Të tillët, por edhe disa nga radhët e luftëtarëve të UÇK-së, të cilët me mbarimin e luftës i verboi lakmia e pasurimit, ndikuan në fillimin e degradimit të luftës dhe vlerave të saja çlirimtare.
Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nuk tregoi aftësi, madje as gatishmëri për ta ndaluar turrin e njerëzve, që thirreshin në emër të luftës dhe manipulonin me frytet e saja të shenjta. Kjo nuk ndodhi, sepse kishte në këtë mes edhe disa komandantë të njohur, të cilët jo vetëm që nuk u kursyen nga lakmia, por ndanë edhe sferat e interesit dhe të ndikimit për shfrytëzim.
Tashmë, ajo kohë duket e kaluar me gjithë të mirat dhe të ligat e nopranitë e saj, por në Kosovë kanë mbetur ende recidivë të tillë, që kohë pas kohe ngrehin kokë.
Në vendin tonë herë-herë ngrehin krye dhe dalin në sipërfaqe grupe keqbërësish, të cilët po kështu thirren në emër të UÇK-së, duke kritikuar kreun e Kosovës se po i mohuaka vlerat e luftës dhe po nuk po interesohet për fatin e familjarëve të dëshmorëve, veteranëve, dhe invalidëve.
Këto grupe të vogla keqbërësish dhe plaçkitësish thirren edhe në emër të AKSH-së, sidomos kur reketojnë apo kur plaçkitin ndonjë biznesmen, apo kur e detyrojnë të paguajë para kesh për AKSH-në.
Grupe dhe individë të tillë veprojnë sidomos nëpër disa fshatra të izoluara të Kosovës. Ata, gjatë natës, të maskuar, ekzekutojnë veprimtarinë e tyre. Të gjithë këta njerëz janë të njohur për Policinë e Kosovës, por duke qenë se shumë prej tyre kanë edhe shokë e të njohur në këtë polici, e ndonjëri prej tyre edhe vepron në kuadër të Policisë, ata ndihen të sigurt dhe jashtë mundësisë për të përgjigjur para ligjit për veprimet e tyre të liga.
Ndodh shpeshherë, që të tillët, madje edhe në data të caktuara, pas manifestimeve për dëshmorët, të tubohen në vende të caktuara, ku zakonisht pinë birrë e raki dhe hanë mish të pjekur në helli. Këta trimosha në raste të tilla nxjerrin kallashët dhe zbrazin rafalët të pandërprera, duke menduar se po tregojnë trimëri duke orgjizuar deri në orët e vona të natës.
Është vështirë për të besuar se mund të gjesh ndonjë luftëtar të sinqertë dhe të përkushtuar të lirisë, ndonjë veteran apo invalid, i cili kryen veprime të tilla të egra dhe të papërgjegjshme. Veprime të tilla kryejnë ata që kanë ardhur në Kosovë pasi ka mbaruar lufta, ata që gjatë tërë kohës së luftës janë pasuruar, në Gjermani, Zvicër, Austri e gjetkë, ndërsa kanë ardhur në Kosovë pasi është larguar dhunshëm ushtria dhe policia serbe. Ata tani kapardisen për aktivitetin e tyre të dikurshëm “patriotik” jashtë vendit, sidomos për aktivitetin që kanë treguar në grumbullimin e parave në fondet e luftës nga bashkëkombësit e tyre nga të cilët kanë marrë para madje edhe në mënyrë të dhunshme.
Të tillët disponojnë vetura luksoze, lokale, madje edhe të pista, ku konsumohet apo shitet droga dhe ku kryhen edhe veprime të tjera të pamoralshme. Dhe nuk është e befasishme pse droga vidhet madje edhe në vetë Qendrën e Policisë së Kosovës, në Prishtinë, ashtu sikur nuk është aspak e habitshme se për shkelje të tilla, të rënda, nuk jep përgjegjësi askush, meqë në Kosovë nuk mbretërojnë vetëm ato pesë anarkitë, që i kishte evidentuar Fan Noli i madhe në kohën e tij, por edhe shumë anarki të tjera, të cilat i ka instaluar regjimi i UNMIK-ut në vendin tonë.
Anarkistë të tillët ka edhe në radhët e policisë, por edhe e strukturave të tjera të sigurisë.
Mjerisht, nuk janë këto raste, që mund të trajtohen vetëm si raste të izoluara.
Dihet për shembull se në shumë fshatra të Kosovës, sidomos në orët e natës, jo rrallë herë edhe në pikë të ditës, dëgjohen rafalët e kallashëve apo të revoleve dhe jo vetëm nëpër dasma, gosti apo orgji të klaneve.
Janë krejtësisht të njohur për policinë emrat e tyre, madje në të gjitha komunat e Kosovës. Dihen me emër e mbiemër kundërvajtësit e tillë, të cilët sillen me kapadaillëk dhe veprojnë si banditë të perëndimit të egër.
Dihen madje edhe të tillët, që punojnë në Polici, pse jo edhe në FSK, apo edhe nëpër institucione të vendit. Secili i njeh të tillët nga fshati i vet, sepse vepra e tyre e “trimërisë” tani shprehet përmes rafalëve të kallashëve, të atyre që kanë heshtur gjatë luftës, por që nuk heshtin tani, në Kosovën e çliruar, por jo nga këta matrapazë të pistë të profiterisë.
Policia e Kosovës nuk është treguar e aftë për të ushtruar rregull dhe siguri për të gjithë njësoj. Në disa zona, janë pikërisht policët ata që orgjizojnë në mesin e bandave të tilla, madje duke shkrehur rafale edhe nga revolverët zyrtarë.
Gjendet në mesin e këtyre anarkistëve edhe ndonjë trimosh që fryhet se qenka kuadër i lartë i AKSH-së, e cila paska divizione e formacione të armatosura, jo vetëm në Kosovë, për në të gjitha trojet shqiptare. Por këtij apo atij pjesëtari që fryhet si biban, dhe që terrorizon bashkëvendësit e vet nuk ia mban të duket madje as deri te “Ura e Ibrit”, apo te “Kroi i Vitakut”, apo në pjesën veriore të Kosovës, të cilën e kontrollojnë bandat serbe të mbështetura nga Qeveria e Beogradit. Në zona të tilla këta “trima” nuk duken madje as natën, kur zakonisht bredhin lirshëm nëpër rrugët e Kosovës.
Këta orgjizojnë gjatë natës dhe flenë rehat gjatë ditës.
Dhe, pse të mos bëjnë kështu!
Këtë soj të njerëzve nuk e ndjek askush për veprat e tilla, jo vetëm kundërvajtëse, por shpeshherë edhe penale.
Nuk mund të ndiqen të tillë dhe nuk mund të eliminohen veprimet e tilla arrogante, përderisa Policia e Kosovës ka në mesin e vet elementë destruktivë, madje edhe të tillë që i kanë shërbyer me besnikëri të gjitha regjimeve antishqiptare dhe elementë të tjerë, që janë pranuar në kuadër të Policisë, vetëm në saje të qëndrimit të shprehur kundër UÇK-së dhe kundër luftës sonë çlirimtare. Në radhët e kësaj policie janë konfiguruar edhe grupime mbi baza partiake e klanore.
Këtë polici po e gërryejnë nga brenda elementë, që nuk ia duan të mirën Kosovës. Dhe, pa u vendosur rregull e ligj brenda policisë, vështirë se mund të vendoset rregulli dhe zbatohet ligji në Kosovë.
RKL: “Trimat” e pas luftës ende po orgjizojnë në Kosovë
Pas mbarimit të luftës së UÇK-së, në Kosovë, më 11 qershor të vitit 1999 dhe hyrjes së forcave tokësore të NATO-s, shqiptarët, si ata që ishin dëbuar dhunshëm dhe të tjerët, që kishin ikur për të shpëtuar vetveten dhe familjet e tyre, filluan të kthehen në Kosovën e shkatërruar e të braktisur nga shumica e banorëve të saj. Shumë nga “trimat”, të cilëve iu kishte rrëshqitur nën këmbë toka e atdheut, gjatë kohës së luftës, pas mbarimit të saj blenë uniforma të UÇK-së, në Kukës apo në Shkup dhe u turren drejt presë dhe uzurpimit të shtëpive dhe lokaleve, madje ende pa vizituar të afërmit e tyre.Në Kosovë u kthyen edhe dezertorët e luftës, edhe ata që kishin sharë dhe fyer UÇK-në, edhe ata që kishin bashkëpunuar me të gjitha regjimet antishqiptare por edhe me regjimin kriminal të Milosheviqit. Në shumë shtëpi të serbëve, që kishin ikur nga vendi ynë, së bashku me ushtrinë dhe policinë kriminale, ishin afishuar pllakate: UÇK. Mos prek!… filan fistek komandanti etj.