leoni

Ahmet Qeriqi: Të rënët, meritokratët dhe të anashkaluarit

 


Gjatë kohëve të fundit janë intensifikuar paraqitjet publike, me shkrim dhe në debate televizive të ish-kreut të luftës, lidhur me themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendin, kohën, themeluesit e parë, të dytë, etj. Kjo temë është aktualizuar pas nxjerrjes në sipërfaqe të rastit “Bllaca” të instruktuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës: Adem Salihaj e Gani Geci,  pastaj intervistës se kreut të ish-SHIK-ut, Kadri Veseli, të deklaratave të Azem Sylës, një kohë komandant i UÇK-së, të Rexhep Selimit, inspektor i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe bisedës në studion e KTV-së të Xhavit Halitit, i cili pretendon se është themeluesi kryesor i UÇK-së.


Opinioni  liridashës i Kosovës e më gjerë tashmë ka dëgjuar sa e sa versione lidhur me argumentet se kur dhe nga kush u formua UÇK-ja, shpeshherë duke lënë anash ideatorin e parë dhe sakrifikuesin historik të kësaj lufte dhe të kësaj ushtrie, Adem Jasharin dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë e më të afërt.


Kjo formë e paraqitjeve, tani,  dhjetë vjet pas luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare, nxjerrë në sipërfaqe shumë të dhëna, që nuk i ka ditur opinioni, ose nuk ka pasur sa duhet informacione të vërteta e të mbështetura në fakte. Është trimërues fakti se pikërisht kur EULEX-i dhe qarqet antishqiptare, në Beograd dhe në disa qendra të Evropës, po përgatiten për t’i dhënë grushtin vendimtar UÇK-së dhe trashëgimisë të saj, duke e etiketuar si “terroriste” dhe pjesëmarrëse  në krimet e kryera edhe pas luftës në Kosovë, disa nga krerët e UÇK-së, po bëhen edhe më të zëshëm, duke pranuar botërisht angazhimet, por edhe duke bërë përpjekje që, të ligat të cilat kanë ndodhur, t’ i largojnë nga vetja, pavarësisht se ku mund të zbrazen ato. Kjo e fundit është shumë zhgënjyese, madje edhe dëshpëruese.


Zyrtarët e EULEX-it, që monitorojnë dhe spiunojnë përmes disa  shqiptarëve, kanë pritur që rasti “Bllaca” të krijojë konfuzion dhe t’i trazojë krerët e luftës. Realisht ashtu edhe po ndodh. Deklaratat e shumta, të cilat vënë në dilemë shumë momente të së kaluarës, po bëhen me qëllim për të treguar meritat, për të rrahur gjoks, për t’ u shtyrë me bërryla dhe për të përfituar nga rasti, nëse mund të përfitohet diçka në këtë mënyrë.


Versionet lidhur me themelimin e UÇK-së, i kemi dëgjuar dhe për to kemi pasur rast të lexojmë sa e sa herë deri tani. Të gjallët po flasin, të rënët nuk i ngjallim dot, për t’iu marrë deklaratat. Të gjallët, madje edhe po manipulojnë, duke anashkaluar më meritorët, sepse më meritorët janë ata që kanë rënë për atdhe, ata që kanë lënë gjymtyrët e tyre, ata që kanë luftuar kundër forcave okupatore serbe në frontet e luftës, dhe jo ata që paskan projektuar një emër, apo i paskan shtuar ndonjë ndajshtim kësaj sintagme, apo paskan ditur për të gjitha zhvillimet dhe paskan marrë pjesë në organizim, kuptohet në prapavijë.


Duhet të qartësohen argumentet ashtu sikur e kërkon e vërteta e mbështetur në faktet reale


Kurrë nuk ka qenë e mjaftueshme të bësh një organizim, të krijosh një grup dhe grupit t’i vësh një emër të madh si, armatë, ushtri, front, apo lëvizje. Kjo vetvetiu nuk ka mjaftuar asnjëherë dhe ne, këtë punë e kemi bërë me dhjetëra e qindra ra herë, duke filluar  prej Luftës së Dytë Botërore. Janë dhjetëra organizata masive dhe qindra grupe, pjesë të asaj veprimtarie të fshehtë, që quhet ilegale, që kanë projektuar, kanë themeluar organizata, kanë rënë në burgje, janë dënuar e ndëshkuar mizorisht dhe kur kanë dalë nga burgjet, shumica syresh sërish kanë vazhduar veprimtarinë. Fakti se këto organizata e grupe e kanë mbajtur gjallë idealin për liri, nuk mund të mohohet, por nuk mund të mohohet as fakti se të gjitha këto organizata kanë bërë përpjekje ta dominojnë njëra tjetrën, apo ta zhvlerësojnë njëra tjetrën deri edhe te etiketimet për tradhti kundër njëra-tjetrës. Kjo nuk është karakteristikë vetëm e lëvizjes sonë, sepse të gjitha lëvizjet ilegale në botë vuajnë nga sëmundjet e organizimit të dobët e sektar.


Realisht, kudo në historinë e Lëvizjeve, janë të ndara ana ideore, projektuese dhe ajo vepruese. Nuk është njësoj sikur të kesh themeluar një organizatë ilegale, e cila ka vepruar në një kohë të caktuar derisa është zbuluar veprimtaria e saj, e njëjtë me faktin sikur në krye të asaj organizate të kesh qëndruar sikur ka qëndruar, simboli i rezistencës sonë aktive kombëtare, Adem Demaçi, sikur kanë qëndruar në ballë të Lëvizjes në mërgim: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla e të tjerë, sikur ka qëndruar pa u tundur në mbrojtje të çështjes shqiptare, Ukshin Hoti, apo sikur kanë qëndruar në rrethim, deri sa kanë rënë: Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Bahri Fazliu dhe qindra e qindra të tjerë gjatë kohës së tri luftërave tona çlirimtare.


Themeluesit e UÇK-së, edhe nëse kanë qenë 100 apo më shumë nuk mund të barazohen me vepruesit dhe sakrifikuesit, qoftë edhe vetëm me njërin prej tyre. Sepse ndryshe është të projektosh, të themelosh, të organizosh e krejt ndryshe t’ i vesh vetë në jetë ato veprime e organizime, duke qëndruar vetë në ballë, sikur kanë qëndruar trimërisht e heroikisht, Adem, Hamëz dhe Shaban Jashari me jasharët, Mujë Krasniqi, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Ilaz Kodra, Luan Haradinaj, Adrian Krasniqi, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Ilir Konushevci, Bahri Fazliu, Ismet Asllani, Agim Ramadani, Ismet Jashari, Mehë Uka, Beqir Meha, Remzi Ademaj, Agim Bajrami, Nexhmi Llumnica, Bedri Ajeti, Qamil Ilazi, Ahmet Kaçiku, Imer Alushani, Asllan Fazliu, Mirvete Maksutaj, Selman Lajçi, Astrit Suli, Indrit Cara, Salih Çekaj, Njazi Azemi, Ridvan Qazimi, Tahir Sinani, Hyrë Emini, Abaz Beqiri, Fadil Nimani, Mevludin Mehmeti e qindra të tjerë. Ndryshe është t’ i shtysh të tjerët drejt frontit të luftës, e vetë të flesh  butë e qetë nëpër hotelet luksoze të Tiranës, apo të qyteteve të tjera të Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë, Francës, Belgjikës dhe Amerikës së largët, duke vjelë  fonde dhe duke ndarë pasuri për vete, për klanet dhe për trashëgimtarët. Edhe këto gjëra dihen. Dihen, sepse u identifikuan vetë pas luftës, në pallate, biznese të shumta, shtëpi e vila shumëkatëshe në Tiranë, Golem e në Durrës e gjithandej, në Kosovë e nëpër botë.


Njëri nga ata, që thotë për veten e  tij ka qenë kreu i luftës, që deklaron se është vetë themeluesi i UÇK-së, gjatë tërë kohës së luftës nuk ka hyrë asnjëherë në Kosovë. Me të drejtë kureshtarët  pyesin si ka ndodhur që disa kanë qëndruar në Kosovë gjatë tërë kohës së luftës, disa kanë qenë në rrugëtim të përhershëm, disa kanë ardhur dhe janë larguar në detyra të caktuara, disa kanë rënë gjatë vajtje ardhjeve, disa kanë shkuar e janë kthyer, po e zëmë sipas detyrave të tyre delikate dhe disa  të tjerë nuk kanë begenisur të futen asnjëherë në Kosovë, deri në mbarimin e saj. Këta madje kanë kritikuar ashpër Qeverinë e Bukoshit, përse  po rrinte në Tiranë dhe nuk po aktivizohej  fizikisht për të luftuar në Kosovë, apo përse oficerët e tij merrnin rroga të majme nga Fondi i 3 përqindëshit dhe nuk begenisnin të hynin në front, por edhe kur hynin sapo u fshikullonin  mbi kokë granatat e armikut, ata ia mbathnin, sikur bëri oficeri i APJ-së dhe i Bukoshit, Tahir Zemaj e disa të tjerë.


Është edhe një fakt tjetër, shumë kryeneç. Nga mesi i të mbijetuarve në luftë, dihen me emër e mbiemër se kush, cili komandat apo epror ka qëndruar në frontet e luftës gjatë tërë kohës, e cilët janë ata që kanë rrugëtuar ditë e natë, herë në një zonë herë në tjetrën, varësisht prej rrethanave dhe zhvillimit të luftimeve, herë në Shqipëri e herë në Gjermani. Është e ditur se edhe rrugët kanë qenë me rrezik, por nuk mund të kenë  qenë njëlloj të rrezikuar sikur ata që kanë qëndruar përballë ushtrisë serbe në istikamet e Prekazit, të Rezallës, të Gllogjanit e vendluftimeve të tjera  gjatë tërë kohës së luftës, sikur ata që kanë kryer punë të mëdha, andej kufirit e deri në Tiranë. Këto fakte nuk mund të barazohen për nga vlera, apo efekti që kanë pasur gjatë luftës. Po të kishim ikur  të gjithë ne, që ishim të rrezikuar, cili do të kishte qenë fati i luftës, ndërsa por të kishin qëndruar të gjithë tok në Kosovë, dihet po ashtu se lufta do të kishte fituar forcë e përmbajtje, fuqi e mobilizim.


Dihet po ashtu si cilët ishin disa nga kuadrot e lartë të UÇK-së, që përnjëherë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe intensifikimit të luftimeve në të gjitha vijat e fronteve, ikën për në Tiranë, disa madje duke i lënë familjet e tyre në zonat e rrezikut. Dhe ata, nga Tirana e “drejtonin” luftën. Derisa Kosova po digjej nga zjarri i forcave serbe, derisa gjatë ditës binin dhjetëra dëshmorë e qindra martirë, ata ndanin poste ministrore, poste qeveritare, poste këshilltarësh, ndanin mjete nga fondet. Mjafton të publikohen emrat e tyre dhe të shihet qartë, se nga përbërja e QPK-së ishin lënë anash po thuajse të gjitha ata që kishin qëndruar gjatë tërë kohës së luftës në Kosovës, me disa përjashtime.


QPK-ja kishte caktuar drejtor të përgjithshëm të informimit, njeriun që kurrë dhe asnjëherë nuk kishte qenë në zonat e luftës, por kishte fjetur urtë e butë nëpër hotelet e Prishtinës e të Tiranës. Në krye të Ministrisë së informimit ishte caktuar, po ashtu, një kuadër i lartë, që thënë më së buti kishte ikur nga fronti i luftës me disa veprimtarë e bashkëmendimtarë të tjerë. Në stafin e tij pas luftës nuk ishte caktuar as edhe një gazetar i Radios dhe i Agjencisë, nga mesi i atyre  që kishin qëndruar nëpër istikamet e luftës duke informuar opinionin për zhvillimet në terren. Ata ishin luftëtarë dhe  veprimtarë me arsimim të lartë dhe të dënuar me nga 5 deri në 12 vjet burg gjatë kohës së regjimit okupator. Ky ishte organizmi që bënin hileqarët dhe hipokritet e luftës, në Tiranë, derisa Kosovës iu kishte dhënë flaka dhe derisa luftëtarët e luftëtaret trima e trimëresha të UÇK-së po qëndronin të patundur në frontet e luftës. Këta tash rrahin gjoks se e paskan themeluar UÇK-në, se paskan derdhur aq shumë djersë, se paskan qenë të rrezikuar nga regjimi i Milosheviqit, madje edhe gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, madje edhe gjatë qëndrimit në Rambuje, e pse jo edhe kudo nëpër Evropë. Këta rrahin gjoks madje se edhe e pakan bindur NATO-n ta bombardojë Serbinë.(!)


Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte një organizim të brendshëm të mbështetur fuqishëm në idealin e çlirimit, në atë ideal që ka mbijetuar gjatë shekujve, pastaj në domosdoshmërinë e fitores me çdo çmim dhe me çdo kusht, duke marrë për shembull sakrificën për liri të komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që derdhen gjakun për çlirim. Operativa e UÇK-së ka funksionuar për mrekulli, pavarësisht se cilat skena janë luajtur dhe kush i ka luajtur  prapashpine. Ajo në disa raste ka taktizuar, ka vepruar në akord me rrethanat


Në frontet e luftës çlirimtare, ballë për ballë forcave serbe kanë rënë më meritorët, dhe kanë qëndruar përkrah tyre, po ashtu, më meritorët dhe më të përkushtuarit, të cilët qysh prej mbarimit të luftës janë lënë në mëshirë të kohës. Ata nuk e ngrehin zërin, sepse nuk kanë luftuar për hir të kreut të luftës, apo për hir  të akëcilit komandant, as për hir të njeriut, i cili ua kishte mohuar e përbuzur luftën. Ata nuk kanë luftuar për t’u pasuruar pas luftës dhe natyrisht nuk janë pasuruar, por mbijetojnë disi. Ata kanë luftuar për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, pa marrë leje nga askush dhe fillimisht pa përkrahje nga askush. Ata janë shumica, forca  prej 20.000 luftëtarëve të UÇK-së. Tani, po flitet se ky numër ka arritur deri në 50 mijë e kusur. Ka në këtë mes të tillë  që kanë marrë librezat e veteranit edhe nga mesi i tyre që e kanë sharë luftën, që e kanë sabotuar, që kanë dezertuar, që kanë manipuluar në çdo rrethanë.


Të gjitha këto dhe shumë e shumë fakte të tjera, herët a vonë do ta ndriçojnë të vërtetën për luftën e vërtetë të UÇK-së, jo për luftën ndryshe, apo luftën prapa shpine, apo luftën diplomatike, e cila nuk ka mundur të ketë asnjë sukses, pa u mbështetur në gjendjen e krijuar në terren, në frontet e luftës, atje ku ditë e natë bëhej rezistenca. Është provuar lufta diplomatike gjatë tërë viteve 90 në Kosovë, por nuk pati as edhe një rezultat të vetëm, përveç disa rezolutave deklarative, të OKB-së, të cilat nuk sollën asnjë rezultat konkret.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …