EULEX-i merr nën mbrojtje speciale, Nazim Bllacën

 


Në kohën kur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë tashmë po mbahen seancat dëgjimore për dhe kundër pavarësisë së Kosovës, Serbia ka aktivizuar tërë arsenalin diplomatik përmes medieve duke përhapur sa më shumë gënjeshtra, me qëllim për të përfituar sa më shumë përkrahje  në synimet e saj kundër pavarësisë por edhe kundër Kosovës përgjithësisht. Në këtë luftë speciale kundër Kosovës, pjesën e vet të detyrës po e realizon edhe EULEX-i, i cili po e zbaton marrëveshjen e protokollit  me policinë e Serbisë dhe po bashkëpunon ngushtë në këtë drejtim.


Gjatë ditëve të fundit mediet serbe po spekulojnë lidhur me sikur thuhet arrestimin e ish-komandantit të SHP të UÇK-së, Azem Syla nga Policia e Kosovës,  ndërsa po i jepet përkrahje pa rezervë deklaratave të Gani Gecit, Adem Salihajt dhe Nazim Bllacës, si njerëz që po bëjnë përpjekje të dëshmojnë lidhur me krimet, të cilat qenkan  kryer në Kosovë nga ish kreu i luftës dhe nga SHIK-u.


Nxjerrjes në sipërfaqe e  kësaj kutie me gënjeshtra, insinuata, spekulime dhe inskenime ndër më të ndytat, të akorduara dhe të lansuara nga ky tresh shumë i njohur për krijimin e farsave të tilla, doemos se i ka ndihmuar edhe një pjesë e medieve dhe shtypit që botohet në gjuhën shqipe në Kosovë. Propaganda mediale dhe hapësira pa kufi  që i ka bërë   “zbulimeve”  të Bllacës, KTV-ja, Koha Ditore, Bota Sot, Gazeta Ekspress si dhe disa portale në internet, janë bërë pjesë e një fushate tejet të ligë, të panjerëzishme dhe shumë të dëmshme për luftën e UÇK-së,  për pavarësinë e Kosovës  dhe krejtësisht në dobi të Beogradit zyrtar.


Edhe kësaj radhe, ashtu sikur edhe radhëve të tjera të mëhershme, po shihet mirëfilli se kush po i fryn zjarrit në vend dhe kush po bën përpjekje të fuqishme dhe të pandërprera  t’i plasojë si të vërteta gënjeshtrat e disa njerëzve të sëmurë shpirtërisht dhe të njohur publikisht për inskenime, ndërsime, reketim, kërcënim, shantazhe madje edhe vrasje e pjesëmarrje në to.


Duke pasur para sysh situatën konfuze, që është krijuar në vend dhe përpjekjeve që po bën Beogradi zyrtar që kjo situatë të përkeqësohet sa më shumë, një rol shumë provokues dhe antishqiptar po e luan edhe një segment i misionit EULEX, i cili praninë e vet e mbështet gjoja në instalimin e “sundimit të ligjit” dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët.


Tashmë po shihet edhe më qartë se ky mision protektor i BE-së ka do qëllime shumë të errëta kundër të gjithë atyre shqiptarëve, që kanë luftuar për liri dhe pavarësi. Fushata kundër kësaj klase është paralajmëruar nga një prokuror i këtij misioni, një muaj më parë, pikërisht në kohën e fushatës zgjedhore, me qëllim që ta dëmtojë publikisht krahun e luftës, PDK-në dhe forcat e tjera atdhetare.


Ky fakt më së miri ilustrohet me favoret që i ka siguruar prokuroria dhe policia e EULEX-it, të akuzuarit për krim të organizuar, Nazim Bllaca, kundër të cilit u  aplikua forma më e lehtë e ndjekjes penale, arrest shtëpiak, me lëvizje të kufizuar. Këto favore i jepen këtij njeri, i cili deklaron publikisht se ka vrarë njerëz me porosi, ka marrë pjesë në vrasje, rrahje e maltretime, ka kërcënuar dhe ka shantazhuar sa e sa qytetarë të vendit, ka ikur nga Kosova në Serbi dhe është kthyer për të vrarë tre ndër emrat më të njohur të luftës në Kosovë.


