Ahmet Qeriqi: Lajme të kobshme, të përditshme, në epokën e demokracisë

 


Sapo hap faqet e internetit, në cilën do gazetë apo portal të Shqipërisë, lajmet e para që bien në sy, janë ato të aksidenteve të përditshme rrugore, të vrasjeve ndër më mizoret, të mbytjeve aksidentale, të trafiqeve, të prostitucionit, trafikut të kokainës, trafikut të drogave të tjera, korrupsionit të zyrtarëve të lartë, kapjen e bosëve të krimit, protestat e minatorëve, protesta të familjarëve, që kanë pësuar në Gërdec, protesta të opozitës për hapjen e kutive, dhe lajme të ngjashme të kronikave ndër më të zezat, të mundshme.


Kjo është Shqipëria e parë nga larg, e kuptuar përmes lajmeve, është kjo jeta e përditshme e shqiptarëve, të cilët tregojnë se sa shumë kanë vuajtur në kohën e sundimit komunist, se nga pasojat e  atij sistemi edhe 20 vjet më pas, ata po vuajnë, ndërsa po i provojnë të gjitha të mirat e pakufishme, që i ka sjellë demokracia e Sali Berishës, e më herët ajo e Fatos Nanos.


 


Ndalemi për një çast në një statistikë të rëndomtë të 27 dhjetorit të vitit 2009 për të ilustruar sadopak  ndodhitë e përditshme dhe më karakteristike në Shqipëri.


 


Tre shqiptarë mbyten në aksident komunikacioni në mes të Tiranës, ndërsa katër të tjerë marrin plagë të rënda.


Mbyten tragjikisht 3 fëmijë, dy prej tyre të mitur. vëlla e motër.


Katër shqiptarë në një kafene në Selanik vrasin bashkëkombësin e tyre.


Në Shqipëri kapet banda e gjobëvënësve.


Arrestohen 13 shqiptarë pjesëtarë të një rrjeti të kokainës.


Kapen dy shqiptarë për trafik droge në Elbasan…


Këto shifra për një ditë duken tepër shumë, por po qe se shumëzohen me 365 ditë të vitit, atëherë luan fiqiri, pa llogaritur këtu edhe fatkeqësitë që sjellë natyra në kohën e globalizmit dhe të ngrohjes, po ashtu globale, me të cilën po ballafaqohet njerëzimi.


 


Janë këto vetëm disa nga lajmet që janë shpërndarë nga mediet, janë ngjarje të përditshme, që ndodhin në Shqipëri  dhe që nuk iu bëjnë më përshtypje shqiptarëve, ashtu sikur nuk iu bënte fare përshtypje regjimi komunist, i cili likuidonte  ndonjë kundërshtar politik, por nuk kishte aksidente komunikacioni, nuk vritej askush për hakmarrje, apo për interesa të tjera individuale, nuk njihej madje as edhe fenomeni kapitalist i trafikut të njerëzve, as i trafikut të drogës, nuk lejohej të mbillej as të konsumohej hashashi, nuk kishte prostitucion, nuk kishte dhunë familjare, nuk kishte përdhunim dhe nënçmim e vrasje të femrave, nuk kishte as pederasti, as pedofili dhe asnjë prej sëmundjeve  e degjenerimeve të sotme, të përditshme.


 


Natyrisht se krahasimet e tilla, bardh e zi,


kanë edhe mangësitë e veta, por po ta marrim me gjakftohtësi dhe po ta studiojmë në thellësi fenomenin e jetës në Shqipëri, dikur dhe tani, do të bindemi fare lehtë se shumëçka që ndodh sot, nuk ka ndodhur kurrë më parë.


Rastet e shpeshta të shëmtive dhe perversiteteve, të mbytjeve e vrasjeve barbare, të pasurimit të paligjshëm brenda natës, apo brenda pak ditësh të bandave dhe grupeve të caktuara të interesit, të shitjes së pronave të atdheut në ankand të fshehtë dhe të hapur publik, të përfitimeve përrallore të miqve e të afërmve të krerëve politikë dhe institucionalë të vendit, të qindra matrapazllëqeve, që bëhen për ditë në kurriz të popullatës së varfër, atëherë njeriu vetvetiu e shtron pyetjen, se kah po ecën Shqipëria, drejt paqes e mirëqenies, apo drejt kaosit dhe anarkisë gjithnjë e më të thellë?


 


Dikur në Shqipëri lavdërohej Partia dhe Pushteti për të arriturat e përditshme, meqë propaganda partiake shtrihej në të gjitha poret e shoqërisë së organizuar, ajo mbante gjallë moralin e njerëzve, për një jetë më të mirë të të gjithëve, edhe pse gjendja faktike dhe propaganda nuk përputheshin me realitetin.


Por sado të jesh kundërshtar i ish regjimit, sado të hedhësh baltë kundër asaj të kaluare, sado të jesh i njëanshëm deri në marrosje, nuk ke  asnjë fakt, që dëshmon se shqiptarët kanë vdekur urie, se diferenca mes shumë të pasurve dhe shumë të varfërve ka qenë në raport një me njëqind,  apo një me  njëmijë, sikur është tani. Nuk mund ta vërtetosh se pushteti vepronte në mënyrë të organizuar me qëllim për t’ i varfëruar dhe asgjësuar shqiptarët. Nuk janë bindëse të dhënat se pushteti kishte për qëllim ta ndërronte dhunshëm identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe ta bënte atë identitet komunist. Veprat filmike të kohës, romanet, dramat, reportazhet e intervistat e shumta dhe të ndryshme na japin një tablo tjetër, nga ajo që propagandon sot politika zyrtare.


Treguesit e shumtë, që flasim për arsimimin popullor në Shqipëri, për zhdukjen e analfabetizmit, për elektrifikimin dhe bonifikimin e vendit, për industrializimin e një pjese të bujqësisë, për prodhimin e bukës në vend, për ndërtimin e qindra mijëra bunkerëve për vetëmbrojtje nga Greqia e Jugosllavia, për hapjen e tokave të reja, për ndërtimin e mijëra kilometrave rrugë të asfaltuar, për ndërtimin e gjigantit energjetik në Fierzë, vetëm me forcat e veta, për eksploatimin e naftës, për “Çelikun” e Elbasanit, për ndërtimin e rrjetit hekurudhor  dhe shumë vepra si këto, janë tregues realistë, që mund të dëshmohen e të faktohen në çdo çast, pavarësisht se kundërshtarët e regjimit, që asokohe ishin pjesë e po atij regjimi, nuk duan t’ i pranojnë këto fakte, të cilat vetë i kanë demonstruar në fjalimet e tyre, i kanë shkruar në romanet e tyre, i kanë shtjelluar në drama e në filma, në reportazhe e në shkrime gazetash.


Përpjekjet për ta mohuar tërë një realitet 50-vjeçar janë përpjekje të kota dhe të mjera, për më tepër kur ato përpjekje i bëjnë, vetë ata që e kanë ngritur atë shoqëri, dhe ata që kanë qenë diga të atij zhvillimi. Kjo tregon në radhë të parë se këta njerëz kanë mungesë morali, mungesë burrërie e njerëzie.


 


Si ia dalin të mbijetojnë, madje edhe në kreun e shtetit e  të pushtetit, të djeshmit e sotëm, duke filluar nga Sali Berisha?


 


Në përmbysjen e pushtetit politik komunist në Shqipëri morën pjesë shumica e ish partiakëve, meqë mendonin se përmbysja ishte e pashmangshme dhe ata, në kohën dhe momentin e caktuar, u gjenden në krye të lëvizjes së re antikomuniste, e cila po quhej demokratike. Ishin po  këta përfaqësuese të luftës së klasave, të cilët nuk i kërkuan popullit falje për qeverisjen nën diktaturë, por filluan të rrahin gjoks dhe të propagandonin  se  kishin vepruar kundër diktaturës dhe ia paskëshin punuar nën rrogoz. Komunistët e konvertuar sa për sy e faqe në demokratë, as kishin qenë komunistë të vërtetë, as mund të bëhen kurrë demokratë të vërtetë, sepse sojit të tillë të njerëzve u mungon në radhë të parë njerëzia e burrëria, por jo edhe hipokrizia, aftësia për mashtrim dhe hajnia.


Përse këta “burra” sot,  ishin treguar  burreca derisa ishte gjallë Enver Hoxha? Përse nuk e kundërshtuan, përse nuk morën armët për ta luftuar, sikur e luftuan fashizmin italian e gjerman, përse nuk arritën ta zhvillojnë as edhe një demonstratë kundër pushtetit?  Këta sot mundohen të na bindin se pushteti e partia ishin shtrirë në të gjitha poret e shoqërisë dhe nuk mund të ndodhte një lëvizje e tillë, duke harruar se po këta ishin ato pore, që përçuan pushtetin komunist për afër 50 vjet rresht. Në 80 për qind të rasteve politikanët e sotëm kanë prejardhje politike nga Partia e Punës së Shqipërisë dhe në të shumën e rasteve ishin bij, nipa e mbesa besnike të partisë.


Këta janë ata të dikurshmit, ata që i lindi dhe i rriti nëna parti. Ata që u konvertuan brenda natës, ata që dje lavdëronin deri në marrosje e sot pështyjnë deri në neveritje.


Si mund ta mohojë Sali Berisha përkatësinë e dikurshme partiake dhe përkushtimin për atë parti,  e cila e nxori nga balta e Vuçidollit dhe e bëri mjek me nam, ashtu edhe komisar me nam, në kohën kur babai ti tij shiste qumësht dhie në Tropojë?


Cilët ishte dikur Fatos Nano e Spartak Ngjela, Arben Imami e ilir Meta?


A mos ndoshta edhe këta ia punonin partisë nën rrogoz. Dhe, meqë PPSH-së ia paskan punuar prapa shpine,  kush siguron se këta nuk po ia punojnë edhe sot Shqipërisë, po ashtu prapa shpine?


 


Ku e katandisën Shqipërinë komunistët e konvertuar?


 


Tani, në kohën kur shumëçka ka ndërruar në Shqipëri, për të mirë dhe për të keq, tani kur e kaluara po merret si shembull i një kohe monstruoze, tani kur Shqipëria po “ndryshon e po lulëzon”, tani kur çdo gjë gjen me bollëk veç lekëve, që për shumicën e shqiptarëve janë me mungesë të shprehur, Shqipëria po ballafaqohet jo vetëm me krizë politike e morale, por edhe me fillimin e daljes në sipërfaqe të kontradiktave tejet të thella të zhvillimit të kapitalizmit të xhunglës, nëpër të cilin po kalon vendi.


Ata, që tani po propagandojnë parajsën, për Shqipërinë ndryshe, po i heshtin dështimet dhe po  flasin për liri pa fre, për vajtje pa viza në Evropë, për Shqipërinë në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe asgjë më shumë.


Ata i heshtin faktet se më shumë se një milionë shqiptarë kanë mërguar dhe punojnë punë ndër më të ndryshmet në Greqi dhe në vende të tjera të botës.  Ata heshtin faktin se janë rreth 50 mirë shqiptare që ushtrojnë prostitucion në Greqi, Itali, Gjermani dhe në shtete të tjera të Evropës. Ata heshtin faktin se shqiptarët e ikur nga atdheu për mungesë perspektive e zhvillimi, merren jo vetëm me punët më të rënda e më të ndyta, në shtetet ku jetojnë, por merren edhe me të gjitha llojet e trafiqeve, jo sepse janë të këqij, me faktin se janë shqiptarë, por sepse janë të varfër dhe mundohen me çdo kusht të mbijetojnë, duke mos zgjedhur mjet as metodë. Tekefundit njeriu që nuk e do atdheun, apo që ikë nga atdheu, sepse nuk ka si të mbijetojë,  si mund ta dojë një shtet tjetër, ku përbuzet e shqelmohet kudo, ku ndeshet me fuqinë e mujsharëve.


Shqipëria sot ndodhet e katandisur, ndodhet buzë greminës sociale, si pasojë e mungesës së moralit njerëzor të kreut qeverisës, mungesë e shpirtit dhe dashurisë për bashkëkombësit, mungesë e dijes dhe profesionalizmit dhe mungesë e gatishmërisë për të punuar e për të vepruar në dobi të kombit e atdheut para së gjithash.


Cili po  vepron dhe po angazhohet  sot për kombin dhe për Shqipërinë?


Kush po i qet në ankand publik tokat e atdheut dhe kush po i blen ato?


Cilat janë investimet e premtuara në kohën e fushatës së zgjedhjeve?


A ka rrymë  dhe ujë 24 orë sikur është premtuar?


Cilat janë ato dy apo tri premtime të realizuar nga një dyzinë sosh?


Shqipëria po lulëzon nëpër bastionet e feudeve, të grupeve dhe klaneve mafioze politike, të cilat janë instaluar në të gjitha instancat shtetërore, qendrore dhe lokale.


Klasa e sotme e sundimtarëve në Shqipëri ka hallin e përfitimit nga liberalizimi i vizave, sepse po të lejohen shqiptarët të ikin nga Shqipëria, atëherë blihet përgjithmonë qetësia sociale. Në rast të tillë, pushteti, qytetarit të pakënaqur do t’i thotë, nëse nuk të jetohet këtu, ik, ja ku e ve vizën, të cilën ta kam siguruar dhe shko atje ku mendon se do të gjesh më mirë. Dhe, shqiptarë aventurierë e iluzionistë, që mendojnë se po të shkojnë në vendet e Evropës brenda natës do të bëhen të pasur, ka sa të duash.


Ja cila është Shqipëria sotme  e parë nga këndvështrimi im.


Edhe pse besoj shumë në këto konstatime, shumë më tepër do të dëshiroja që koha të më demantojë.


Nuk do të ndodh shpëtimi i Shqipërisë as me ardhjen në pushtet të opozitës, e cila, po kështu ka në plan futjen në Evropë me çdo kusht, liberalizimin e vizave dhe asgjë më shumë, sepse shqiptarët syleshë sot mund të mashtrohen vetëm duke u përmendur begatitë e Evropës, ashtu sikur mashtroheshin dikur se, në epokën e artë të fitores së komunizmit në botë, nuk do të kishte kufij shtetesh, as magnatë të pasur kapitalistë, as njerëz të varfër, por do të kishte një barazi universale njerëzore.


Shqipëria ka nevojë për udhëheqës idealistë, të cilët nuk angazhohen për  të përfituar nga favoret, që  i ofron veshja me pushtet, por veprojnë në drejtim të zhvillimit të resurseve natyrore të vendit, duke lidhur marrëdhënie reciprociteti me vendet mike, por kurrsesi me Greqinë e me Serbinë, dy shtete të dëshmuara dhe të orientuara historikisht kundër qenies dhe botës shqiptare.


Shqipëria ka nevojë për një klasë të tërë idealistësh, realistë e përparimtarë, të cilët kënaqen me pak, por japin shumë, japin gjithçka nga vetja e tyre ashtu si dikur kanë shkrirë dhe kanë dhënë tërë pasurinë e dijen e tyre: Avdyl Frashëri e Sami Frashëri,  Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina e Bajram Curri.


Dikur ka pasur Shqipëria idealistë të tillë.


A thua a ka sot Shqipëria  idealistë?


 



Nesër, sërish do ta shfletojmë kronikën e zezë dhe sërish do të tmerrohemi nga aksidentet në rrugë, ku ngarendin drejt vdekjes njerëz të papërgjegjshëm, të cilët ia marrin jetën vetit dhe ndonjë taksiratlie të rastit. Po nesër do të njoftohemi për vrasje e pësime të tjera të njerëzve. Do të njoftohemi edhe me kapjen e trafikantëve dhe të ndonjë kilogrami apo qindra kilogramëve drogë…


 Shqipëria po ndryshon…

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …