Deklaratë zyrtare për publikun, e Kryetarit Jashari, rreth asaj që ndodhi sot në Kuvendin Komunal të Skenderajt

Deklaratë zyrtare për publikun, e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, rreth asaj që ndodhi sot në Kuvendin Komunal të Skenderajt:

“Të dashur qytetarë,

Sot u miratua buxheti zhvillimor i Komunës së Skenderajt, i cili u bë në bashkëpunim të plotë me qytetarë që kam takuar në çdo bashkësi lokale. Edhe pse buxheti i Komunës u hartua bazuar në kërkesat e qytetarëve, kishte asamblistë të cilët nuk e përkrahen. Ky është buxhet zhvillimor që planifikon investime në Parkun e Biznesit, në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla dhe infrastrukturë të përgjithshme, është buxhet i të gjithë qytetarëve, dhe jo i një grupi të caktuar. Grupacione të interesave të ngushta personale sot ishin organizuar që të pamundësojnë votimin e buxhetit zhvillimor, buxhetit të qytetarëve të Skenderajt. Grupi i deputetëve të Sami Lushtakut, Musa Dervishit e Malsor Bejtes, pasi dështuan të bllokojnë punën time dhe të Ekzekutivit, dhe votimin e buxhetit të komunës se Skenderajt, përmes Malsor Bejtes, që është dorë e zgjatur e Sami Lushtakut, krijuan tensione në asamble, me ç’rast Malsor Bejta ka nxjerr një thikë për të sulmuar asamblistët dhe drejtorët. Gjendja e Malsor Bejtes ishte jashtë çdo norme të një asamblisti dhe qytetari normal, prandaj është dashtë intervenimi i personelit të sigurimit për ta neutralizuar atë. Ndiej keqardhje për sjelljen e asamblistit Bejta i cili aty është për të përfaqësuar qytetarët, jo për të mbrojtur me armë të ftoftë (thikë) interesat e grupacioneve të caktuara, të cilët janë të gatshëm të jenë çdo gjë për interesa personale, por jo edhe për ata qytetarë, prandaj nuk i pamë në ditën kur qytetarë të Drenicës bllokuan rrugët për të mos lejuar kalimin e Vuçiçit ne Drenicë. Qytetarëve të Skenderajt iu urojmë votimin e buxhetit sipas kërkesës së tyre, ndërsa të gjithë atyre që mendojnë bllokimin e zhvillimit të Skenderajt, ju themi se janë të dështuar. Ka kaluar koha kur buxhetin e ka orientuar një grup i caktuar, sot ai u miratua sipas kërkesave të qytetarëve, për të ju mundësuar dhe krijuar parakushte investitorëve të investojnë në komunën tonë, të cilëve për interesa individuale, klanore e grupore nuk iu është lejuar investimi në Skenderaj. Prandaj për 20 vite nuk ka investitorë të huaj në Skenderaj, sot miratuam buxhetin i cili krijon parakushte për hapje të fabrikave në Skenderaj. Urime, qytetarë të Skenderajt!”

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …