Por ka edhe diçka në këtë mes, është një ligj i pashkruar, që i përket konstitucionit njerëzor, moral, i cili parimisht duhej të ngrihej mbi të gjitha ligjet e shkruara. Si ka fytyrë e faqe, një ish bashkëpunëtor i regjimit kriminal të Serbisë të kandidojë për kryetar komune, apo për asamblenë komunale, në Kosovën e lirë dhe të (pa)varur dhe këto vota t’ua kërkojë shqiptarëve?
Realisht ka edhe një diçka që çalon këtu dhe që është pjesë e trashëgimisë së zezë, të kohës së gjatë shumëshekullore të robërisë. Ky kandidati që vjen nga ish LSPP-ja nga PKJ-ja nga SPS-ja, apo nga ish partitë serbe, ka po ashtu elektorat në mesin e njerëzve të sojit të vet, ka kumbarë e “pobratima”, ka miq e “komshi”, dhe ky llogarit në këtë përfitime e vota nga soji i vet i elektoratit, sepse është pjellë e lindur, e rritur dhe e edukuar në atë skëterrë të së kaluarës. Andaj, edhe nuk duhet të habitemi, se do të fitojnë edhe të tillët dhe kjo do të tregojë se deri në ç’ masë janë ngritur parametrat e vetëdijes morale dhe kombëtare.
Në një qytet të Kosovës, kandidat për kryetar komune është një “profesor”, i cili në vitin 1991, si kuadër dhe bir besnik i Partisë Komuniste Jugosllave, jo vetëm kishte pranuar masat e dhunshme të regjimit të Milosheviqit, por edhe kishte shpallur luftë të ashpër, frontale, kundër të gjithë atyre “hipokritëve” të cilët nuk tregonin lojalitet për atë regjim. Përkushtimi i tij për regjimin e Milosheviqit, është botuar në disa gazeta të Beogradit të asaj kohe madje edhe në “Bujkun” tonë “të mjerë”. Ky njeri, duke qenë gjithnjë vegël e verbër e regjimeve okupatore, bëri përpjekje, madje edhe me ndihmën e një segmenti të SHPK-së, të postohet dhunshëm edhe në krye të një institucioni kërkimor të vendit, duke iu turrur personalitetit më emblematik të kulturës sonë mbarëkombëtare.
Tani kemi rast të shohim se sa argatë ka kandidati i tillë dhe do të bindemi se, ka rënë numri i simpatizantëve të ish regjimit kriminal serb, apo është rritur. Kjo do të dëshmohet më 15 nëntor.
Në krye të një partie është caktuar edhe një kandidat, një person kontravers, i cili është tepër i zëshëm në përkushtimin e tij për kombin hibrid kosovar dhe në luftën e tij kundër gjuhës së njësuar letrare dhe kundër aspiratave për bashkim kombëtar. Ai ka ndërruar shumë parti, dhe kuptohet nëse as kësaj radhe nuk fiton, do ta shihni ne zgjedhjet e ardhshme, me ndonjë parti tjetër. Ai do të kërkojë votat e të gjithë atyre syleshëve, që i besojnë se ky me të vërtetë do të fitojë, meqë ka përkrahjen e një magnati të njohur, të cilit as i ha palla për kombin, për gjuhën, traditën e historinë, por vetëm për fitimet e tij dhe të klanit që komandon qofshin ato fitime që burojnë nga Kremlini, Beogradi apo nga Siberia e largët.
Po ashtu, në një qytet tjetër ka kandiduar një partiak, veteran mjeran, i cili ka ndërruar të gjitha partitë dhe çuditërisht i ka vjelë për bukuri, si partinë mëmë, e cila e kishte lindur dhe i kishte dhënë shtat, ashtu edhe partinë, bijtë e së cilës i kishte sharë dhe i kishte shpërfillur gjatë luftës së UÇK-së dhe tani kandidon po ashtu për një parti tjetër, që e mbështet fort edhe pse ia din të kaluarën, por mendon dhe shpreson se ai ka shumë votues si vetë. Ky njeri nuk dihet të ketë bërë dëme në aspektin kombëtar, por gjatë mandatit të tij katërvjeçar si kryetar komune, madje edhe kur kishte dhënë dorëheqje nga partia, e cila e kishte postuar, ka bërë përpjekje maksimale për t’ iu përmirësuar kushtet sidomos entiteteve jo shqiptare. Mbase ky nuk është ndonjë dëm, sepse tekefundit edhe ata janë qytetarë të Kosovës, edhe pse asnjëherë lojalë dhe të gatshëm për t’ i marrë armët kundër “komshive” shqiptarë, po t’ iu jepet rasti, ashtu sikur ka ndodhur gjithmonë në të kaluarën.
Këto tri personazhe, sa për ilustrim, mendoj se përgjithësojnë figurat e shumicës së kandidatëve lëvizës nëpër parti dhe besnikëve të përjetshëm ndaj partive të tyre.
Në zgjedhjet e 15 nëntorit kandidojnë edhe autoritete të njohura, që kanë dëshmuar me punë e vepër angazhimet e tyre në qeverisjen e komunave. Të tillë me siguri se do të fitojnë sërish mandate, edhe pse, nëse është për t iu besuar përfoljeve nëpër koluare, disa parti kanë ndarë shuma të mëdha parash, me qëllim për të blerë vota. Në raste të tilla nuk duhet të befasohemi kur në një komunë do të fitojë njeriu të cilin nuk e njeh mirë as fshati i vet se lërë më komuna.
Ka pasur dhe do të ketë raste të tilla, dhe tërë kjo tregon jo vetëm nuhatjen e dobët të një pjese të elektoratit, por edhe mangësitë morale të një pjese tjetër, gjithnjë sipas atij proverbit shumë simptomatik, të identifikuar nga filozofi i madh i mendimit politik shqiptar, Kristë Maloku: “haja qenit, pija qenit, tash i bimë karadyzenit”. Njerëz të sojit të tillë, që kanë kalëruar nëpër të gjitha partitë, si në ato komuniste e jugosllave, si në këto të reformuara, por të lindura nga partia mëmë e LKJ-së, janë një realitet, i cili nuk duhet të na brengos shumë, sepse Kosova ende ndodhet duke u shpërlarë nga ujërat e zeza të së kaluarës dhe nga bataku, ku detyrimisht e dhunshëm ka jetuar me shekuj.
Nuk është për t’ u habitur nëse ndodh që një titist i përbetuar, i lakuar në të gjitha regjimet, i mirë dhe i përshtatshëm në të gjitha rrethanat, fiton edhe në kryeqytetin e Kosovës. Ka njerëz në mesin tonë që nuk janë shkëputur mirë nga koha e Baba Dovletit, i cili na ka sunduar hiq më pas se 500 vjet, dhe nuk është për t’u habitur pse të tillët nuk mund të shkëputen lehtë nga koha e bashkim vëllazërimit, e cila po ashtu na ka përdhunuar, vrarë e masakruar, hiq më pak se 90 vjet.
Por është një fakt shumë kuptimplotë që tregon se koha e ish regjimeve dhe ish plehurinave është në perëndim e sipër, pavarësisht gjendjes jo të favorshme ekomomike, sociale e politike, që po mbretëron në vendin tonë, pavarësisht kornizave dhe planeve antishqiptare, pavarësisht nënçmimeve dhe padrejtësive që po na bën një segment i fuqishëm antishqiptar brenda BE-së. Popullin tonë, që nuk e kanë shpërbërë dot katër perandoritë më të mëdha të botës, nuk e shpërbën dot as perandoria globaliste e Evropës. Është e natyrshme që edhe kjo perandori globale, një ditë do të shtrihet në shtratin e saj të vdekjes ashtu sikur janë shtrirë e kanë perënduar përgjithmonë Perandoria e Romës, e Bizantit, e Turqisë e Rajhut të tretë dhe e Jugosllavisë.
Nga rezultati i zgjedhjeve të 15 nëntorit do të shohim ku jemi, si jemi dhe për ku jemi drejtuar. Liria dhe pavarësia, edhe pse e gjymtuar, nuk mund të kthehet prapa edhe nëse na qeverisin disa nga ata që kanë prejardhje, rrënjë e soj nga kohët përçudnuese të robërisë shekullore. Karavani i lirisë po ecën, çakajt e veriut po lehin.
Sqarim
Autori i këtij shkrimi, edhe pse nuk i ka përmendur emrat e katër kandidatëve të apostrofuar, ka bërë një lajthitje dhe ka ngatërruar emrin e Jakup Kastratit me Januz Kastratin. Për këtë arsye, nga shkrimi është mënjanuar personazhi i katërt i kandidatëve për kryetar nga komuna e Malishevës, z Januz Kastrati, i cili nuk ka të bëjë me përshkrimin e veprimeve të Jakup Kastratit gjatë kohës së luftës së UÇK-së. Autori, me këtë rast i kërkon falje z. Januz Kastrati.
Ahmet Qeriqi: Disa nga kandidatët për kryetarë komunash, në zgjedhjet e 15 nëntorit, kanë deficite morale dhe kombëtare
Në zgjedhjet vendore të 15 nëntorit po marrin pjesë mijëra kandidatë për kryetarë dhe anëtarë të asambleve komunale. Qytetarët e Kosovës po e shfrytëzojnë të drejtën të zgjedhin dhe të zgjidhen nga elektorati, për qëllime që vetëkuptohen. Ka nga ky mes burra të ndershëm dhe të dëshmuar për veprimtari atdhetare, të cilët me vite të tëra janë maltretuar dhe janë syrgjynosur nëpër burgjet e pushtuesve serbë, kanë luftuar në ballë të fronteve të luftës çlirimtare, por, ka edhe shumë të tjerë nga të gjitha shtresat laramane të shoqërisë sonë, zyrtarë nga ish regjimet jugosllave antishqiptare, ka madje edhe nga familjet që kanë bashkëpunuar dhe aktualisht bashkëpunojnë me shërbime ndër më të ndryshmet. Të gjithë kanë shfrytëzuar të drejtat demokratike, që iu jep Pakoja e Ahtisarit, e cila kërkon që në Kosovë të krijohet një entitet hibrid, i tipit “kosovaro-kosovari”, i cili shkëput lidhjet me historinë dhe traditën, me kulturën e simbolet kombëtare, shpërfill gjuhën dhe traditën etnokulturore, dhe i cili preokupim kryesor ka të ardhmen, favoret që sjellë pushteti, qeverisja nën të huajt dhe mbi të gjitha përfitimet pa djersë, pa punë krijuese dhe pa angazhime të mirëfillta e serioze. Natyrisht se për të mbijetuar ideja e Ahtisarit, bashkësia ndërkombëtare, veçmas disa shtete të Evropës, kanë krijuar një klimë dhe një vegjetacion të përshtatshëm, ku po mbillet fara e klonuar dhe e hibridizuar e këtij plani të zi. >>> Nuk duhet harruar për asnjë çast se në çdo vend, që pretendon të jetë demokratik, secili individ duhet të ketë drejta të barabarta, por po ashtu nuk duhet harruar se çdo individ ka edhe detyra e obligime ndaj familjes, shoqërisë dhe shtetit.