Drejtuesit e EULEX-it në Kosovë mendojnë të përfitojnë sa më shumë nga kjo fushatë shumë e rrezikshme për Kosovës, për qëllime djallëzore dhe antishqiptare,  meqë duke i caktuar arrest shtëpiak njeriut, i cili pranon se ka kryer vepra kriminale dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me këdo, në përpjekje për të diskredituar kuadrot më të larta të luftës dhe të paqes në Kosovë, ata kërkojnë që tërë këtë situatë ta zbrazin në një orientim të caktuar, në përputhje me strategjinë e tyre kundër luftës së UÇK-së dhe trashëgimisë së saj në Kosovë. Mbetet të shohim se kush do të përfitojmë më shumë nga kjo kurdisje, gjithsesi kundër Kosovës dhe perspektivës së saj.


 


RKL: Një “bombë” mediale e kurdisur për të shpërthyer në prag të fillimit të seancave në GJND


Në prag të fillimit të procesit për legjitimitetin e  pavarësisë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Nazim Bllaca nga fshati Ribar i Madh i komunës së Lypjanit ka dëshmuar publikisht për, sikur ka deklaruar para medieve, pjesëmarrjen e tij në shumë vrasje enigmatike, maltretime dhe shantazhe, të kryera  në Kosovë prej vitit 1999 e deri në vitin 2003.


Ai ka përfolur edhe pjesëtarë të kreut të ish-SHIK-ut të Kosovës, të cilët sipas tij, kanë bashkëpunuar në likuidimin e disa personave, të etiketuar si kolaboracionistë të regjimit serb. Ky njeri  ka deklaruar para medieve se dëshmitë e tij fillimisht ua ka ofruar organeve të policisë, pastaj dy deputetëve të LDD-së Gani Gecit nga Llausha e Skënderajt dhe dhe Adem Salihajt nga Ferizaj,  të cilët këto të dhëna i kanë paraqitur edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës.


Ndërkohë bëhet e ditur se edhe pas vetëdenoncimit publik për likuidimin, të paktën të  një njeriu, policia nuk e ka arrestuar Nazim Bllacën, edhe pse ai ka pranuar publikisht krimin dhe është treguar i gatshëm të përballet me organet e drejtësisë. Ky ishte shkurtimisht lajmi që nga shumë mediume u trajtua si lajm tronditës, edhe pse  me vetëdeklarimin dhe vetëdenoncimin e Nazim Bllacës nuk janë paraqitur fakte konkrete, të cilat japim mundësi për të konkluduar se ky lajm paska tronditur Kosovën, sikur shkruan sot në shumë gazeta të Kosovës.


Vetëm katër  ditë para fillimit të procesit gjyqësor në Gjykatën  Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së vendit tonë, dy deputetët të Kuvendit të Kosovës, Gani Geci dhe Adem Salihaj kanë aranzhuar dhe  kanë shpërndarë një CD me “dëshmi” të ish punëtorit të SHIK-ut, Nazim Bllaca, i cili ka akuzuar disa anëtarë të kreut të luftës së UÇK-së dhe të PDK-së për krime enigmatike, të cilat sipas tij  janë kryer kundër personave që janë identifikuar si kolaboracionistë të Serbisë. Fjalët e deputetëve  Gani Geci dhe Adem Salihaj para medieve, se kjo aferë qenka  shtyrë për shkak të procesit të zgjedhjeve dhe përgjithësisht proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, lënë për të kuptuar  se tërë kjo aferë është përgatitur për të ndodhur pikërisht kur  qarqet ndërkombëtare, pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës, po fillojnë  debatin lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë, të cilën e ka kundërshtuar dhe e kundërshton fuqishëm Beogradi zyrtar.


Aranzhimi i kësaj afere, është bërë me qëllime politike, meqë Nazim Bllaca ka deklaruar se shumë muaj më parë, ka projektuar dhe ka realizuar materialet denoncuese, në të cilat pranon se ka marrë pjesë. Logjikisht shtrohet pyetja, përse kjo fushatë u projektua për t’ u promovuar pikërisht para 1 dhjetorit dhe nuk u shty për një muaj më vonë, për hir të Kosovës, fatin e së cilës e duan Gani Geci dhe Adem Salihaj, jo vetëm të përfolur për krime por edhe të gatshëm për të sulmuar e për t’ u rrahur madje edhe në forumet më të larta të LDK-LDD-së. Po ta pranojmë faktin se deputetët e LDD-së Gani Geci dhe  Adem Salihaj afër dy muaj më parë paskan denoncuar në policinë e UNMIK-ut, kjo lë për të kuptuar se afera ka qenë e kurdisur të ndodh pikërisht gjatë fushatës zgjedhore, por, sipas tyre policia qenka treguar e shurdhër lidhur me këtë rast.


Të zhgënjyer se bomba e kurdisur kundër PDK-së nuk shpërtheu gjatë fushatës zgjedhore, ata u morën vesh që këtë bombë ta aktivizonin brenda Kuvendit të Kosovës, në prag të balotazhit dhe disa ditë para fillimit të procesit gjyqësor në GJND.


Të pakënaqur me faktin se bomba nuk po aktivizohej, dhe se efektet e saj pas zgjedhjeve nuk do të sjellin dobi për ta ngritur sado pak numrin në rënie të elektoratit, ( meqë Salihaj dhe Geci pësuan debakël në radhën e parë të zgjedhjeve të 15 nëntorit)  ata zgjodhën Nazim Bllacën për ta paraqitur publikisht, mu para Kuvendit të Kosovës, deklaratën e tij denoncuese dhe vetë denoncuese, e cila sado që ishte parapërgatitur për një kohë të gjatë, doli krejtësisht e inskenuar, kontradiktore, konfuze dhe e pabesueshme.


Nazim Bllaca ka deklaruar me këtë rast se e paska bërë roje prite  me muaj të tërë  për ta likuiduar Adem Salihun, ndërsa për kryerjen apo pjesëmarrjen në krimet e tjera nuk iu kanë dashur me shumë si një ditë, apo vetëm disa orë. Ai nuk e argumentoi faktin përse iu ka drejtuar pikërisht këtyre dy personave, mjaft të përfolur për afera të ndryshme. Po ashtu Gani Geci e Adem Salihaj në prononcimet e tyre para gazetarëve nuk treguan sesi i besuan aq lehtë njeriut, që sa e sa herë u kishte zënë pritë dhe kishte bërë përpjekje të pasuksesshme  për t’ i vrarë?


Tashmë po shihet sheshit se kjo fushatë e orkestruar shumë herët dhe e kurdisur kundër PDK-së dhe kreut të luftës së UÇK-së, u aktivizua pas publikimit zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve të 15 nëntorit, ku PDK-ja doli e para.


Fushata mediale e LDD-së, apo vetëm e Gani Gecit dhe Adem Salihajt nga radhët e kësaj partie, e cila në zgjedhjet e 15 nëntorit humbi më shumë se gjysmën e votuesve, doemos se i ka brengosur këta dy deputetë, të cilët kanë zgjedhur një rrugë shumë të gabuar për të fituar  besimin e popullit.


Po të ishin atdhetarë dhe besnikë të lirisë së Kosovës, Adem Salihaj dhe Gani Geci duhet ta kishin bindur Nazim Bllacën, që për hir të Kosovës, mos t’ i japin adute Serbisë për t’ i thënë botës, se ja cilët janë shqiptarët, “terroristët” që kanë luftuar kundër Serbisë dhe që e kanë shpallur Kosovën shtet të pavarur.


Është krejtësisht e natyrshme që Qeveria e Beogradit ka përfituar shumë nga ky rast, të cilin me siguri se edhe e ka mbështetur, në mos edhe e ka aranzhuar përmes shërbimeve dhe besnikëve të vetë në Kosovë, meqë qëllimi i saj mbetet përçarja sa më e thellë në mesin e shqiptarëve, përkrahja për forcat retrograde dhe vajtimin me lotë krokodili, që ajo iu bën besnikëve të vetë, të vrarë e të likuiduar në Kosovë si para, gjatë dhe pas luftës.  Kjo nuk do të thotë se Gani Geci e Adem Salihaj mund të kenë bashkëpunuar me Serbinë në këtë drejtim, por aktivizimi i fushatës pikërisht në kohën kur Serbia ka më së shumti nevojë për afera dhe yshtje të tilla,  i qet hije edhe më të zezë këtyre deputetëve të përfolur për shumë afera dhe pjesëmarrës në veprime antiligjore.


Nuk është thënë kot se e vërteta zhytet por nuk mbytet, ajo mënon por nuk harron.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …