leoni

Ferizaj shënoi 28 shtatorin – Ditën e Dëshmorëve si dhe 20 vjetorin e “Epopesë se Jezercit”

Në Ferizaj është zhvilluar ceremonia e përvitshme e homazheve dhe e përkujtimit të dëshmorëve të UÇK-së. Kësaj radhe në shënim të përvjetorit të 20-të jubilar të Epopesë së Jezercit dhe Ditës së Dëshmorëve të Kombit, ferizajasit kanë marshuar drejt Varrezave të Dëshmorëve, aty ku prehen eshtrat e dëshmorëve nga kjo anë, për t’u përkulur dhe nderuar gjakun e derdhur për liri. Ky lum i gjatë njerëzish, në ballë të të cilit ishin drejtues të pushtetit lokal, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica dhe Mexhide Mjaku Topalli, kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Gafurr Bytyçi, drejtorë komunal dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, veteranë, invalidë të luftës e familjarë të dëshmorëve, janë përkulur para shtatoreve të komandantëve të shquar, Rexhep Bislimi, për të vazhduar tutje tek shtatorja e Heroinës Hyrë Emini. Ky vlug i gjatë njerëzish ka bërë homazhe edhe tek shtatorja e Dëshmorit të Kombit, Naim Beka e Afrim Kalanica, për të vazhduar tutje tek shtatorja e Dëshmorëve të Kombit, Driton Islami-Toni, Sadik Bega-Mortaja, Brahim Ademi-TT-ja, Kemajl Hetemi si dhe tek shtatorja e Dëshmorit të Kombit, Agim Matoshi. Ndryshe kjo ditë ndërlidhet me betejën e njohur si “Epopeja e Jezercit”, që u zhvillua në fundin e shtatorit të vitit 1998, me ç ‘rast në këtë vend ranë me armë në dorë luftëtarët e UÇK-së, Gursel e Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Sejdi Sejdiu, Sali Baliu, Lulzim Guta, Arsim Zeqiri, Bashkim Vishi dhe Nazim Terziu. Në këtë ditë, Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi – babai i dëshmorit Astrit Bytyqi është shprehur se në këtë ditë ka emocione të pa përshkrueshme, përderisa ka përkujtuar të gjithë dëshmorët e Ferizajt. “Emocionet e ditës së sotme janë edhe të krenarisë, por jam shumë i prekur edhe prej masivitetit të njerëzve që po marrin pjesë në homazhe për të nderuar të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës”, ka thënë Bytyçi. Ndërkaq, eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherit deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, duke kujtuar sakrificën e Dëshmorëve të Kombit tha se Epopeja e Jezercit, është beteja më e rëndësishme, më me peshë dhe më e veçanta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, referuar edhe kontekstit historik kur u zhvilluar kjo betejë. “Sot jemi këtu për të përkujtuar 20 vjetorin e një beteje e cila është shndërruar në Epope të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë. Edhe nga betejat më të rëndësishme që ka zhvilluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Është nga betejat më të rëndësishme që ka zhvilluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Nerodimes, gjegjësisht në nënzonën e atëhershme dhe njëkohësisht është një nga betejat që ka lënë gjurmë edhe në historinë e tërësishme të UÇK-së dhe të vendit. Jo rastësisht sot është edhe Dita e Dëshmorëve, me këtë rast dua t’i përshëndes të gjithë familjarët e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe t’i uroj për këtë ditë që është shumë e veçantë dhe shumë e shënuar. Çfarë mund të themi dhe çfarë mund të rikujtojmë nga ajo ngjarje, konteksti historik ishte shumë i rëndësishëm dhe shumë me peshë, kasapi i Ballkanit, Millosheviçi takohej me Richard Hollbrukun dhe deklaronte që Ushtria Çlirimtare e Kosovës është zhbërë dhe definitivisht ajo është jashtë territorit dhe jashtë mundësive për të vepruar operativisht, ndërsa ne në Jezerc, 220 ushtarë të mbështetur nga qytetarët jo vetëm të Jezercit dhe fshatrave përreth por edhe nga qyteti dhe fshatrat tjera të Ferizajt e më gjerë, Kaçanik dhe vende tjera zhvillonim një nga betejat më me peshë, me peshë më të rëndësishme dhe më të veçantën të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dua të them me këtë rast që kanë rënë 9 ushtarë dhe eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njerëz që nga e kaluara e tyre i kanë dhënë shumë këtij vendi dhe kemi pas në shenjë hakmarrje dy civilë të vrarë, një qytetar i paralizuar. Dhe në këtë aspekt, ne kemi bërë përpjekjet maksimale dhe përmes angazhimit, përmes luftës, përmes riorganizimit pas Epopesë së Jezercit, kemi arritur së bashku me aleatët tanë t’a realizojmë lirinë e këtij vendi dhe ta shpallim pavarësinë. Domosdo që amaneti i dëshmorëve është i gjallë dhe është gjithmonë ai që do të na mbaj neve aktiv edhe në jetën politike dhe institucionale” tha deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica. Luan Jahiri, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se në këtë përvjetor jubilar është munduar që të përkujtojë të gjithë të rënët për lirinë që po e gëzojnë sot. “Ka emocione shumë të mëdha, por angazhimi jonë na ka lënë që të mos mërzitemi, por edhe kur shohim të gjithë këta njerëz emocione kalojnë. Kjo ditë është një ditë lavdie, një ditë jubilare një ditë e një beteje më të madhe që është zhvilluar në këtë anë që njihet si “Epopeja e Jezercit”, ne ndihemi krenar, kemi pasur nëntë dëshmorë, ndërsa sot do të punojmë të gjithë për të ardhmen e fëmijëve tanë”, është shprehur Jahiri. E bija e Dëshmorit të Kombit Gursel Sylejmani, Pranvera Sylejmani, është shprehur se dhembjen tashmë e kanë shndërruar në krenari. “Është njëjta si sot, si para 20 viteve, por është një ditë që e ndjej pak më shumë krenarin, madje është një ndjenjë shumë e mirë duke e parë edhe një pjesëmarrje kaq të madhe të qytetarëve që tregon, që qytetarët tanë, që tregojnë që nuk i kanë harruar dëshmorët”, ka thënë Sylejmani.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …