekëput e përfshirë në këtë rast?
Surroi: Unë fillimisht nuk jam pronar i kompanisë mediale. Kam qenë themelues i “Kohës…” po prej kohësh nuk jam aty dhe se dyti nuk shoh se si mund të lidhen, por nuk shoh as ndonjë regji me rastin Bllaca. Zoti Bllaca doli publikisht dhe të gjitha mediumet patën mundësi ta dëgjonin…
BBC-Qemajl Jusufi, SHBA: A qëndron spekulimi se rasti Bllaca ka qenë iniciativë për të prishur stabilitetin politik në Kosovë me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës para hapjes së çështjes së saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë?
Surroi: Shikoni, kjo është një teori e konspiracionit, po qe se dëshmohet do të ishte mirë që të dilej publikisht. Por mendoj se mbi të gjitha interesimi i publikut, i opinionit, i institucioneve duhet të jetë se a janë të vërteta këto…
BBC – Bashkim Caka, Mançester: Desha ta dija pas daljes në publik të Nazmi Bllacës për vrasjet e pasluftës a është më mirë që të zbulohen apo është ndonjë kurth për anashkalimin e krimeve serbe në Kosovë?
Por, ajo që është me interes për shoqërinë kosovare është po ashtu të zbardhen krimet e pasluftës, sepse ato në një forme apo tjetrën kanë ndikuar në rrjedhën politike në Kosovë.
Këto dhe përgjigjet e tjera të Veton Surroit, nxjerrin në shesh jo vetëm angazhimin e tij të pandërprerë kundër klasës politike me prejardhje nga UÇK-ja, por edhe kundër të gjitha partive të tjera, të cilat nuk përputhen me konceptet e tij tashmë të deplasuara dhe të retarduara.
Vetoni e thotë se duhet të zbardhen krimet që qenkan kryer pas luftës në Kosovë, por nuk e flet as edhe një fjalë për 12.000 krimet që kanë kryer serbët gjatë luftës së Kosovë, e mbase edhe për disa krime të tjera të kryera pas luftës, përmes besnikëve të vetë, të cilët tashmë po shihet se kanë qenë dhe janë të pranishëm në nëntokën e mbitokën e Kosovës. Vetoni, nuk e flet as edhe një fjalë të vetme, për fatin e rreth 2000 të zhdukurve shqiptarë, të kidnapuar nga regjimi kriminal i Serbisë gjatë kohës së luftës në vitin 1999, të cilët i kanë hedhur nëpër lumenj dhe i kanë djegur në shkritoren e Maçkaticës, për të cilët Qeveria e Beogradit as pranon të dëgjojë. Ajo e ka mbyllur këtë rast vetëm me një fjali. Nuk ka më mbetje eshtrash të shqiptarëve në Serbi!
Vetoni dhe vetonët si ky i dinë të gjitha këto drama të rënda që ka përjetuar mbi kurriz ky popull, por këtij njeriu dhe as stafit të gazetarëve të “Kohës Ditore” nuk iu ka munguar as një qime floku, gjatë tërë kohës së luftës nga regjimi kriminal dhe shqiptarvrasës i Milosheviqit. Për më tepër ata kanë punuar nën masat e dhunshme të Beogradit, duke e njohur Serbinë si shtet, duke qenë të regjistruar në Ministrinë e Informimit të Serbisë dhe natyrisht duke marrë edhe donacione të caktuara nga regjimi kriminal. Ky është Jetoni që tani flet dhe bën zhurmë të madhe për 20 apo 40 vrasje, që janë kryer në Kosovë ende në rrethana të pasqaruara, ende pa asnjë version zyrtar, të mbështetur në të dhëna relevante qoftë të UNMIK-ut, të EULEX-it apo organeve vasale gjyqësore të Kosovës.
Dhe nuk është çudi, nëse një ditë, kreu i të gjitha këtyre inskenimeve të dalë vetë Veton Surroi dhe surrojët e këtij soji në Koha Ditore, Bota Sot e disa gazeta të tjera. Këtë e themi duke u mbështetur sidomos në deklaratën e Veton Surroit, të dhënë në verë të vitit 1999, kur në fshatin Grackë të Lypjanit ishin vrarë 14 serbë, në mesin e tyre shumë policë, që kishin marrë pjesë në masakrimin e shqiptarëve në Hallaq, në Reçak, në Sllovi e në vende të tjera të Kosovës dhe ku kishin masakruar fiq më pas se disa qindra gra, fëmijë dhe pleq shqiptarë. Atëbotë, Veton Surroi në gazetën e tij “Koha Ditore” rastin e kishte përkufizuar dhe e kishte dënuar si sulm fashist të shqiptarëve kundër serbëve, pa e argumentuar me asnjë të dhënë, pa dhënë as edhe një emër konkret të vrasësit apo vrasësve të mundshëm. Për këtë prononcim spektakular dhe antishqiptar të Veton Surroit, kishte reaguar edhe shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare në librin e tij” “Ra ky mort dhe u pamë”. Prononcimi i Surroit për vrasjen e 14 serbëve në fshatin Grackë ishte i ngjashëm me atë të vitit 1987 me rastin e vrasjes së katër ushtarëve jugosllav nga Aziz Kelmendi, në Kazermën e Parçinit, në Serbi.
Vetoni thotë se Jeta në Kosovë në përgjithësi ka qenë e kriminalizuar
Në intervistën e tij të gjatë dhënë BBC-së, por edhe në shkrimet e tij të kohëpaskohshme, Veton Surroi nuk resht duke akuzuar madje edhe shoqërinë shqiptare të Kosovës si shoqëri të kriminalizuar, duke harruar se deri në nëntor të vitit 2007, kur i humbi zgjedhjet dhe kur u tërhoq madje edhe nga partia, ORA, të cilën e kishte krijuar vetë, ai kishte qenë pjesë në të gjitha segmentet kyçe të kësaj shoqërie, e cila sipas prononcimeve të tij të tanishme po del se paska qenë e kriminalizuar në kohën kur ky, Vetoni, ka qenë jo vetëm deputet, por edhe zyrtar i lartë në organet më të larta vendimmarrëse të Kosovës. Pikërisht në atë kohë, kur ishte zyrtar i lartë dhe me ndikim, kanë ndodhur po thuajse të gjitha vrasjet, që kanë mbetur ende të pandriçuara. Gjatë asaj kohe Jetoni asnjëherë nuk ka pranuar se shoqëria e Kosovës ka qenë e kriminalizuar, të paktën nuk e ka thënë publikisht edhe pse mund të ketë menduar kështu.
Shqiptarët liridashës të Kosovës e dinë fare mirë se Veton Surroi ishte anëtar i “Grupit të Unitetit”, në bisedimet e Prishtinës zyrtare me Qeverinë e Beogradit lidhur me përcaktimin e statusit të Kosovës. E dinë po ashtu, se sa e sa lëshime iu kishin bërë Serbisë, pikërisht nga dredhitë e këtij njeriu, që kishte ndikim të fuqishëm në këtë grup, në radhë të parë për shkak të preferencave që kishin për të Beogradi, por të disa zyrtarë të zyrave të huaja në Kosovë.
Dihet, po ashtu, tërë veprimtaria e tij shantazhuese, sidomos kundër kreut të luftës së UÇK-së, madje edhe mohimi a priori i kësaj lufte si luftë çlirimtare.
Duke qenë se opinioni liridashës në Kosovë i di të gjitha këto atëherë doemos së shtrohet edhe pyetja, përse Vetoni dha një intervistë me një përmbajtje të tillë përnjëherë pas përfundimit të seancave në GJND. As kjo nuk do të mbetet enigmë për shumë kohë. Jetoni edhe pse aktualisht nuk merret me politikë, ai është gjithnjë i pranishëm në disa procese të nëntokës politike dhe një ditë do të dalë në sipërfaqe, mu ashtu sikur Nazim Bllaca, po vetëm me një ndryshim. Ky njeri kurrë në jetën e tij nuk do të pranojë se ka gabuar, sepse kjo është nën “nderin” e birit të ambasadorit të Jugosllavisë, i cili ishte mbytur në një aksident komunikacioni, në Spanjë, në kushte dhe rrethana të përfolura për të keq.
Veton Surroi po bën përpjekje që sërish të futet në politikën zyrtare, sidomos tani kur ai pret që koalicioni qeveritar të rikompozohet, jo vetëm nga rezultati i zgjedhjeve, por edhe nga përçarjet e pariparueshme, që kanë ndodhur sidomos pas deklaratave të disa drejtuesve të lartë të LDK-së, të cilët janë shprehur hapur kundër koalicionit me PDK-së.
Jetoni është në pritje.
Bllaca ndodhet në arrest shtëpiak.
EULEX-i do të fillojë arrestimet, sipas skenarëve të Bllacës dhe të Beogradit, sapo të shpallet rezultati i balotazhit.
KFOR-i fillon reduktimin e pjesëtarëve të trupave në Kosovë.
Serbia është kurdoherë e gatshme për të intervenuar, me qëllim për ta ruajtur “sovranitetin” e vet mbi vendin tonë.
Mbeturinat serbe dhe shërbimet sekrete të tyre po veprojnë më lirshëm se kurrë.
…
Veton Surroi “Kthimi prej matanë arsyes” ( Rilindja, 9 shtator, 1987)
Tragjeditë gjithnjë na kthejnë brenda vështirësive dhe gjetjes së atyre simboleve që kanë domethënie për vetë ekzistencën tonë njerëzore. Na çojnë të kërkojmë shenja identifikimi të përbashkët që na lejojnë t’i tejkalojmë më lehtë momentet e dhimbjes. Kështu ndodh edhe sot, pasi që u varrosen të katër ushtarët e vrarë nga Aziz Kelmendi në kazermën e Paraçinit.
Krimi, ç’është e vërteta, si çdo herë gjerë më tani në historinë njerëzore, është përgjigjja praktike në pyetjen e përhershme që ia bën njeriu vetes se ç’fshihet në pjesën destruktive të njeriut, atje matanë arsyes. Shkatërrimi dhe vetëshkaktërrimi i jetës njerëzore nuk kanë nevojë për shpjegime të mëdha: janë pjesë të anës së zezë të vetë historisë së tij. Megjithatë, shtjellimi i këtoditshëm i së kaluarës së vrasësit e ngjyros krimin e tij me ngjyra urrejtjeje kombëtare. Shënimet e prezantuara për veprimtarinë armiqësore, për indoktrinimin me ideologji nacionaliste nga pozitat shqiptaromëdha e vënë aktin e vrasësit në kategorinë e shfryrjes së vetëdijes nacionaliste me anë të terrorit. Kategoria antikombëtare e nacionalizmit tejkalon me këtë rast çdo shkallë tjetër për të arritur në atë skajshmërinë e antihumanitetit. E kalon duke kapërcyer mbi kufomat e katër të rinjve, dhe mbi tronditjen e tërë vendit, në radhë të parë të kosovarëve, me atë kalim matanë arsyes.
Kthimi prej matanë arsyes është i rëndë. Është të shikohen në sy familjet e pikëlluara, të cilave asnjë fjalë ngushëllimi, pra se këto, nuk do të mund t’ua kompensojnë praninë e djemve, që i përcollën me hare e i priten me dhembje. Është të pranohet se dikund kemi gabuar, sepse asnjë tmerr kaq i madh nuk ka mundur të ndodhë rastësisht.
Kthimi prej matanë arsyes do të thotë të shihet edhe pse janë fshehur karakteristikat mbi veprimtarinë asociale të një njeriu, mbi veprimtarinë kundër kësaj shoqërie, dhe pse, përkundër të gjitha këtyre të pranohet edhe në LKJ! Por, ç’është më së vështiri të shihet edhe prej nga këso ngarkesash nacionaliste të një njeriu, i cili qe 14 vjeçar më 1981. Pra, të eliminohen ato.
Pra, të mos pranohet prania e urrejtjes, e cila ka kohë ka kaluar atë nivelin e vet individual dhe me praninë e nacionalizmit po orvatet të marrë statusin e vet shoqëror. T’i kthehemi zhdukjes së urrejtjes, madje edhe si kategori individuale, sepse krimet nuk ndodhin pa të. E ky krim nuk është drejtuar vetëm kundër jetës së katër njerëzve, por edhe kundër të gjithë neve, bashkësisë sonë të organizuar. Urrejtja e Aziz Kelmendit, ndonëse e manifestuar individualisht, kaherë i ka kaluar ata kufij. Ka prekur, nëpërmjet sulmit në APJ, në të gjithë ne.
Të ecet drejt arsyes, do të thotë edhe që krimi të mos jetë i identifikuar me gjë tjetër, pos me urrejtjen. Njeriu i cili e kreu krimin me antihumanitetin e tij tejkaloi çdo përkatësi tjetër që pati, pos asaj irracionale. Të ecet drejt arsyes, megjithatë nuk është ecje drejt harresës: nuk mund të harrohet prej nga është dhe ç’ka mundur të ndikojë rrethi i tij.
Kjo ecje drejt arsyes asgjëmangut është në rend kthimi kah simbolet tona ekzistenciale, kah shenjat tona të përbashkëta të identifikimit, kah domethënia e përditshme e idealeve e të nacionaliteteve të vëllazëruara dhe të fatit të tyre të përbashkët, kah vetëdija se pikërisht tash, më shumë se ndonjëherë gjerë më tani, na nevojitet fronti i përbashkët kundër urrejtjes, simbol i së cilës qe kësaj here, vrasësi, Aziz Kelmendi. Kundër urrejtjes, pra, që me vrazhdësinë më ekstreme po orvatet të depërtojë brenda qenieve tona shoqërore, kundër atyre bombave latente që janë të drejtuara kah qenia e bashkësisë sonë, kah simbolet e saj, pra edhe kah jeta e të rinjve tanë. Krimi në Paraqin është edhe një mësim që e dëshmoi këtë, por mësimi u pagua shumë shtrenjtë.( Rilindja, 9 shtator, 1987)