Fatmir Graiçevci: Sakrifica për çlirim dhe përpjekjet fatale

 

Lajmet dhe ngjarjet e ndryshme, herë të bujshme e herë të heshtura që po ndodhin në vendin tonë të shtyjnë të mendosh se kush na qeverisi gjatë këtyre 10 viteve dhe cilat ishin qëllimet e tyre reale pavarësisht deklaratave të tyre të matura dhe të thëna me vendosmëri se po qeverisim për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Faktet po e dëshmojnë të kundërtën. Dikur për çlirimin e Kosovës sakrifikohej pasuria, djersa gjaku dhe jeta. Çuditërisht, sakrificat nuk janë ndalur as sot. Sot përsëri sakrifikohet por jo për ta çliruar por për të ikur nga Kosova. Çlirimtarët e saj margjinalizohen, një pjesë e tyre damkosen, burgosen ndërsa një pjesë e tyre nuk gjenden më në mesin tonë ngase kanë bërë vetëvrasje.
Çfarë të ardhme mund të ketë një vend ku margjinalizimi, damkosja, burgosja dhe vetëvrasja e çlirimtarëve të tij kalohet në heshtje !? , një vend ku qytetarët e saj sakrifikojnë edhe jetën në përpjekje për të ikur dhe shkuar në vende të tjera prej nga vijnë qeverisësit e shtetit të tyre !
Janë të shumta vitet gjatë të cilave heronjtë liridashës, familjet liridashëse dhe qindra mijëra qytetarë liridashës kanë sakrifikuar pasurinë dhe jetën e tyre për çlirimin e trojeve të robëruara të Shqipërisë nga pushtues të ndryshëm, kryesisht sllavë.
Janë të shumta rastet kur bashkëkombësit tanë kanë lënë jetën e tyre luksoze në mësymje të fushëbetejave ku luftohej për çlirimin e vendit, në fushëbeteja ku jeta dhe vdekja qëndronin pranë njëra tjetrës.
Të shumta janë rastet kur njerëzit që kishin akumuluar pasuri me shumë mund, djersë, dhe sakrificë e kanë shpenzuar atë pa asnjë hezitim dhe me shumë dëshirë në rrugën për çlirimin e vendit.
Këto përpjekje u bënë edhe më intensive në dekadën e fundit të shekullit që kaloi, deri në mes të qershorit të vitit 1999, kur populli mori frymë lirshëm.
Këto përpjekje kanë shumëçka të përbashkët me përpjekjet e një alpinisti për t’u ngjitur në maje të një shkëmbi. Por këtu përfundon ngjashmëria dhe fillojnë ndryshimet.
Posa të ngjitet mbi majën për ku është nisur, alpinisti e mbanë nën kontroll entuziazmin, është shumë i ekuilibruar dhe shumë i kujdesshëm ngase është i vetëdijshëm se me sa sakrifica dhe mundime ka arritur deri në atë pozitë.
Pavarësisht erërave të ndryshme dhe të fuqishme që vijnë nga anë të ndryshme, ai e ruan ekuilibrin, qëndron mbi atë shkëmb duke hedhur shikimin drejt majave më të larta dhe hapëron në drejtim të tyre me shumë sy çelësi dhe duke menduar se sa do të pësonte nëse do t’ju dorëzohej erërave të cilat do ta dërgonin në theqafje. Kjo e bënë alpinistin vazhdimisht të suksesshëm në qëllimin e tij për të qëndruar mbi maja të larta, sa më afër diellit.

10 vite më parë, të gjithë morëm frymë lirshëm, u entuziazmuam, ishim të lirë dhe vështronim kriminelët sesi po iknin prej nga kishin ardhur. Sesi iknin nga vendi në të cilin për mbi 1 shekull kishin bërë përpjekje për të shkatërruar çdo gjë shqiptare, duke vrarë dhe masakruar fëmijë, të rinj, gra e pleq, duke dhunuar mijëra vajza, duke dëbuar gjysmën e popullit jashtë Kosovës dhe duke rrëmbyer mijëra shqiptarë të tjerë për fatin e të cilëve nuk dihet ende. Të gjithë këta u sakrifikuan për një qëllim, që të gjallët të jetojnë të lirë, pa frikë, të pavarur, të vetëqeverisur dhe t’i realizojnë ëndrrat e tyre për një jetë të denjë dhe të lumtur.
Ndonëse për 10 vite radhazi, nga goja e pushtetmbajtësve kemi dëgjuar refrene të pandërprera për angazhimet e tyre për krijimin e një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës gjërat që kanë ndodhur dhe që po ndodhin në vendin tonë i demantojnë këto deklarata dhe po e dëshmojnë të kundërtën e tyre. Natyrisht se na vjen në mendje pyetja se ata që i ndihmonin qeverisësit e vendit tonë për ta ushtruar pushtetin në Kosovë a morën pjesë në rrugëtimin tonë dhe a e dinin dhe a e ndjenin se me sa shumë përpjekje kemi arritur deri te çlirimi.
A ishin dëshmuar ata ndonjëherë që mund ta ruajnë drejtpeshimin përballë erërave të ndryshme? Ne dhamë një shembull se ku katandiset një vend kur interesat e tij përfaqësohen nga njerëzit, që nuk kanë bërë asnjë përpjekje për ta trasuar rrugën e çlirimit, që nuk e kanë derdh asnjë pikë djerse dhe gjaku në rrugën për jetësimin e idealit për çlirimin e vendit nga robëria shekullore.

Fatkeqësisht, pas përfundimit të luftës çlirimtare, ne vendosëm të ecim pas njerëzve që na drejtonin në një rrugë, e cila nuk kërkonte energji, një rrugë që mund të bëhej fare lehtë pa qarë kokën se ku shpie ajo rrugë! Në vend që të mbështetnim ata që kërkonin nga ne të bënim përpjekje për të shkuar tutje, një rruge që shpinte më tutje, më lartë, më afër qëllimit, ne mbështetëm ata që na propozuan një rrugë më të lehtë, pa mundime dhe që mund të bëhej pa shpenzuar energji.
Ne përqafuam propozimin e dytë, më të lehtin, pa llogaritur se rruga më e lehtë shpien te poshtë, të poshtëron. Kështu, duke rrugëtuar pa shpenzuar energji, kemi arritur në një gjendje nga ku dëshirojmë të arratisemi me çdo kusht, qoftë edhe me sakrifikimin e pasurisë dhe jetës ashtu siç bëri një grup i qytetarëve që pësuan në mënyrë fatale për të ikur nga atdheu i tyre i çliruar.
Gjatë këtyre 10 viteve, me qindra e mijëra shqiptarë kanë filluar të sakrifikojnë përsëri mundin, djersën dhe pasurinë e tyre por jo për vendin e tyre por për të ikur nga vendi i tyre. Kjo ikje nuk është ndalur as pas 17 shkurtit. Pas pavarësimit po ndodh edhe më keq, qytetarët po sakrifikojnë edhe më shumë, edhe jetën e tyre për të ikur nga vendi i pavarur, i quajtur Kosovë.
Por jo vetëm kaq.
Gjatë kësaj dekade kanë ndodhur ngjarje të tmerrshme ndaj të cilave jemi treguar mospërfillës dhe i kemi kaluar në heshtje. Gjatë këtyre 10 viteve të të jetuarit pa frikën se do të masakrohemi dhe vritemi nga forcat vrastare serbe, në Kosovë kanë bërë vetëvrasje dhjetëra çlirimtarë, të cilët ishin më meritorët për çlirimin e vendit dhe të jetuarit pa frikë. Fatkeqësisht, kësaj here krismat e armës së tyre nuk janë dëgjuar nga askush dhe jehona e tyre është mbytur nga buja e lajmeve të tjera !
Për 10 vite më radhë, kategoria më meritore për çlirimin e vendit, është margjinalizuar në vazhdimësi në mënyrë të heshtur dhe pa zhurmë.
Sulmet kundër kësaj kategorie nuk janë ndalur as sot sikur nuk janë ndalur as proceset gjyqësore për dënimin dhe kriminalizimin e veprimtarisë së tyre patriotike, kombëtare dhe humane.
10 vite më parë e tutje, qytetarët shqiptarë shpenzonin pasurinë dhe sakrifikonin jetën e tyre për çlirimin e vendit. Kur kjo u arrit, ata përsëri rrezikuan jetën e tyre duke ecur me nxitim edhe nëpër fusha të minuara vetëm e vetëm për t’u kthyer sa më parë aty prej nga ishin dëbuar dhunshëm.
Tani e dhjetë vite shpenzojnë pasuri për të ikur nga atdheu i çliruar ! Dhe natyrisht se lind pyetja, cili ka qenë dhe është qëllimi i vërtetë i atyre që qeverisën dhe po qeverisin vendin tonë?
Se janë të shumtë ndërkombëtarët që dëshirojnë të vijnë dhe të qeverisin në Kosovë këtë po e shohim, por kur do ta shohim edhe ndaljen e hovit të qytetarëve shqiptarë për të ikur nga vendi i tyre i çliruar me shumë sakrifica.

Kontrolloni gjithashtu

A. Vuçiq: Kryeministri Kurti, u detyra nga Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për lejimin e mallrave serbe

Për heqjen e ndalesës së mallrave serbe në vetëm një pikëkalim kufitar në Merdare, presidenti …